Protesta për Zvërnecin/ Protestuesit çajnë kordonin metalik, policia i sulmon me ujë. Tubimi shpërndahet në gjithë Tiranën
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
"Shqipëria është e shqiptarëve"/ Qytetarët mbushin rrugët e Tiranës, kërkojnë anulimin e pr...
• Seanca e sotme në Kuvend për projektbuxhetin 2025 është mbyllur për tu vijuar ditën e nesërme. • Seanca nisi me fjalën e kryeministrit, Edi Rama dhe kjo solli protesta nga opozita e cila nisi ti binte tavolinave. • Pak minuta pas nisjes, fjala e Ramës u ndërpre dhe u kërkua nga kryeparlamentarja, Elisa Spiropali për një 5 minutsh pushim. • Rama në Kuvend ka ndarë lajmin për pensionistët në lidhje me bonuset e fundvitit, që do të ndahet në dy kategori. • Fillimisht pensionistët që kanë pensionin më të vogël se 200 mijë lekë, do të marrin si bonus 150 mijë lekë. • Ndërsa pensionistët që marrin mbi 200 mijë lekë pension do të kenë bonus 100 mijë lekë në fund të vitit. • Rama po ashtu ka premtuar dhe një bonus të dytë për pensionistët në fillim të pranverës, por nuk tha se sa do të jetë ai. • Në Kuvend, Rama nisi të ofendojë dhe Opozitën, duke i quajtur ata mbeturina. • Deputeti demokrat Flamur Noka në përgjigjë të Ramës ka deklaruar se ky do të jetë buxheti i fundit i kësaj qeverie, pasi shqiptarët do ta refuzojnë me votë. • Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se kryeministri Edi Rama e jep bonusin e fundvitit për pensionistët njëherë në 4 vite për efekt të zgjedhjeve. • Bardhi iu përgjigj edhe gjuhës së përdorur nga Rama ndaj opozitës, ku tha se kush është i palarë dhe qelbet erë atë e di çdo shqiptar. • Bardhi tha se pensionistët në 12 vite të qeverisjes së Partisë Socialiste kanë pensione gati 8% më të ulëta. • Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se me buxhetin e vitit 2025, do të nisin, por edhe përfundojnë projekte ambicioze në infrastrukturë
37 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Pas më shumë se 10 orësh seancë plenare ditën e sotme është mbyllur rreth orës 10 e 20. Në seancën e sotme është diskutuar projektbuxheti për vitin 2025.
Ndërkohë që seanca pritet të vijojë sërish ditën e nesërme, ku dhe pritet që të votohet buxheti. Diskutimet e sotme në Kuvend për buxhetin, janë vijuar me debate të ashpëra, ndërkohë që fokusi më i madh ishin pensionistët.
TIRANË- Gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, për të diskutuar buxhetin për vitin 2025, ka folur edhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedit, Mirela Kumbaro. Teksa mbajti fjalën e saj nga foltorja e Kuvendit, Kumbaro foli me shifra dhe tregoi se buxheti për Minitrinë e Turizmit dhe Mjedisit ka një rritje prej 7.9% krahasur me një vit më parë. Me një buxhet që shkon deri në 3.9 mld lekë, Kumbaro theksoi se synohet investimi në sektorin e turizmit dhe mjedisit.
Ministrja tha se sektori i turizmit ka ndikuar në rritjen e ekonomisë shqiptare. Sipas Kumbaros, 10.4 vizitorë të huaj kanë vizituar vendin tonë deri në tetor. Shifra këto që sipas saj, përkthehen në të ardhura për ekonominë.
“Sot e masim suksesin me standarde, çdo e ardhur nga turizmi përkthehet në ekonomi. Vlen të sjellim në vëmendje edhe shifrat e fundit me të cilat u mbyll tetori, 10.4 vizitorë të huaj nga 1 janari ose 16.5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në ekonominë shqiptarë vlerësohet së të ardhurat nga sektori i turizmit në ekonomi ishin 2 miliardë euro gjatë muajit të parë të 2024”- u shpreh ministrja.
Kumbaro theksoi se do të vazhdojnë në përmisimin e vitit 2025, ku përmendi menaxhimin e këtij sektori përmes një platforme E-Visitors, ku sektori privat dhe publik do të deklarojnë të dhënat në kohë reale.
“Të gjitha këto standarde do të vazhdojnë për tu përmirësuar edhe për 2025. Viti 2025 do ta gjejë Shqipërinë e një strategjie të re kombëtare për vitin 2030. Kemi parashikuar që në 2025 të pajisim sistemin e menaxhimit të këtij sektori industrial me një platformë të re që quhet E-Visitors, ku sektori privat dhe publik do të deklarojnë të dhënat në kohë reale, për të menaxhuar më mirë sektorin. E rëndësishme është që jo vetëm ta formalizojmë, por të shtojmë të ardhurat në buxhetin e shtetit për të parashikuar më mirë investimet në turizëm”- tha Kumbaro.
Po ashtu gjatë fjalës së saj, Kumbao nuk la pa përmendur se investimet do të jenë të rëndësishme edhe në zonat e Mbrojtura. Kjo, pasi jo vetëm për të krijuar një atraksion turistik, por edhe për ta kthyer në një qendër edukimi për biodiversitetin për brezat që vijnë.
“Ngritja Infrastrukturore me theks ujor EKO-Park-Ulza, me një vlerë totale prej 523 milionë lekë për të zgjeruar dhe promovuar një destinacion të mrekullueshëm në bashkinë e Matit, ndërtimin e qendrës multifunskionle në lumin Vjosa, në parkun kombëtar të Lumit Vjosa, me një vlerë 690 milionë lekë. Do të ketë një stacion kryesor në Tepelenë, dhe dy stacione në Përmet dhe Vlorë. Synojmë jo vetëm të krijojmë një tjetër atraksion turistik, por edhe për ta kthyer në një qendër edukimi për biodiversitetin për brezat që vijnë”- u shpreh Kumbaro.

TIRANË- Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se projektbuxheti për vitin 2025 është 14.7 miliardë lekë ose 4% më i lartë se viti 2024. Gjithashtu Denaj tha se në vitin 2013 buxheti ka qenë 6.8 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2025 është 17.7 miliardë lekë, ose 2.2 herë më shumë. Ndërsa duke folur për eksportet, ministrja theksoi se në 2013, kanë qenë 140 milionë euro, ndërsa në 2023 ishin 530 milionë euro të projektuar për të shkuar në 1 miliardë dollarë në 2030.
“927 milionë lekë ka qenë buxheti i subvencioneve në 2013, është 5 herë më i madh në 2024 dhe i projektuar në 2025, duke e arritur një shumë pre 4.4 miliardë lekë. Kemi një rritje të eksporteve me 19% gjatë këtij viti. 4.4 miliardë lekë nga buxheti do të shkojnë për mbështetje direkte për fermerët," tha Denaj.
Po ashtu Denaj u ndal edhe tek fondet e IPARD, kryesisht tek IPARD 2. Ajo nënvizoi se gjatë mandatit të katërt të qeverisjes është parashikuar një rritje eksponenciale e agroturizmave. Me tej Denaj shtoi se drejt 2030 do të shkojmë drejt një skeme subvencionesh që përfarohet me direktivën e BE-së. Në fokus të buxhetit për vitin 2025, nënvizoi ministrja, do të jenë edhe siguria ushqimore me 2.6 miliardë lekë, si dhe infrastruktura ujitje-kullim dhe mbrojtje nga përmbytjet me një fond prej 2.9 miliardë lekësh.
