Politike

‘Integrimi’ puq me bërryla Ramën e Metën, kryeministri: S’ka më Reforma nëpër ambasada. Presidenti: Zgjedhorja të kalojë në Kuvend, ende herët për datë!

VIDEO
  • Çfarë është “Track Records”? Zbulohet plani i Këshillit të Integrimit me 15 pika: Primare Zgjedhorja
  • “E keni falur Ramën për grushtin e shtetit? Meta: sot kemi punë me standartet
  • Rama: Jemi gati të hapim faqe të re, e bëjmë për fëmijët tanë
  • Zef Mazi: Ky është moment historik, të gjithë duhet të flasim në një zë
  • VIDEO/ “Patjetër zonja Topalli”/ Rama thumbon Hajdarin
  • U mblodh sot në Pallatin e Kongreseve, Këshilli Kombëtar për Integrimin. Në takim morën pjesë kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, Rudina Hajdari dhe një sërë krerësh të institucioneve, bashkë me kryenegociatorin Zef Mazi. Theksi i palëve ishte tek dakordësia për zgjedhoren dhe ecja përpara me plotësimin e 15 pikave para hapjes së negociatave. 
    Featured image of article: ‘Integrimi’ puq me bërryla Ramën e Metën, kryeministri: S’ka më Reforma nëpër ambasada. Presidenti: Zgjedhorja të kalojë në Kuvend, ende herët për datë! Këshilli Politik dhe takimi Rama-Meta

    TIRANË–Është mbledhur sot në ambientet e Pallatit të Kongreseve Këshilli Kombëtar për Integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Në takim kanë marrë pjesë presidenti i vendit, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, kryetarja e Këshillit Rudina Hajdari e një sërë krerësh të institucioneve kryesore në vend.

    Klima e ëmbël e takimit u nuhat që pa nisur mbledhja, kur kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta, i dhanë bërrylat njëri-tjetrit, në pamundësi për t’u takuar fizikisht për shkak të masave nga COVID-19.

    Takimi Rama-Meta

    Takimi u ndoq nga një buzëqeshje e Gramoz Ruçit që nuk është se e sheh çdo ditë … Më pas palët morën me radhë fjalën për të dhënë mesazhet e tyre.

    Ambasadori Luigi Soreca ishte i qartë kur tha se “integrimi i vendit është në duart tuaja”, për të marrë fjalën më pas presidenti Ilir Meta, që tha se hapi i radhës ishte miratimi i reformës Zgjedhore në Kuvend, megjithëse siç tha në fund të mbledhjes nuk do të bëjë asnjë përpjekje për të siguruar votën pro të opozitës parlamentare me argumentin se “kam 3 vite që jam larguar nga kryesimi i kuvendit”. 

    Por, nuk ishte kaq i qetë kryeministri Edi Rama, që shfrytëzoi sërish rastin për të sqaruar se shqiptarët nuk mund të vazhdojnë me reforma që bëhen nga ndërkombëtarët.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Rama tha se kjo është reforma e fundit, ku ai merr pjesë me dialog ambasadash. “Le të takohemi tek Baba Mondi, edhe tek protestantët po të duan, por ky është rasti i fundit sa për mua”, -theksoi ai, duke u siguruar që mesazhi të merrej nga të gjitha palët. 

    Për herë të parë para Këshillit dhe shqiptarëve doli edhe kryenegociatori i shtetit në kapitullin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, Zef Mazi. “Nëse duam sukses, duhet të jemi në një zë“, -tha ai. 

    Ndërkohë që në përfundim të takimit, gazetarët “mësynë” tek kreu i shtetit i cili u pyet për datën e zgjedhjeve dhe marrëdhënien me Ramën. Të dyja këto tema sipas kreut të shtetit nuk janë aktuale, dhe se kryesorja tashmë është kapja e standarteve evropiane, dhe rikthimi i besimit të shqiptarëve në to.

