LIVE UPDATES
Ekonomi

Biznesi i argëtimit, si po zhvillohet industria e koncerteve e festivaleve

Nga koncertet në kryeqytet, tek turistët e huaj që ndjekin Operën te festivalet në zonat bregdetare të vendit, si po zhvillohet industria e eventeve në vend. Por, fuqia blerëse mbetet ende e ulët, ndonëse biletat në koncerte janë me çmime shumë më të lira se në Europë

22 Shtator 2024, 08:11 Nga I.A
Biznesi i argëtimit, si po zhvillohet industria e koncerteve e festivaleve
Koncert

TIRANË- Festivalet dhe koncertet po kthehen jo vetëm në një atraksion për vendasit e turistët, por po ndihmojnë dhe zhvillimin e ekonomive lokale. Nga koncertet në kryeqytet, tek turistët e huaj që ndjekin Operën te festivalet në zonat bregdetare të vendit, si po zhvillohet industria e eventeve në vend. Por, fuqia blerëse mbetet ende e ulët, ndonëse biletat në koncerte janë me çmime shumë më të lira se në Europë

Dria, 19 vjeç nga Bullgaria, vendosi të vizitojë Shqipërinë vetëm për një qëllim: të shërbente si vullnetare në një nga festivalet e shumta në vend, në mënyrë që të përfitonte biletën dhe akomodimin falas. Ajo dhe shumë të tjerë kanë mundur të kenë akses në shumë shfaqje dhe evente brenda të gjitha trevave në Shqipëri.

“Dëgjova për Unum Festival nga miqtë e mi. Ata ishin edhe vitin e kaluar këtu dhe mendojmë që nëse gjejmë ndonjë festival/koncert tjetër me çmime kaq të lira, do kthehemi sërish” – tregon Dria.

Nga lugina e Valbonës, në Ranën e Hedhur në Shëngjin, në kodrat e Pezës, në kalanë e Gjirokastrës dhe deri në ujërat e kristalta të brigjeve të Jugut, Shqipëria pati një nga sezonet verore më të ngjeshur në lidhje me festivalet.

Por jo vetëm numri i festivaleve ishte në rritje; koncertet në të gjithë vendin buçasin në qendrat e qyteteve të mëdha. Kjo industri ka pasur rritje të dukshme në vitet e fundit, me artistë ndërkombëtarë dhe vendas që organizojnë koncerte.

“E ardhmja e organizimit të eventeve dhe koncerteve në Shqipëri duket shumë premtuese. Shqipëria ka potencial të madh për zhvillim në industrinë e eventeve dhe koncerteve”, – pohon për “Monitor”, Ana Murati, drejtoreshë ekzekutive e Myticket.al.

Vetëm në Tiranë ka pasur rreth 25-30% më shumë koncerte se në vitin 2023.

“Në vitet e fundit, kemi parë rritje të vazhdueshme në interesin e publikut për koncerte dhe festivale, duke reflektuar një ndryshim të dukshëm në preferencat e konsumatorëve.

Njerëzit janë të vetëdijshëm për vlerën e një ngjarjeje kulturore të cilësisë së lartë dhe janë të gatshëm të investojnë më shumë për të marrë një përvojë të paharrueshme.

Kjo ka rezultuar në një shtim të numrit të eventeve dhe si pasojë, një rritje të kërkesës për bileta” – shprehet Arnold Kajolli, drejtues ekzekutiv i Vivere ticketing.

Industria e koncerteve në Shqipëri ka kaluar në një fazë zhvillimi të shpejtë, duke bërë të mundur që artistët vendas dhe ndërkombëtarë të ngjiten në skenën shqiptare.

Ky trend ka reflektuar një kërkesë të lartë dhe të vazhdueshme nga publiku për ngjarje muzikore të mëdha. Publiku ishte gati për një verë të mbushur me përvoja të paharrueshme. Kjo nevojë për emocion ka sjellë një rritje të konsiderueshme në të ardhurat e operatorëve të eventeve dhe artistëve.

Sipas të dhënave të fundit, disa faktorë kyç ndikojnë në popullaritetin e koncerteve në Shqipëri janë popullariteti i artistëve, reputacioni në rritje i Shqipërisë si destinacion muzikor, mbështetje nga sponsorët dhe ndikimi i influencuesve në mediat sociale janë të rëndësishëm për të tërhequr publikun.

Po ashtu, cilësia e infrastrukturës për ngjarje dhe gatishmëria e publikut për të blerë bileta janë gjithashtu faktorë kryesorë. Ky kombinim faktorësh ndihmon në rritjen e suksesit dhe popullaritetit të koncerteve në Shqipëri.

Koncertet më të suksesshëm në Shqipëri për vitin 2024

Viti 2024 ka qenë i larmishëm për muzikën në Shqipëri, me një sërë ngjarjesh të paharrueshme që kanë sjellë në skenë disa nga artistët më të mëdhenj shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Koncertet e këtij viti kanë ofruar një spektër të pasur performancash, me çmime të ndryshme që kanë reflektuar një përpjekje për të sjellë muzikë cilësore në duar të të gjithë adhuruesve.

Artistët shqiptarë që mblodhën mijëra adhurues në stadiumet e vendit

Alban Skënderaj, një nga emrat më të dashur në muzikën shqiptare, ka arritur të shesë 25,000 bileta për koncertin e tij më 6 qershor 2024. Biletat për këtë ngjarje ishin me çmimin 25 euro për zonën e parë dhe deri në 300 euro për VIP.

Po ashtu, Noizy ka mbushur arenat me mbi 15,000 fansa më 27 qershor 2024, me bileta që shkonin nga 30 euro në zonën e parë deri në 180 euro për VIP.

Elvana Gjata, me koncertin e saj “Dekada”, ka tërhequr fansat e saj më 22 qershor 2024, me çmime që varionin nga 30 euro për zonën e parë dhe deri në 200 euro për VIP.

Së fundmi, Capital T me Time Capsule III ka mbajtur një koncert më 16 gusht 2024, ku biletat janë shitur për 25 euro në zonën e parë dhe 60 euro për VIP.
Çdo vit e më shumë artistët ndërkombëtarë po njohin skenën shqiptare të muzikës.

Më 17 gusht 2024, producenti dhe DJ i famshëm amerikan, Steve Aoki, ka performuar për herë të parë në vendin tonë, duke dhuruar për qindra e mijëra ndjekës një mbrëmje elektrizuese në Lungomaren e Vlorës.

Për gati dy orë, me hitet si “Pursuit Of Happiness” dhe “Replay”, Aoki ofroi një shfaqje të paharrueshme me çmime që fillonin nga falas deri në 10 euro për zonën e parë dhe 50 euro për VIP. Performanca e tij ishte një mundësi e madhe për adhuruesit e muzikës elektronike.

Sheshi në Lungomare ishte i mbushur plot me të rinj, vendas e të huaj që kishin ardhur nga vende të ndryshme të botës për të parë koncertin.

Pas përfundimit të koncertit të tij, Aoki u shpreh se audienca shqiptare e kishte befasuar shumë, një audiencë shumë energjike. Në Tiktok ai premtoi se do të rikthehej. “Më prit përsëri Shqipëri” – deklaroi DJ amerikan.

Ritmet e muzikës greke gjallëruan mbrëmjen e 23 gushtit në kryeqytet. Konstantinos Argiros, artisti më i shitur i brezit të tij, me një karrierë të gjatë muzikore të mbushur me albume të suksesshme, hite pas hiti dhe miliona shikime në YouTube, ofroi një natë magjike.

Biletat për këtë ngjarje ishin 15 euro për zonën e parë dhe deri në 200 euro për VIP, duke reflektuar ekskluzivitetin e këtij eventi.

“Jam shumë i lumtur që vij edhe një herë tjetër në Tiranë dhe Shqipëri. Do të dëshiroja të vija shumë herë këtu, sepse e ndiej që njerëzit më duan, duan muzikën time dhe dinë të gjitha këngët e mia. Audienca që kam në Shqipëri është një ndër më të mirat në botë” – deklaroi këngëtari në konferencën për shtyp.

