“Protesta për Zvërnecin është harruar”/ Rama nga Jala: Dezinformimi ka sjellë anulime dhe ka goditur punën e shqiptarëve
"Sikur të besoja çfarë u tha për Zvërnecin do të isha në protestë”/ Rama: Dezinformimi ka s...
"Sikur të besoja çfarë u tha për Zvërnecin do të isha në protestë”/ Rama: Dezinformimi ka s...
Botërori/ Berisha: Jam me atë që luan më mirë, por po të fitojë Franca, më vjen mirë 11 Korrik, 14...
Dita e 41-të e protestës/ Protestuesja: Rama, sulmues i rinisë! Gazetarëve u drejtoht gjithë arrogancë agresivitet...
Rama sulmon Opozitën: S’mund t’i lemë njerëzit në dorë të fallxhorëve! 10 Korrik, 12:34 ...
• Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të reja e të rinj në Jalë. • Gjatë fjalës së tij në këtë takim, lideri i qeverisë ka folur për një sërë temash duke nisur nga protestat, integrimi i vendit në BE, diziformimi dhe marrdhënia e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. • Ai deklaroi se protesta për Zvërnecin është harruar, pasi u kuptua se realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ajo që ishte perceptuar. • Në lidhje me këtë, ai shtoi se nuk është e vërtet se qeveria shiti atdheun, por ka përgjegjësi si administratore e pronës publike. • Kryeministri theksoi se çdo protestë mbart një ose më shumë mesazhe, por sipas tij perceptimi publik po ndikohet nga prania e informacionit që qarkullon në platformat sociale. • Rama tha se Shqipëria është më pranë se kurrë integrimit në BE, ndërsa theksoi se rruga drejt BE-së është një proces i gjatë dhe shumëdimensional. • Kryeministri u ndal edhe tek ministria e inteligjencës artificiale Diella, për të cilën tha se ka ulur ndjeshëm kohën e nevojshme për transpozimin e legjislacionit. • Duke folur për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, kryeministri tha se Shqipëria ka gjithë interesin që marrëdhëniet mes dy popujve dhe dy vendeve të jenë harmonike. • Rama foli për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe kreun e BDI-së Ali Ahmetin. • Ai tha se Kurtin e takon me kënaqësi pasi i ecën muhabeti, ndërsa shtoi se po të kishte kamera me takimet e tyre do të habitej e gjithë bota. • Lideri i qeverisë theksoi se Kosova nuk varet nga Shqipëria, ndërsa tha qëllimet me Kurtin i ka të përbashkëta, por metodat i ka të ndryshme. • Ndërsa për kreun e BDI-së Ali Ahmeti, tha se gëzon një miqësi të mirë me të. • Gjatë takimit me të rinjtë në Jalë, Rama tha se po të besonte çfarë u tha për Zvërnecin do të ishte edhe ai pjesë e protestës. • Kryeministri theksoi se dezinformimi ka sjellë anulime dhe ka goditur punën e shqiptarëve. • Kjo pasi sipas tij, muaji qershor ka pasur ulje të turizmit, ndërsa shtoi se në emër të Shqipërisë janë goditur shqiptarët.
6 artikuj për këtë temë.
VLORA- Kryeministri Edi Rama tha se vendi nuk mund të bëj një projekt që nuk e pranon BE. Gjatë takimit me të rinjtë në Jalë, Rama komentoi edhe eurodeputetë të cilët mbëshetën protestën, për të cilët tha se flisnin përçart.
Kryeministri theksoi se për këtë projekt janë mbledhur disa nga arkitektët më të mirë të botës. Në fund, ai tha se nuk mund të sulmosh një projekt të cilit nuk ja ke parë rezultatin apo nuk e din si do të jetë.
Edi Rama: Për këtë projekt janë mbledhur disa nga arkitektët më të mirë të botës. Të dalësh dhe të sulmosh një projekt që akoma nuk është bërë është inkuizicion, ku e di ti si do të jetë. Le t’i lëmë të gjitha këto, në fund fare një gjë është e sigurtë, ne nuk bëjmë dot një projekt që nuk e pranon BE, nuk e bëjmë dot, ose duhet të themi që nuk futemi në BE. Kaq e thjeshtë është historia. Kur them Bashkim Europian, unë flas për Komisionin Europian, nuk flas për ato 3-4 të gjelbrat që erdhën këtu dhe flisnin përçart./Dosja.al
VLORA- Kryeministri Edi Rama u ndal sërish tek protestat masive që po zhvillohen në vend, përmes së cilave është kërkuar dorëheqja e tij. Gjatë takimit me të rinjtë në Jalë, Rama tha se po të besonte çfarë u tha për Zvërnecin do të ishte edhe ai pjesë e protestës.
Kryeministri theksoi se dezinformimi ka sjellë anulime dhe ka goditur punën e shqiptarëve. Kjo pasi sipas tij, muaji qershor ka pasur ulje të turizmit, ndërsa shtoi se në emër të Shqipërisë janë goditur shqiptarët.
Në lidhje me librin 'The Albanian Files', Rama u shpreh se ai është një libër me projektet e arkitektëve të huaj në Shqipëri. Kjo duke shtuar se janë projekte të investitorëve shqiptarë që duan të bëjnë ndërtime. Në fund, ai tha se resortet turistike sjellin të ardhura në ekonominë vendase.
Edi Rama: Sikur unë të besoja çfarë u tha për Zvërnecin, jo vetëm do të kisha dalë në protestë, por do të isha akoma aty. Ajo që u tha ishte e tmerrshme, por fatmirësisht e pavërtetë. Ajo që është më e vështira në këtë kohë është si t’ia bëjmë me të vërtetën, sesi njerëzit të informohen më mirë dhe të mos lihen jashtë procesit. Kostoja është e lartë. Për një dezinformim aq të madh të kesh një kosto kaq të madhe. Majin e kemi pasur me një tjetër rritje të lartë të turizmit, qershorin nuk e kemi. Po të shohim trendin nga janari, duhet të ishte bum. Kemi pasur anulime pafund. Në emër të Shqipërisë janë goditur shqiptarët. Është goditur puna e njerëzve që janë në pritje gjithë dimrit që të vijë kjo kohë. Përse? Për arsye që janë shumë më komplekse se Zvërneci.
Sikur të ishin gjithë tradhtarët si puna ime, Shqipëria do të kishte nevojë për më shumë tradhtarë. E gjithë përpjekja ime, me të gjitha të metat dhe gabimet, që kur kam filluar të merrem me politikë, ka qenë e lidhur me të bukurën, me transformimin fizik të hapësirave, sepse besoj shumë që e bukura ka një impakt të paçmuar në të gjithë zinxhirin e vlerës. Vende të bukura të varfra ka. Po më gjeni një vend të shëmtuar dhe të pasur, ma tregoni. Në shëmti nuk bëhet pasuri. Flas për komunitetin, nuk flas për kriminelët. Në shëmti ka vetëm krim, llum dhe njerëz që mbijetojnë.
E gjithë historia ime në detyrë flet për një përpjekje të vazhdueshme për t’i bërë gjërat më bukur. Po shikoja se po bëjmë një film të shkurtër për çfarë kemi bërë për natyrën. Shumë nga gjërat nuk dihen. Kemi mbjellë 5 milionë pemë. Kemi ndërtuar një sistem të tërë të zonave të mbrojtura. I kemi bërë ne. Ligjin e parë për to e kemi bërë ne. Mbi 40 hidrocentrale, me leje të dhëna më parë në shtratin e Vjosës, i kemi anuluar. Nëntë hidrocentrale në Valbonë i kemi anuluar ne.
Të anulosh gjithë këto hidrocentrale nuk është si të prishësh disa tendera. Është të shkosh kundër interesave të mëdha financiare. Si mund të jem unë njeriu që betonizon Zvërnecin? E vërteta është që unë besoj se ne jemi në një fazë ku mund të shkojmë shumë më lart, ose mund të shkojmë poshtë. Duhet të kalojmë te një kategori tjetër konsumatori. Duhet të kërkojmë që këtu të vijnë ata që shpenzojnë shumë.
