Rajoni

Pas Haradinajt, Kadri Veseli thirret për t’u marrë në pyetje në Hagë, akuzat për krime lufte ndaj serbëve

  • Rama: Solidarë me Veselin, ftesa për luftëtarët e UÇK-së, e padrejtë
  • Kreu i PDK-së, Kadri Veseli është shprehur se ftesa i ka ardhur si një prej udhëheqësve të UÇK-së gjatë luftës me Serbinë. 
    Featured image of article: Pas Haradinajt, Kadri Veseli thirret për t’u marrë në pyetje në Hagë, akuzat për krime lufte ndaj serbëve Kadri Veseli

    TIRANË– Kreu i PDK-së, Kadri Veseli është thirrur për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në Hagë më 4 dhjetor.

    Në një reagim tijin për rastin, Veseli është shprehur se ftesa i ka ardhur si një prej udhëheqësve të UÇK-së gjatë luftës me Serbinë.  Veseli është shprehur se do të marrë përgjegjësi të plotë për të gjitha angazhimet e tij në kohë të luftës.

    “Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë. Edhe ky proces duhet të ketë epilog, duke u bazuar në të vërtetën, faktet e drejtësinë, dhe që nuk e dëmton shtetin e Kosovës në pafundësi. Jam i bindur se edhe kjo Gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe që do t’i ndalë goditjet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese, më 4 dhjetor,”- tha Veseli.

    Deri më tani Gjykata Speciale ka thirrur për të marrë në pyetje rreth 100 persona, të gjithë ish-udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndër të intervistuarit ka qënë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili për këtë arsye dha dorëheqjen nga posti. Haradinaj tha se dëshironte që të shkonte pa asnjë status funksionari, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat u fituan nga Albin Kurti. 

    Çfarë është Gjykata Speciale?

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë Speciale janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale, që lidhen me akuzat e ngritura në një raport të Këshillit të Evropës, më 2011. Në këtë raport flitet për krime të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri më 2000.

    (k.m/dosja.al)

    Shto Koment