Më 5 korrik 2024, Tirana u mbush me ritme elektrizuese kur Martin Garrix, një nga emrat më të shquar të muzikës EDM, ngriti skenën në një spektakël të paharrueshëm. I njohur për hitet e tij ndërkombëtare si “Animals” dhe “Scared to Be Lonely”, muzika e Garrix elektrizoi publikun. Çmimet e biletave për këtë ngjarje ishin 46-60 euro, duke reflektuar ekskluzivitetin e këtij eventi.

Më 9 gusht, Jason Derulo, me hite si “Savage Love” dhe “Want to Want Me” mbushi arenën me ritëm dhe stil. Biletat për këtë ngjarje ishin në çmimin 15 euro për zonën e parë dhe deri në 90 euro për VIP.

Më 27 korrik, Tirana u bë dëshmitare e një nate të zjarrtë kur Giusy Ferreri, këngëtarja italiane e njohur për zërin e saj të fuqishëm dhe hite të paharrueshme, ngjiti skenën në një koncert që elektrizoi publikun. Ferreri dhuroi emocione dhe energji me këngët dhe zërin e saj të veçantë. Biletat për këtë koncert nisnin nga 15 euro deri në 60 euro në zonën VIP.

Gipsy Kings, më 6 gusht, dhe Skip Marley, më 7 gusht, sollën ndjesi dhe atmosferë të veçantë. Edhe pse biletat për këta artistë u ofruan falas, ngjarjet kanë qenë të mbushura me entuziazëm dhe kënaqësi nga publiku.

Çmimet e biletave më të lira se në Eurpopë

Në Europë, çmimi minimal i një bilete për një koncest në stadium është rreth 60 euro, ndërsa për vende të mira arrijnë në 400-500 euro, apo dhe më shumë në varësi të reputacionit të artistit dhe kërkesës për bileta, me një mesatare që i kalon 100 euro/biletë.

P.sh., sipas  Consultancy.uk, një biletë premium për në Europë është mesatarisht midis 108-137 euro.

Në Shqipëri biletat janë shumë më të lira.

Sipas vëzhgimeve në treg, çmimet e biletave në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në Europë. Për shumicën e koncerteve, çmimi për një biletë fillon nga 10-15 euro (early bird) deri në 20 euro për zonën e parë dhe mund të arrijë deri në 200 euro për zonat VIP.

Kjo larmishmëri në çmime është gjithashtu i ndikuar nga vendndodhja në arenën e koncertit, ku biletat për zonat më të afërta dhe VIP janë zakonisht më të shtrenjta se ato për zonat më të largëta.

Të gjitha këto ndryshime janë të ndikuara gjithashtu nga vendimet e organizatorëve dhe promovuesve të ngjarjes, të cilët përcaktojnë çmimet në bazë të kostove dhe strategjive të tyre të marketingut.

Kajolli thotë se çmimet e biletave kanë ndikim të rëndësishëm në numrin e pjesëmarrësve.

“Oferta të ndryshme të çmimeve, si Early Bird, Pre-Sale dhe On Door, ndihmojnë në motivimin e konsumatorëve për të blerë më herët. Shpesh, shitjet e shumta ndodhin në 1-2 ditët e fundit të ndryshimit të fazave të çmimeve. Promocionet, si ofrimi i biletave 1+1 ose përdorimi i kodeve promocionalë, gjithashtu nxisin rritje të konsiderueshme në shitje”, – shprehet ai.

Një faktor tjetër që po ndihmon në shitjen e biletave është edhe shitja e tyre online, e cila është rritur vit pas viti.

Operatorët në treg tregojnë se një nga arsyet kryesore pse çmimet e biletave janë relativisht të ulëta në krahasim me ato në Europë është ndihma që bashkitë po japin për të ndihmuar në konsolidimin e këtij sektori, pasi shumë nga këto evente ndihmojnë edhe në tërheqjen e turistëve.