Ideja që këto resorte të mëdha turistike janë për ata që vijnë, jo për ne, është një idiotësi. Ato sjellin të ardhura në ekonominë tonë shumë më tepër. Ata nuk vijnë në Hënë. Ata vijnë në një vend ku, në radhë të parë, do të punësohen njerëzit këtu. Do të merren edhe filipinas, nëse ti nuk do të shkosh të punosh. Sot këtu ku jemi, nuk ka paga më të ulëta se në Greqi. A do të vijnë me bukë me vete? Jo. Do të konsumojnë produktet që prodhohen këtu. Ai resort është një fabrikë përpunimi për produktet e zonës dhe më gjerë. U mor një libër dhe shkoi në Prokurori. Ai libër është me projektet e arkitektëve të huaj në Shqipëri. Janë projekte të investitorëve shqiptarë që duan të bëjnë ndërtime.
Pashë disa pallate që po ndërtoheshin nga i pandalshmi kryetar i Bashkisë së Kavajës. Niveli zero. Kjo është një shkollë në natyrë për të gjithë arkitektët shqiptarë, që të mësojnë të bashkëpunojnë me mjeshtrat e mëdhenj e nesër të bëhen ata vetë emra të mëdhenj. Të sulmosh një projekt që ende nuk është bërë është një inkuizicion. Ne nuk bëjmë dot një projekt që nuk e pranon Bashkimi Evropian, ose duhet të themi se nuk futemi në BE./Dosja.al
VLORA- Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe kreun e BDI-së Ali Ahmetin. Gjatë takimit me të rinjtë në Jalë, ai tha se Kurtin e takon me kënaqësi pasi i ecën muhabeti, ndërsa shtoi se po të kishte kamera me takimet e tyre do të habitej e gjithë bota.
Lideri i qeverisë theksoi se Kosova nuk varet nga Shqipëria, ndërsa tha qëllimet me Kurtin i ka të përbashkëta, por metodat i ka të ndryshme. Ndërsa për kreun e BDI-së Ali Ahmeti, tha se gëzon një miqësi të mirë me të.
Edi Rama: Unë qysh herët e kam pasur vijën time të kuqe, nuk bëj babën e askujt që ka shtëpinë e vet, Kosova ka instuticionet e veta. Ka qenë një kohë ku i tregohej Kosovës çfarë duhet të bënte, kanë qenë vite brutale që kanë sjelkë vetëm dëme. Në bashkëpunim me Maqedoninë kemi pasur një tryeze nuk e kujtoj vitini, unë kam lehtësuar takimin mes tyre. Nuk ishte e lehtë, të uleshin në tryezë, por ishte kërkesë e tyre nuk ishte nxitja ime. Kur kanë ardhur nuk rrinin dot në një salle me njëri-tjetrin.
Unë kam një miqësi që nuk e mohoj me Ali Ahmetin, po askush nuk thotë dot me fakte që unë të kem hyrë në fushatë, larg qoftë. Kam qenë gjithmone respektues.
Ndërkohë Kosova nuk varet nga Shqipëria, unë Albinin e takoj me kënaqësi se na ecën muhabeti, po të kishte kamera në takimet tona do të habitej e gjithë bota. Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat i kemi të ndryshme./Dosja.al
VLORA- Kryeministri Edi Rama ka folur për anëtarësimin e vendit në BE dhe marrdhëniet e tij me Maqedoninë e Veriut. Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë në Jalë, Rama u shpreh se vendi është në kushtet që ëndrra e anëtarësimit në Bashkimin Europian të bëhet realitet.
Duke folur për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, kryeministri tha se Shqipëria ka gjithë interesin që marrëdhëniet mes dy popujve dhe dy vendeve të jenë harmonike. Në lidhje me këtë, ai tha se janë përparime shumë të mëdha, duke theksuar se ka qenë gjithmonë i mendimit se vetot në procesin e integrimit nuk i shërbejnë askujt.
Edi Rama: Kam frikë se edhe shkrimi i historisë pas 30 vitesh do të jetë tjetër. Për herë të parë jemi në kushtet që ëndrra e anëtarësimit në Bashkimin Europian të bëhet realitet. E kam besuar këtë kur dukej e pamundur dhe e besoj edhe më shumë sot, kur mbërritja duket me sy. Nëse kjo ndodh, historia do të sillet mirë me ne.
Shqipëria ka gjithë interesin që marrëdhëniet mes dy popujve dhe dy vendeve të jenë harmonike. Janë bërë përparime shumë të mëdha. Kam qenë gjithmonë i mendimit se vetot në procesin e integrimit nuk i shërbejnë askujt, por janë pengmarrje./Dosja.al
VLORA - Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme se Shqipëria është më pranë se kurrë integrimit në BE. Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë në Jalë, ai theksoi se rruga drejt BE-së është një proces i gjatë dhe shumëdimensional.
Ai e cilësoi këtë si një proces që ka një kompleksitet të natyrës teknike, politike dhe gjeopolitike. Kryeministri shtoi se Shqipëria duhet të fusë në organizmin e saj ligjor rreth 4 mijë e disa qindra akte ligjore dhe nënligjore që lidhen me procesin. Rama u ndal edhe tek ministria e inteligjencës artificiale Diella, për të cilën tha se ka ulur ndjeshëm kohën e nevojshme për transpozimin e legjislacionit.
Më tej, ai kujtoi se Shqipërisë i është refuzuar tri herë hapja e negociatave, edhe pse Komisioni Europian kishte rekomanduar hapjen e tyre. Në fund, ai theksoi se çdo hap drejt anëtarësimit kërkon miratimin unanim të të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Rama: Të besosh pa kontrolluar është diçka që nuk mund t'i kërkohet askujt. Por të mos besosh pa kontrolluar është edhe më keq. Ky është një proces jashtëzakonisht kompleks, për të cilin flitet shumë, por shumë pak e njohin nga brenda. Edhe unë, sikur të isha dikush që nuk do të merresha me këtë punë, do të isha shumë më pak i informuar për kompleksitetin e këtij procesi. Është një proces që ka një kompleksitet të natyrës teknike, politike dhe gjeopolitike.
Patjetër është një proces, kur themi teknik nuk e kam fjalën vetëm për plotësimin e kushteve që duhet të plotësosh për të avancuar dhe për t'u bërë vend anëtar. Kjo do të thotë që në të gjitha fushat duhet të plotësosh standardet. Këto janë të shkruara. Shqipëria duhet të fusë në organizmin e vet ligjor rreth 4 mijë e disa qindra akte ligjore dhe nënligjore që lidhen me procesin. Ne bëmë një kalkulim para se të hynim në këtë fazë dhe pamë që kapaciteti i vendit për të prodhuar akte të tilla ishte rreth 60 akte në vit. Normalisht që nuk do të ecnim me të njëjtin ritëm. Në momentin që hyn në atë fazë, organizohet një ushtri me juristë dhe përkthyes për ta bërë këtë punë.
Kroacisë i janë dashur shtatë vite vetëm për këtë proces. Ne krijuam modelin e inteligjencës artificiale me Diellën dhe, faktikisht, përshpejtuam transpozimin. Sot e bëjmë transpozimin në një kohë shumë më të shkurtër dhe me një saktësi 99.5%, ku dora e juristëve ndërhyn vetëm për rregullime të vogla. Ti mund t'i bësh të gjitha dhe t'i kalosh të gjitha aktet në rrugën legjislative, por nuk mjafton. Duhet edhe t'i zbatosh. Ka një proces monitorimi. Mund të bësh edhe zbatimin, por prapë nuk mjafton. Duhet që 27 vendet të bien dakord që ti të hedhësh hapin tjetër. Ajo familje funksionon me konsensus, nuk ka votim me shumicë.
Përgjithësisht e kemi hasur këtë te vendet e mëdha që nuk ishin gati ta çonin procesin përpara. Tri herë na është refuzuar hapja e negociatave, edhe pse Komisioni Evropian kishte rekomanduar hapjen e tyre.
Sa i përket marrëdhënieve tona me Holandën, që kanë qenë ndër më të vështirat që kemi pasur me Bashkimin Evropian, Holanda është realiteti më i ngurtë kur vjen puna te zgjerimi. Një ndeshje futbolli na e ktheu rrotën e historisë së marrëdhënieve me Holandën. Finalja e Conference League. E gjithë ajo turmë e madhe u mahnit nga Tirana dhe pati mundësinë të shihte që Shqipëria nuk ishte ajo që ishte krijuar në stereotipin e tyre: kriminelë, kontrabandë, drogë, krim. Panë që Shqipëria ishte diçka krejt tjetër.
Vulën ia vuri emisioni që ata bënë në Shqipëri dhe sot Holanda është një nga vendet ku opinioni publik e mbështet anëtarësimin e Shqipërisë më shumë sesa në vende të tjera. Unë do të iki në Paris, pasi jemi të ftuar nga Presidenti i Francës për festimet e 14 Korrikut, dhe më pas do të shkoj në Bruksel, ku do të punojmë për të mbyllur kapitujt./Dosja.al
VLORA- Kryeministri i vendit, Edi Rama po zhvillon një bashkëbisedim me të reja e të rinj në Jalë. Gjatë fjalës së tij ai u ndal edhe tek protestat masive që kanë përfshirë vendin, për të cilën tha se protesta për Zvërnecin është harruar.
Kjo pasi sipas tij, u kuptua se realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ajo që ishte perceptuar nga kanalet e dezinformimit. Në lidhje me këtë, ai shtoi se nuk është e vërtet se qeveria shiti atdheun, por ka përgjegjësi si administratore e pronës publike. Ai shtoi se tashmë qeveria është në negociata se duhet të jetë pjesë si pronarë në këtë sipërmarrje, ndaj akoma nuk ka një marrëveshje.
Kryeministri theksoi se çdo protestë mbart një ose më shumë mesazhe, por sipas tij perceptimi publik po ndikohet nga prania e informacionit që qarkullon në platformat sociale. Sipas tij, algoritmi është bërë një amplifikator i zemërimit dhe i pakënaqësisë.
Edi Rama: Në arenën ndërkombëtare, Shqipëria respektohet dhe konsiderohet një realitet i ri në familjen e vendeve që përbëjnë komunitetin demokratik. Prandaj besoj se samiti na jep një vlerë të shtuar si vend dhe na krijon një tjetër mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj nesh edhe si një destinacion për biznes dhe turizëm, për të pasur marrëdhënie dhe lidhje. Fakti është se ne sot jetojmë në një kohë kur niveli i vëmendjes ndaj asaj që shohim, lexojmë dhe diskutojmë ka rënë shumë.
Vëmendja është shumë më pak e pranishme në një komunikim, sepse mendja është diku tjetër dhe kjo lidhet me praninë e madhe të botës virtuale në jetën tonë përmes telefonave, ku kalojmë një pjesë të mirë të kohës, pa e kuptuar. Përderisa ne e kemi jetën të lidhur me ekranin e telefonit, kjo s’do të thotë se algoritmi përcakton arsyen përse bëjmë një veprim a tjetër.
Algoritmi është një amplifikator i madh i pakënaqësisë dhe asaj që drejtohet nga e keqja. Kjo lidhet edhe me aspektin njerëzor, nuk është vetëm për ne kështu. Janë studime të bëra që thonë se çdo gjë që shkon drejt amplifikimit të energjisë negative, ka një shtrirje shumë më të thellë se e vërteta apo lajmi që ka brenda bujë. Unë nuk kam thënë se algoritmi ishte arsyeja e protestës.
Padiskutim që protesta ka arsye që lidhen me të përditshmen e njerëzve dhe patjetër që ato duhen kuptuar dhe lexuar si duhet, por algoritmi ka impakt të madh në amplifikimin e zhurmës, negativitetit, që vijnë me video të manipuluara dhe lajme të rreme. Nuk diskutohet që çdo protestë ka brenda një mesazh dhe patjetër që detyra ime është të kuptoj sa më mirë mesazhin që mbart protesta, madje edhe më shumë se kaq.
Të kuptoj organizatorët, të kuptoj çfarë ka më shumë se ajo që duket dhe të kem një pamje sa më të qartë të të gjithë spektrit të çështjeve dhe forcave të organizuara në protestë. Forcat e përfshira që janë armiqësore dhe dashakeqe me Shqipërinë, nuk janë as ato organizatorët, por të gjitha këto së bashku ndikojnë. Është e rëndësishme sesi adresohet pjesa e drejtë e protestës.
Ti si një njeri i drejtë në protestë kthehesh në një vegël i forcave të tjera. Zvërneci sot është harruar, sepse shumë shpejt u kuptua se realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ajo që ishte perceptuar nga kanalet e dezinformimit. Nuk është realiteti se qeveria shiti atdheun. Realiteti është se aty ku qeveria ka përgjegjësi si administratore e pronës publike, jo vetëm qeveria nuk ka bërë shitje, por edhe tani jemi në negociata se duhet të jemi pjesë si pronarë në këtë sipërmarrje. Ndaj edhe akoma nuk kemi një marrëveshje”, tha Rama mes të tjerash./Dosja.al