16 Dhjetor 2024, 13:57
Nga DOSJA
foto ilustruese
TIRANË- Një skenar i ndërtuar mbi tre faza-manipulim mediatik, uzurpim kompetencash institucionale dhe ndikim politik-është në zhvillim, me qëllim final rrëmbimin e dy mandateve kushtetuese.
Në krye të skemës, si personazhi më i dukshëm, qëndron kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Target i rrëmbimit anti-kushtetues dhe anti-ligjor janë mandatet e gjyqtareve Holta Zaçaj dhe Sonila Bejtja, duke cënuar rëndë institucionin më të lartë në vend dhe thelbin e Reformës në Drejtësi.
Skenari është aktivizuar prej disa muajsh, me qëllim manipulimin edhe të faktorit ndërkombëtar, ndërkohë që opozita është treguar e përgjumur, madje, në ndonjë rast sporadik, edhe pjesë e lojës, me shumë mundësi në padijeni të detajeve kushtetuese, si në rastin e deputetes së Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku.
Në 23 shtator 2024, gjyqtarja kushtetuese, Elsa Toska, njoftoi dorëheqjen nga detyra, “për arsye personale”.
Ajo ishte emëruar me vendimin nr. 133/2019, datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin është është vendosur: “Zonja Elsa Toska zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për vakancën e plotë të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 12.02.2018”.
Në vijim, Gjykata Kushtetuese, në përmbushje të tagrave të saj kushtetuese dhe ligjore, miraton vendimin nr. 62, dt. 23.09.2024 “Deklarimi i mbarimit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Elsa Toska”, duke ia njoftuar Kuvendit të Shqipërisë, si organ i emërtesës së gjyqtares dhe me qëllim për të shpallur procedurat për plotësimin e vakancës.
Në 30 shtator 2024, Kuvendi i Shqipërisë shpall “Hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në njoftimin e Kuvendit thuhej ndër të tjera se “…..Shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant, mandat plotësues, për 1(një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Znj. Elsa Toska, i cili përfundon më datën 14.11.2028, referuar Vendimit të Kuvendit nr. 133/2019 “ Për zgjedhjen e zonjës Elsa Toska, anëtare të Gjykatës Kushtetuese”.
E gjithë situate dukej një rutinë institucionale, e nxitur nga dorëheqja e vullnetshme e gjyqtares Elsa Toska.
Por, ndërkohë që pritej të plotësohej afati 30-ditor për dorëzimin e aplikimeve për këtë vend vakant, disa lëvizje, fillimisht mediatike dhe më tej me natyrë thellësisht politike, po krijonin bazat e një skenari për rrëmbimin e më së paku dy mandateve kushtetuese.
Historia nisi fillimisht në mënyrë të butë. Media periferike ngritën pretendimin se kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, po shkelte Kushtetutën, pasi, duke hapur garën për një vakancë të plotë të Elsa Toskës, kishte shkelur parimin e ripërtëritjes me tre gjyqtarë çdo tre vjet. Analiza juridike ishte e një cilësie të dobët dhe nuk mori peshë në diskutimin publik.
Kjo shkëndijë e vogël, u pasua më tej me një raportim të zgjeruar të “Zërit të Amerikës”, një lëvizje që tregoi se skenari po vihej në lëvizje.
Një ditë para mbylljes së aplikimeve për vakancën e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska, “Zëri i Amerikës” publikon një raportim me titull: “Vakanca në Gjykatën Kushtetuese rrezikon të hedhë në erë skemën e ripërtëritjes”, ku, krahas kritikave ndaj Kuvendit, ngrihej edhe pretendimi se skema e ripërtëritjes prekte mandatet e Holta Zaçaj dhe Sonila Bejtja.
Në një version të parë të tekstit, “Zëri i Amerikës” jep një analizë të rreme: “….Për grupin e tre anëtarëve mandati i të cilëve duhet të përfundojë në vitin 2025, Presidenti i Republikës, në dekretin e 28 dhjetorit 2020, duke emëruar anëtaren Sonila Bejtja, përcakton se bëhet fjalë për vakancë të përkohshme (vendin e lënë nga anëtari Sokol Berberi, mandati i të cilit kishte përfunduar në vitin 2016)”.
Ky version i rremë gjendet në ri-publikimin e tekstit nga media të ndryshme shqiptare.
Në një version të rishikuar, i cili gjendet tashmë i publikuar në faqen zyrtare, VOA ka reflektuar mbi versionin e rremë, sa i përket mandatit të gjyqtares Bejtja: “Për grupin e tre anëtarëve mandati i të cilëve duhet të përfundojë në vitin 2025, Presidenti i Republikës, shpalli në shkurt të vitit 2018 “procedurën e aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim plotësimin e “Vakancës së parë” të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit të kësaj gjykate, z. Sokol Berberi”. Mandati i zotit Berberi kishte përfunduar në vitin 2016. Ai vijoi të qëndrojë edhe disa muaj, duke dhënë më pas dorëheqjen. Në vendin e tij, në tetor të vitit 2019, Presidenti dekreton anëtarin e ri Besnik Muçi. Por vetëm pak javë më pas, ai shkarkohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Një vit më vonë, në dhjetor të vitit 2020, ai do të zëvendësohet, për vakancën e përkohshme, nga zonja Sonila Bejtja”.
Skenari “mediatik” vijoi me një publikim të agjencisë on-line, “inamedia” në 6 Dhjetor 2024, me titull: “Politika bashkohet për të përmbysur skemën e ripërtëritjes në Gjykatën Kushtetuese”.
Artikulli kishte të njëjtën frymë si dy të tjerët; Kuvendi gaboi për “vakancën e plotë” të Elsa Toskës dhe ky vendim cënon skemën e ripërtëritjes, e cila duhet të vijojë me përfundimin e mandateve të gjyqtareve Holta Zaçaj dhe Sonila Bejtja për vitin 2025.
“Ky veprim duket si zgjatimi i një “gabimi” të bërë që në vitin 2019, kur në emërimin e gjyqtares Elsa Toska, Kuvendi e përcaktonte mandatin e saj të plotë deri në vitin 2028, pa e përfshirë në skemën e ripërtëritjes të përcaktuar në nenet 125 dhe 179 të Kushtetutës”, thuhej ndër të tjera në shkrim.
Gjithashtu, në shkrim citohej edhe një prononcim i Gjykatës së Lartë: “Për të ruajtur funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues që organet emërtesë të tregojnë vëmendjen e duhur për të siguruar plotësimin e numrit të nevojshëm të gjyqtarëve çdo tre vjet, duke ruajtur rregullin e ripërtëritjes”.
Më tej, komenti i Gjykatës së Lartë shfaqet në terma konkretë: “Referuar datës 10 mars 2025, si data e përfundimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të emëruar nga Gjykata e Lartë, rezulton se procedura për emërimin e radhës do të nisë 3 muaj përpara përfundimit të këtij mandati. Gjykata Kushtetuese duhet të deklarojë mbarimin e mandatit të znj. Holta Zaçaj jo më vonë se data 10.12.2024”.
Ky ishte sinjali i parë që çështja po kalonte nga rrafshi mediatik në atë institucional, duke shfaqur publikisht për herë të parë edhe aktorët e interesuar për këtë “tymnajë mediatike”.
Nga media në institucione
Pas raportimeve mediatike, kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), strukturë e lokalizuar administrativisht pranë Gjykatës së Lartë, thirri një mbledhje rutinore në 1 Nëntor 2024, në të cilën përfshiu në mënyrë absurd në rendin e ditës edhe pikën “diskutime për përgatitjen e një Opinioni mbi vendimin e Kuvendit për vakancën e Elsa Toskës”.
KED-i është institucioni që kryen verifikimin e kritereve të kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ka asnjë tagër për të shqyrtuar vendimmarrjen e emërtesës së tyre (Presidencë, Kuvend dhe Gjykatë e Lartë).
Kjo u bë e qartë edhe në mbledhje, ku disa prej 9 anëtarëve të KED-it konstatuan mungesën e legjitimitetit për diskutimin e asaj çështjeje dhe, “në shumicë, konkluduan se nuk e çmojnë të përshtatshme t’i drejtohen me një opinion organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.
Ndërkohë, qëndrimi publik i Gjykatës së Lartë, i cituar mediatikisht, nxiti kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, si titullare, por edhe si personi i prekur drejtëpërdrejtë në këtë histori, t’i drejtohet në 10 Dhjetor 2024 Komisionit të Venecias për t’i marrë një Opinion mbi momentin se kur përfundon mandati saj.
Për Gjykatën e Lartë, të drejtuar nga Sokol Sadushi, mandati i Zaçaj mbaron në 25 mars 2025, lidhur kjo me përfundimin e mandatit të gjyqtares paraardhëse, Vitore Tusha, i cili ka mbaruar në 25 mars 2017. Ndërsa, për Zaçaj, Kushtetuta parashikon si afat për mbarimin e mandatit të saj “vitin 2025”, pa përcaktuar datë të saktë, gjë që prezumon se koha përfundon në fund të vitit.
Një ditë më pas, në 11 Dhjetor 2024, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në një lëvizje pa bazë kushtetuese dhe ligjore, vendosi të shpallë vakancën për zëvendësimin e gjyqtares Holta Zaçaj.
Në vendimin e nënshkruar prej tij, Sadushi argumenton se e ka marrë këtë iniciativë, në mungesë të veprimit të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e vakancës së Holta Zaçaj.
Si po rrëmbehen dy mandate gjyqtarësh kushtetues
Në vitin 2016, Parlamenti miratoi në unanimitet ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi, megjithëse klima e polarizuar maxhorancë-opozitë ishte e dukshme. Sipas Kushtetutës, gjyqtarët kushtetues do të zgjidheshin; 3 nga Presidenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë.
Duke presupozuar se të gjithë anëtarët e rinj do të zgjidheshin në të njëjtën kohë, vetëm për grupin e parë të anëtarëve të Kushtetueses u parashikua një skemë ripërtëritjeje me nga 3 anëtarë çdo tre vjet, për të shmangur një bllokim të Gjykatës në përfundim të mandatit të tyre 9-vjeçar.
Neni 179, pika 3 e Kushtetutës, parashikoi se: “Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri, që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit”.
Praktikisht ndodhi që gjyqtarët e rinj kushtetues nuk u zgjodhën në të njëjtën kohë dhe skema e ripërtëritjes u bë e paaplikueshme.
Aktualisht, sipas kohës së përzgjedhjes, mandatet e 9 gjyqtarëve (përfshirë edhe gjyqtaren e dorëhequr Elsa Toska), përfundojnë përkatësisht një në vitin 2025, 4 në vitin 2028 dhe 3 në vitin 2031. Pra, nuk ekziston asnjë mundësi reale për bllokimin e aktivitetit të Gjykatës Kushtetuese, pasi mandatet përfundojnë në kohë të ndryshme dhe institucioni është dhe do të vijojë të jetë funksional.
Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias, në Opinionin nr. CDL-AD(2020)010, pika 107, thotë: “Komisioni i Venecias është i mendimit se modeli kushtetues i miratuar në vitin 2016 është tepër kompleks dhe në terma afatgjatë rekomandohet thjeshtimi i tij, në radhë të parë duke u hequr rregulli i ripërtëritjes. …. Së dyti, duhet të hiqen vitet fikse të fillimit dhe mbarimit të mandateve nëntëvjeçare. Gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë gjithmonë një mandat të plotë nëntëvjeçar, edhe nëse janë zgjedhur me njëfarë vonese ose nëse marrin një mandat që është ndërprerë para kohe; ky ndryshim nuk duhet të krijojë probleme pasi të hiqet sekuenca. Ky ndryshim do ta bënte pozicionin e gjyqtarit kushtetues më tërheqës për kandidatët e kualifikuar, por edhe më kuptimplotë”.
Gjithçka po luhet tani shkon pikërisht në të kundërt të frymës së përcjellë nga Komisioni i Venecias.
Së pari, fije të rëndësishme nga maxhoranca socialiste, kanë nisur të luajnë për të zhbërë procedurën e shpallur nga kryetarja e Kuvendit për “vakancën e plotë” të krijuar nga dorëheqja e Elsa Toskës. Nën pretendimin se asaj i përfundonte mandati në vitin 2025, ka një grup që po tenton të shkatërrojë garën e nisur tashmë, ku 10 kandidatë kanë aplikuar për një mandat deri në vitin 2028.
Së dyti, nëpërmjet kryetarit të Gjykatës së Lartë, po tentohet të shkurtohet në mënyrë anti-kushtetuese mandati i gjyqtares dhe, njëkohësisht kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, nëpërmjet shpalljes së vakancës pa asnjë tagër kushtetues dhe ligjor.
Së treti, edhe më flagrante, po tentohet t’i rrëmbehet mandati i gjyqtares Sonila Bejtja.
Gjyqtari Sokol Berberi përfundoi mandatin e tij në Prill të vitit 2016. Për këtë vakancë, Presidenti i Republikës emëroi gjyqtarin Besnik Muçi në tetor të vitit 2019 për një vakancë të plotë, e cila përfundonte në vitin 2028. Muçi u shkarkua në 22 nëntor 2019 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Në vend të tij, në dhjetor 2020, u emërua gjyqtarja Sonila Bejtja për pjesën e mbetur të mandatit të Besnik Muçit (pra, deri në vitin 2028).
Por, me një lojë të nxitur nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, është shpërndarë një tymnajë mediatike, sipas të cilës gjyqtares Bejtja i përfundon mandati në vitin 2025, bazuar në skemën e ripërtëritjes.
Reforma në Drejtësi kthehet përmbys
Skenari që po ndiqet nga “Sadushi e të tjerë” për rrëmbimin e mandateve të gjyqtarëve godet rëndë jo vetëm Reformën në Drejtësi, kur kreu i Gjykatës së Lartë ka qenë ekspert, por edhe vetë thelbin e shtetit ligjor dhe praktikës, të vendosur nga vetë ai kur ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuta parashikon që gjyqtari kushtetutes qëndron në detyrë për 9 vjet dhe mandati i tij mund të kufizohet vetëm nga Kushtetuta dhe nga asnjë organ tjetër, me qëllim për të shmangur vlerësime apo interpretime të ndryshme.
Hartuesit e Kushtetutës kanë parashikuar vetëm dy kufizime, që u takojnë gjyqtarëve Holta Zaçaj me mandat deri në vitin 2025 dhe Sandër Beci deri në vitin 2028 (mandate të shpallur të pjesshëm). Ndërkohë, për të gjithë gjyqtarët e tjerë është parashikuar mandat i plotë.
Në terma më konkretë, atë që parashikon Kushtetuta, nuk mund ta ndryshojë një organ tjetër (si në këtë rast, kryetari i Gjykatës së Lartë).
“Formati” i sugjeruar nga Sadushi përbën një precedent të rrezikshëm kushtetues. Thelbi i shtetit të së drejtës mbështetet në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, e cila zbërthehet në; pavarësinë e gjyqtarëve dhe pavarësinë institucionale. Rrjedhimisht, në rast cënimi të pavarësisë individuale, cënohet edhe ajo institucionale.
Për këtë arsye, kushtetutbërësisht i kanë garantuar gjyqtarëve kushtetues kohëzgjatjen e paprekshmërinë e mandatit, për t’i mbajtur ata larg ndikimeve, influencave apo presioneve politike.
Sadushi, në kohën që ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ka votuar pro vendimeve, të cilat mbështesnin qëndrimin se kohëzgjatja e mandatit të gjyqtarit kushtetues nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur atë.
Por, Sadushi “kushtetues” ndryshon tashmë tërësisht nga Sadushi “kryetar i Gjykatës së Lartë”, ku po tenton në çdo formë për të rrëmbyer dy mandate kushtetues.
Diskutimi që ka hedhur “në tregun mediatik”, por edhe atë institucional Sadushi, për ndërprerje dhe rrëmbimin e mandave, është “skema e ripërtëritjes”.