“Shumë ngjarje janë sponsorizuar për të siguruar që publiku të mund të shijojë këto performanca pa u ndier të ngarkuar financiarisht. Në Shqipëri, edhe pse kostot për ne janë rritur, ne kemi edhe ndihmën e bashkive të vendit për konsolidimin e tregut”, – shprehet Kajolli.

“Bashkëpunimi midis institucioneve publike dhe sektorit privat është shumë i rëndësishëm për organizimin e suksesshëm të eventeve. Kjo mbështetje mund të ofrojë lehtësi administrative, financime dhe burime që do të ndihmojnë në organizimin e eventeve më të mëdha dhe më cilësore.

Partneriteti efektiv ndihmon gjithashtu në promovimin e vendit dhe rritjen e imazhit të tij në nivele ndërkombëtare” – shprehet Ana Murati e Myticket.al.

Më shumë evente, por jo aq shumë bileta të shitura

Edhe pse numri i ngjarjeve dhe aktiviteteve është rritur dhe ka një fluks të vazhdueshëm të koncerteve të reja që organizohen, dhe çmimet janë shumë më të lira se në botë, shitjet e biletave për ngjarje të veçanta nuk kanë shfaqur një rritje të dukshme.

“Megjithatë, ndonëse numri i eventeve është rritur dhe zhvillohen vazhdimisht evente të reja, numri i biletave të shitura për ngjarje të veçanta nuk ka shënuar rritje drastike”, – shprehet z. Kajolli.

Sipas Shefit Ekzekutiv të Vivere, tregu shqiptar kërkon më shumë evente dhe më shumë artistë vendas dhe ndërkombëtarë, por nuk janë të gatshëm të shpenzojnë për të ndjekur shumë ngjarje, pasi buxheti i audiencës shqiptare është i kufizuar.

“Ne prandaj po ofrojmë më shumë koncerte dhe shfaqje që audienca shqiptare të ketë mundësi zgjedhje; vetëm në skenën e Spectapolis në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ ka pasur rreth 2-3 koncerte në javë gjatë sezonit veror”, – shprehet ai.

Publiku është i ngopur me ngjarje të shumta dhe mund të jetë më i zgjedhur në lidhje me cilat evente do të ndjekë. Nëse ngjarjet nuk ofrojnë diçka të veçantë ose të ndryshme, ndoshta pjesëmarrësit do të ndjejnë se është më mirë të kursejnë para dhe të marrin pjesë në ngjarje që ofrojnë një përvojë më të vlefshme.

Një faktor tjetër që ndikon në shitjet e biletave është edhe çmimi i tyre. Çmimi i biletave për koncerte në Shqipëri përcaktohet nga një sërë faktorësh të ndryshëm, përfshirë famën e artistit, reputacionin e tij, madhësinë e vendit të koncertit dhe kërkesën e publikut.

Në përgjithësi, çmimet e biletave variojnë ndjeshëm: mund të fillojnë nga disa mijë lekë për evente më të vogla dhe të pavarura, dhe të arrijnë deri në disa dhjetëra mijë lekë për koncerte të mëdha me artistë ndërkombëtarë të njohur.

“E rëndësishme është se shitjet online kanë marrë një përhapje të konsiderueshme, duke zëvendësuar ndjeshëm shitjet fizike. Ky trend është një tregues pozitiv i përmirësimit të infrastrukturës dhe të ndryshimeve në preferencat e konsumatorëve për blerjen e biletave në mënyrë digjitale”, – thotë drejtori ekzekutiv i Vivere.

Sfidat dhe problematikat e tregut

Sipas Business Research, deri në vitin 2032, tregu i festivaleve muzikore pritet të arrijë një vlerë prej 19,859.24 milionë dollarësh dhe Shqipëria është duke u përpjekur fort të jetë pjesë e kësaj industrie, por ashtu si çdo sektor tjetër, edhe këtu sfidat nuk janë të pakta.

