Protesta për Zvërnecin/ Protestuesit çajnë kordonin metalik, policia i sulmon me ujë. Tubimi shpërndahet në gjithë Tiranën
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
"Shqipëria është e shqiptarëve"/ Qytetarët mbushin rrugët e Tiranës, kërkojnë anulimin e pr...
• Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Veri të Kosovës, konkretisht në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut • Shpërthimi i fuqishëm ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. • Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. • Pas ngjarjes, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Serbinë si përgjegjëse për sulmin e ndodhur, duke shtuar se kanë synuar të dëmtojnë infrastrukturën mbase më të rëndësishme të vendit. • Si pasojë e dëmtimit të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti ka thënë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e qytetit të kryeqytetit, Prishtinë, mund të ngelen pa ujë të pijshëm. • Ashtu si kryeministri edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e ka cilësuar sulmin si akt terrorist, ndërsa ka treguar se bëhet fjalë për 15 kilogramë lëndë eksplozive të përdorur në shpërthim. • Sipas tij kjo lëndë vjen nga stoqet e Serbisë. • Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po gjithashtu fajësoi "bandat kriminale serbe" për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës. • Pas ngjarjes Osmani anuloi edhe një vizitë të saj shtetërore të planifikuar për ditën e sotme në Brunei. • Sulmi është dënuar ashpër nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier dhe ai gjerman, Jorn Rohde të cilët kanë bërë thirrje për hetime të thelluar që autorët të vihen para drejtësisë. • Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se incidenti serioz në Zubin Potok sonte mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës dhe gjithashtu kërkoi hetim mbi ngjarjen. • Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dënoi sulmin ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, i cili po lë pa furnizim me ujë pjesë të konsiderueshme të Kosovës. • Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, tha se e dënon ashpër dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë, duke e quajtur atë akt kundër interesave të popullit serb. • Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese. • Përveç atij në Zubin Potok, një shpërthim tjetër u regjistrua edhe ndaj komunës së Zveçanit, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar. • Lidhur me ngjarjen, kryeministri Kurti ka bërë me dije se janë kryer disa kontrolle në disa banesa në zonë, ku si rezultat janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar edhe prova materiale. Kurti tha se autorët do të përballen me ligjin.
11 artikuj për këtë temë.

KOSOVË- Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media, pas sulmit të mbrëmshëm në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në këtë konferencë ka thënë se tri sulmet e fundit në veri janë kualifikuar si sulme terroriste që kanë pasur synim ta cenojnë sigurinë e Kosovës.
Ai ka shtuar se vetëm në gjashtë muajt e fundit janë evidentuar gjashtë raste të shpërthimeve, në komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Duke folur për sulmin e mbrëmshëm në Zubin Potok, ai tha se ka qenë nga një grup i mirë organizuar, të cilët kanë njohuri në përdorimin e mjeteve shpërthyese. Mes tjerash, Hoxha tha se në këtë sulm është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, rreth 15 deri në 20 kilogramë.
"Më datën 29.11.2024, rasti i sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës kishte për shënjestër kanalin e Ibër Lepencit i cili bënë furnizimin e ujit të pijshëm të disa komunave por edhe mbi të gjitha furnizimit të ujit të Termocentralit të Korporatës Energjetike (KEK). Për realizimin e këtij sulmi terrorist në bazë të hetimit të vendit të ngjarjes dyshohet se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri në 20 kilogramë e cila ka qenë e vendosur me një çantë të zezë, e u aktivizua me detonatorë mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalet e Ibër Lepencit si pasojë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm e duke rrezikuar edhe furnizimin me energji elektrike’’, tha Hoxha
KOSOVË- Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas aktit terrorist të së premtes, kur me eksploziv u dëmtua kanali i Ibër–Lepencit, policia ka arrestuar tetë persona të dyshuar në veri të vendit dhe ka konfiskuar arsenal të armatimit. Sveçla thotë se sulmi i fundit ndaj infrastrukturës jetike është më i rëndi në Kosovë që nga paslufta.