Parimi kushtetues i qëndrimit të gjyqtarit në detyrë prevalon mbi “përtëritjen e pjesshme”, një skemë e përkohshme, e kritikuar nga “Venecia” dhe tashmë e paaplikueshme për shkak se nuk ekziston problemi i përfundimit të më shumë se 2/3 e mandateve të gjyqtarëve njëkohësisht.
Opozita e përgjumur
Në të gjithë këtë histori, opozita parlamentare ka qenë e përgjumur. E angazhuar me ri-forcimin e vetes dhe beteja të ndryshme me super-pushtetin e kryeministrit Edi Rama, opozitarët kanë lënë jashtë vëmendjes tentativën e “Sadushit e të tjerë” për uzurpimin e Gjykatës Kushtetuese, institucionit të krijuar për mbrojtjen e Kushtetutës.
Madje, në ndonjë rast, përfaqësues opozitarë kanë mbajtur qëndrime që i shkojnë në fije Sokol Sadushit.
Jorida Tabaku, deputete opozitare e Komisionit të Ekonomisë, dha një qëndrim në rrjete sociale, në 3 tetor 2024, duke iu referuar njoftimit të Kuvendit për plotësimin e vakancën e plotë, të krijuar pas dorëheqjes së Elsa Toskës.
“A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim kryetarja e Kuvendit të mbajë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar reformën në drejtësi?”, shkroi Tabaku.
Më pas, duket se Tabaku e ka kuptuar që është futur në një lojë që nuk i takon dhe më tej ka qëndruar e tërhequr.
Ndërkohë, të tjerë personazhe opozitarë, kanë nisur të reagojnë vetëm së fundmi, sidomos kur Sokol Sadushi i bëri të qarta synimet e tij publikisht për “rrëmbimin” e mandateve të gjyqtarëve kushtetues./Syri.net
gjykata kushtetuese sokol sadushi opozita
Insights
15 Dhjetor 2024, 19:57
Kiço Londo
Foto ilustruese
TIRANË- Sot u mbushën katër vjet që më larguan nga Teatri Kombëtar Eksperimental. "Duam ti japim një rit...
Insights
15 Dhjetor 2024, 14:30
Dosja.al
foto ilustruese
TIRANË- Sjellja e deputetëve të Partisë Socialiste ndaj dy interpelancave të kërkuara nga opozita, dhuroi n&e...
Insights
13 Dhjetor 2024, 13:37
Foto ilustruese
TIRANA- Instituti Konfuci pranë Universitetit të Tiranës u bë qendra e një aktiviteti unik që bashkoi trash&e...
Insights
13 Dhjetor 2024, 07:34
Shaban Murati
Shaban Murati
MAQEDONIA E VERIUT- Në 9 dhjetor 2024 SHBA shpallën non grata ish-zëvendëskryeministrin shqiptar (BDI) të Maqedonis&...
Insights
11 Dhjetor 2024, 11:19
Aida Myftaraj
Aida Myftaraj
TIRANA- Vitet e fundit Shqipëria ka patur progres në luftën kundër korrupsionit, duke tërhequr vëmendje me arre...
Insights
10 Dhjetor 2024, 20:21
Arbjona Çibuku
hyrja e lokalit "noel"
TIRANË- Në Tiranën e rrëmujshme, mund të gjesh qindra lokale të mbipopulluara me muzikë të l...
Insights
5 Dhjetor 2024, 17:17
Klodian Tomorri
Klodian Tomorri
TIRANA- Në datën 15 nëntor, në databazën e thesarit të shtetit u shfaq një pagesë me vlerë 1.5...
Insights
5 Dhjetor 2024, 07:43
Ferdinand Dervishi
ferdinand dervishi
TIRANË- Fotografia që shoqëron këtë shkrim, e deputetit të Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, p&eum...
Insights
28 Nëntor 2024, 20:01
Arta Feta
foto ilustruese
TIRANË- 28 Nëntor 1912, joveçse datë e shënjuar e shpalljes së pavarësisë, por sakaq moment ...
Insights
28 Nëntor 2024, 14:21
Vasfi Baruti
Akti i Pavarësisë, gjurmë kërkimi
Figura 1. Gazeta Përlindja e Shqipëniës
Gazeta “Përlindja e Shqipëni&eu...