Dita e 49-të e protestës/ Qytetarët zbresin sërish në shesh, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama: Jep dorëhqjen, nuk ka dialog!
Dita e 49-të e protestës/ Qytetarët zbresin sërish në shesh, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama: Ju erdh...
Dita e 49-të e protestës/ Qytetarët zbresin sërish në shesh, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama: Ju erdh...
Shetet e Gjirit Persik dënojnë sulmet iraniane ndaj infrastrukturës civile: Janë krime lufte 18 Korrik, 17:37 ...
Abuizimi me fondet në Durrës, zbardhen dëshmitë/ Elisabeta Mataj: Jam qytetare e lirë, kush ma ndalon kazinonë...
Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës 18 K...
Ka ardhur koha jo vetëm të trokasë në shtepitë e shteteve të tjera me prani në Davos, por të hapë derën, të shtrojë sofrën dhe t’i ftojë të tjerët në shtëpinë e saj.

Çdo janar, vendimmarrësit e botës mblidhen në Alpet zvicerane, në Davos. Shqipëria mbërrin si e ftuar. Por kjo nuk i shkon një vendi që ka bërë mikpritjen pjesë të DNA-së kombëtare. Ka ardhur koha jo vetëm të trokasë në shtepitë e shteteve të tjera me prani në Davos, por të hapë derën, të shtrojë sofrën dhe t’i ftojë të tjerët në shtëpinë e saj.
Pesë ditë. Aq zgjat çdo vit Forumi Ekonomik Botëror në Davos. Tre ditë më shumë se çuditë në Tiranë. Pesë ditë gjatë të cilave kryeministra, presidentë, anëtarë të familjeve mbretërore, drejtues të bankave, fondeve sovrane dhe arkitektë të politikave globale mblidhen në një qytet të vogël malor dhe vendosin — formalisht dhe joformalisht, në sallat e konferencave dhe në korridoret e ngrohta pas tyre — se ku do të rrjedhë kapitali, cilat vende do të marrin vëmendje dhe cilat do të mbeten në periferi.
Vendimet më të rëndësishme që merren në ato korridore nuk shpallen kurrë me bujë në njoftime për shtyp. Rishfaqen muaj më vonë në rrjedhat e kapitalit, në kontrata infrastrukturore, në negociata me Bashkimin Europian që përshpejtohen ose zvarriten pa zhurmë, në fondet sovrane që hapin një dosje për një vend që e kanë njohur për herë të parë mes avullit të një kafeje, në orën tetë të mëngjesit, në Davos.
Shqipëria nuk është në këto korridore. Duhet të ketë guximin dhe ambicien të jetë.
Rreth pesëdhjetë vende mbajnë një “shtëpi” kombëtare brenda ose pranë qendrës së kongresit në Davos — një ambasadë fizike e ambicies, e organizuar për të pritur takime dypalëshe ku ministrat ulen me drejtues të kompanive Fortune 500 për të tërhequr investime dhe për të projektuar imazhin e vendit përpara audiencës më të përqendruar të vendimmarrësve globalë. Një shtëpi e mirëmenaxhuar mund të organizojë 100 deri në 300 takime brenda pesë ditësh, një intensitet i pamundur përmes kanaleve tradicionale diplomatike. Çfarë arrihet në një vit nëpër ambasada dhe vizita ministrore, në Davos arrihet në 120 orë.
Në Davos, takimet nuk kufizohen në protokoll diplomatik shtetëror. Shtrihen përtej tij, në tryeza ku krerët e shteteve ulen përballë drejtuesve të Microsoft, Nvidia, Apple, Google, Amazon, BlackRock, Goldman Sachs, Morgan Stanley, Siemens, Nestlé dhe Shell etj,. . Kompani që sot ndikojnë në rendin botëror po aq sa qeveritë, duke vepruar si aktorë jo-shtetërorë me kapital, teknologji dhe influencë që tejkalojnë kufijtë. Mbi 1,000 kompani partnere dhe 850 CEO gjenden të pranishëm çdo vit.