“Janë sulme të cilat dirigjohen nga Serbia. Sulmi më kritik, më i rëndë pas përfundimit të luftës. Ne për këtë mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar. Ky sulm terrorist është i mirë organizuar, i organizuar nga grupe apo organizata që janë profesioniste, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ai.
Sveçla thotë se institucionet tashmë janë duke bashkëpunuar për të zbardhur ngjarjen.
“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla tha se institucionet e Kosovës do të parandalojnë aktet e tilla terroriste në të ardhmen dhe të zbardhet ky rast dhe përgjegjësitë të marrin dënimin e merituar.
“Policia do të merr masa për parandalimin e sulmeve të tjera terroriste dhe t’iu del në ndihmë qytetarëve pa asnjë dallim. Ftoj të gjithë t’iu referohen vetëm informacioneve zyrtare”, ka thënë Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar se shumica e pajisjeve janë të prodhimit serb, por që disa pajisje janë ekskluzive ushtarake që nuk gjenden as në tregun e zi.
“Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material që vështirë që gjendet, pos që furnizimet janë nga magazinat e ushtrisë. Ne besojmë se ato kanë dalë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Policia e Kosovës do ta verifikojë këtë”, ka shtuar Sveçla.
KOSOVË- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë për mbështetje dhe financim të Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi organizator të sulmeve në Kosovë. Sipas Bislimit, krahu i tij i djathtë, Nemanja Radivojeviç, është i dyshuari kryesor për sulmin me granatë dore në Zveçan para disa ditësh.
Bislimi thekson se, megjithëse Serbia distancohet publikisht nga aktet terroriste, ajo vazhdon të lejojë Radoiçiqin të veprojë dhe të planifikojë sulme nga territori serb. Ai përmendi edhe rastin e ngjashëm të sulmit në Banjskë, shtatorin e kaluar, ku një efektiv policie u vra.
Postimi i plotë:
Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun.
Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës.
KOSOVË- Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së. Gjatë takimit është diskutuar në lidhje me sulmin e mbrëmshëm në Ibër-Lepenc.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani gjatë takimit ka theksuar se sulmi i mbrëmshëm synon destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit.
“Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani theksoi sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit”, ka njoftuar Presidenca.
Gjithashtu, është diskutuar edhe për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate. Sakaq, Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëytare që ta dënojnë këtë sulm, teksa ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor.
“Presidentja Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor. Në vazhdim të ditës, Presidentja do t’i takojë edhe institucionet e sigurisë në vend”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentes.
KOSOVË- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shkuar sot në fshatin Varagë të Zubin Potokut ku ka vizituar vendin ku ka ndodhur shpërthimi në kanalin e Ibër–Lepencit.
Duke folur për mediat, Kurti tha se Policia ka zhvilluar kontrolle në banesa dhe se ka persona të arrestuar dhe dëshmi e prova materiale. Kreu i qeverisë deklaroi se personat përgjegjës do të përballen me fuqinë e ligjit të Republikës së Kosovës.
Teksa falenderoi të gjithë policiët, inxhinierët dhe ekspertët, Kurti ka treguar gjithashtu se është arritur sanim i pjesshëm i dëmtimit të kanalit.
“Kemi arritur që deri diku ta sanojmë dëmin. Jemi diku diç më shumë se çereku i prurjeve të ujit të kanalit, që e bën edhe ftohjen e elektranave dhe furnizimin me ujë. Policia po i zhvillon hetimet, ka bastisje dhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminel e terrorist do të përballen me drejtësinë dhe ligjin të Republikës demokratike të Kosovës”, tha Kurti.
KOSOVË- Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka ndërmarrë masa emergjente për zbutjen e pasojave dhe për ta ruajtur sigurinë e infrastrukturës kritike të vendit, pas një sulmi që i shkaktoi dëme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, tha Qeveria në një njoftim.