Sipas operatorëve në treg, këto sfida janë:

Mungesa e hapësirave të mjaftueshme dhe infrastrukturës për të mbajtur koncerte të mëdha. Ndonëse në vitet e fundit ka pasur rritje në organizimin e koncerteve dhe ndërtimin e arenave për ngjarje kulturore, si ajo e Arenës Kombëtare të Shqipërisë, e cila ka kapacitet për mijëra njerëz dhe është e pajisur me teknologji të avancuar për të organizuar koncerte të mëdha, ende kemi mungesë të theksuar për arena koncertesh dhe festivalesh.

Një sfidë tjetër janë procedurat dhe lejet e nevojshme.
Organizimi i një koncerti në Shqipëri kërkon të përmbushë procedurat e lejeve dhe të miratojë lejet e nevojshme nga autoritetet vendore dhe qendrore.

Edhe koncertet ndiejnë pasojat e emigrimit të të rinjve

Çdo vit e më shumë, kostot për organizatorët e këtyre eventeve po rriten, si nga pagesa e fuqisë punëtore deri te mirëmbajtja, vendosja e skenës apo edhe marketingu për këto evente. Disa nga kostot më të mëdha sipas tyre janë: pagesat për artistët, shpenzimet e infrastrukturës, marketingu dhe promovimi, siguria, teknika dhe shërbimet e tjera të nevojshme.

Largimi i të rinjve nga vendi ka pasur ndikim të dukshëm në skenën e koncerteve, duke e bërë të vështirë arritjen e numrave të duhur për të siguruar të ardhura të mjaftueshme nga shitja e biletave.

“Sigurisht që ka ndikuar. Është bërë e vështirë të arrihen numrat e duhur për të pasur një audiencë që do të sillte të ardhura mjaftueshëm në koncert (nga shitja e biletave, pijeve dhe ushqimeve). Diku ka qenë shumë e vështirë për shkak të kulturës që të rinjtë kishin.

Tani është e vështirë për shkak të numrit të të rinjve që kanë ikur. Pozitive është se brezi më i vogël i të rinjve ndihen shumë europianë në sjellje dhe në qasje ndaj eventeve dhe ndoshta e ka plotësuar atë që mungon” – thotë për “Monitor”, drejtori ekzekutiv i Vivere.

Znj. Murati shprehet se, “Gjatë sezonit turistik, përballemi me sfida si trafiku dhe akomodimi. Organizatorët e eventeve duket se po planifikojnë dhe ofrojnë mundësi alternative për të zbutur këto probleme, siç janë organizimi i eventeve në periudha më pak të ngarkuara ose ofrimi i paketave speciale për kategori të ndryshme pjesëmarrësish.”

Turistët dhe vendasit janë në kërkim jo vetëm të festivaleve dhe koncerteve, por edhe shfaqjeve kulturore.

Në vitet e fundit, ka ndodhur një rritje e dukshme e interesit të turistëve dhe vendasve për shfaqjet kulturore në Shqipëri. Ky interes është reflektuar në një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB), si dhe në aktivitetet e tjera kulturore që organizohen në vend.

Ngjarjet artistike në këto teatro janë bërë një magnet për vizitorët ndërkombëtarë, të cilët vetëm në 6 muajt e parë të vitit përbënin 17% të totalit të spektatorëve në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke përbërë rreth.

Drejtoresha e TKOB-së, Abigela Voshtina, në një intervistë për “Monitor”, shprehu optimizëm për këtë zhvillim. Sipas saj, “Interesi për shfaqjet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ka parë rritje të konsiderueshme nga qytetarët shqiptarë, të cilët vijnë jo vetëm nga kryeqyteti, por edhe nga qytete të tjera si Durrësi dhe Elbasani.

Kjo është pasuar nga një interes gjithnjë e më i madh nga turistët, të cilët janë të pranishëm në një numër të rëndësishëm gjatë sezonit të parë artistik”.

“Gjatë periudhës janar-qershor 2024, TKOB-ja mirëpriti më shumë se 16 mijë artdashës, një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, gjatë këtij sezoni u shitën më shumë se 14,500 bileta, nga të cilat rreth 2,500 ishin blerë nga turistët e huaj. Interesi ndërkombëtar është një tregues i qartë i tërheqjes së artit shqiptar në skenën globale”, – deklaroi ajo.

