Berisha për Lulzim Bashën: Vëllain siamez të Taulant Ballës do e lëmë me Taulant Ballën
6 Dhjetor, 14:...
Politike
Gjyqtari Hamitaj përballet me pikëpyetjen 19 milionë lekë për pasurinë
15 Shtator 2020, 19:47Nga DOSJA
TIRANË– Në një fjalë të mbushur me ironi dhe me mosbesim ndaj procesit të vetingut dhe trupës gjykuese gjyqtari i Apelit të Durrësit Tritan Hamitaj, kërkoi ndër të tjera që për shpenzimet jetike, për të cilat nuk kishte dokumentacion, të konsideroheshin në “nivelin e minimumit jetik”.
Por në një replikë të ashpër në seksionin e pyetje përgjigjeve relatorja Genta Tafa (Bungo) iu përgjigj po me ironi pretendimeve të gjyqtarit se Komisioni bënte gabim në “vlerësimin me diskrecion të shpenzimeve”.
“Syzet, kollaren dhe kostumin e gjyqtarit, ku t’i përfshijmë në nivelin e varfërisë?! Po udhëtimet në Spanjë?!”, tha Tafa, e cila më herët ashtu si kryesuesja Suela Zhegu ishin sulmuar personalisht nga gjyqtari që pretendoi se ato nuk duhej të ishin pjesë e Komisionit.
Seanca dëgjimore e të martës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që zgjati rreth tre orë filloi me njoftimin se Hamitajt i ishte rrëzuar se një kërkesë e një dite më parë për përjashtim të trupës, që kryesohej nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulëzim Hamitaj.
Seanca dëgjimore për Hamitajn ishte përcaktuar të hënën më 14 shkurt, por u shty pasi ky i fundit paraqiti rreth 20 kërkesa paraprake dhe pasi këto të fundit iu rrëzuan, kërkoi ndryshimin e trupës, gjë që kërkon vendimmarrje nga një trupë tjetër dhe që rrjedhimisht, shtyu seancën për 24 orë për më 15 shtator.
Relatorja lexoi një raport të gjatë me gjetje të Komisionit ndaj Hamitajt, që përfshinin një sërë deklarimesh të pasakta, dyshime për kontrata fiktive huadhënie, kontrata fiktive blerje pasurie, dyshime për pasuri të fshehura në emrin e babait dhe të ngjashme. Sipas analizës financiare Hamitaj rezultonte me 19 milion lekë pasuri që nuk mund t’i justifikonte që prej vitit 2003 deri në vitin 2016.
Hamitaj nuk iu përgjigj drejtpërdrejt shumicës së gjetjeve të Komisionit të përmendura në relatim. Ai pretendoi se nuk ishte përgatitur për mbrojtje ligjore, sepse kishte pritur që relacioni i KPK të pasqyronte provat që ai kishte paraqitur, ndërsa nënkuptoi se mënyra si ishte përpiluar relacioni nuk ishte e plotë dhe nuk i jepte atij mundësi për mbrojtje efektive. “Prapësimet e mia, 104 fletë, nuk u cituan fare nuk u komentuan fare”, tha Hamitaj.
Ndërhyrjes së kryesueses se seanca ishte e tillë që ai të paraqiste vetë prapësimet ndërsa Komisioni lexonte rezultatet e hetimit, Hamitaj iu përgjigj duke këmbëngulur në qëndrimin e tij, ndërsa në fjalën e tij iu referua nenit 6 të Konventës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe shtroi pretendime për ligjshmërinë e gjykatës dhe gjithë procesit.
Problemet me tokën dhe të ardhurat nga emigracioni
Relatorja Genta Tafa vuri në dukje në një listë të gjatë një sërë problemesh që fillonin që me pasurinë e parë të gjyqtarit, një sipërfaqe toke, me ullishtë dhe vreshtë. Nga gjetjet e Komisionit u vunë në dukje dyshime mbi Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), pasi sipas relatores një dublikatë e paraqitur nga subjekti ishte i ndryshëm nga origjinali.
Tafa vuri në dukje se edhe pse kishte qenë në zotërim të origjinalit të cilin e kishte dorëzuar më vonë, gjyqtari kishte paraqitur një dokument që nuk ishte i saktë. Ajo tha se për tokën në fjalë kishte katër AMTP të ndryshme. “Bazuar në këto të dhëna u ngritën dyshime se ishte fshehur AMTP origjinale në emër të gjyshit, për të përjashtuar trashëgimtarët e tjerë”, tha Tafa. Hamitaj në përgjigjen e tij tha se dy hallat nuk kishin interes për tokën në fjalë dhe se tokat e tyre në Tepelenë dhe Levan nuk punoheshin.
Problem në këtë pikë ishte sipas relatimit edhe justifikimi i të ardhurave nga toka. Tafa tha se gjyqtari nuk kishte bashkëpunuar për të dokumentuar shpenzimet, ndërsa nuk kishte paraqitur asnjë provë për të vërtetuar përfitimet nga toka. Hamitaj në fjalën e tij iu referua një akti ekspertize, sipas të cilit dokumentoheshin të ardhurat nga kjo pronë, ndërsa tha se toka ishte punuar në vijim nga prindërit.
Një apartament i blerë për 1.5 milionë lekë në vitin 2002, por që sipas deklarimit të vetë gjyqtarit në vitin 2003 kushtonte 3.5 milion lekë. Hamitaj sipas relatimit kishte thënë se kishte vendosur vlerën që mendonte se kishte apartamenti. Tafa tha se ai nuk kishte pasur burime të ligjshme për të justifikuar blerjen dhe një sërë pretendimesh në deklaratën veting si burime përfshi të ardhurat nga emigracioni dhe firmat piramidale nuk ishin të dokumentuara.
Hamitaj pretendoi se kishte ndryshuar burimet për këtë pasuri pasi ishte kujtuar në deklaratën veting dhe se në deklarimin vjetor kjo nuk kishte qenë e nevojshme. Në një debat në pyetje përgjigje me relatoren ai pretendoi se llogaria bankare paratë e të cilës ishin përdorur për blerje, kishin qenë kontribut i gjithë familjes deri në vitin 2002.
Tafa pyeti Hamitajn nëse pasuri në këtë llogari ishte ndarë dhe pjesëtuar në ndonjë moment, por mori përgjigje evazive. Ajo vuri në dukje se në këtë llogari, deri në vitin 2002 dukej që kishte vetëm derdhje dhe të gjitha në emrin e Hamitajt.
Në relatim Tafa vuri në dukje se pretendimet që llogaria bankare ishte bashkëfinancuar me prindërit dhe vëllezërit nuk ishte deklaruar në vitin 2003 dhe se nuk provohej që të ardhurat e prindërve të kishin shërbyer për këtë pasuri.
Gjithashtu të paprovuara u gjetën pretendimet se në llogari ishin të ardhura nga trashëgimia e gjyshes, që kishte pasur një të afërm në SHBA që i dërgonte para prej atje.
Hamitaj pretendoi lidhje të afërta me ishin punëdhënësin nga Greqi, ku ai i kishte thënë Komisionit se kishte bërë në vitet e emigrimit minimalisht 1.9 milionë dhrahmi. Ai tregoi se kishte foto me personin i cili kishte lëshuar një deklaratë në favor të tij.
Apartamentet dhe kontratat e huasë e dhurimeve
Komisioni ngriti dyshime për një apartament të fshehur të Hamitajt në emër të babait. Sipas KPK babai kishte blerë në vitin 2016, pas një kontrate me kusht, por që ishte poseduar nga subjekti dhe ishte ngjitur me apartamentin e tij. Sipas Komisionit nuk kishte arsye për posedimin dhe po ashtu babai nuk kishte pasur të ardhura të ligjshme për blerjen dhe ndërkohë jetonte në një apartament të vetë subjektit.
Hamitaj nuk dha shpjegime mbi këtë pasuri. Po ashtu ai nuk dha shpjegime në lidhje me dyshimet e ngritura nga Komisioni për fshehje mbi një apartament të blerë në Durrës për shumën 134 mijë euro. Nga relatimi u la të kuptohej se në këtë transaksion ishte përfshirë përmes shkëmbimit motra e bashkëshortes, por KPK vuri në dukje se kishte dyshime që transaksioni të ishte fshehje e pasurisë së vetë Hamitajt. KPK vuri në dukje se pagesa për apartamentin ishte sipas transaksioni bankarë 144 mijë euro, 10 mijë më shumë se sa ishte deklaruar.
Komisioni tha se motra e bashkëshortes nuk i kishte pasur mundësitë në vitin 2007 për të blerë këtë apartament.
Dyshime të ngjashme u krijuan sipas Komisionit edhe për një transaksion me një kompani ndërtimi të cilës gjyqtari i kishte dhënë hua dhe që më pas në mosrealizimin e një kontrata e kishte marrë cash 51 mijë euro.
Tafa vuri në dukje se bilancet e kompanisë dhe tatimet për të tregonin se ajo nuk kishte pasur mundësi të kthente këto hua që supozohej se kishte marrë nga subjekti përmes kontratave të thjeshta. Paratë e marra nga kjo kompani që kishin shërbyer më pas në krijimin e pasurive të tjera, u konsideruan nga KPK të paligjshme, ndërsa u ngritën dyshime se transaksioni mund të kishte shërbyer si “pastrim parash”.
Hamitaj i kundërshtoi në këtë pikë gjetjet e Komisionit dhe pretendoi se kompania kishte dorëzuar bilance fiktive. Ai tha se kishte marrë llogaritë bankare të saj dhe po ashtu të ortakëve dhe nga to dhe nga disa kontrata rezultonte se kompania që tani kishte ndërruar aksionerë, kishte kryer veprime financiare që nuk i kishte deklaruar.
Ai pretendoi se ajo kishte të ardhura dhe se ai nuk mund të mbahej përgjegjës për mosbashkëpunimin e saj apo për parregullsitë dhe punën e saj me dy bilance.
E pyetur nga relatorja se pse kishte pranuar transaksione cash në shuma të mëdha dhe a kishte pasur dyshime për pastrim parash, Hamitaj këmbënguli se kjo kishte qenë dëshira e kompanisë, ndërsa tha se ai kishte deklaruar transaksionet dhe se ai nuk kishte bërë pastrim parash.
Dyshime u ngritën edhe për dy pasuri të blera nga bashkëshortja për 88 mijë euro. Sipas raportit ato kishin qenë njësi shërbimi, por ishin shitur si apartamente. KPK vuri në dukje se ato kishin vijuar të përdoreshin si njësi shërbimi dhe se vlera e blerjes ishte e dyshimtë, ndërsa prej vitesh këto pasuri posedoheshin nga subjekti dhe bashkëshortja, por një diferencë prej 63 mijë eurosh në vlerën e tyre nuk ishte paguar ende.
Të ardhurat nga qiratë për disa mjedise u konsideruan të dyshimta nga KPK dhe përpjekje për të justifikuar pasurinë, pasi u vu në dukje se marrëveshjet e qirasë ishin lidhur para se të kryhej blerja ose në të njëjtën ditë. Hamitaj në një rast kishte pretenduar se shitësi kishte fituar pronësinë më vonë se sa koha kur ishte premtuar blerja, por KPK kundërshtoi këtë duke vënë në dukje se certifikata ishte një muaj para. Për pasurinë tjetër gjyqtari pretendoi se kishte pasur shumë kërkesa për ta marrë me qira.
Të pa shpjeguara mbetën të ardhura nga një donator, i cili paguante një shumë deri në 1.2 milionë në vit për të ndihmuar të birin e gjyqtarit. Hamitaj kishte deklaruar se kishte takuar biznesmenin në plazh dhe ai kishte premtuar dhurimin pa kusht të një shume të caktuar për shpenzime për të birin.
KPK vuri në dukje se Hamitaj kishte refuzuar të jepte dokumentacion se sa ishin këto shpenzime. Sipas KPK dhuruesi, i njohur rastësisht me gjyqtarin, kishte dhënë rreth 3 milion në disa vite për bamirësi.
Debati mbi minimumin jetik
Në debat me relatoren Hamitaj pretendoi se nuk kishte pasur, në dijeni të tij, kontakte me persona me probleme me ligjin.
Ai këmbënguli gjatë fjalës së tij se në një formë apo një tjetër procesi nuk kishte qenë i rregullt dhe këmbënguli se arsyeja pse kishte kërkuar përjashtim të trupës, ishte në mënyrë që KPK të vetë rregullohej. Hamitaj vuri në dyshim ligjshmërinë e dy anëtareve të trupës dhe po ashtu këmbënguli në parregullsi në llogaritjen e shpenzimeve dhe në barrën e provës.
Ndërsa këmbënguli se shpenzimet jetike ishin llogaritur njësoj si për të vjehrrën e ndjerë që sipas tij ishte invalide apo për prindërit e tij që kishin jetuar në fshat dhe që sipas tij nuk kishin pasur të njëjtat shpenzime.
Ai pretendoi se KPK në të gjitha proceset duhej të kishte marrë si bazë për shpenzimet jetike minimumin jetik, duke arsyetuar se mesatarja e shpenzimeve e përcaktuar nga INSTAT nuk kishte bazë ligjore.
Por relatoja e çështjes në një seri pyetjesh dhe komentesh ia kundërshtoi pretendimet. Tafa theksoi jo pa ironi se shpenzimet e kryera nga gjyqtarët nuk ishin në minimumin jetik, ndërsa theksoi se si person vetëdeklarues subjekti duhej të kishte dokumentuar shpenzimet që kryente.
Në shkëmbim Tafa pyeti Hamitajn nëse ishte njësoj “të ngrënat e një gjyqtari, me ato të një personi që jeton në minimumin jetik”, ndërsa theksoi se shpenzimet e familjes së Hamitaj ishin llogaritur 50 mijë lekë në muaj. Në replikë ajo i tha Hamitaj se as minimumi jetik, që po ashtu përcaktohej nga INSTAT, nuk ishte i rregulluar me ligj dhe se kishte të njëjtën vlerë si mesatarja e shpenzimeve.
Tafa po ashtu reagoi edhe mbi pretendimet e Hamitaj për mënyrën se si ishin kryer proceset në KPK deri në atë moment.
Ndërkohë Hamitaj në fjalën e tij iu referua disa të ardhurave si “lekë privatizimi”. Ai foli mbi 10 minuta mbi mënyrën se si duhej të ishin konsideruar këto para, që kryesisht ishin trashëguar nga e shoqja për shkak se të afërm të saj kishin qenë të persekutuar.
Hamitaj pretendoi se kishte një vendim të KPK kur këto të ardhura nuk ishin parë në mënyrë të drejtë, një gjuhë që ai e përdori për procesin në tërësi. Por kur Tafa në replikë e pyeti atë nëse këto të ardhura i ishin përmendur në relacion dhe nëse i ishin mohuar në ndonjë mënyrë, ai pranoi se kjo nuk kishte ndodhur. Tafa la të kuptohej se ishte e habitshme që në fjalën e tij Hamitaj nuk kishte mbrojtur veten, por kishte folur për diçka që nuk i përmendej dhe as i ishte mohuar në relatim.
TIRANË- Anëtarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, duke folur për rastin e Manjola Cakonit nga Thumana, është shprehur se kjo e fundit ka tentuar vetëvras...
TIRANË – Opozita e Bashkuar ka reaguar pas përgjigjes së Damian Gjiknurit, i cili pasditen e sotme u shpreh se mbledhja e radhës e Këshillit Politik do të ...
TIRANË– Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur për zbulimin e vrasjeve në vendin tonë duke marrë edhe shembuj konkretë.Në fjalën e tij, në emi...
TIRANË– Ishte radha e gjyqtarit të posaçëm Bib Ndreca i njohur si gjyqtari i dosjes “339” të ballafaqohej me vettingun. Për shkak se seanca ndaj Ndr...
TIRANË– Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur lidhur me shpërthimin e ndodhur në mes të Tiranës mbrëmjen e sotme. I ftuar në emisionin “Open”, Lles...
TIRANË– Ditën e sotme opozita ka pritur në selinë e Partisë Demokratike Ambasadorët ndërkombëtarë ku edhe kanë kërkuar ndërmjtësimin për përplasjet mbi &cc...
TIRANË- Drejtuesja e politike e qarkut Lezhë dhe ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla e ftuar në studion e “ABC News” foli për situatën e arsimin dhe nd...
TIRANË– Presidenti Ilir Meta ka kërkuar konsensus nga të gjitha palët politike për të gjitha ndryshimet në Kodin Zgjedhore. Pas kërkesës nga opozita jashtë...
TIRANË– Takimi i mbrëmjes të së hënës në Këshillin politik, i pari për të përshtatur në Kodin zgjedhor ndryshimet Kushtetuese të miratuara më 30 korr...
TIRANË– Mbi 100 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë përfituar 350 USD deri në 760 USD dieta për udhëtime brenda vendit gjatë muajit korrik të vit...