Këshilli mbajti takim të jashtëzakonshëm, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, disa orë pasi një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në disa shtëpi në veri të vendit, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i policisë për veriun, Veton Elshani, pa dashur të japë më shumë hollësi. Qeveria tha se janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.
“Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj”, thuhet në njoftim.
Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Dëmet janë riparuar vetëm pjesërisht gjatë natës, pasi uji mund të shihet duke rrjedhur ende nga kanali, por në një masë më të vogël. Bie në sy prania e KFOR-it në afërsi të kanalit të dëmtuar, bashkë një veturë të EULEX-it, ndërsa prania e Policisë së Kosovës është shtuar edhe në pjesë të tjera të komunës së Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha më herët se pas këtij takimi është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë. Autoritetet kosovare e kanë akuzuar shtetin fqinj, Serbinë, se qëndron pas këtij sulmi.
“Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç, nën dirigjimin e presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste”, thuhet tutje në njoftim.
"Mbrojtja Civile" dhe "Brigada e Veriut", që iu referua Këshilli, u shpallën organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës qershorin e vitit të kaluar, ndërsa Radoiçiç, politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, e mori përgjegjësinë për sulmin e vitit të kaluar kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe 44 personave të tjerë për atë sulm, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues. Në komunikatë, Qeveria e ndërlidhi sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit edhe me sulmet që ushtria ruse është duke i kryer pareshtur ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
“U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”, tha ajo.
Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim, sipas Qeverisë. Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan. Qeveria tha se e ka rritur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.
Gjatë mbledhjes, Kurti tha se Kosova “është e vendosur dhe e përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike”. Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk ka shkaktuar viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Sulmi u dënua edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë./REL
KOSOVË- Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha të shtunën se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë, pas sulmit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit.
Një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
“Ibër-Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshme me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit ‘Kosova B’. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacenuar”, tha Rizvanolli në një postim në Facebook të shtunën në mëngjes.
Ajo tha se pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është marrë vendim po ashtu që autoritetet e vendit të bashkërendohen me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale. Rizvanolli shtoi se “nga ky akt terrorist” është ndikuar edhe furnizimi me ujë.
“Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, tregoi ajo.
Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk ka shkaktuar viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për "sulm kriminal dhe terrorist", i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Shpërthimi u dënua edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë. Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan. Pas këtyre sulmeve, Policia e Kosovës tha të premten se ka shtuar masat e sigurisë në Kosovë, përfshirë në pjesën veriore të shtetit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur “disa sulme apo incidente serioze kriminale”./REL
KOSOVË- Shpërthimi i fuqishëm i mbrëmjes së djeshme në veri të Kosovës, ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Zyrtarët e shtetit të Kosovës kanë bërë fajtor Serbinë për sulmin e fuqishëm.
Ndërkohë kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, ka shpërndarë në rrjetet e tij sociale disa pamje nga shpërthimi që ka ndodhur mbrëmë.
Mujka gjithashtu ka njoftuar se në një afat rekord u vendosën 6 tuba 900 mm në kanalin e dëmtuar me të cilat u mundësua furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali i Ibër Lepencit.
POSTIMI I PLOTË:
Të nderuar miq, dashamirë, qytetarë të Republikës së Kosovës.
Pas një nate plot ankth e stres, me gëzimin më të madh ju lajmëroj se pas një pune të palodhshme të gjithë akterëve relevant në kushte atmosferike tejet të rënduara, me në krye ndërmarrjen FAMIS CO, punëtorët e Ibër Lepencit dhe Policinë e Kosovës, në një afat rekord u vendosën 6 tuba 900 mm në kanalin e dëmtuar me të cilat u mundësua furnizimi i papenguar i KEK ut me ujë nga kanali i Ibër Lepencit.
Besojmë se shumë shpejt do të bëjmë zgjidhje edhe për furnizim me ujë të pijshëm.
Treguam se edhe ne dijmë të organizohemi shumë mirë e shumë shpejtë dhe të koordinohemi në mënyrë perfekte.


KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas sulmeve të fundit në infrastrukturën jetike të vendit, ka anuluar vizitën e saj shtetërore në Brunei. Sipas planifikimeve të mëparshme presidentja pritej të udhëtonte sot në mëngjes për Brunei.
Në një bisedë telefonike të zhvilluar sot, Presidentja Osmani e ka njoftuar Madhërinë e Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend dhe janë dakorduar që vizitën e paraparë ta realizojë në një të ardhme të afërt dhe në një kohë të përshtatshme për të dy palët.
“Ky vendim u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të situatës në zhvillim të sigurisë dhe nevojës për t’u koordinuar me të gjitha institucionet në vend në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e bërë nga presidenca.
Shpërthimi më i fundit ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, ku si pasojë ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë, për "sulm kriminel dhe terrorist", i cili sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
KOSOVË- Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar akt terrorisht shpërthimin e mbrëmjes së djeshme në Zubin Potok dhe që si pasojë ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Sveçla tha se shpërthimi ishte një sulm ndaj një infrastrukture kritike në Kosovë.
“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes. Meqë rast është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar”, ka thënë Sveçla nga vendi i ngjarjes, ku ishte së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën.
“Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë, që nuk është e lehtë të gjindet në tregun e zi. Kjo patjetër që vjen nga rezervat nga stoqet e eksplozivit të Serbisë", tha ai, duke shtuar se bëhet fjalë për 15 kilogramë lëndë shpërthyese të përdorur në sulm.
KOSOVË- Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për "sulm kriminel dhe terrorist", i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Ndërkaq, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kanë dënuar fuqishëm shpërthimin në Ibër-Lepenc. Kurti ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media, para mesnatës, se përmes sulmit është munduar të rrezikohet furnizimi i Kosovës me ujë dhe me energji elektrike.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që “të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi njoftimet” zyrtare nga organet e vendit, të cilat ka thënë se “janë të angazhuara në menaxhimin e situatës dhe rikuperimin e dëmit”.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se shpërthimi në Zubin Potok është sulm terrorist, që autoritetet e Kosovës besojnë se “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesim dhe aftësi për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla”.
Si pasojë e dëmtimit të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti ka thënë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e qytetit të kryeqytetit, Prishtinë, mund të ngelen pa ujë të pijshëm.
Kurti ka deklaruar se “nuk mund të ketë adresë tjetër për fajësi për organizimin dhe orkestrimin e sulmit, përveç Beogradit zyrtar dhe strukturave kriminale me në krye Millan Radoiçiçin”, të cilat, ka shtuar ai, mbështeten nga institucionet serbe dhe nga presidenti Aleksandar Vuçiç.
Ai ka thënë se Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, “është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare atje”, të cilat, siç është shprehur ai, urrejnë Kosovën dhe popullin e saj.
Kurti ka thënë se incidenti në Zubin Potok është shpërthimi i tretë në tre ditët e fundit, përmes të cilit, sipas tij, “është synuar të nxitet frika dhe pasiguria në tre komunat në veri, për ta përshkallëzuar situatën në mbarë vendin”.
“Përpjekjet e këtilla do të ngelen të dëshpëruara. Kushtetutshmëria, sundimi ligjit, rendi dhe populli, republika jonë, nuk do të mund të mposhten asnjëherë nga askush”.
Kurti ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, për “mbështetjen e tyre ndaj vendit”.
Ai ka thënë se menjëherë pas konferencës do ta takojë komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, dhe se do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Çfarë është Ibër-Lepenci?
Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” është shoqëri aksionare me seli në Prishtinë dhe është ndërmarrje shumëfunksionale e cila furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit.
Bazuar në dokumentet qeveritare, nga sistemi i Ibër-Lepencit në Ujman në Zubin Potok, me ujë të pijshëm furnizohet veriu i Kosovës, por edhe Prishtina me rrethinë. Ky hidrosistem gjithashtu furnizon me ujë termocentralet në Obiliq, që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, ndërsa përveç kësaj, uji nga liqeni akumulues i Ujmanit përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Vetë kanali Ibër-Lepenc ka një gjatësi prej 49 kilometrash – nga liqeni i Ujmanit deri në Prishtinë dhe përfundon në liqenin e Badocit afër Prishtinës.
Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.
Në lidhje me këtë shpërthim, nuk pati reagime të menjëhershme në Serbi. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, tha se e dënon ashpër dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë, duke e quajtur atë "akt absolutisht kundër interesave të popullit serb". Partia serbe tha se dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu “ka shkaktuar shqetësim te serbët në veri të Kosovës”.
Më herët, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që doli në vendngjarje, tha se shpërthimi është dëgjuar para orës 19, dhe se një pjesë e Ibër-Lepencit, që konsiderohet si infrastrukturë kritike, është dëmtuar. Ai e cilësoi si "akt terrorist" dëmtimin e kanalit të ujit, përmes së cilit tha se furnizohet edhe Korporata Energjetike e Kosovës. Sveçla tha se institucionet janë mobilizuar që dëmet të sanohen dhe qytetarët të mos vuajnë pasojat.
"Është detyrë e domosdoshme e institucioneve të sigurisë që të hetohen terroristët që kanë kryer këtë akt terrorist dhe të sillen para drejtësisë," theksoi ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fajësoi "bandat kriminale serbe" për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës. Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës.
"Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj ketyre elementeve kriminale janë jetike", tha ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të tregojnë qetësi dhr maturi derisa institucionet të hetojnë rastin dhe të sanojnë dëmet. Ujësjellësi Rajonale e Ujësjellësit "Mitrovica" njoftoi se ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të kanalit. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë, pas shpërthimit në Zubin Potok tha se furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në të gjithë territorin e Kosovës.
"Po ashtu, ekipet tona janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin e sigurtë të sistemit të energjisë elektrike", tha KOSTT.
Hovenier: SHBA dënon ashpër sulmin ndaj "infrastrukturës kritike" të Kosovës
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dënoi ashpër sulmin ndaj "infrastrukturës kritike në Kosovë", pas dëmtimit të kanalit të ujit në veri.
"Ne po monitorojmë nga afër situatën, do të mbështesim një hetim gjithpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës për t'u siguruar që përgjegjësit e këtij akti kriminal të identifikohen dhe mbahen përgjegjës", tha ai në X.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se "incidenti serioz në Zubin Potok sonte mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës". Ai kërkoi hetim të shpejtë për këtë sulm. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se dënon fuqishëm sulmin që prek "komunitetet gjithandej Kosovës".
"I bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe për vënie të keqbërësve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme t'i mbështesë autoritetet kosovare", është shprehur ai.
Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dënoi "sulmin ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, i cili po lë pa furnizim me ujë pjesë të konsiderueshme të Kosovës". Ai tha se tashmë "ka ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës", dhe se "incidenti duhet të hetohet, ndërsa përgjegjësit të vihen para drejtësisë".
Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese. Policia tha se do të shtojë aktivitetet, do të rrisë prezencën në terren, “duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”.
Ky institucion tha se me shtimin e masave policore synohet të ruhet rendi e qetësia publike, të parandalohen aktet kriminale dhe të hetohen e vihen para drejtësisë “të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditëve të fundit janë shënuar incidente me mjete shpërthyese. Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore. Ndërkaq, më 29 nëntor Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.
Ky incident është dënuar nga autoritetet në Kosovë, që i kanë cilësuar si “akte kriminale” që synojnë “të ndjellin frikë”. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e fajësoi Serbinë për, siç tha, "dirigjimin" e bandave kriminale për kryerjen e sulmet të ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri.
Katër komunat në veri të Kosovës – Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut - udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura vitin e kaluar.
Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë incidentesh. Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës. Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë./REL