    (f.g/dosja.al)

    • 13:29

      "Luftë bërrylash"/ Rama ngacmon sërish Metën, nxjerr foton e "pajtimit" të madh dhe bën mbishkrimin e çuditshëm (POSTIMI)

      Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Instagram foton e takimit me presidentin Ilir Meta, ku shihen teksa i japin bërrylat njëri-tjetrit në vend të duarve për shkak të masave ndaj COVID-19. Krahas fotos kryeministri shkruan “luftë bërrylash”, duke ironizuar paqen e mundshme që u pa në këtë Këshill.

       

      View this post on Instagram

       

      Luftë brrylash

      A post shared by Edi Rama (@ediramaal) on

    • 12:47

      Sa hyri, doli nga mbledhja për Integrimin, Rama batuta me gazetarët: M’u duket se më thirrët, jashtëzakonisht i kënaqur

      Edi Rama, kryeminister

      Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Pasi lexoi fjalën e tij para të gjithë të pranishëmve, doli për të vijuar me axhendën e tij. Jashtë e prisnin gazetarët, të cilët i kërkuan një koment lidhur me mbledhjen, por morën vetëm një batutë nga kreu i qeverisë.

      “Nuk u ktheva për koment, por m’u duket se më thirrët, më ftuat. Jashtëzakonisht i kënaqur, gjithçka në rregull,”– tha ai.

    • 12:45

      E keni falur Ramën për grushtin e shtetit? Meta: Pyetja fjalim mbaroi...sot kemi punë me standartet

      Ilir Meta: Pyetja fjalim mbaroi si puna e pishës flamur. Ishte për çështjet e integrimit evropian. Për këto çështje jam i disponueshëm dhe kam bërë çdo gjë që Shqipëria të mos humbasë kohën që ka marrë për këto negociata. E nisëm me Kroacinë dhe ishim shumë para Malit të Zi apo Serbisë. Sot jemi në një situatë jo shumë pozitive dhe shumë qytetarë kanë humbur besimin tek standartet evropiane për vendin tonë. Të rikthejmë shpresën tek qytetarët tanë.

    • 12:45

      Kërkesa e PS për zgjedhje më 9 maj, komenton presidenti Meta: Kemi detyra të mëdha...të jetë për datën për mua mund të ishte që dje!

      Meta: Mendoj që mbledhja e sotme e këshillit ishte e rëndësishme për të kujtuar detyrat e mëdha që na presin sepse theksoj se metodologjia e re e ezgjerimit, siç ofron avantazhe për vendet që iu qëndrojnë detyrimeve të tyre mund të kthejë edhe kthim pas të procesit, dua të theksoj edhe dakordësinë e fundit të KP për Reformën Zgjedhore, jo si një marrëveshje që zgjidhi gjithçka por si një hap i mjaftueshëm për dakordësinë. Zgjedhjet e lira duhet që të legjitimojnë gjithçka në vend. Padyshim që cilësia e zgjedhjeve është kryesore. Po të ishte për datën, për mua le të ishte që dje. Mbetet shumë punë për të treguar përgjegjshmëri në këtë proces që po monitorohet ngushtë nga vendet anëtare.

    • 12:21

      Kryenegociatori i Shqipërisë me BE flet për herë të parë: Ky është moment historik, të gjithë duhet të flasim në një zë nëse duan sukses

      Kryenegocatori i Shqipërisë në kapitullin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, Zef Mazi ka folur sot për herë të parë pas emërimit. Mazi, i cili mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin, tha se ky është një moment historik dhe se nëse palët duan sukses, duhet që të flasin në një zë.

      Ky është një moment historik për vendin tonë. Këto janë negociatat më të rëndësishme të vendit tonë në 70 vitet e fundit. Ky shans i madh që na u dha, na motivon që përpjekjet tona dhe këtë besim t’a çojmë deri në fund. Kjo punë do të ketë sukses nëse ne do të jemi profesionistë, do të flasim në një zë. Me përkrahjen e Këshillit, shoqërisë civile, akademikëve dhe faktorëve që kanë peshë në shoqërinë shqiptare, unë dhe grupi negociator s’do të kursehemi për të çuar më para këtë proces. Falenderoj për besimin që mu dha personalisht.”-tha Mazi. 