“Janë 540 investime të IPARD në çdo cep të Shqipëri. 73 investime në sera duke bërë të mundur rritjen e sipërfaqeve të mbjella. Janë realizuar 137 investime në mekanikë bujqësore. Prodhimet bujqësore sot grumbullohen dhe seleksionohen në 72 pika grumbullimi falë IPARD 2. janë 80 investime të programit dhe sipërmarrjeve agro-turistike të cilat sot janë një mundësi jo vetëm të harmonizimit të dy sektorëve por të ndërlidhura mes asaj që është ekonomi rurale nëpërmjet asaj që është zinxhir vlerash. Kjo është arsyeja pse në mandatin tonë të 4 të qeverisjes, kemi parashikuar një rritje eksponenciale të agroturizmave të certifikuara, që deri tani kemi 260 parashikojmë të shkojnë në 1000 agroturizma në 2030 për të krijuar këtë dinamizëm në zonat malore dhe rurale. Janë 46 investime në kantina vera dhe nuk mund të mohojmë cilësinë e verës, falë këtyre investimeve të IPARD2,” shtoi Denaj.
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi tha sot se projektbuxheti i vitit 2025 i paraqitur nga qeveria është antisocial. Gjatë seancës parlamentare, Baçi theksoi se ky buxhet është dëshmi e qartë e vizionit antisocial dhe abuzues me taksat e qytetarëve nga qeveria.
“Sot diskutojmë buxhetin e vitit 2025, shumë të madh thotë mazhoranca. Do i lutesha mazhorancës të kursej fjalorin që thotë se buxheti është më i madhi i arritur ndonjëherë, pasi nuk ndodh që buxheti të jetë më i vogël. Ndryshe duhet të shpallim falimentin juridikisht. Edhe ky buxhet, është dëshmi e qartë e vizionit antisocial dhe abuzues me taksat e qytetarëve nga qeveria. E para duket nga rritja e pafrenueshme e inflacionit, shtimi i taksave, rritja e çmimit të shportës dhe kjo do të çojë në krizë të madhe ekonomike dhe sociale. Ky buxhet nuk ka mbështetje për të rinjtë që po largohen çdo ditë. S’ka mbështetje për punësimin dhe arsimimin e të rinjve. Asnjë reformë konsolidimi për shkollat. Asnjë rritje buxheti për spitale. Asnjë rimbursim të ilaçeve për pacientët e varfër që përballen me sëmundje të rënda,” tha Baçi.
Deputeti i PD tha se çështja e pensioneve po përdoret për zgjedhjet e ardhshme.
“I gjithë debati publik, aktualisht fokusohet tek pensionet. Vitin e kaluar, ¼ e popullsisë merrte pension pleqërie. 1/3 merrnin pensione të llojeve të tjera. Çfarë ndodh, parashikimet afatshkurtër janë se numri i personave që do të përfitojnë pension arrijnë 40% të popullsisë së përgjithshme. Sot pensionistët, jo vetëm në Fier, por në të gjithë Shqipërinë i paguajnë ushqimet 55% më shtrenjtë se vitet e tjera. Me pensionet minimale, mundet vetëm të mbajnë frymën gjallë. Ju flisni për shtim pensionesh, apo bonus të fund vitit. Madje Kryeministri tha se do ketë bonus special në fund të këtij viti dhe një bonus tjetër në pranvere, pasi po përpiqet të koordinojë datën e zgjedhjeve, që tua japi bonusin pensionistëve para fushatës dhe kjo, është tallje dhe pensionistët jan tallur për vite të tëra nga kjo qeveri”, tha Baçi.
TIRANË- Fondi që zyra e OLAF ka dhënë për Serbinë dhe heqjen e fondit për Shqipërinë për shkak të vjedhjes ka bërë që Opozita në formë protestë të vendos flamurin serb në krahasim me flamurin shqiptar në Kuvend. Ndërkohë që Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla i kërkoi opozitës që ta hiqnin.
“Hiqeni atë flamurin e një vendi tjetër këtu. Ç’pune keni me flamujt e vendeve të tjera që i varni këtu dhe shkruani emra shtetesh? Hiqini ato dhe mos bëni provokime kot,” u shpreh Balla.
Balla më tej refuzoi të fliste për vjedhjen e fondeve të OLAF dhe kundërshtoi krahasimet që u bën me Serbinë.
“Keni që në mëngjes, foli parafolësi Serbia e ka kaq, Serbia e ka keq, ne e kemi kaq dhe s’e kemi kaq. Ne nuk krahasohemi me asnjërin nga këta vende. Nëse flasim për buxhetin, merrni buxhetin e Shqipërisë të vitit 2013 dhe krahasojeni me buxhetin e vitit 2025. Tre herë është rritur buxheti i shtetit shqiptar,” tha Balla.
TIRANA- Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja foli sot në seancën maratonë për projektbuxhetin 2025, lidhur me sigurimet shoqërore dhe bonusin që pritet të marrin pensionistët këtë fundvit. Gonxhja tha se ndihet krenar që kryeministri Rama dha sot lajmin e mirë për pensionistët. Ai shtoi se 724. 933 pensionistë përfitojnë në tërësi bonusin e fundvitit. Sipas tij, në dhjetor do të krijohet pranë Bankes se Shqipërisë fondi, për një bonus të dytë në pranverë, që do të ndikojë edhe më tej në rritjen e të ardhurave per pensionistet.
"Për Sigurimet Shoqërore. Së pari dua të theksoj që edhe më krenar sot që nga kjo sallë kryeministri dha lajmin e mirë për 724 933 pensionistë, nga të cilët 511 173 do të marrin këtë fundvit bonusin 15 mijë lekë dhe 213 760 pensionistë përfitojnë bonusin 10 mijë lekë. Përfshirë edhe gjithë ata 65 763 pensionistë invalidë si edhe 44 561 pensione familjare, gra e burra të ve, fëmijë jetimë si edhe 2900 pensione të ushtarakëve.
Nga 91 mijë pensionet e fshatit si mesatare bonusi i rit pensionin vjetor me 12 për qind atyre 5174 pensionet. Praktikisht 9 për qind rritje e një pensioni pre 15 mijë lekësh në terma mesatare, 30% rritje e një pensioni social, 35% rritje e një pensioni familjar dhe kjo këtu fjalia që thashë është pa bonusin e fudvitit", tha ministri.
TIRANË- Ministri Ulsi Manja prezantoi sot nga foltorja e kuvendit buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë. Manja tha se 56% të buxhetit e zë sistemi i burgjeve që reflekton me rritje pagash prej 16%. Ministri me tej theksoi se 14,3 mld lekë do jetë rritje fondesh e pagash brenda institucionit.
“56% të totalit e zë sistemi i Burgjeve, 31% shërbimi i kthimit dhe kompensimit të pronave dhe 13 % programet e tjetra në përgjegjësi të Minsitrisë së Drejtësisë. 7.9 mld lekë shkojnë për paga dhe sigurime shoqërore, me një rritje me një 895 mln lekë, që reflekton rritjen e pagave në burgje me 16%, dhe 14% për ndihmën juridike falas, si pasojë e shtesës në organikë me 10 punonjës prej ndryshimit të hartës gjyqësore”, tha ministri ndër të tjera.
Gjatë fjalës së tij, ministri Manja vuri theksin se investimet për sistemin e burgjeve për vitin 2025 janë rritur me 133%. Manja gjithashtu zbuloi dhe projektin kryesor, atë të ndërtimit të një paraburgimi në Kukës që do t'i shërbejë edhe Kosovës.
“1.5 mld lekë janë investime. Vlen të theksohet se investimet e brendshme për 2025 krahasuar me 2024 për sistemin e burgjeve janë shtuar me 400 mln lekë, 133% rritje, ku projekti kryesor do të jetë ndërtimi i një paraburgimi në qytetin e Kukësit, që do t’i shërbejë zonës, pse jo dhe Kosovës”, shpjegoi Manja.
TIRANA- Deputeti demokrat Edmond Spaho dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla kanë replikuar në seancën plenare të ditës së sotme teksa vijon maratona e diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2025. Pasi deputeti Spaho tha se bujqësia ka rënë, ministri Balla u përgjigj duke sjellë një shifër të eksporteve 4.5 herë më të lartë krahasuar me vitin 2013, sipas tij. Nga ana tjetër, Spaho tha se Balla bën kompetentin për çdo gjë.
Pjesë nga debati:
Balla: Pensionet rriten kur rriten taksat. Në 2023 është 550 milion euro eksporte në bujqësi. 550-ja dhe 120-ja Mondi kush është më e madhe? Lulin e kam pyetur por thashë të pyes ty. Më bëhet qejfin kur thua pyet Lulin. Ore kjo 120-ja është më e vogël apo më e madhe. 4 herë Mondi. Dole këtu the ka ra bujqësia. Ri ka ra kur është 4.5 herë më e madhe eksporti. Natyrshëm dhe konsumatori është rritur Mondi. Ti llogarisësh në 2013 turistë ata që vinin si delegacion. Sot është rritur konsumi me disa fish dhe prandaj ka një rritje edhe të nivelit të importeve. Do kemi boll këto 24 orë. Ju jeni të mëdhenj keni thirrur edhe protestë nesër. Nesër luan kombëtarja Mondi.
Spaho: Jam këtu për opozitë dhe bëj opozitë dhe të evidentoj gjithçka që nuk e kanë drejtë apo gënjejnë. Ju e patë dhe Belën sa e kënaqur ishte për marrëdhëniet e mira. Ti Taulant ke një problem të madh. Hiqesh kompetent në ekonomi. Në financë jep përgjigje. Dhe përgjigje për çdo gjë, ekonomi, financë, krimi, droga dhe e mbylle me sportin. Duhet të kesh parasysh se: Marrëzia vjen kur ke përgjigje për gjithçka, mençuria vjen kur ke pyetje për gjithçka.
TIRANË- Diskutimi për buxhetin 2025 në kuvend ka kaluar në tensione të forta mes mazhorancës dhe opozitës, teksa këta të fundit kanë hedhur akuza në lidhje me transparencën e buxhetit.
Socialisti Erion Braçe, nga foltorja e kuvendit i është përgjigjur opozitës duke kundërshtuar pretendimet e tyre për bonus në zgjedhje, pasi sipas tij pensionistëve iu është dhënë çdo vit bonus dhë jo vetëm kur ka zgjedhje. Teksa përgënjeshtroi akuzat e opozitës, Braçe i quajti halucinacione pretendimet për të bërë pensionet sa pensioni minimal në Mal të Zi.
Ndërsa në fund të fjalës, Braçe zbuloi dhe skemën e re që parashikohet për pensionet. Sipas një skeme të re të mundshme, Braçe thotë se do ketë dy bonuse për pensionistët në dhjetor dhe në pranverë.
"Gënjeshtra e dytë bonusin e bëni për zgjedhje dhe siç u provua bie në tokë, se çdo vit me zgjedhje apo pa zgjedhje pensionistët kanë marrë bonus. Gënjeshtar e tretë vjedhja e parave nga indeksimi që u bë mars. Kjo gënjeshtra bie në tokë. Gënjeshtra e katërt që shqiptarët nuk kursejnë, shifrat e bankës 85 mld lekë të futura në depozitat bankare, për 2024 deri në fund të tremujorit të dytë 86 mld lekë. Gënjeshtra tjetër borxhi është ulur nga kursi i këmbimit, referuar bankës 55% ka ndikuar rritje ekonomike PBB dhe deficiti ku ka qenë thelbi balanca primare. Te rritja ekonomike barrën e ka mbajtur turizmi dhe ndërtimi. Gënjeshtra tjetër që nga rritja ekonomike nuk ndodh asgjë, por kur është 4% në vit dhe kur vetëm 3 mujori dytë është 4.1% e GDP dhe është shoqëruar me rritje të punësimit natyrisht që ka ndikim dhe kur sipas BSH paga është rrit me 14-15% jo për sektorin publik por rritje në ekonomi. Kur rritja ekonomike shoqërohet dhe me rritje konsumi natyrisht që rritja ekonomike ka ndikim në ekonomi. Halucinacioni ishte që do i bëjmë pensionet sa pensioni minimal në Mal të Zi. Duke bërë një llogari për ta bërë pensionin 400 euro i duhen 1.2 mld euro të tjera. Kjo është të kalosh ylberin dhe ju e dini si quhet ai që kalon ylberin, pyetini se i keni aty në radhë. Gënjeshtra tjetër ishte që kursin i monedhës ka impaktuar prodhimin dhe mbështetet te paraja e zezë. Shikoni sa janë hyrjet veçanërisht nga eksportit, në 2023 u rritën me 25% në 2024 me 11%. Tani janë 8.7 mld euro eksportet dhe ky fluks paraje natyrisht që ka ndikuar tek kursi. Dhe gënjeshtra e fundit, ishte ajo me bujqësinë. Më vjen mirë që keni nis me fol për bujqësinë. Se kur flisja unë kolegu im këtu thonte prapë me shalqirin ti. Sa është çmimi uresë sot? Nuk e di asnjë. Po flisni rëndë për bujqësinë. Se oligarku i kësaj partie është ai që kontrollon treg e imputeve bujqësore. Thelbi është që çmimet kanë rënë, ureja është me 42 ;lekë nga 100 lekë që ishte, NPK është 58 lekë nga 110 lekë ishte që kur nisi kriza. Thelbi i seancës sot vërtitet tek pensionet, por ajo që u tha 100 euro dhe 150 euro pensione, natyrisht e çon vlerën e bonuesve e të paguara nga qeveria e PS në 540 mln. Skema e bonusit në pranverë, indeksim dhe bonus në dimër dhe skema e pensionit jep shpresë. Unë mund të pres nga gjithkush që ka qenë këtu, nga ata të tjerët nuk pres së në ‘93 kur bëtë reformën pensioneve dënuat me vdekje çdo të moshuar që kishte dalë vetëm 1 vit më parë dhe vendosët një tavan duke mos i bërë të interesuar njerëzit për të paguar sigurimet. Dënuat me mjerim të gjithë ata tjerët që dolën në pension 1 ditë pas miratimit", tha Braçe.