Ndër shfaqjet më të suksesshme të vitit, ‘Madama Butterfly’ dhe ‘Il Trittico’ janë spikatur për ndjeshmërinë artistike dhe intensitetin e tyre emocional, ndërsa koncertet simfonike me pjesë të përzgjedhura janë përqafuar nga publiku, duke shitur të gjitha biletat.

Për sezonin e ardhshëm, TKOB-ja ka planifikuar një kalendar të larmishëm, duke përfshirë produksione të mëdha si ‘Toska’ dhe ‘Lucia di Lammermoor’, dhe ka në plan zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe përfshirjen e veprave të reja bashkëkohore.

Voshtina shprehu entuziazëm për këto plane, duke theksuar se “ky diversifikim synon të ruajë interesin e publikut tradicional dhe të tërheqë breza të rinj spektatorësh.”

Në përfundim, ndonëse ka sfida të ndryshme, siç janë largimi i rinisë dhe ndryshimet në kulturën e konsumit të kulturës, pozita e TKOB-së dhe e aktiviteteve kulturore në Shqipëri duket të jetë në rritje dhe të ofrojë mundësi të reja për artdashësit vendas dhe ndërkombëtarë.

Gjithnjë e më shumë festivale në çdo cep të vendit

Nga një cep në tjetrin, Shqipëria ka qenë e mbushur me festivale gjatë të gjithë vitit 2024, duke ofruar një kalendar të pasur dhe të larmishëm që i ka përmbushur pritshmëritë e të gjithëve. Në çdo stinë dhe në çdo qytet, ky vend i mrekullueshëm ka ndritur me ngjarje muzikore dhe kulturore që kanë tërhequr vizitorë nga çdo cep i globit.

Në pranverë, Tirana u shndërrua në një qendër të ngjyrosur me Color Day Festival, që transformoi qytetin në një festë ngjyrash dhe gëzimi. Me një kalendar të mbushur me muzikë dhe të qeshura, ky festival solli një frymë rinore dhe ngazëlluese që mbushi rrugët e Tiranës me energji dhe lumturi.

Në verë, bregdeti shqiptar mori qendrën e vëmendjes me South Outdoor Festival në Borsh, ku tradita dhe arti u përzunë për të ofruar një përvojë të paharrueshme në një peizazh të mahnitshëm bregdetar.

Ndërkohë, Kala Festival në Dhërmi ofroi një ndërthurje magjepsëse të muzikës dhe aventurës, duke ftuar adhuruesit e muzikës dhe eksploruesit e natyrës të shijonin bukuritë e plazheve të kristalta dhe ritmet e energjike.

Unum Festival, i mbajtur në Shëngjin, e mbushi plazhin me ritme elektronike dhe ndriçim të pabesueshëm, duke ofruar një përvojë të pasur për çdo pjesëmarrës që kërkonte të shijonte muzikën në një atmosferë të gjallë dhe festive.

Në fillim të vjeshtës, Shqipëria vazhdoi të magjepste me Anjunadeep Explorations në Gjipe, ku muzikantët ndërkombëtarë ofruan performanca të mrekullueshme në një peizazh të mrekullueshëm bregdetar. Ndërsa Korça Beer Festival solli një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse në qytetin jugor të Korçës, ku birra e prodhuar lokale dhe muzika përfshirëse e bënin çdo moment të paharrueshëm.

Në fund të sezonit, ION Festival në Dhërmi e mbylli vitin me një përvojë të jashtëzakonshme, duke ndërthurur muzikën elektronike me pamjet e mahnitshme të bregdetit shqiptar dhe duke ofruar një ambient të paharrueshëm për të gjithë adhuruesit e muzikës.

Nga festivalet verore në bregdet, deri te ngjarjet e ngrohta dhe të gjalla në qytete, Shqipëria ka mbajtur një kalendar festiv që ka ndriçuar çdo cep të saj dhe ka ofruar përvoja të jashtëzakonshme për çdo vizitor.

Ky vit ka qenë një dëshmi e jetës së gjallë kulturore dhe muzikore , duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve kryesore për festivalet dhe ngjarjet muzikore.

Nga Coachella te Burning Man, festivalet po kalojnë një vit të vështirë

Në çdo vit, adhuruesit e rregullt të Burning Man, një festival njëjavor që zhvillohet në shkretëtirën e Nevadës, shpesh kanë luftuar për të blerë bileta.

Por këtë vit, ata po luftojnë për t’i shitur ato. Eventi i 25 gushtit që bashkon hippie dhe miliarderë për herë të parë ka dështuar të shitet deri në kapacitetin e tij të plotë. Biletat me çmim të caktuar prej 575 dollarësh po shiten në treg të dytë për më pak se gjysmën e çmimit.

Moti i egër i Navadës mund të jetë një shkak për këtë; vitet e fundit, festivalet janë përballur me temperaturat rekord dhe shi të tmerrshëm, duke lënë pjesëmarrësit të djegur nga dielli dhe të bllokuar në baltë. Por Burning Man nuk është i vetmi festival që po përballet me vështirësi këtë vit.

Në prill, Coachella, festivali më i madh i muzikës dhe arteve në Amerikë, nuk arriti të shitej në tërësi. As biletat e festivalit Reading dhe Leeds, i cili filloi në Britani më 21 gusht, nuk arritën të shiteshin të gjitha.

Më shumë se 50 festivale britanike janë anuluar deri tani këtë verë.

Rritja e kostove është një nga shkaktarët kryesorë. Mbylljet e vitit 2020-21 detyruan shumë kompani që organizojnë evente të falimentojnë, duke reduktuar ofertën për gjithçka, nga teknikët e ndriçimit deri tek tualetet portative.

Kostot janë arsyeja kryesore e cituar për anulimet këtë vit në Britani, sipas një përllogaritjeje nga Shoqata e Festivaleve të Pavarura.

Ngjarjet më të nxehta mund t’i kalojnë këto kosto tek konsumatorët: biletat e festivalit Glastonbury të këtij viti u shitën menjëherë, megjithëse çmimi i tyre kishte një rritje prej 43% krahasuar me vitin 2019.

Por ata që janë jashtë listës kryesore janë duke u munduar të bindin fansat të paguajnë. Në maj, Jennifer Lopez anuloi një seri koncertesh për shkak të shitjeve të dobëta.

Festivaleve gjithashtu janë ndikuar edhe nga ndryshimet në zakonet e dëgjimit. Rekomandimet algoritmike nga platformat e transmetimit si Spotify kanë kanalizuar fansat në grupime, duke bërë që tregu të jetë më i fragmentuar se në ditët kur të gjithë dëgjonin të njëjtat klasifikime në radio.

Ndërsa dëgjuesit ndahen në grupe, nga K-pop në hip-hop, bëhet më e vështirë të organizohet një lineup festivali me tërheqje të gjerë, thotë Will Page, ish-ekonomist kryesor në Spotify.

Ngjarjet që fokusohen në një gjini muzikore janë më të suksesshme se ato me interes të përgjithshëm, thotë ai: fansat e sotëm “shkojnë në dhoma e echo, jo në festivale”.

Fragmentimi i dëgjueshmërisë gjithashtu e bën më të vështirë për artistët mainstream, të cilët nuk mund të mbështeten më në një pritje entuziaste nga fansat. Në qershor, Rita Ora përpiqej të angazhonte turmën në festivalin Mighty Hoopla në Londër, për të kënduar një nga këngët e saj, por askush nuk e dinte tekstin.

Në prill, kur një turmë në Coachella nuk u emocionua nga një performancë nga Blur, këngëtari i grupit, Damon Albarn, i kritikoi ata:

“Nuk do të na shihni më, kështu që është më mirë të këndoni.” Entuziazmi për festivale, duket se po zbehet në të gjitha anët. /Monitor.al

ana murati

Sondazh

Poll
Ekonomi 21 Shtator 2024, 08:17 I.A

A po rritet shumë shpejt kredia?

Foto Ilustruese TIRANË- Banka e Shqipërisë paralajmëroi këtë muaj për rreziqe të shtuara nga rritja e shpejtë...

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje