Eglant Koçi
TIRANË- Hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i zhdukur që prej datës 4 qershor po vijojnë. Bëhet me dije se policia ka sekuestruar automjetin që dyshohet se është përdorur në ngjarje dhe gjatë kontrollit të mjetit janë konstatuar disa njolla gjaku, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertizës. Po ashtu nga kontrollet e policisë në terren dhe pamjet e kamerave të sigurisë, policia ka gjetur prova që shtojnë dyshimet se 34-vjeçari është vrarë nga shoku i ngushtë.
Sipas policisë, personi që e ka marrë peng të riun është 41-vjeçari Armand Shakaj, i shpallur në kërkim. Shakaj dyshohet se është ndihmuar edhe nga një 25 vjeçar, Enea Zyferi, i cili është i vënë në pranga. Ky i fundit ishte kamerier në lokalin në pronësi të të kërkuarit, Shakaj. Deri më tani, policia ka arritur të gjejë motorin e 34-vjeçarit të zhdukur, Eglant Koçi dhe vendin ku ai është mbajtur.
Nga kamerat e sigurisë, është parë që prej aty del me makinë autori i dyshuar Armand Shakaj dhe dyshimet janë se në automjet ka pasur edhe trupin e Koçit. Sipas raportimeve të deritanishme, Shakaj për të fshehur gjurmët ka lëvizur motorin e viktimës nga zona ku ndodhi krimi drejt 5 Majit, ku u gjet dy ditë pas krimit.
Eglant Koçi është zhdukur më 4 qershor, dhe për herë të fundit është parë në zonën pranë sheshit “Willson” në kryeqytet, teksa po lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”. Policia ka arritur gjithashtu të gjejë nga kamerat e sigurisë edhe disa episode të lëvizjes së tij me motor nëpër Tiranë. Koçi rezultonte i punësuar në një mobileri, por policia dyshon se ai ishte i përfshirë në aktivitetin e kriptomonedhave, që është një ndër pistat hetimore mbi të cilat është fokusuar policia
Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimeve, fati i 34-vjeçarit mbetet i paqartë, ndërsa policia vijon kërkimet për gjetjen e tij dhe lokalizimin e të dyshuarit kryesor, Armand Shakaj./Dosja.al