TIRANA- Deputeti Agron Shehaj pyeti ministrin e Financave Petrit Malaj në Kuvend mbi emërimin në krye të hetimit tatimor të Anton Martinit, një ish prokuror i shkarkuar nga vetingut për problem të pasurisë dhe evazionit. Shehaj pyeti ministrin se si mund të vendoset në krye të hetimit tatimor një person që ka pasur probleme me evazionin dhe për më tepër i shkarkuar nga vettingu, por ministri Malaj refuzoi të përgjigjet.
“Zoti ministër, një nga problemet e buxhetit janë dhe të ardhurat dhe siç ka thënë edhe kryeminstri kohët e fundit duke justifikuar mosrritjen e pensioneve është problem tha kryeministri evazioni fiskal. Tani pyetja ime është: Ju duket e arsyeshme z. Minstër që të vendosni në krye të hetimit tatimor një ish prokuror të shkarkuar nga vetting-u sepse kishte probleme me pasurinë dhe rrjedhimisht kishte probleme që lidhen me evazionin fiskal?”, pyeti Shehaj.
“Pyetja e parë nuk ka lidhje me projektbuxhetin kështu që është totalisht irrelevante”, tha Malaj duke refuzuar, të japë përgjigje.
Shehaj pyeti ministrin e Financave edhe për mungesën e ilaçeve në spitalet publike, arsyet pse paguhet TVSH-ja tek koncensionarët e shëndetësisë si dhe për për normën e lartë të garantimit të koncensionarit të rrugës Thumanë-Kashar.
“Pyetja e dytë është: Ju sapo thatë që ju merreni me alokimin e fondeve dhe kërkesat për nevojë ju vijnë nga ministrat. Kam një pyetje: Përsa i takon mungesës së ilaçeve në spitalet shtetërore z.Ministër, ju ka ardhur ndonjë këreksë nga Ministria e Shëndetësisë për rritjen e fondit dhe a i keni dhënë zgjidhje këtij problem z. Ministër me të cilin përballen shumë qytetarë në Shqipëri?
Pyetja tjetër ka të bëjë më të njëjtën pyetje që ju bëra edhe në komision po aty nuk e patë të arsyeshme të përgjigjeshit, në lidhje me financimin e rrugës Thumanë- Kasharë z. Ministër. Ju në komision më thatë që shteti shqiptar ka një kosto financimi që është rreth 3.13% në euro nëse nuk gaboj. Ndërkohë që rruga Thumanë- Kasharë një investim prej pothuajse 220 milionë euro dhe duke pasur parasysh të ardhurat që do i garantohen koncesionarit që janë çdo vit pothuajse 25 milionë euro, pse keni zgjedhur z. Ministër të financoni këtë investim nëpërmjet PPP-ve që kanë një kosto për shtetin ose për qytetarët me një normë interesi mbi 10% ose një normë fitimi nga ana e koncesionarit mbi 10%, ndërkohë që ju shumë mirë mund të financoheni me 1 të tretën. Ju kështu veproni edhe për investimet private z.Ministër?
Kur bëni një investim, kërkoni të gjeni normën e interesit më të ulët besoj apo jo? Nuk merrni atë që ju kushton 3 fishin. Z. Minstër, ju kur shkoni në klinika private apo te mjeku, nuk e paguani TVSH-në për shërbimet shëndetësore. Pse paguani TVSH-në z. Ministër për koncesionet, për PPP-të në shëndetësi pavarësisht faktit që ligji nuk ju detyron ta paguani TVSH-në. Pse për veten tuaj nuk e paguani TVSH-në, kurse kur vjen puna për të paguar PPP-të me buxhetin e shtetit e paguani atë?”, pyeti Shehaj.
“Çështja e dytë përsa i përket Thumanë- Kasharë është një segment i cili është me financim privat dhe nuk ka fare efekte në buxhetin e shtetit. Kshuqë norma e interest që ti i referohesh është totalisht po përsëri irrelevamte. Përsa i përket shëndetësisë dhe rimbursimit të ilaçeve në buxhetin e vitit 2025 kemi rritur vlerën e fondit të rimbursimit të ilaçeve nga 12 miliardë lekë në 12.6 miliardë lekë”, u përgjigj Malaj
Shehaj e cilësoi të papranueshme që ministri refuzon të përgjigjet në Kuvend.
“Është totalisht e pakuptimtë të bëjmë pyetje dhe mos të marrim asnjë përgjigje. Unë bëra 4 pyetje në fakt dhe as nuk u përgjigj fare, nuk mori as mundimin ti përgjigjej. Praktikisht nuk tha asgjë. Tani kuptohet që është e drejtë e tij, unë nuk e detyroj dot, nëse sdo të flasë nuk do të flasë! Sepse mesa duket ministri i konsideron paratë e veta. Nuk do të japi përgjigje të thotë “Pse paguhet TVSH-ja për PPP-të në shëndetësi z. Ministër? Bëra një pyetje shumë të thjeshtë. Është alokim fondesh ky apo jo? Pse nuk jepni përgjigje z. Minstër? Pse paguani TVSH-në për PPP-të kur ligji nuk e parashikon? Paratë që përdorni për TVSH-në, nuk janë alokim fondesh?”, tha Shehaj.

TIRANË- Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu ka reaguar për vrasjen e një agoleshenti 14-vjeçar me thikë në shkollën Fan Noli. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Manastirliu theksoi se dhimbja për këtë ngjarje është e paimagjineshme dhe se është e tronditur. Po ashtu ai shtoi se ka ardhur koha që të reflektojnë e të angazhohen më shumë për një mjedis të sigurtë.
"Sot ndihem thellësisht e tronditur për nga humbja tragjike e jetës e një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës Fan Noli. Një jetë e re e humbur në mënyrë të parakohshme dhe tragjike ndërkohë që policia po zbardh rrethanat e ngjarjes dhimbja është vërtetë e madhe e prindërve. Dhimbja e komunitetit, e jona, e imja personale është e paimagjinueshme dhe është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë, na fton se si përfaqësues të qytetarëve këtu në këtë sallë të angazhohemi edhe më shumë për një mjedis më të sigurt dhe më te mbrojtur për fëmijët tanë, duke luftuar në çdo formë dhunën e të gjitha formave. Por nga ana tjetër edhe ne kemi rolin tonë në këtë seancë dhe në këto seanca të cilat mbajmë. E para të jemi shembull të promovojmë vlerat e respektit për njëri tjetrin, të mos ketë gjuhë urrejtjeje duke filluar nga kjo sallë se ne jemi edhe modeli për fëmijët tanë. Çdo fëmijë në Shqipëri është fëmija ynë ndaj është detyra jonë e përbashkët që të kujdesemi. Ndaj sot të dashur qytetarë është një ditë e dhimbshme për ne dhe sot ju po dëgjoni buxhetin e shtetit për vitin 2025," tha Manastirliu.
TIRANË- Deputetja demokrate Ina Zhupa ka kërkuar dorëheqjen e Ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu, pasi një nxënës humbi jetën pas një sherri me thika në shkollën Fan Noli. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Zhupa theksoi se kjo ngjarje e rëndë rrëzon propagandën e qeverisë për sigurinë në shkolla.
"Një 14-vjeçar sapo ka humbur jetën, pasi është vrarë më thikë në derën e shkollës “Fan Noli”. Dua t’i shpreh ngushëllimet familjes, por dua të kuptoni se sa false dhe jashtë realiteti është projektbuxheti që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla. Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangi sherrin me thika në oborrin e shkollës. Paratë janë, por vetëm propaganda bëhet me sigurinë në shkolla. Ministrit Balla dhe ministrja shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë, por nuk e di ku e kanë arkivuar paketën bashkë me këtë ministrin e ri, Hoxha, që di të sjelli vetëm policinë për t’u përballur me deputetët dhe nuk e ka policinë për të mbajtur fëmijët tanë," tha Zhupa.
TIRANË- Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka mbajtur fjalën e saj në seancën e sotme plenare lidhur me "Projektbuxhetin 2025".
Balluku deklaroi se me buxhetin e vitit 2025, do të nisin, por edhe përfundojnë projekte ambicioze në infrastrukturë. Ajo u shpreh gjatë fjalës së saj se këto projekte do të sjellin një ekonomi të qëndrueshme.
“Tashmë, ne jemi në fazën e re të implementimit të projekteve strategjike. Këto projekte zhvillimore janë të mirëhartuara, të ndërlidhjura me njëri-tjetrin. Korridori 8 dhe korridori blu, me një mbështetje, nuk janë thjesht autostrada të shpejtësisë së lartë, por edhe lidhëse. Kemi zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, parashikohet ndërtimi i segmentit nga Bypass i Elbasanit në Lekaj të Rrogozhinës. Pjesë e këtij buxheti është edhe Bypass i Elbasanit, ashtu siç është edhe Bypass i Tiranës. Pjesë e korridorit 8 janë edhe linjat e intekonjeksionit. Së shpejti do të çelim garën për aksin Milot-Balldren, kemi duke përfunduar negociatat për 3 akse të tjera”, theksoi ajo
TIRANË- Ministri i Financave Petrit Malaj ka deklaruar se në 12 vite qeverisje, buxheti për bujqësinë është rritur me 112 milionë euro. Gjatë fjalës në Kuvend, Malaj ka theksuar se në vitin 2025, buxheti për bujqësinë do të jetë 146 milionë euro.
"Në lidhje me skemën e TVSH se ku duhet të aplikohet TVSH dhe ku jo, besoj se ju, deputeti Mziu, keni qenë pjesë e këtij parlamenti kur keni bërë ndryshimet përkatëse dhe kur ishte zero TVSH për fermerët dhe kur ishte 20% dhe kur u ul në 6% e kështu me radhë nëse keni një propozim konkret, i cili do të duhet të ndihmojë më mirë sektorin në fjalë mund të na i prezantoni që të bëjmë një vlerësim dhe të kemi një skemë finale që i shërben fermerëve në mënyrë më të mirë të mundshme. Kemi një rritje të financimit të sektorit të bujqësisë me 9.9 miliardë lekë më shumë se para 10 vitesh. Kemi një rritje të skemës së kompensimit të fermerëve dhe subvencionimit të naftës me 3.4 miliardë lekë, e cila në vitin 2027 do të shkojë në 5 miliardë”, tha ai.
TIRANË- Deputeti demokrat, Dashnor Sula gjatë seancës së sotme plenarë në Kuvend ka ngritur shqetësimin e mungesës së Brakiterapisë të Onkologjiku. Ai u shpreh se për 13 vite në Spitalin Onkologjik nuk ka punuar braktiterapia. Sula gjithashtu i drejtoi pyetjen ministrit Malaj nëse ishte në dijeni. Sipas deputetit demokrat ata mendojnë vetëm për rrugë sesa për bazën jetike të njerëzve.
"Zoti ministër, e dini ju se për 13 vite në Spitalin Onkologjik nuk ka punuar braktiterapia. E dini këtë. Mendoni më shumë për rrugë dhe gjëra tjera sesa për gjëra bazë jetike të njerëzve," tha Sula.
Ndërkohë, ministri Malaj është shprehet se ministria e Financave alokon vetëm fonde. Sipas tij ministria e Financave nuk ka nga tadije dhe se duhet raportuar nga ministri i linjës.
"Në lidhje me çështjen e shëndetësisë besoj se shihet qartë edhe këtu që shpenzohen rreth 400 mln euro më shumë. Sa i përket mungesës së aparateve këtë nuk ka nga ta dijë ministri i Financave, kjo duhet të raportohet nga ministri i linjës dhe ministria e Financave bënë alokimin e fondeve përkatëse," u përgjigj Malaj.
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar se kryeministri Rama ka mashtruar kur tha se pensioni është rritur. Gjatë fjalës në Kuvend, Bardhi tha se pensionistët në 12 vite të qeverisjes së Partisë Socialiste kanë pensione gati 8% më të ulëta.
“Masa e rritjes të pensionit sjellë një rritje me 9% mujore, tha Rama. Pensionistët e kanë 8% më të ulët pensionin, pra pas 12 vitesh jo vetëm nuk kanë përfituar rritje, por marrin më pak. Siç thoshte vetë kur ishte kandidat për kryeministër, një kryeministër i paaftë që nuk i bën realitet premtimet në mandatin e parë duhet çuar në shtëpi. I ftoj qytetarët të arsyetojnë çfarë duhet bërë, që në fund të mandatit të tretë nuk u ka rritur pensionet edhe pse u mori votën në vitin 2013 me premtimin se do u rriste pensionet dhe do i bënte dinjitoze. Pas 12 viteve, jo vetëm e ka harruar këtë premtim, por vjen këtu edhe tallet, me prindërit e secilit prej nesh, me pensionistët shqiptarë, që meritojnë respektin më të madh nga kjo sallë, meritojnë rritje dinjitoze të pensioneve, të kujtohemi për ta çdo ditë, çdo orë, çdo minutë dhe jo një herë në katër vite. Foli për rritje të fondit të pagave, ka qenë tha 500 milionë euro, ne e kemi çuar, 1.3 miliardë euro. Juve ju duhet paga për patronazhistët. Në kohën e PD kishte 89 mijë persona të punësuar në administratë, sot e keni çuar 200 mijë punonjës”, tha Bardhi.
Bardhi theksoi në fjalën e tij në Kuvend se, çmimet e shportës janë më të larta dhe qytetarët blejnë më pak dhe ky buxhet është i destinuar për klientët e qeverisë dhe jo për familjarët dhe qytetarët e vendit.
“Çmimet e shportës janë trefish më të larta, çmimi i energjisë elektrike dhe ujit më i lartë, ndërsa ti mburresh me rritjen e rrogave. Ky buxhet është dëshmi e qartë e korrupsionit galopant që po shkatërron ekonominë dhe shpresën e këtij vendi. Buxhet i zi, për oligarkët dhe klientët e qeverisë dhe jo për njerëzit që mezi mbyllin muajin. Njerëzit që jetojnë me rrogë e shohin që blejnë më pak, bëjnë më pak pushime dhe ndajnë më pak për familjen e tyre," tha Bardhi.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka nisur fjalën ditën e sotme në Kuvend për buxhetin 2025. Pasi foli për projektbuxhetin, Rama nuk harroi që të ofendonte dhe Opozitën, duke i quajtur ata mbeturina. Në nisje të seancës plenare, Rama ka mbajtur fjalimin e tij në lidhje me buxhetin, por duke e ndërthurur atë me fyerje dhe ofendime për Opozitën.
Pasi mbaroi fjalën, Rama nuk qëndroi në Kuvend për të dëgjuar përgjigjet ndaj fjalimit të tij apo për të dhënë shpjegime në lidhje me buxhetin e hartuar të vitit 2025.
Teksa po largohej nga seanca plenare, Rama mblodhi letrat që kishte me vete dhe është drejtuar nga Kuvendi, duke i përshendetur ata si ushtarak.
TIRANË- Një moment pikant ka ndodhur në Kuvend ditën e sotme, pasi kryerministri Edi Rama përfundoi fjalën e tij. Pas përfundimit të fjalës në foltore, Rama mblodhi letrat që kishte dhe iu drejtua daljes.
Por në videon e mëposhtme shihet kryeparlamentarja Elisa Spiropali që ka tentuar të flasë me Ramën. Teksa është bërë gati që t'i thirrur, Rama është larguar nga seanca plenare, duke e lënë Spiropalin pa fjalë.
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha nga foltorja e Kuvendit se buxheti i vitit 2025 është për 5 individë.
Bardhi iu përgjigj edhe gjuhës së përdorur nga Rama ndaj opozitës, ku tha se kush është i palarë dhe qelbet erë atë e di çdo shqiptar. Ai shtoi më tej se buxheti është dëshmi e korrupsionit galopant.
"Buxheti është për 5 individë. Derdhe ujë në mënyrë të pakontrolluar dhe ike. Mendon se duke fyer opozitën, ne do biem në kurthin tënd dhe nuk do merremi me buxhetin, por ne do të merremi me buxhetin. Ne jemi ndryshe nga ty që mban karrigen e kryeministrit me krimin e organizuar. Se kush është i palarë dhe qelbet erë atë e di çdo shqiptar. Shko prit njëherë thonjtë, shko lahu, kurohu dhe pastaj hajde bëj kryeministrin e Shqipërisë. Buxheti është dëshmi e korrupsionit galopant. Kjo qeveri nuk do t’ja dijë për fermerët.", u shpreh Bardhi.
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se kryeministri Edi Rama e jep bonusin e fundvitit për pensionistët njëherë në 4 vite. Ndërkohë që sipas tij, ky bonus duhet dhënë çdo fundvit. Bardhi tha se ky bonus u dha në 2020 për efekt të zgjedhjeve 2021 dhe po e jep në 2024 për efekt të zgjedhjeve të 2025.
"Me pensionsitët mendon se do ti mashtrojë duke ndarë një buxhet minimal, duke i dhënë bonusin e fundvitit që e japin të gjithë vendet e rajonit. Ndërsa zotëria e bën njëherë në katër vite. As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. Prandaj në buxhetin 2025 nuk parashikon bonus për fundvitin 2025, sepse nuk ka ndërmend tja japë. E dha në 2020 për efekt të zgjedhjeve 2021. Po e jep në 2024 për efekt të zgjedhjeve 2025 dhe mendon se me këtë politikë do të gënjeje shtresën e pensionistëve. Një kryeministër i përgjegjshëm do të thoshte sa është fondi në buxhet për rritje pensionesh. Zero. Një Kryeministër i përgjegjshëm nuk ka nevojë të shpikë rrotën, por të bëjë atë që bëjnë kryeministrat e vendeve të rajonit”, tha Bardhi.
TIRANË- Pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama për buxhetin 2025, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha se ky do të jetë buxheti i fundit i kësaj qeverie.
Noka iu drejtua mazhorancës duke thënë se nuk do të kenë tjetër mundësi për miratimin e një buxheti, sepse sipas tij, shqiptarët do e refuzojnë me votë.
"Rrugët rrugëve se nga 2014 deri tani 20 km autostradë mundët, ju jeni të habitshëm, mbetja e pariciklueshme ka një rrugë, rrugën e largimit se ky është buxheti i fundit i juaji, nuk do të keni më mundësi të miratoni buxhet se buxhet hajdutësie shqiptarët do e refuzojnë me votë.", tha Noka.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se buxheti i vitit 2025 është trefish më i madh se ai i vitit 2013. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama theksoi se rritja ekonomike ka sjellë rritje të buxhetit dhe sipas tij kjo mundëson më shumë para për kategori të caktuara. Rama më tej shtoi se mazhoranca uli borxhin dhe se fondi i pagave për sektorin publik është rritur në 1.3 miliardë euro.
“I gjithë fondi për shpenzimet publike, ishte 3.2 miliardë euro, në buxhetin e 2025 është 8.2 miliardë euro, trefish. Kur kam ardhur në këtë sallë për të paraqitur buxhetin e parë, 105 mijë familje me ndihmë ekonomike, prisnin prej muajsh pagesën e tyre, sepse shteti i kishte kthyer kurrizin, ishte krrusur nga barra e borxheve. Borxhi mbi 70%, më i larti në rajon. Buxheti ynë i parë kishte bonus për pensionistët 20 mijë lekjë të vjetra. Për bonus për bebet e prosalindura, nuk bëhej fjalë. Sot, flasim jo vetëm për 100 milionë euro bonus vetëm për pensionistët, me buxhetin e këtij viti, është një pension i 13-të prej 150 eurosh dhe flasim për një fond të ri që do të krijojmë javët në vijim, pranë Bankës së Shqipërisë.
Do ta mbajmë për çdo pranverë, në funksion të ndarjes me pensionistët, nga ajo që do të vijë nga rritja ekonomike. Kemi financuar mbi 145 milionë euro për bebet e porsalindura dhe 22 milionë euro janë në buxhetin e ri. E kemi rritur ekonominë tre fish në këtë dekadë, kemi ulur borxhin publik me 15 pikë përqindje, më i ulëti në rajon. E kemi nisur fondin e pagave në sektorin publik, 500 milionë euro, fondi i pagave është 1.3 miliardë euro. Nga një pagë minimale 165 euro, kemi pagë minimale 400 euro. Kemi sot pagë mesatare 751 euro. Kemi sot pagë mesatare në sektorin publik 900 euro. Të gjitha të rritura afro dyfish e gjysmë," tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka fyer Opozitën në seancën e sotme plenare. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama theksoi se Opozita do dali në zgjedhje me keq sesa doli në zgjedhjet e kaluara. Ndërkohë që shtoi se ata janë mbeturina të një kohë që nuk kthehet më kurrë.
“Mblidheni mendjen se keq dolët këtë herë më keq do dilni herën tjetër. Pranverën e ardhshme do të japin me vendimin e tyre një gjykim që do jetë më i miri historik për PS dhe më i merituari për këto mbeturina të një kohe që nuk kthehet kurrë”, tha Rama.
TIRANË- Pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar të pastrohet foltorja që të nisë me fjalën e tij. Pas kërkesës së tij, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi dy minuta pushim të seancës.
Bardhi: Zonja kryetare, kërkoj 5 minuta pushim të pastrohet foltorja se e ka bërë pis nga nervat.
Spiropali: Dy minuta pushim. Është ujë zoti Bardhi, është ujë. Ju lutem administrata.
Pas përfundimit të fjalimit të tij, kryeministri Edi Rama u largua nga salla e seancës plenare. Fjala e tij u bllokua disa herë në nisje të seancës nga deputetët e opozitës.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij në Kuvend tha se qeveria është përqendruar në rritjen e të ardhurave nga kontributet në sektorin privat.
Ai tha se në çdo rast të gjurmimit dixhital të aktiviteteve të biznesit, po testohet një model i ri i Inteligjencës Artificiale që do të vendoset në punë bashkë me Microsoft.
“Ne e rivendosëm sistemin e pensioneve mbi bazën demokratike të kontributeve. Themele të reja. Rritëm me 300 mijë persona numrin e punonjësve kontribuues në fondin e sigurimeve shoqërore i cili është zgjeruar 3-fish sot. Janë të shkruara në buxhet… Sot kemi ende rezerva domethënëse si rezultat i rritjes domethënëse të pagave edhe në sektorin privat, ku jemi përqendruar tani për të rritur të ardhurat kontributive falë edhe modernizmit të mëtejshëm të sistemit të gjurmimit dixhital të aktiviteteve të biznesit dhe një modeli të ri të inteligjencës artificiale (AI) që po testohet dhe do të futet shumë shpejt 24 orë në punë së bashku me Microsoft. Prandaj jam shumë optimist që rritja domethënëse e pensioneve do të jenë në mandatin tonë të katërt pasqyra më kuptimplotë e boshtit të ekonomisë së Shqipërisë në këto vitet të qeverisjes sonë”, u shpreh Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se buxheti për bonusin e bebeve të vitit 2025 do jetë 22 milionë euro. Gjatë fjalës së tij, Rama shtoi se deri më tani qeveria e tij ka financuar mbi 145 mln euro për bebet e porsalindura.
"Ndërkohë deri tani kemi financuar mbi 145 mln euro për bebet e porsalindura! Ndërsa 22 mln euro të tjera janë në buxhetin e 2025, për të gjitha bebet që do të na gëzojnë me ardhjen e tyre gjatë 2025. Kemi rritur ekonominë dhe kemi ulur borxhin publik, ndër më të ulëtin në rajon," tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se rritja e pensioneve do të jetë pasqyra e ekonomisë në mandatin e tyre të katërt. Gjatë fjalës në Kuvend, Rama ka theksuar se kushdo që beson fjalët e Opozitës, është një hap fatkeqësie për rikthimin e vendit prapa në kohën e piramidave. Po ashtu Rama shtoi se para se ata të merrnin pushtetin prodhimi kombëtar ishte më pak se 10 miliardë euro, ndërsa tani është më shumë se 26 miliardë.
"Për 360 mijë pensionistë të dalë në pension gjatë këtij 10-vjeçari, pensionet llogariten në bazë të kontributeteve shoqërore dhe dalin më të larta. Në vend se të mendonin për të nesërmen e popullit, ata i kishin rënë shkurt deri në 2013. Ata kishin vendosur një tavanë, që sado të kishe punuar nuk bëje dot para. Ja pse sot për të na e ngarkuar ne udhëheqjen e vendit. Gjatë kësaj dekade përfitojnë pensione më të larta në bazë të kontributeve, dhe jo në bazë të asaj rrumpallë të krijuar. Por kur na thonë, ç’është ky pension kaq i ulët social. Pikërisht, këta e vënë gishtin ndaj nesh. Të gjithë ata që pensioni iu njoh nga 2014, përpara 2014 shteti nuk i jepte kokërr leku.
Sigurisht, që dihet botërisht që kjo është plaga për tu kuruar, që kohën e shërimit të plotë e ka minimumi sa koha e gangarizimit të saj. Ne rritem me 300 mijë persona numrin e punonjësve kontribues dhe janë të shkruara në buxhetet e mëpërparshme. Sot ne kemi rezerva domethënëse edhe në sektorin privat. Jam shumë optimist që rritja domethënëse e pensioneve do të jetë pasqyra më kuptimplotë në mandatin tonë të katërt në ekonomi. Çdo kush që rreket me përrallat e Sudes dhe Rrapushit, është një hap fatkeqësie për rikthimin e vendit prapa në kohën e piramidave. Deri këtu ne do të bëjmë atë çfarë nuk ka bërë askush për ta. Kur ne morëm detyrën për udhëhequr Shqipërinë, prodhimi kombëtar ishte më pak se 10 miliardë euro, ndërsa tani është më shumë se 26 miliardë. Këto nuk janë shifrat e mia, por të patronazhistëve të institucioneve financiare”, tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ironizuar Opozitën ditën e sotme në lidhje me deklaratat që kanë bërë për pensionet. Gjatë fjalës në Kuvend, Rama ka deklaruar se opozita ka marrë rrugën për tu shitur pensionistëve qylyma dhe shqiptarëve në tërësi një tufë përrallash. Po ashtu ai ka bërë disa llogaritje të pensioneve të dala para vitit 2014 dhe pas vitit 2014 të mësuesve, mjekëve apo dhe gjyqtarëve.
“Është bërë shesh për përshesh dhe lloj spekulante që janë vetshpallur si shpëtimat që të pensionistë dhe kanë nxjerrë në pazar qylymat flutues të Sudes dhe Rrapushit. Herë me fytyrën e rrudhur nga rënia prej fikut të pushtetit dhe herë me fytyrën e padjersitur akoma por plot oreks për pushtet, këta shitës qylymash fluturues kanë marrë rrugët në një përpjekje të zhurmshme për t’u shitur pensionistëve qylyma dhe shqiptarëve në tërësi një tufë përrallash por ndërkohë që këto Sude dhe Rrapushë do të na ndihmojnë për ta bërë shumë të qartë dallimin mes ecjes tonë të mëtejshme në rrugën e shtetbërjes evropiane të Shqipërisë, dua të sjell këtu vetëm një nga shumë fakte të punës së mirë që kemi bërë në këto vite si shumicë qeverisëse edhe për pensionet.
A e dini se mësueset me 38 vite pune, që kanë dalë në pension përpara se të vinim në qeveri e merrnin pensionion rreth 23 mijë lekë ndërsa çdo mësuese me të njëjtat vite pune që ka dalë në pension pas 2014 e ka pensionin rreth 36 mijë lekë. Po për të njëjtat vite pune dhe kontribute në sigurimet shoqërore, një mjek me 40 vite punë i dalë në pension para 2014, me pension maksimal 24 mijë lekë plus indeksimet merr 35 mijë lekë ndërsa mjekët e pensionuar pas 2014 e kanë sot pensionin 51 mijë lekë. Njëjtë për gjyqtarët dhe ekonomistët. Ata të pensionuar para kësaj dekade, dalë në pension në atë 24 mijë lekëshin tavan, sot marrin 35 mijë falë indeksimeve ndërsa gjyqtarët dhe ekonomistët e pensionuuar gjatë qeverisjes tonë, falë reformës së 2014, e kanë pensionin 53 mijë“, tha Rama.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se për pensionistët do të ketë dy bonuse. I pari do të jetë në fund të vitit, ndërkohë që bonusi i dytë ka për të qenë në fillim të pranverës. Sipas Ramës nga ky bonus, pensionistët do të ndjejnë rritjen e ekonomisë së vendit.
“Ky nuk është thjesht një hap i rëndësishëm në aspektin buxhetor, ky është hap kuptimplotë në drejtim e shpallur për ta mbyllur rrethin e qytetarëve përfitues, duke filluar më në fund të përfitojnë edhe pensionistët. Nga ana tjetër, ky nuk është i vetmi hap, sepse paralelisht me shpërndarjen, një ditë para dhjetorit do të krijojmë pranë BSH edhe fondin e bonusit të dytë. Do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionsitëve, duke ndarë një shumë të fituar nga rritja e ekonomisë”, tha Rama.
TIRANË- Ka nisur me tensione dhe debate seanca e sotme plenare ku do të diskutohet projektbuxheti i vitit 2025.
Kryeministri Edi Rama po prezantonte bonuset e fundvitit për pensionistët, ndërsa fjala e tij u bllokua nga deputetët e opozitës.
Këta të fundit po i kërkonin llogari kryeministrit Rama, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i drejtoi pyetjen:“Ku janë paratë e Becchetit?”.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se praktika e ndërprerjes së fjalës në Kuvend duhet që të marrë përgjigje. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, pas ndërprerjes së seancës plenare, Rama theksoi se kjo praktikë nuk mund të legalizohet dhe të vazhdojë më tej.
“Praktika e ndërprerjes të fjalës së kujtdo qoftë që merr fjalën këtu në këtë tribunë duhet të marrë përgjigje me kalim në votim. Kjo lloj praktike nuk mund të legalizohet dhe të vazhdojë më tutje. Parlamenti është vendi ku secili thotë atë që mendon dhe secili mbron pozicionin e vet ndërsa spostimi fizik nga karriget drejt folësve dhe ulërimat nga vendi duhet sanksionuar me kalim në votim. Mbajeni parasysh këtë gjë”, u shpreh Rama.
TIRANË- Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali njoftoi ndërprerjen e seancës plenare pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për 5 minuta pushim.
Seanca nisi me tensione, pasi kryeministri po mbante fjalën e tij për bonuset e fundvitit të pensionistëve, kur deputetët e opozitës u ngritën në këmbë duke iu rënë tavolinave.
PJESË NGA DEBATI:
Spiropali: Ju lutem uluni në vend. E keni fjalën pas kryeministrit
Rama: Uluni ( I drejtohet Asllan Dogjanit)
Spiropali: Z. Bardhi ju tërheq vëmendjen! Bëji thirrje grupit parlamentar të ulet. Qytetarët na ndjekin për projektbuxhetin. Ju keni fjalën pas Kryeministrit me minutazh të barabartë, keni rastin të shprehni vërejtjet dhe pakënaqësitë. Ju lutem uluni në vend
(Flasin deputetët e opozitës pa mikrofon)
Spiropali: Mos bëni zhurmë. Zoti Dogjani ju lutem uluni.
(Flasin deputetët e opozitës pa mikrofon)
Rama: 5 minuta pushim (I drejtohet Spiropalit)
Spiropali: Ju lutem 5 minuta pushim. Ndërpritet seanca
TIRANË- Ka nisur me tensione seanca e sotme plenare ku do të diskutohet për buxhetin e vitit 2025. Kryeministri Edi Rama nisi i pari me fjalën e tij në foltore lidhur me bonuset e fundvitit për pensionistët.
Gjatë kohës që ai po fliste, deputetët e opozitës ishin në këmbë dhe u binin tavolinave në shenjë proteste. Ndërkohë që deputetët e opozitës nisën me protestën e tyre punonjësit e Gardës iu afruan foltores.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se për pensionistët është ndarë një fond prej 100 milionë eurosh për bonusin e fundvitit. Gjatë fjalës në Kuvend, Rama theksoi se bonusi për pensionistët do të ndahët në dy kategori. Fillimisht pensionistët që kanë pensionin më të vogël se 200 mijë lekë, do të marrin si bonus 150 mijë lekë. Ndërsa pensionistët që marrin mbi 200 mijë lekë pension do të kenë bonus 100 mijë lekë në fund të vitit.
"Në hyrje të kësaj fjale për pr/buxhetin 2025, dua ‘u përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në ditët në vijim qeveria do të clirojë një fond prej 100 milionë euro për bonusin e fundvitit. Ky bonus do të ndahet në dy shkallë, të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, do të marrin tre fishin e bonusit të deri djeshëm, në masën prej 150 eurosh. Ndërsa Pensionitët që kanë pension më të madh se 20 mijë lekë, do të marrin dyfishin e bonusit të viteve të mëparshme, përmes një bonusi në masën 100 euro. Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve, nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pensionin më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë pension më të ulët,“ tha Rama.
TIRANË- Seanca plenare ka nisur ditën e sotme për të diskutuar në lidhje me buxhetin e vitit 2025. Ky buxhet do të përdoret kryesisht për vijimin e reformave, dhe financimin e kantiereve të hapura aktualisht, ndërsa nuk parashikohet rritje pagash dhe nuk ka fond të paracaktuar për rritje pensionesh gjatë vitit 2025.

TIRANË- Deputeti i PD-së, Dashnor Sula është fotografuar duke u futur në ambientet e Kuvendit. Sot do të mbahet seanca e radhës në Kuvend ndërsa Sula ka gjetur një ide të veçantë për tu paraqitur në mbledhjen e sotme. Ai ka marrë një tufë të madhe me presh ndërsa në dorë mban edhe një lopatë. Në dorën tjetër ai ka një qese me patate dhe qepë e lakër të bardhë.
“Sot po e them se litri i vajit po bie, dhe po them se ky vit do jetë i tmerrshëm për të ardhurat e bujqësisë”, tha ai.
Sula seancën e kaluar është paraqitur në seancë me kostum si i burgosur dhe me pranga në duar.
TIRANË- Në Kuvend do të nisë sot një seancë maratonë dy ditore, ku do të diskutohet dhe pritet të miratohet buxheti i shtetit për vitit e ardhshëm. Diskutimet në parim do të nisin sot në orën 10:00 dhe votimi pritet të zhvillohet të martën vonë. Ky buxhet do të përdoret kryesisht për vijimin e reformave, dhe financimin e kantiereve të hapura aktualisht, ndërsa nuk parashikohet rritje pagash dhe nuk ka fond të paracaktuar për rritje pensionesh gjatë vitit 2025.
Opozita do të jetë e pranishme lidhur me diskutimet në Kuvend, ndërsa ka lajmëruar po ashtu se ditën e nesërme gjatë votimit të buxhetit prej 8 miliardë eurosh do të zhvillojë protestë kundër miratimit. Kreu i PD-së, Sali Berisha, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të pengojnë miratimin e këtij akti, që e quan “buxheti i vjedhjeve”.
Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është shprehur dje se Shqipëria është vendi me masën e pensionit minimal apo mesatar më të ulët në Rajon. Bardhi shkruante se edhe pse Shqipëria i ka dyfishuar të ardhurat buxhetore në 10 vitet e fundit, mbi 500 mijë pensionistë i kanë të ardhurat reale aktualisht më të ulëta se në vitin 2014. Ai akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se paguan inceneratorët që nuk ekzistojnë, ndërkohë që sipas tij, për pensionistët nuk gjeti kurrë fonde gjatë 12 viteve qeverisëse që ti garantonte një pension dinjitoz.