LIVE UPDATES
Ekonomi

Ilaçe të reja për dobësim, fitime të majme për kompanitë

Për sipërmarrësin e famshëm Elon Musk, nuk ka nevojë për spekulime: ai e pranon haptazi se një ilaç i tillë, me emrin Wegovy, e ka ndihmuar të humbasë peshë.

26 Mars 2023, 07:51 Nga I.A
Ilaçe të reja për dobësim, fitime të majme për
Ilace

SHBA- Si arriti ylli i televizionit Kim Kardashian, të dobësohej me shpejtësi për të hyrë në fustanin e hollë të veshur dikur nga Marilyn Monroe? Ajo ka thënë se ka mbajtur dietë dhe ka bërë stërvitje, por shumë nga fansat e saj, mendojnë se mund të kenë ndikuar edhe ilaçet e reja për humbjen e peshës, që shumë njerëz të famshëm që nuk janë aspak të shëndoshë, kanë filluar t’i përdorin, për t’u bërë jashtëzakonisht të hollë.

Për sipërmarrësin e famshëm Elon Musk, nuk ka nevojë për spekulime: ai e pranon haptazi se një ilaç i tillë, me emrin Wegovy, e ka ndihmuar të humbasë peshë.

Në fakt, mediat sociale janë të mbushura me foto të pacientëve të kënaqur, që tregojnë rezultatet para dhe pas humbjes së peshës, që dëshmojnë sa efektive janë këto ilaçe të reja.

Investitorët dhe analistët janë po aq të ngazëllyer sa gazetat e thashethemeve. Disa vlerësojnë se firma farmaceutike daneze Novo Nordisk, që prodhon ilaçin me emër Wegovy, do të shesë të tilla me vlerë 3-4 miliardë dollarë, vetëm në Amerikë këtë vit.

Firma planifikon ta dërgojë ilaçin në shumë vende të tjera në muajt e ardhshëm. Çmimi i aksioneve të saj, është rritur me 40% vitin e kaluar dhe është dyfishuar në dy vitet e fundit.

Eli Lilly, një tjetër firmë farmaceutike, po përgatitet të shesë këtë verë një trajtim të ngjashëm për mbipeshën, i quajtur Mounjaro. Sipas provave që janë bërë, pacientët humbasin mesatarisht 20% të peshës. Banka UBS mendon se ai mund të bëhet “ilaçi më i madh i të gjitha kohërave”.

Banka e investimeve Jefferies, thotë se deri në vitin 2031, tregu për këto ilaçe, do të tejkalojë shifrën 150 miliardë dollarë (shiko grafikun 1). Kjo është e krahasueshme me vlerën e të gjithë ilaçeve kundër kancerit, shitjet e të cilëve arritën në rreth 185 miliardë dollarë në vitin 2021.

Edhe shifra të tilla të mëdha nuk e paraqesin plotësisht potencialin e këtyre ilaçeve. Obeziteti është një problem tronditës i përmasave globale dhe ai prek disa njerëz të famshëm, por një numër shumë të madh njerëzish të zakonshëm.

OJQ-ja me emrin Federata Botërore e Obezitetit (WOF), thotë se në vitin 2023, 1.1 miliardë njerëz mbi moshën pesë vjeç, ose afërsisht 14% e popullsisë në këtë kategori moshe, ishin obezë. 1.6 miliardë persona të tjerë, ose 24% e së gjithë popullsisë mbi moshën pesë vjeç, ishin mbipeshë.

Në një raport të datës 3 mars, me rastin e Ditës Botërore të Obezitetit, federata parashikon se 4 miliardë njerëz, ose gjysma e popullsisë mbi pesë vjeç, kanë të ngjarë të jenë obezë ose mbipeshë, deri në vitin 2035 (shiko grafikun 2).

Raporti vlerëson se kostoja vjetore e rritjes së barkut të njerëzve, do të arrijë në 4 trilionë dollarë në vitin 2035, ose 2.9% e PBB-së globale, si në formën e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor, ashtu edhe të kohës së humbur të punës, për shkak të sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme (shiko grafikun 2). Kjo vlerë është ekuivalente më një pandemi tjetër COVID-19, çdo vit.

Për më tepër, mbipesha nuk është vetëm një problem i vendeve të pasura. Kostot po rriten më shpejt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, se sa në vendet e pasura.

Forumi Ekonomik Botëror, parashikon se deri në vitin 2035, 47% e meksikanëve, 46% e iranianëve dhe 42% e malajzianëve, do të jenë obezë. Kostot në rritje të kujdesit shëndetësor në këto vende, do të zvarrisin rritjen ekonomike.

Çdo trajtim që mund t’i zvogëlojë këto shifra, mund të përmirësojë shëndetin e miliarda njerëzve, dhe gjithashtu ta bëjë botën më të pasur.

Problemi i fryrjes së barkut

Obeziteti zakonisht përcaktohet duke përdorur një raport të peshës me gjatësinë, që njihet ndryshe me emrin BMI, ose Indeksi i Masës Trupore. Një person me një BMI më të madh se 25, konsiderohet normalisht mbipeshë; një person me BMI mbi 30, quhet zakonisht obez.

Kështu, një burrë amerikan me gjatësi mesatare (175 cm ose 5’9″), konsiderohet mbipeshë nëse peshon 77 kg (170 paund) ose më shumë, dhe obez nëse peshon 92 kg (203 paund) ose më shumë. (Ka përjashtime, si personat bodybuilder, të cilët peshojnë shumë prej muskujve.)

Pesha e tepërt nuk ka të bëjë thjesht me pamjen e jashtme. Obeziteti shoqërohet me sëmundje të rënda si diabeti, goditjet në tru dhe sëmundjet e zemrës. John Speakman nga Universiteti Aberdeen, vëren se gratë me BMI 35, kanë 90 herë më shumë gjasa që të kenë diabet sesa ato me BMI 23. Për burrat, rreziku është pesë herë më i lartë.

Obeziteti gjithashtu rrit rrezikun e 13 llojeve të kancerit, duke përfshirë kancerin e gjirit, zorrëve, mitrës dhe ezofagut. Kohët e fundit, u zbulua se obeziteti rrit edhe shanset që një pacient të vdesë nga Covid-19. Në këto dhe mënyra të tjera, obeziteti shkakton vdekjen e rreth 4 milionë njerëzve në vit.

Zgjidhja mund të duket e qartë: hani më pak dhe bëni më shumë ushtrime fizike. Për ata me një natyrë paragjykuese, dështimi për humbjen e peshës, pasqyron mungesën e vullnetit. Por Louise Baur, një profesoreshë në Universitetin e Sidneit dhe presidente e organizatës WOF, e hedh poshtë idenë se epidemia e obezitetit përfaqëson “dështimin moral të qindra miliona njerëzve”.

Fatima Stanford, e cila studion obezitetin në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts dhe në Shkollën Mjekësore të Harvardit, vëren se përpjekjet për të humbur peshë nëpërmjet dietës dhe stërvitjes, funksionojnë vetëm për 10-20% të popullsisë: “Për shumicën e njerëzve, nuk vëmë re një rënie dramatike në peshë”.

Arsyeja qëndron në të kaluarën evolucionare. Historikisht, në habitatet natyrore, ushqimi rrallëherë ka qenë i bollshëm, kështu që Homo Sapiens ka evoluar duke u varur nga yndyrat.

Me kalimin e kohës, trupi është përshtatur që të ngadalësojë metabolizmin, pasi vëren se është zvogëluar marrja e kalorive. Një problem tjetër është se kjo shoqërohet edhe me lëshimin e një sasie shtesë të hormonit ghrelin, i cili i sinjalizon trurit të rrisë marrjen e ushqimit.

Një lajm edhe më i keq për njerëzit që janë në dietë, është se një trup që ka humbur peshë, e “mban mend” nivelin e mëparshëm të peshës dhe lufton për ta rifituar atë.

“E gjithë biologjia e trupit reagon në një mënyrë që t’ju bëjë të dëshironi të riktheheni aty ku ishit para dietës dhe të hani sërish”, shpjegon Ahmed Ahmed, kirurg bariatrik britanik.

Një studim i konkurrentëve në shfaqjen televizive “Dështaku më i madh”, ku pjesëmarrësit garojnë për të humbur sa më shumë peshë, zbuloi se edhe gjashtë vjet pas pjesëmarrjes në shfaqje, metabolizmi i tyre ishte më i ngadaltë se ç’kishte qenë përpara se të fillonin dietën.

Kështu, edhe sasia që mund të hanin pa u rritur në peshë, ishte zvogëluar. Me pak fjalë, dietat bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u mbajtur.

Për më tepër, obeziteti lidhet shumë edhe me anën gjenetike, kështu që është pjesërisht i trashëguar. Doktor Speakman thotë se 45% deri në 65% e rrezikut për t’u bërë obez, lidhet me gjenetikën. Megjithatë, vetëm ndikimi gjenetik nuk mund ta bëjë njeriun obez.

Nuk janë vetëm gjenet e njerëzve, por edhe rrethanat “obezogjene” në të cilat jetojnë shumë prej tyre, që po nxisin obezitetin. Siç thotë doktoreshë Baur, obeziteti është “një përgjigje fiziologjike ndaj atij që është bërë një mjedis patologjik”.

Tipari më i dukshëm i këtij mjedisi, është një bollëk, jo thjesht i ushqimit, por më konkretisht, i ushqimit të përpunuar. Thjesht bluarja e ushqimit që u jepet minjve laboratorikë, i bën ata të shtojnë në peshë. Në vitin 2019, një eksperiment i ngjashëm me njerëz, nga Kevin Hall dhe kolegët e tij në Institutin Kombëtar të Shëndetit të Amerikës, tregoi se, në kushte të kontrolluara, njerëzit konsumojnë më shumë kalori nëse u ofrohen ushqime të përpunuara.

Dhe shtimi në peshë është i lehtë në një botë të mekanizuar. Dikur, një pjesë e mirë e njerëzve kryenin punë të mundimshme krahu, por jo më. Për shumicën e njerëzve në vendet e pasura dhe për një përqindje në rritje në vendet në zhvillim, ushtrimet fizike nuk janë më domosdoshmëri, por një kalim kohe tërësisht vullnetar, që kryhet në momentet e lira, dhe shpesh shpërfillet fare.

Një studim i publikuar në vitin 2011, shqyrtonte sa aktive ka qenë puna e njerëzve në Amerikë gjatë pesë dekadave të mëparshme. Ndërmjet viteve 1960 dhe 2006, energjia e shpenzuar u reduktua mesatarisht me 100 kalori në ditë, një sasi që rezultoi në rritjen e peshës mes amerikanëve gjatë asaj periudhe.

Ushqimi i përpunuar dhe jeta sedentare janë elementet kryesore të mjedisit të sotëm obezogjen, por përfshihen edhe faktorë të tjerë. Depresioni dhe kushtet e shëndetit mendor (dhe disa nga ilaçet e përdorura për trajtimin e tyre), nxisin rritjen në peshë.

Doktoresha Stanford thotë se 20% e problemeve të obezitetit në Amerikë, janë të lidhura me ilaçe si litiumi, ilaçet kundër depresionit dhe ilaçet kundër pagjumësisë. Për gratë, menopauza konsiderohet gjithashtu obezogjene.

Rritja e vazhdueshme në peshë ka sfiduar përpjekjet e mjekëve, dietologëve, farmakologëve dhe politikanëve, për dekada me radhë. Rregullat gjithnjë e më të ndërlikuara rreth mënyrës se si ushqimi etiketohet ose tregtohet, nuk e kanë zgjidhur problemin.

Taksat mbi përbërësit jo të shëndetshëm janë të papëlqyeshme, pjesërisht sepse ato vendosin një barrë shumë më të madhe mbi të varfrit, sesa mbi të pasurit. Një tregues i mirë se sa të dëshpëruar janë njerëzit për të humbur peshë, është vlera prej 250 miliardë dollarësh që shpenzoi bota për dieta vitin e kaluar, edhe pse zakonisht nuk funksionojnë.

Kompanitë e ilaçeve kanë ofruar një sërë trajtimesh joefektive dhe ndonjëherë të rrezikshme. Dinitrofenoli u përdor në pilulat e dietës gjatë viteve 1930, dhe shkaktoi që rreth 25,000 njerëz të humbnin shikimin. Më vonë, amfetaminat u bënë të njohura si ndihma efektive për dobësim, derisa u bë i dukshëm rreziku i varësisë dhe efekteve të tjera anësore.

Efedra, një ilaç bimor që përmban një substancë të ngjashme me amfetaminën, u ndalua në Amerikë në vitin 2004, pasi u lidh me atakun në zemër dhe goditjet në tru. Disa vite më vonë, dy trajtime të tjera, rimonabanti dhe sibutramina, u tërhoqën nga shitja, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tyre.

Në raste ekstreme, mbipesha serioze mund të trajtohet me kirurgji bariatrike, ku stomaku dhe zorrët rirregullohen për të zvogëluar sasinë e ushqimit të përthithur dhe për të përshpejtuar ndjenjën e të ngopurit. Sipas doktor Ahmedit, kjo mund të zvogëlojë peshën trupore me 30% deri në 50% në gjashtë muajt e parë dhe potencialisht më shumë pas kësaj periudhe.

Gjithashtu sjell përmirësime në tensionin e gjakut, frymëmarrjen, gjumin, kolesterolin dhe dhimbjet e shpinës. Dhe shumë pacientë nuk do të jenë më diabetikë pas operacionit.

Megjithatë, kirurgjia është një përgjigje drastike ndaj problemit dhe numri i kirurgëve është i kufizuar. Prandaj ka gjithë këtë entuziazëm për ilaçet e reja, që mund të injektohen nga vetë pacientët çdo javë. Ilaçet e reja u krijuan fillimisht si trajtim për diabetikët.

Ato imitojnë hormonet që prodhon trupi natyrshëm pas një vakti, gjë që stimulon çlirimin e një hormoni të dytë, insulinës, dhe më pas një të treti, glukagonit. Së bashku, këto efekte rregullojnë nivelin e glukozës në gjak.

Përveç kësaj, ilaçet ngadalësojnë edhe shkallën e “zbrazjes së stomakut”, që do të thotë se ushqimi qëndron në stomak për më gjatë, kështu që njerëzit ndihen më të ngopur dhe duan të hanë më pak. Ilaçet ndikojnë gjithashtu në hipotalamus, pjesën e trurit që kontrollon urinë.

Për më tepër, kanë një efekt edhe mbi yndyrën, duke e nxitur trupin për ta shpërbërë atë.

Kompania farmaceutike Novo Nordisk, filloi të shesë semaglutidë në vitin 2017, nën emrin e markës Ozempic, për trajtimin e diabetit. Por pasi pacientët vunë re se po dobësoheshin shumë dhe në mënyrë të shpejtë, ilaçi filloi të testohej edhe si trajtim për humbje peshe.

Në një provë 40-javore, një e treta e pacientëve humbën më shumë se 10% të peshës trupore, pasi morën një dozë javore prej 1 mg. Në një provë të dytë, ku merrej një dozë javore prej 2.4 mg për 68 javë, pacientët humbën mesatarisht 15% të peshës trupore.

Kjo është doza që ofron edhe ilaçi Wegovy; ai është në shitje në Amerikë që nga viti 2021. Në dhjetor, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, e miratoi përdorimin e tij edhe për personat 12 deri në 18 vjeç.

Ilaçi Mounjaro, aktivizon të njëjtët receptorë si Wegovy, por gjithashtu imiton një hormon të dytë, të përfshirë në rregullimin e oreksit.

Gjatë provave, ai reduktoi mesatarisht me 20% peshën trupore. Shumë kompani të tjera ilaçesh, duke nuhatur fitimet, po punojnë për produkte të ngjashme.

Nuk është për të gjithë

Trajtimet e reja kanë të metat e veta. Së pari, janë efektet anësore, duke përfshirë të vjellat dhe diarrenë, të cilat ishin mjaft të rënda për të bërë që 3% e pacientëve të ndalonin përdorimin, në një studim të kryer nga spitali amerikan Mayo Clinic.

Përveç kësaj, ato duhet të merren si pjesë e një programi më të gjerë të shoqëruar me dietë dhe stërvitje fizike, megjithëse nuk është e qartë sa thelbësore është kjo për humbjen e peshës. Ilaçi semaglutid në veçanti duket se rrit rrezikun e një lloji të rrallë të pankreatitit. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime në përdorimin e barnave gjatë ose pak para shtatzënisë. Dhe studimet te kafshët kanë treguar një rrezik më të lartë për kancerin e tiroideve.

Për shumë njerëz, këto rreziqe do t’ia vlejnë barra qiranë. Megjithatë, një pengesë më e madhe është se ata që fillojnë t’i përdorin këto ilaçe të reja, ka të ngjarë të varen prej tyre për gjithë jetën.

Nëse i ndaloni, pesha do të rikthehet, ashtu si me shumicën e dietave. Në vitin e parë pas ndalimit të një doze prej 2.4 mg semaglutid, njerëzit rifituan dy të tretat e peshës që humbën (shih grafikun 3). Dhe, njëlloj si me dietat, disa njerëz madje shtojnë më shumë peshë se sa në kohën kur filluan.

Nevoja për të vazhduar injektimin është e mirë për fitimet e kompanive farmaceutike, por mjekët po tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm, duke pasur parasysh mungesën e të dhënave për efektet e përdorimit gjatë gjithë jetës. Projekt-udhëzimet kombëtare të Britanisë thonë se semaglutidi nuk duhet të merret për më shumë se dy vjet për humbje peshe.

Por ndërsa po bëhen të disponueshme më shumë të dhëna për efektet afatgjata të këtyre ilaçeve, është e mundur që ato të bëhen si statina, një ilaç për uljen e kolesterolit që zakonisht jepet për gjithë jetën.

Sidoqoftë, angazhimet për gjithë jetën, mund të jenë të shtrenjta. Wegovy kushton rreth 1300 dollarë në muaj në Amerikë dhe Ozempic rreth 900 dollarë. Duket qartë se tregu do ta përballojë këtë: aq e madhe është kërkesa për ilaçe të tilla, sa që shumë diabetikë ankohen se nuk mund t’i marrin dot ilaçet për diabetin. Firma Novo Nordisk ka shkruar në faqen e saj online, për të qetësuar klientët që po përpiqen të gjejnë ilaçin Wegovy. “Ne po marrim masa të rëndësishme për të rritur kapacitetin e prodhimit”.

Firma ka punësuar një prodhues të dytë me kontratë, për të prodhuar ilaçin; i pari është duke zgjeruar prodhimin. Kompanitë e sigurimit dhe qeveritë, me sa duket do të jenë në gjendje të negociojnë uljet e çmimit për ilaçet. Dhe ndërsa produktet rivale vijnë në treg, çmimet pritet të ulen. Në planin afatgjatë, ilaçet e reja do të humbasin patentat e tyre dhe do të bëhen gjerësisht të disponueshme.

Por për momentin, në Amerikë, janë të pakta politikat e sigurimit që mbulojnë ilaçin Wegovy. (Gjithsesi 40 milionë pacientë marrin ilaçin Wegovy, vëren Lars Jorgensen, shefi ekzekutiv i kompanisë Novo Nordisk.) Qeveritë hezitojnë edhe më shumë.

Edhe pse ilaçi është licencuar në Danimarkë dhe në Norvegji, ai nuk ofrohet nëpërmjet sistemit shëndetësor shtetëror në asnjë vend. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë e ka rishikuar ilaçin dhe duket se do ta vërë në dispozicion së shpejti, por vetëm për pacientët më obezë dhe vetëm nëpërmjet klinikave të specializuara.

Ky kujdes me sa duket do të zhduket nëse bëhet e qartë se përdorimi i gjerë i këtyre ilaçeve do të kursejë kostot për kompanitë e sigurimit ose qeveritë, në formën e shmangies së trajtimeve që lidhen me obezitetin.

Daniel Chancellor, nga firma kërkimore Citeline, thotë se ilaçet kanë ulur me 14% goditjet në tru dhe atakun kardiak te personat që i marrin për diabet, kanë ulur vdekjet nga të gjitha shkaqet me 12% dhe kanë ulur shtrimet në spital për problemet e zemrës me 11%.

Kompania farmaceutike Novo Nordisk po sponsorizon një provë zyrtare për të vëzhguar ndikimin e semaglutidit në sëmundjet kardiovaskulare mes pacientëve mbipeshë dhe obezë. Prova filloi në vitin 2018 dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

Pa dyshim që do të ketë një valë të furishme pazaresh. Kompanitë e sigurimit dhe sistemet shëndetësore duhet të peshojnë koston masive të trajtimit të sëmundjeve të lidhura me obezitetin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës që do të sjellin ilaçet e reja, me çmimet që kërkojnë prodhuesit e ilaçeve, duke marrë parasysh se do të ketë konsumatorë që do t’i përdorin ato gjatë gjithë jetës. Por hapësira për kursime është e madhe.

Ulja e numrit global të personave mbipeshë dhe obezë me pesë pikë përqindje, do të sillte kursime vjetore prej 429 miliardë dollarësh, sipas një studimi nga revista mjekësore Global Health (kjo shifër përfshin përfitimet nga jeta më e gjatë e personave obezë dhe rritja e produktivitetit në punë).

Përfitimet e mundshme do të shtriheshin edhe në vendet me të ardhura mesatare. Studimi pret që kostot e obezitetit të rriten me 3.6% në vit, nga tani deri në vitin 2060 në Australi, por me 6.6% në Tajlandë dhe 7.6% në Indi.

Fakti që gjithnjë e më shumë njerëz në botë kanë ushqim me bollëk dhe nuk kanë nevojë të lodhen me punë fizike të vazhdueshme dhe rraskapitëse, është diçka për t’u festuar. Për shumicën e njerëzve, kjo është një shenjë e qartë përparimi. Megjithatë, të njëjtat prirje, po dhjamosin me miliarda njerëz në botë, duke çuar në vdekje të parakohshme.

Obeziteti është një epidemi globale që rëndon mbi botën. Ai vret miliona, sëmur shumë të tjerë, kushton shuma të mëdha dhe është një turp i paimagjinueshëm për ata që janë të prekur. Nëse ilaçet e reja që përdoren kundër obezitetit, mund ta zvogëlojnë këtë shifër qoftë edhe me një sasi të vogël, ato duhet të mirëpriten krahëhapur.

Marrë nga Monitor.al

ilace per dobesim

Sondazh

Poll
Ekonomi 26 Mars 2023, 07:47 I.A

Vjosa, Park Kombëtar, po tani?

Lumi Vjosa TEPELENË- “Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës. Por për sa kohë...

Ekonomi 26 Mars 2023, 07:41 I.A

Pse mungon siguria kibernetike

Siguria kibernetike TIRANË- Një nga arsyet pse kompanitë ose shtetet kapen të papërgatitur nga sulmet kibernetike është ...

Ekonomi 26 Mars 2023, 07:37 I.A

Robin Hood-ët kibernetikë

Sulmet kibernetike TIRANË- Një sulm kibernetik në serverët e çdo institucioni qeveritar është një çës...

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës