Aktualitet

Horrori në Kombinat/ Vajza kishte 15 muaj e vdekur në shtëpi, trupi ishte mumifikuar, nënë e bijë “40 ditë” pa bukë e ujë, dëshmia e të mbijetuarës: Sakrifikuam për t’u ringjallur

Një ngjarje e denjë për filmat horror ka ndodhur në Kombinat. Nëna me dy vajzat besuan se do të ringjalleshin dhe vendosën të vetëflijoheshin. Ekspertiza paraprake zbulon se Anisa Josifi kishte 15 muaj e vdekur dhe e mumifikuar në shtëpi. E ëma dhe vajza tjetër, lyenin trupin dhe e fshihnin nga të afërmit. 40 ditë më parë morën sfidën e pazakontë për t'u vetëflijuar edhe ato. Blerta Josifi mbyllet në urgjencën e Psikiatrisë. 
Featured image of article: Horrori në Kombinat/ Vajza kishte 15 muaj e vdekur në shtëpi, trupi ishte mumifikuar, nënë e bijë “40 ditë” pa bukë e ujë, dëshmia e të mbijetuarës: Sakrifikuam për t’u ringjallur Viktimat e Kombinatit dhe vajza e mbijetuar

TIRANË- Horror në Kombinat! Në pallatin parafabrikat mbrapa ish-Mapos rruga “Hamdi Cenoimeri”, dy trupat e vdekur të dy grave kanë bashkëjetuar për ditë me radhë me banorët e lagjes. Zhaneta Josifi, 56 vjeçe dhe Anisa Josifi 30 vjeçe, u gjetën të vdekura në banesë, ndërsa në gjendje të rëndë ishte edhe vajza tjetër e Zhanetës, Blerta Josifi 34 vjeçe. Në banesën e tyre të thjeshtë në këtë lagje të Tiranës, policia gjeti shënime fetare, ndërsa fqinjët dhe burime për Dosja.al saktësuan se nëna dhe dy vajzat kanë qenë praktikante të sektit të njohur si “Dëshmitarët e Jehovait”.

Historia është po aq e frikshme sa skenarët e filmave horror. Ekspertiza mjeko ligjore paraprake e trupit të Anisa Josifit ka dalë në përfundimin se vajza ka vdekur 15 muaj më parë. Sipas ekspertëve, trupi është mumifikuar sepse është mbështjellë ditë pas dite me çarçafë të hollë, ndërsa kur nëna ishte gjallë, vetë Zhaneta dhe vajza tjetër e mbijetuar, Blerta lyenin trupin me vaj dhe me uthull për të mos lejuar dekompozimin dhe për të shmangur erën e keqe.

Trupat u gjetën në dhoma të ndryshme. Vajza gjendej në dhomën e saj, ndërsa e ëma përtokë në dhomën tjetër. Ndërsa Blerta, e vetmja e mbijetuar u gjet në korridorin e banesës por e vetëdijshme.

Fqinjët dyshonin se në këtë shtëpi kishte diçka të dyshimtë, por asnjëherë nuk menduan se brenda mund të gjendej një trup i vdekur prej 1 viti e 2 muajsh. Të tri gratë mendohet se besonin tek “Ringjallja”, për shkak të besimit që kishin zgjedhur. Ato nuk ishin të regjistruar në qendrën e Dëshmitarëve, por predikonin të lira. Në shtëpinë e tyre, fqinjët kishin parë shpesh, “zyrtarë” që shpërndanin broshurat.

Kjo dëshmohet nga deklarimi i 34-vjeçares Blerta Josifi. E reja që tanimë është shtruar në urgjencën e spitalit Psikiatrik nr.5 në Tiranë, ka thënë se ajo dhe nëna kanë refuzuar çdo gjë, ushqim dhe për 40 ditë.

“Nëna vdiq, unë mbijetova”, i tha policisë 34-vjeçarja. E pyetur pse u ndërmor vetëflijimi, Blerta mësohet se iu ka thënë hetuesve:Se keni idenë çfarë kaluam ne për të fituar ringjalljen.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ishte vëllai i Zhanetës që njoftoi policinë. Ai mori 112 në telefon sepse e motra nuk i hapte telefonin, ndërsa me të shkuar në vendngjarje, efektivët u hasën me erën e rëndë të trupave të vdekur e të dekompozuar. Ata hynë nga dritarja e banjës sepse ballkoni ishte mbyllur me kangjella hekuri.

Kush ishin Zhaneta dhe Anisa Josifi?

Zhaneta 56 vjeçe dhe Anisa 30 vjeçe, nuk ishin shquar për “radikalizëm” në sjelljet e tyre. Fqinjët dëshmojnë se familja me origjinë nga Përmeti ishin vendosur prej vitesh në Tiranë, ndërsa babai, ka vdekur 5 vite më parë. Familja njihej si e qetë, Zhaneta punonte pastruese, ndërsa vajzat ishin të arsimuara.

Prej gati 2 vitesh, familja Josifi jetonte e izoluar, aq sa fqinjët nuk besonin se ato rrinin në banesë. Tri javë më parë, i vëllai i Zhanetës e ka marrë në telefon të motrën, por ajo nuk pranonte që t’i shkonte në shtëpi. 56-vjeçari shkoi në polici, dhe një patrullë vajti tek banesa. Në dëshminë që Zhaneta Josifi iu ka dhënë policëve thotë se rrinin brenda pasi ndiheshin të rrezikuara për shkak të koronavirusit dhe për arsye personale. “Ashtu kemi hallet tona”, -është shprehur ajo.

Ndërsa kunati i Zhaneta Josifit, ka deklaruar se kishte një vit që nuk e takonte Anisën. Sipas tij, ato i kishin thënë se nëse do e shikonte Anisën, këtë të fundit do e ndëshkonte Zoti. “Kisha më shume se 2 muaj që nuk i shihja fare Zhanetën dhe Blertën. I shkova në shtëpi kërkova Anisën me tha nuk e lëmë të dalë se nuk ka bërë ditët e Zotit. Anisën kisha që në mars të 2019 që nuk e shikoja fare. I kam folur dhe për punën e fesë, por me urrenin. Në fillim janë rekrutuar në Përmet pastaj librat i kanë marrë tek një qendër te Selvia. Dy javë më parë shkova të takoja posaçërisht Anisën, por nuk me lejuan me ndaluan tek dera. Ato nuk ushqeheshin.”, ka thënë ai në polici.

(F.g/dosja.al)

  • 21:36

    I dhanë fund jetës se besonin tek ringjallja, nëna dhe vajza praktikante të Jehovait përcillen nesër në banesën e fundit në Përmet

    Zhaneta Josifi dhe vajza e saj Anisa Josifi u gjetën pajetë mbrëmjen e djeshme në banesën e tyre në zonën e Kombinatit në Tiranë. Ceremonia mortore për nënë e bijë do të zhvillohet të shtunën në orën 12:00. Trupat e tyre do të nisen nga Tirana për t’u prehur në Përmet, aty ku është varrosur edhe kryefamiljari, i cili ka ndërruar jetë 5 vite më parë në rrethana misterioze.

    Nëna Zhaneta me dy vajzat, Anisa dhe Blerta Josifin
  • 16:59

    Vetëflijimi i nënë e bijë, ja telefonatat e fundit/ Vëllai i Zhanetës tregon pse lajmëroi Policinë: I telefonoja përditë, spo ma hapte njëri derën…

    Foto ilustruese

    Zhaneta Josifi, 56 vjeç dhe vajza e saj, Anisa u gjetën pa jetë në banesën e tyre në Kombinat, ndërsa vajza tjetër Blerta arriti që të shpëtonte e gjallë nga sakrifica që kishin ndërmarrë në emër të “ringjalljes”. “Zhdukja” e tre grave u denoncua nga vëllai i 56-vjeçares, Selman F., i cili prej ditësh nuk kishte mundur që të komunikonte me të motrën, e cila prej vitesh ishte e ve. Ai ka sqaruar se edhe për shkak të pandemisë, takimet e vizitat në shtëpitë e njëri-tjetrit kishin qenë të rralla dhe kishin komunikuar vazhdimisht në telefon me njëri-tjetrin.

    “Flisnim në telefon thuajse çdo ditë. Por prej dy ditësh nuk po më përgjigjej, as ajo, as mbesat. U shqetësova dhe fola me vëllanë e motrën tjetër, por edhe ata më konfirmuan të njëjtën gjë. Për këtë arsye shkova te shtëpia dhe shqetësimi filloi të shtohej edhe më shumë kur nuk po më hapte njeri derën. Në këtë moment vendosa të telefonoj në Polici,”-tha ai.

  • 16:14

    Jo vetëm Anisa, zbulohet detaji tjetër i rëndë nga horrori në Kombinat, edhe nëna Zhaneta kishte disa ditë që qëndronte e vdekur në banesë

    Dosja.al ka zbardhur detaje të reja në lidhje me horrorin që ndodhi në Kombinat. Burime nga nga Morgu në Tiranë ku ndodhen trupat e pajetë të Zhaneta Josifit dhe vajzës së saj Anisës, bëjnë me dije se 56-vjeçarja nuk kishte ndërruar jetë ditën që u gjet nga Policia.

  • 16:13

    Brenda e mumifikuar me vaj e uthull ishte Anisa, PAMJE brenda shtëpisë së familjes Josifi. Mbanin varur në mur FOTO të hershme, banesa e mbushur me libra fetarë

    Dikur një banesë e fortifikuar, sot dyert dhe dritares e shtëpisë ku banonin tre gratë e Josifit janë hapur. Nga dritarja e ballkonit, duket një pjesë e murit të shtëpisë, ku prej vitesh jetonin Zhaneta, Anisa dhe Blerta. Në mur janë varur disa foto bardhë e zi, në krah të djathtë është një portret i vjetër i kryefamiljarit të ndjerë Llukë Josifit, i cili ka ndërruar jetë duke u hedhur nga lartësia disa vite më pare. Ndërsa krah fotos së tij, ndodhet një shkrepje e Zhanetës, bashkë me të bijat foshnje.

    Ndërsa brenda banesës së tyre, u gjetën edhe mjaft fletëpalosje me përmbajtje fetare si edhe Bibla.

  • 15:54

    “Nëna e prishi sakrificën, vdiq! Unë ia dola…”/ ZBARDHET dëshmia e Blerta Josifit, tregon si ndjenji 40 ditë pa ngrënë: Do ringjallem!

    Zhaneta, Anisa dhe Blerta Josifi

    Zbulohen detaje të tjera nga dëshmia e 34-vjeçares, Blerta Josifi. Mësohet se ajo u ka treguar efektivëve të Policisë, se kishin mbi 40 ditë që nuk konsumonin ushqim. Gjithashtu ka qënë ajo që ka treguar se e motra kishte më shumë se 1 vit që kishte ndërruar jetë, gjë që pritet të verifikohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.

    “Nëna e prishi sakrificën, vdiq! Unë ia dola, jam ende gjallë. Do ringjallem,”-mësohet se është shpehur ajo.

  • 13:06

    “Kur e pyesja vinte buzën në gaz, më thoshte Anisa është në gjumë”/ Dëshmia tronditëse e fqinjës së Zhaneta Josifit: Pashë që iu ishin tharë lulet, pasi i trokita më përzuri

    Zhaneta, Blerta dhe Anisa Josifi

    Një tjetër dëshmi tronditëse nga vjen nga një komshie e Zhaneta Josifit në Kombinat. Për “Report TV” banorja e pallatit ka deklaruar se Zhaneta bashkë me vajzat e saj nuk dilnin nga shtëpia. Ajo tregoi se disa herë ka komunikuar shkurt me 56-vjeçaren, por herën e fundit ajo e kishte refuzuar.

    “8 vite kam pasur muhabet me ato. Kishim hyrje dalje, muhabet. Unë shkova në Greqi, kur u ktheva i vete dhe i them, ku e ke Anisën ? Fle gjumë tha. Shikoja nga dritarja dhe nuk dilnin, edhe dy lule që kishin aty po i thaheshin. I them kësaj që ato do kishin një gjë.  I vete Zhanetës dhe i them, ku e ke Anisën, apo e ke në Gjermani. Vuri buzën në gaz dhe më tha: jo e kam këtu. Dy vjet unë as Blertën dhe as Anisën nuk i kam parë më. Momenti i fundit që kam parë Zhanetën ka qenë në mars. E pashë në supermarket poshtë kur erdhi kohën e pandemisë dhe i thashë si i ke çupat? Shumë i kam i thashë. Një ditë kur erdhi policia dhe bashkia që i sollën ushqime. I vajta para një muaj, i rashë derës. Lina më tha, të lutem shumë largohu nga shtëpia ime dhe mos ta pafsha bojën. Vinin edhe të afërmit, por nuk i pranonte. Policinë e lajmëroi Sandra se rrinin brenda. U shqetësuan banorët. Ato ulën qepenin e ballkonit, lulet iu ishin tharë”, u shpreh banorja.

  • 11:30

    U vetëflijuan në banesën e tyre/ Flasin “Dëshmitarët e Jehovait” për ngjarjen e rëndë në Kombinat: Familja Josifi nuk ka qenë kurrë pjesë e jona

    Përfaqësues të “Dëshmitarëve të Jehavait” kanë deklaruar se janë shumë të hidhëruar për ngjarjen në e rëndë që ndodhi në Kombinat. Zëdhënësi Arben Lubonja teksa ka shprehur ngushëllimet për jetët e humbura,  thekson se pjesëtarët e familjes Josifi nuk kanë qenë kurrë pjesë e kësaj organizate.

    “Në të njëjtën kohë, është tejet shqetësuese infiormacioni i përhapur se pjesëtarët e kësaj familjeje i përkisnin Organizatës Dëshmitarët e Jehovait. Po informojmë mediat dhe opinionin e gjerë që po ndjek zhvillimin e këtyre ngjarjeve, se pjesëtarët e familjes Josifi jo vetëm që nuk kanë qenë pjesëtarë të organizatës tonë, por as nuk janë shoqëruar ndonjëherë me Dëshmitarët e Jehovait. Përpjekjet për ta lidhur këtë ngjarje, apo çdo element tjetër të saj me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait është krejtësisht e pabazë, madje fyese për besimin tonë. Dëshmitarët e Jehovait kanë pikëpamjen e Zotit për jetën dhe e çmojnë atë si gjënë më të shtrenjtë. Vetëvrasje me pretendimin për të shkuar në një jetë më të mirë, nuk përputhet në asnjë mënyrë me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait. “, thuhet në reagim.

    Reagimi i Deshmitareve te Jehovait
  • 10:30

    “Më thanë se po të shikoja Anisën do e ndëshkonte Zoti”/ Flet kunati i Zhaneta Josifit: Vajzën kisha 1 vit pa e parë, shkova edhe në polici

    Kunati i Zhaneta Josifit, 56-vjeçares që u gjet e vdekur në Kombinat ka deklaruar se kishte një vit që nuk e takonte Anisën. Për “News 24” ai ka deklaruar se  kunata me vajzën tjetër, Blerën nuk e kishin lënë që të takonte Anisën. Sipas tij, ato i kishin thënë se nëse do e shikonte Anisën, këtë të fundit do e ndëshkonte Zoti.

    “Kishte një vit që nuk e takoja Anisën. Kur kam shkuar në shtëpi kunata dhe vajza tjetër më kanë thënë që se ka mbushur ende afatin për të dalë dhe nëse unë do e shihja Anisën e ndëshkonte Zoti”, ka deklaruar kunati.

    Mëj tej ai deklaroi se familja Josufi ishte praktikante e “‘Dëshmitarëve të Jehovait” prej  shumë vite më parë dhe kontaktin e parë me këtë sekt e kanë marrë në Përmet. Kunati ka deklaruar po ashtu se iu ka kërkuar që të hiqnin dorë nga praktikat e këtij sekti pasi bënin sakrifica shumë të mëdha dhe madje ka shkuar dhe në polici.

  • 10:15

    Horrori në Kombinat/ Era e rëndë e trupit të Anisës alarmoi fqinjët në pallat, 3 javë më parë iu trokiti policia në derë, si u justifikua 56-vjeçarja

    Detaje tronditëse kanë dalë nga ngjarja në Kombinat, ku u gjetën të vdekura në banesën e tyre, Xhaneta dhe Anisa Josifi. Mësohet se për gati 2 muajsh kjo familje jetonte në izolim dhe nuk kishin asnjë kontakt me fqinjët. I vetmi që interesohej për to ishte vëllai i Zhanetës, i cili edhe para 3 javësh kishte tentuar të komunikonte me të motrën, e cila i shmangej kontaktit me të apo dhe vizitave në shtëpi.

    Duke parë këtë situatë i vëllai kishte shkuar në polici, ku kishte treguar për sjelljen e çuditshme të motrës së tij.  Për të verifikuar situatën nga afër, një patrullë policie u shkoi në banesë familjes Josifi. Punonjësit e policisë  e pyetën Zhaneta Josifin nëse kishin ndonjë problem për faktin se pse rrinte në izolim bashkë me me vajzat. Kjo e fundit kishte deklaruar se ishin izoluar për shkak të COVID-19 dhe për arsye personale. Ndërkohë fqinjët ishin alarmuar nga era e rëndë, pasi prej 5 muajsh, Zhaneta bashkë me të bijën Blertën, mbanin në banesë trupin e pajetë të Anisës. Këtë të fundit e lyenin me vaj e uthull dhe e kishin mbuluar me disa batanije.

  • 10:02

    Këto janë nëna dhe dy vajzat e familjes Josifi që besonin tek ringjallja, Blerta i shpëtoi vetëflijimit

    Fotoja që po shikoni tregon nënën Zhaneta dhe dy vajzat, Anisa dhe Blerta Josifi, të cilat tentuan të vetëflijoheshin një natë më parë.

    Në foton e publikuar nga Dosja.al shihen tre anëtaret e familjes Josifi, dy prej të cilave kanë vdekur tashmë, ndërsa Blerta është gjallë, dhe është nisur për në spitalin psikiatrik në Tiranë.

    Nëna Zhaneta me dy vajzat, Anisa dhe Blerta Josifin
  • 09:53

    E mbijetuara e familjes Josifi përfundon në psikiatri, Blerta priste t’i ringjallej e motra dhe bashkë me të ëmën e lyenin me vaj e me uthull

    Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja tronditëse në Kombinat, ku u gjetën të pajeta në banesën e tyre nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Josifi. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se vajza tjetër Blerta Josifi ndodhet në psikiatri, te “Urgjenca nr 5”. Akualisht ajo është më e qetë dhe po merr trajtim. Ndërkohë, mbrëmë ajo u gjet në banesën e saj pa ndjenja.

  • 09:15

    “Më dridhet mishi, edhe djali im ka qenë dëshmitar i Jehovait”/ Fqinjët të tronditur pas ngjarjes makabër në Kombinat: Vajzat mbaruan shkollën, u mbyllën në shtëpi

    Mediat vendase kanë zbarkuar ditën e sotme në Kombinat, aty ku një natë më parë, Zhaneta dhe Anisa Josifit, nënë e bijë, u gjetën pajetë, ndërsa vajza tjetër e familjes, po lufton me vdekjen në spital.

    Një prej banoreve të zonës në Kombinat ka treguar për Faxnews, se varrimi i të ndjerave do të bëhet në qytetin e Përmetit, nga ku dhe familja Josifi kishte origjinën. Sa i takon fesë të cilat të ndjerat praktikonin, gruaja shprehet se dhe djali i saj është dëshmitar i Jehovait, por kurrë nuk e ka menduar një akt të tillë ekstrem.

    Trupi më dridhet, edhe tani që po flas shih si më është bërë mishi, shihe, vajza të reja. Dhe djali im ka qenë dëshmitar i Jehovait, por nuk e mendon të bëjë kështu gjërash, as myslimani dhe as i krishteri nuk thonë që vrisni veten, këtë dua të them me bindje të plotë. Mora vesh që do i varrosin në Përmet, motra e saj banon në pallatin tim, janë njerëz të qetë,”– shprehet fqinja.
    https://www.facebook.com/watch/?v=553250815344283
    Një tjetër fqinjë, tregon për mikrofonin e Report TV, se mbase kjo familja kanë pasur nevojë për një psikolog pasi prej vitesh nuk dilnin nga banesa.

    “Ishin vajza të shkëlqyera, ishin me shkollë të lartë. Mbase kanë pasur nevojë për psikologë.  Siç thoshin komshinjtë, vajzat nuk pranoni asnjë person brenda. Thoshin që ishin predikuese, por nuk e di sepse vajzat nuk i kisha parë. Vetëm nëna e tyre dilte. Unë kam 5 vjet këtu vajzat nuk dilnin fare nga shtëpia,”–  tha banorja e pallatit.

Shto Koment