Mjafton të ecësh në Promenade (rruga kryesore e Davos) gjatë javës së Davosit për ta kuptuar menjëherë rëndësinë e kësaj rruge. Rreth 150 hapësira shndërrohen në pavijone kombëtare ku formohen partneritete reale dhe lëviz kapitali. Afrika e Jugut është aty. Indonezia është aty, me shtëpinë e saj e përgatitur me shifra kokëforte për burimet e saj natyrore — nikel, kobalt, energji diellore — të prezantuara drejtpërdrejt për investitorët globalë. Ukraina, një vend në luftë, me infrastrukturë që është duke u shkatërruar në kohë reale, ka qenë e pranishme për gjashtë vite radhazi dhe ka fituar çmimin “Best Pavilion” të prestigjozes Politico, duke e kthyer shkatërrimin në një mundësi rindërtimi me vlerë triliona dollarësh. Gjithashtu, Kurdistani, që nuk është as shtet sovran — pa një vend në OKB, pa kufij të njohur ndërkombëtarisht — ka një shtëpi të dedikuar në të njëjtën Promenade, tashmë në vitin e tretë, si përfaqësimi i vetëm zyrtar nga Iraku në forum.
Presidenti Donald J. Trump u shfaq në Davos 2026 duke njoftuar një nga iniciativat më të rëndësishme të administratës së tij në politikën e jashtme — Bordin e Paqes — nga skena e Forumit Ekonomik Botëror, duke sinjalizuar një rikthim të fuqishëm të Amerikës në qendër të diplomacisë ekonomike globale. Jo Uashingtoni. Jo OKB-ja. Davosit i ra llotaria amerikane këtë vit.
Prania amerikane në Forumin Ekonomik Botëror 2026 ishte më e madhja dhe më e fuqishmja që ka parë ky event në vite, jo vetëm në optikën e shfaqjes, por si operacion i plotë diplomatik. USA House, e financuar privatisht dhe e vendosur në një kishë të shndërruar pranë qendrës së kongresit, funksionoi si ambasadë paralele e Amerikës Donroe. Brenda saj u ulën Sekretari i Thesarit, Sekretari i Energjisë dhe një sërë delegacionesh të nivelit të lartë, ndërsa jashtë saj bota ndiqte fjalën e Presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara.
Në 2027, një “aleat model” siç përkufizohet në Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes së SHBA-së, Izraeli pritet të ketë për herë të parë një “Israel House” në Davos — një platformë e dedikuar prezantimi brenda Forumit Ekonomik Botëror. Izraeli, një vend i rrethuar nga konflikte në Lindjen e Mesme, i sfiduar në çdo forum ndërkombëtar, dhe me aleanca që vihen në provë çdo ditë — dhe megjithatë, nuk është tërhequr nga ideja e pranisë në Davos. Përkundrazi, është zhytur edhe më thellë në të. “Israel House Davos”, e mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Ekonomisë dhe Merit Spread Foundation, pritet të hapë dyert në vitin 2027 — e përshkruar si: “Më shumë se një pavijon, një dëshmi e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe ndikimit global”. Nëse një vend që përballet njëkohësisht me Iranin, Hezbollahun në Liban, Hamasin në Gaza dhe forcat Houthi në Jemen e sheh të domosdoshme të ndërtojë një shtëpi në Davos, atëherë Shqipëria, me një qiell diplomatik të kthjellët, me Bashkimin Europian në horizont dhe pa asnjë nga këto barra, nuk ka asnjë arsye të mungojë.
Pas humbjes së Kombëtares ndaj Polonisë, një mik i afërt i Presidentit Polak, Karol Nawrocki më kërkoi koment. "Ç'të bësh," i thashë, "nuk fitohet dot kundrejt një ekonomie trilion dollarësh." Polonia i është bashkuar këtë vit klubit të ekonomive trilionere, si ekonomia e 20-të më e madhe në botë dhe e pesta në Bashkimin Europian — një shtet anëtar i NATO-s me një nga ushtritë më të mëdha në kontinent dhe një histori transformimi ekonomik që shpesh përmendet si një nga më mbresëlënët e shekullit të fundit. Nga një ekonomi e centralizuar post-komuniste, Polonia është shndërruar në një fuqi industriale dhe tregtare trilion-euro, e cila sot shërben si pikë reference për Europën Qendrore dhe Lindore. Polonia nuk është vend i vogël që lyp vëmendje dhe megjithatë këtë vit ndërtoi praninë e saj të parë të organizuar në Davos, sepse siç vetë e pranoi Varshava: "Prania jonë mbetet e pamjaftueshme në vendet ku formohet e ardhmja e botës.”
Kosova, me një GDP rreth 11 miliardë dollarë sipas Bankës Botërore— më pak se gjysma e Shqipërisë — më e re në moshë, më e vogël, jo anëtare e OKB-së, NATO-s, dhe ende në mungesë të njohjes së sovranitetit të saj nga shumë vende, ka prej tre vitesh një “House of Kosovo” në Davos, të financuar kryesisht nga diaspora. Ky fakt duhet të jetë pasqyrë për Shqipërinë.
Çfarë do të sillte Shqipëria në Davos? Më shumë sesa mendohet. Procesi i anëtarësimit në BE mbetet aksi kryesor i politkës së jashtme dhe qëndron mbi çdo ndarësi politike në vend. Potenciali hidroenergjetik është ndër më të lartët për frymë në Europë, ndërkohë që bota kërkon energji të pastër. Turizmi po thyen rekorde, por këto rekorde nuk arrijnë te ata që vendosin ku të ndërtohet resorti i radhës, nëse nuk i dëgjojnë nga zëri shqiptar, në vendin dhe momentin e duhur. Diaspora jonë e re është e shpërndarë në ekonomitë dhe institucionet perëndimore, gati të shërbejë si urë lidhëse mes mundësive shqiptare dhe kapitalit global. Një vijë bregdetare që rivalizon rivierat më të famshme europiane, mbetet ende e pazbuluar nga ata që realisht vendosin lëvizjen e kapitalit botëror.
Një shtëpi kombëtare në Davos mund të shërbejë si operacion komunikimi, shfaqje investimesh dhe sallon diplomatik i ngjeshur në disa mijëra metra katrorë malorë. Bërë mirë, bëhet një nga më të diskutuarat në fshatin zviceran. Bërë keq, është një kafene e shtrenjtë. Tirana ka 8,300 kafene, nuk ka nevojë për më tepër.
Kostoja varion nga disa qindra mijëra deri në një milionë euro në vit. Për një shtet që shpenzon shumë herë më tepër për beton infrastrukture dhe promovim turistik, ky është një investim modest me kthim të pamatur. Çdo takim bilateral i realizuar, çdo kapitull negocimi i përshpejtuar, çdo fond sovran që hap një dosje për Shqipërinë, çdo CEO që dëgjon historinë shqiptare për herë të parë nga një zë shqiptar, këto nuk blihen me asnjë instrument tjetër të krahasueshëm në kosto.
Vendi ekziston. Davosi e ofron çdo janar. Gjithçka që kërkohet është një vendim dhe guximi institucional për ta trajtuar diplomacinë ekonomike si disiplinë, jo si formalitet.
Diana Mjeshtri
Anëtare e Komitetit “Albania House Davos”
Lutfi Dervishi Nga gjithë lajmet e ditës, vetëm njëri i tronditi tregjet globale.Bëhet fjalë për ndryshimin e drejtuesv...
Pajtim Lutaj Ministria Vendosja e një ministre profesioniste në Ministrinë e Shëndetësisë ishte një ogur i mire…...
Në metropolin e zhurmshëm të Tiranës, marrja e një taksie është kthyer në një ruletë ruse për qytetar&e...
Ervin Resuli Siguria ushqimore është një nga shtyllat më të rëndësishme të shëndetit publik. Kur institucionet...
“Flamurtarit” të drejtësisë së re iu këput ushkuri i të mbathurave fiks në momentin kur përplasi duart dhe...
Foto ilustruse Pothuajse njëzet e dy shekuj më parë, një romak me prejardhje plebeje dha një urdhër që i dha famë s...
Majmuni Punch Në një epokë debatesh shumë të polarizuara, a mund të lindë vërtet shpresa nga një top i vog&eum...
Dy vjet më parë në një takim ku kishte edhe ndërkombëtarë, kryeminstri ynë deklaronte se reforma në drejtësi...
Ç’pezullimi i pezullimit, e bëri kryeministrin të ulej disa herë nëpër karrige të ndryshme, si për shembull te...
Eduart Halimi Kur dëgjova para disa ditësh se për hartimin e ndërhyrjes urgjente të nenit 242 po merrej një ekip juristë...