    • 12:14

      "Patjetër zonja Topalli"/ Rama thumbon Hajdarin, pse iu kujtua ish-kryeparlamentarja sot? (IRONIA PASI I PREU FJALËN)

      Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu as sot thumbat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, teksa po fliste në lidhje me ecurinë e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian. Gjatë kohës kur po fliste, ishte kryetarja e Këshillit, Rudina Hajdari, që i ndërpreu fjalën. Në këtë moment, Rama aprovoi ndërprerjen duke iu drejtuar me fjalët “patjetër zonja Topalli”, duke e krahasuar me ish-kryetaren e Parlamentit, e njohur për ndërprerjen e fjalës herë pas herë në Kuvend, gjatë kohës që PS ishte në opozitë.

      “Të gjithë ta dinë, se kur vjen puna për integrimin e Shqipërisë, duhet të jemi të gjithë bashkë. Këtu duhet të ishte edhe opozita. Kjo sepse opozita është alternativa e qeverisë. Përpara 11 vitesh ka qenë një qeveri tjetër që e nisi këtë rrugëtim, tani po nisim ne negociatat, ndërsa anëtarësimin, në të ardhmen mund ta bëjë një qeveri tjetër.”,-tha Rama.

    • 12:05

      “Mund të takohemi tek Baba Mondi”, Rama ultimatum palëve: Kjo është hera e fundit që reformat bëhen nëpër ambasada, nga ana ime ta dini, rasti i fundit!

      Kryeministri Edi Rama e ka thënë sot prerazi se Reforma Zgjedhore është marrëveshja e fundit që realizohet me ndërhyrje të ndërkombëtarëve për konsensus. Rama pranoi ndasitë që ka me presidentin Ilir Meta, por takimi mes palëve tha ai mund të zhvillohet kudo ku palët janë dakord, por kurrsesi nëpër dyer ambasadash.

      “Nuk është sekret që me presidentin kemi çështje të hapura, por sigurisht që mund të takoheshim dhe të takohemi, edhe tek presidenti, edhe tek kryetari i Kuvendit, edhe tek Baba Mondi, edhe tek Kryegjashata, edhe tek Katolikët. Kjo është marrëveshja e fundit që bëjmë nëpër ambasada, kjo është hera e fundit nga ana ime. Ua kam thënë edhe ambasadorëve, për çështjet tona s’mund të bëjmë ndryshe për punët tona. Në këtë Këshill duhet të ishte patjetër edhe opozita,  e sotmja dhe e nesërmja.”,-tha Rama. 

    • 11:38

      Integrimi, Rama: Jemi gati të hapim faqe të re, e bëjmë për fëmijët tanë jo për Brukselin, Berlinin e Parisin

      Kryeministri Edi Rama ka folur sot në Këshillin Kombëtar. Rama tha se integrimi i Shqipërisë dhe plotësimi i detyrave të dhëna nga Bashkimi Evropian, bëhet së pari për fëmijët shqiptarë.

      Edi Rama: Besoj mund të themi se jemi në një stad të ri, përderisa edhe vetë procesi është kuadri negociator, plani i masave për negocimin, që do të thotë se jemi gati të hapim një faqe të re. I gjithë libri është një faqe me më shumë detyra, me më shumë sfida dhe patjetër, që kërkon edhe më shumë energji dhe bashkëpunim mes nesh. Një gjë mund të thuhet pa asnjë ngurrim dhe bindje, se kur e shohim procesin me vështrimin përpara, jemi ende larg objektivit të madh për anëtarësimin në BE. Shohim që jemi shumë më afër sot, sesa ishim qoftë edhe një vit më parë, lëre më pas 5 apo 11 vite më parë. Sigurisht që është një proces ku ne na duhet si drita dhe uji njeriut për të bërë Shqipërinë një vend me standartet e BE. S’është proces që na e kërkon Brukseli, Parisi apo Berlini, por është një proces që e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë. Në thelbin e vetë është një proces shtetformimi. Jemi larg dhe kemi shumë punë për të bërë, por jemi shumë afër në raport me 20 vite më parë. Bashkë me vendet e tjera të BE dhe globit, kaluam dhe po kalojmë një sfidë të madhe që është sfida me përballjen e një pandemie që besoj se tregoi se sidoqoftë, kemi sot një funksion funksional institucionesh dhe ajo që mbase kur sapo ishim dekretuar për në BE, do të ishte shumë më e vështirë dhe e pamundur.

    • 11:30

      Këshilli Kombëtar i Integrimit, Cakaj: Kemi mbaruar shqyrtimin e 35 kapitujve

      Gent Cakaj

      Ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, foli sot në Këshillin Kombëtar të Integrimit, në lidhje me ecurinë e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij, Cakaj tha se ky proces kërkon vullnet politik, ndërsa kërkoi edhe bashkëpunimin e të gjitha partive.  Ministri u shpreh se për konferencën e parë ndërqeveritare janë të nevojshme vetëm 7 kushtet.

      Fjala e Cakaj

      Në mars të këtij viti Këshilli Europian vendosi hapjen e bisedimeve. Në vijim të tre raporteve dhe rekomandimeve, vendet anëtare vlerësuan progresin në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, reformën në administratë. Raporti i fundit iKE jo vetëm shpalos rezultata e reformëvaendër vite, e konsideron shqipërinë shembull në rajon, që nga reforma në drejtësi dhe ravijëzimi i politikës së jashtme. Duhet nënvizuar se çelja e bisedimeve nuk është kurorëzuim, por edhe hapje e kapitujeve të sfidave të shumta dhe detyrave të reja. Adresimi i të gjitha detyrimeve nuk është cështje e shkathtësive profesione apo kapaciteteve teknike, por kërkon vullnet politik. Shoqëria jonë në masën 95 % e mbështet integrimin europian dhe partitë politikë ruajnë frymën evropiane, është e rëndësishme që të kemi konsensus, fillimisht për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.
    • 11:33

      Meta thirrje për dialog nga palët politike: Mirëpres të gjitha ndryshimet e nevojshme të reformës zgjedhore

      Presidenti Ilir Meta ka mbajtur një fjalë në Këshillin Kombëtar për Integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Në fjalën e tij, Meta ka bërë thirrje për dialog politik.

      FJALA E PLOTË:

      E nderuar zonja Hajdari, Të nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, zoti Kryeministër, I nderuar Ambasador Soreca, Shkëlqesi Ambasadorë, Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Në këtë mbledhje të parë që zhvillon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian pas vendimit të Këshillit Europian të 25 marsit, u përcjell vlerësimet maksimale Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të BE, për përpjekjet e tyre të palodhura në favor të vendimit të shumëpritur politik, të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

      Komisioni Europian dhe vendet anëtare meritojnë mirënjohjen tonë më të thellë pasi edhe pse në gjendje të paprecedentë të krijuar për shkak të pandemisë, e ruajtën angazhimin dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë, sikundër patën premtuar. Vendimin e 25 marsit dhe konkluzionet e Samitit virtual të Zagrebit, do të duhet t’i lexojmë me kthjelltësinë dhe pjekurinë e duhur, dhe besoj se edhe ky takim i shërben këtij qëllimi. Ecja përpara në rrugën europiane kërkon së pari dhe mbi të gjitha një sjellje europiane, ku duhet të mbizotërojë dialogu, bashkëpunimi gjithëpërfshirës, dhe ndërtimi i urave të mirëbesimit ndërmjet institucioneve dhe me qytetarët.

      Kjo bindje më ka udhëhequr në të gjithë veprimtarinë time si President i Republikës, me thirrjet dhe iniciativat për përgjegjshmëri, bashkëpunim, dhe përqendrim në agjendën e integrimit europian, si përparësi e të gjitha përparësive. Zbatimi i vërtetë i kushteve, që kanë ardhur në rritje, dhe i detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duhen marrë më seriozisht.

      Vetëm një proces i besueshëm, ku vullneti politik vihet në shërbim të vendit dhe interesave madhore, do të mund të parandalojë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Europian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme.

      Kjo do të ishte fatale për ne, veçanërisht duke kujtuar që në nisje të këtij procesi ishim në një korsi me Kroacinë, sot vend anëtar i BE, dhe shumë më përpara Malit të Zi. Ndaj besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve. Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh por edhe të ofrosh. Në këtë kontekst dua të vlerësoj se marrëveshja që u dakordësua në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, ishte një hap i rëndësishëm përpara. Çmoj kontributin konstruktiv që luajti në këtë proces veçanërisht Komisioneri Varhelyi, Bundestagu gjerman, partnerë të tjerë europianë, si dhe SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

      Mirëpres që kjo dakordësi të vijojë për të gjitha ndryshimet e nevojshme të reformës zgjedhore dhe të finalizohet me miratimin e shpejtë në Parlament.

      Padyshim sfida e vërtetë do të jetë zbatimi besnik i Kodit të ri Zgjedhor, dhe sjellja e secilit aktor për të siguruar një proces zgjedhor me integritet që mbron dhe respekton votën e lirë të qytetarëve.

      Inkurajoj gjithashtu që në plan-veprimin e hartuar nga qeveria të reflektohen kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit, të zbërthehen një për një të gjitha kushtet e vendosura, si dhe të përcaktohen qartë aktorët përgjegjës, termat konkretë e të matshëm të veprimit dhe kostot financiare për çdo zë. 

      Konsolidimi e më tej zbatimi i këtij plan-veprimi duhet të vërtetojë se Shqipëria jep rezultate! Nga ana ime, si President i Republikës, do të vazhdoj përpjekjet e mia të pandërprera në dobi të përparimit të qëndrueshëm dhe të besueshëm të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si një qëllim mbarëkombëtar i të gjithë qytetarëve shqiptarë.

    • 11:10

      Anëtarësimi në BE, Soreca: Gjithçka në duart tuaja, KE do prezantojë së shpejti kuadrin negociues

      Ambasadori i BE, Luigi Soreca përgëzoi palët për arritjen e një marrëveshje për reformën zgjedhore. Duke folur nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Soreca u shpreh, se BE do të prezantojë shumë shpejt rregullat e lojës për anëtarësimin në BE. Më tej ai shtoi, se BE i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të marrë masa për ta sjellë vendin më afër unionit. Ndër të tjera Soreca theksoi, se 70% e legjislacionit të BE, duhet të vihet në zbatim nga bashkitë.

      “Ajo frymë që na cojë në atë marrëveshje në reformën zgjedhore, do të vazhdojë të mbizotërojë. Më lini të përgëzoj të gjitha palët që jeni bërë bashkë, pasi kështu vërtetohet fryma e konsensusit. Këshilli Europian, do të prezantojë së shpejti kuadrin negociues, për rregullat e lojës. Shtetet anëtare i kanë kërkuar Shqipërisë të marrë masa para konferencës ndërqeveritare.Gjithçka është në duart tuaja. Negociatat kërkojnë vullnet dhe 70% e gjithë legjislacionit të BE duhet të vihet në zbatim nga bashkitë. Për këtë arsye duhet angazhim i plotë dhe konsultim me shoqërinë civile. Do të bashkëpunojmë që legjislacioni të jetë në përputhje me vendet e BE. Kjo fazë e re pas datës 25 mars është komplekse dhe e thjeshtë. Nga njëra anë është komplekse dhe nga ana tjetër është e thjeshtë, pasi ka vetëm një drejtim drejt të cilit mund të ecet”, u shpreh Soreca.

    • 11:17

      FOTOLAJM/ Meta dhe Rama lënë pas ‘replikat’, vendosin paqe dhe takohen me buzëqeshje në fytyrë, Ruçi i sheh i lumtur nga pas

      Presidenti Ilir Meta është ftuar që të marrë pjesë në Këshillin Kombëtar të Integrimit. Në të njëjtin Këshill bën pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

      Të dy kanë lënë pas krahëve replikat dhe përplasjet politike, duke u takuar me buzëqeshje në fytyrë. Takimi i tyre është bërë sipas “kushteve” të reja të krijuara nga pandemia e koronavirusit.

    Shto Koment