LIVE UPDATES
Bota

Si do të marrë fund mosmarrëveshja Kosovë-Serbi? Stefan Lehne: Nuk jam optimist për planin e BE-së

Palët e paraqesin atë plan si “imponim prej jashtë” dhe nuk ka gjasa të jenë konstruktive në zbatimin e tij, thotë Lehne në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

14 Shkurt 2023, 16:44 Nga a.l
Si do të marrë fund mosmarrëveshja Kosovë-Serbi? Stefan
Stefan Lehne

KOSOVË- Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, nuk beson se plani i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do t’iu jepte fund mosmarrëveshjeve mes tyre.

Palët e paraqesin atë plan si “imponim prej jashtë” dhe nuk ka gjasa të jenë konstruktive në zbatimin e tij, thotë Lehne në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Për më tepër, shton ai, plani nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia dhe kjo do t’i shkurajojë edhe vendet e tjera që nuk e njohin pavarësinë e saj.

Edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte”, shton Lehne, tani analist në Institutin Carnegie Europe.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai thotë se ky asociacion “nuk do të sillte mrekulli” në raportet Kosovë-Serbi, por do ta zhbllokonte procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Lehne - dikur në pozitën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për çështjen e statusit të Kosovës - si do ta përshkruanit Kosovën sot, 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë?

Stefan Lehne: Mendoj se Kosova ka bërë shumë përparim në shumë aspekte, por ka edhe shumë të meta. Nuk është vend i rregulluar. Dhe, disa nga gjërat që dëshiron t’i bëjë, janë ende të bllokuara nga çështja e statusit ende të pazgjidhur plotësisht.

Radio Evropa e Lirë: Për çfarë konkretisht e keni fjalën?

Stefan Lehne: Më konkretisht për perspektivën evropiane. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e kaluar. Ka Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit [me BE-në], që ka qenë një fillim i mirë. Do të ketë liberalizim të vizave, që është një përparim i madh, edhe pse shumë i vonuar.

Por, përparimi drejt anëtarësimit në BE, drejt negociatave të zgjerimit, mbetet jashtëzakonisht i vështirë, sepse pesë vende të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. E, që Kosova të lëvizë përpara në këtë proces, duhet dakordimi i të 27 vendeve anëtare.

"Plani i BE-së nuk është krejtësisht ide e re"

Radio Evropa e Lirë: Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë mbeten po ashtu të larta, me gjithë përpjekjet e Bashkimit Evropian për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre qysh nga viti 2011. Tani po bëhet një tjetër përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje - përmes të ashtuquajturit plan të BE-së. Si e shini ju këtë plan?

Stefan Lehne: Siç e dini, ai ndjek pak modelin e dy Gjermanive të fillimit të viteve ’70. Është një ide që nuk është krejtësisht e re. Mendoj se [Wolfgang] Ischinger [ish i dërguari i BE-së për statusin e Kosovës] ka folur për të në vitin 2007. Por, përpjekjet e tanishme duket se kanë gjetur tërheqje më të madhe, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq është shprehur i hapur në këtë drejtim. Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti e ka pranuar, po ashtu, si bazë për negociata. Por, mendoj se shumë çështje mbeten të hapura. Vuçiq mendon se Asociacioni i komunave [me shumicë serbe në Kosovë] duhet të themelohet përpara angazhimit në këtë proces, ndërsa Kurti i sheh ndryshe prioritetet. Mendoj se ka ende shumë gjëra që duhen zgjidhur.

Por, ajo që është pozitive, është se të dyja palët duket se janë të gatshme të angazhohen në këtë proces në një mënyrë serioze.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ky plan do t’u jepte fund mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Lehne: Nuk jam i sigurt. Ajo çfarë më shqetëson është se të dyja palët e paraqesin këtë si diçka të imponuar nga jashtë, nga BE-ja, nga SHBA-ja. Ato nuk e paraqesin atë si diçka që, në thelb, është zgjidhje e mirë për problemet. Sipas tyre, është diçka që nuk e duam, nuk na pëlqen, e urrejmë, por duhet ta pranojmë, sepse nuk kemi zgjidhje. Në të kundërtën, rruga drejt BE-së bllokohet, amerikanët nuk do të jenë të kënaqur e kështu me radhë.

Kjo nuk më mbush me shumë optimizëm. Sepse, nëse bëni diçka që ju imponohet prej dikujt tjetër, atëherë nuk ka gjasa që të jeni shumë konstruktivë në procesin e zbatimit. Ka shumë çështje që duhet të zgjidhen dhe kjo e zvogëlon optimizmin tim.

Radio Evropa e Lirë: A do të ishit më optimist nëse ky plan do ta përfshinte edhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Lehne: Po, mendoj se shkon në këtë drejtim. Sipas dokumenteve që kanë rrjedhur, të dyja vendet do t’i zbatojnë parimet e Kartës së OKB-së, sa i përket integritetit territorial, pavarësisë, mospërdorimit të forcës kundër njëra-tjetrës, mosbllokimit të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare... Ky padyshim se do të ishte një përparim i madh, por ai nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia. Kjo do të thotë se edhe vendet e tjera, që nuk e kanë njohur Kosovën deri tash, mund të hezitojnë të lëvizin në këtë drejtim.

Mendoj se, në thelb, janë tri motive për mosnjohjen e Kosovës. I pari përfshin vendet që, në përgjithësi, janë skeptike ndaj nismave perëndimore. Do të përmendja Kinën, Indinë, Afrikën e Jugut... Pastaj janë vendet që kanë një miqësi të veçantë me Serbinë. Kjo, qartazi, është Rusia. Deri në një masë ndoshta edhe Greqia. Dhe vijnë vendet që kanë vetë probleme me pakicat, çështje të pazgjidhura të statusit, kanë arsye të brendshme politike. Këtu e kam fjalën për Spanjën, Qipron, Rumaninë, Sllovakinë...

Pra, ka një përzierje motivesh. Dhe unë kam dyshime, që nëse Serbia nuk e njeh qartazi pavarësinë e Kosovës, këto vende që kanë probleme të mëdha të brendshme, si Spanja, Qiproja, do ta bëjnë të njëjtën gjë.

Pastaj është edhe anëtarësimi në OKB. Në parim, nëse Serbia nuk do ta bllokonte më Kosovën nga anëtarësimi në OKB, ky do të ishte një hap i madh përpara për Kosovën. Por, nuk mendoj se Rusia, në këtë kohë, kur është në luftë me botën perëndimore, nuk do ta bllokojë [Kosovën] në Këshillin e Sigurimit. Pra, edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte.

"Asociacioni - një autonomi e kufizuar"

Radio Evropa e Lirë: Kosova është po ashtu nën presion për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Shumë në Kosovë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, shprehen të shqetësuar se ai do të krijojë një mini-shtet ose një tjetër Republika Sërpska. A do të ishte Asociacioni rrezik për sovranitetin e Kosovës?

Stefan Lehne: Varet tërësisht nga mënyra se si zbatohet. Mendoj se idetë themelore të marrëveshjes së vitit 2013 [për krijimin e Asociacionit] janë plotësisht në përputhje me kapacitetet e Kosovës për të funksionuar si shtet unitar. Do të ishte një lloj autonomie e kufizuar dhe mund të jetë me kompetenca të kufizuara. [Asociacioni] është diçka që Kosova e ka pranuar dhe më pas është bllokuar për arsye të ndryshme të brendshme. Është diçka që Kosova duhet ta zbatojë dhe varet tërësisht nga mënyra se si rregullohet.

Në vitet e fundit nuk e kam përcjellë shumë afër për t’ju thënë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por, është diçka që Kosova duhet ta sjellë në tryezë. Pa lëvizur në këtë drejtim, i gjithë procesi do të bllokohet.

Radio Evropa e Lirë: Problem kryesor në Kosovë janë kompetencat e tij ekzekutive. Si duhet të duket ky asociacion sipas jush?

Stefan Lehne: Nuk dua të futem në detaje dhe spekulime. Mendoj se [duhet të jetë] një autonomi e kufizuar. Sigurisht që duhet të jetë kuptimplotë. Komunat me shumicë serbe do të duhej të ishin në gjendje të organizonin vetë pjesë të përditshmërisë. Por, nuk duhet të jetë një Republika Sërpska, nuk duhet ta ketë mundësinë e bllokimit të funksionimit të shtetit të Kosovës.

Mendoj se ka shembuj të ndryshëm ku funksionojnë struktura të tilla, por varet nga mënyra se si zbatohen. Nuk dua të futem në detaje, sepse ka vite që nuk e kam përcjellë nga afër.

Radio Evropa e Lirë: Por, unë do të doja t’ju pyesja edhe një pyetje në lidhje me këtë. Kryeministri Kurti i referohet Asociacionit si “Ahtisaari Plus” dhe thotë se Kosova tashmë i ofron pakicës serbe mjaft të drejta dhe përfitime. A i ofron?

Stefan Lehne: Në vitin 2013, Kosova ka pranuar që të bëjë më shumë se paketa e Ahtisaarit. Paraardhësit e Kurtit janë angazhuar që të veprojnë në këtë drejtim. Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar e presin këtë nga Kosova. Komuniteti ndërkombëtar është i bindur se mund të bëhet në atë mënyrë që nuk e kërcënon ekzistencën apo funksionimin e shtetit të Kosovës. Çështja është se si do të zbatohet.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë gjasat që Asociacioni ta zgjidhë konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Lehne: Jo plotësisht. Ka bagazh të madh historik në të dyja anët. Dhe, nuk ka gjasa që Kosova dhe Serbia të jenë miket më të mira në 10-15 vjetët e ardhshëm. Por, është një proces drejt normalizimit. Do ta zhbllokojë rrugën e anëtarësimit në BE si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Do ta lehtësojë shumë bashkëpunimin ekonomik mes dy palëve.

Mendoj se, në përgjithësi, është një gjë shumë pozitive, por nuk pres mrekulli. Nuk shoh një pajtim të madh. Mendoj se problemi është thellë në psikikën kombëtare në të dyja anët. Nuk ka gjasa të kapërcehet shumë shpejt.

"Çnjohjet nuk ndryshojnjë asgjë"

Radio Evropa e Lirë: Kosova njihet nga më shumë se 100 vende. Megjithatë, viteve të kaluara, ritmi i njohjeve është ngadalësuar. Pse mendoni se ka ndodhur kështu?

Stefan Lehne: Mendoj se Serbia ka bërë një fushatë shumë aktive për çnjohjen e Kosovës dhe ka pasur një sukses të kufizuar. Serbia beson se rreth 84 vende e njohin Kosovën, ndërsa Ministria e Jashtme e Kosovës thotë se janë 117 vende.

Shumë vende janë sjellë në një mënyrë shumë të paqartë. Kanë dërguar disa sinjale pozitive, pastaj i kanë tërhequr ato, pastaj i kanë konfirmuar... Mendoj se për një vend në Jugun Global kjo nuk është një çështje shumë e rëndësishme. Kur takojnë një ministër serb, thonë diçka tjetër, e kur flasin me një ambasador amerikan, thonë diçka tjetër.

Nuk mendoj se bën ndonjë dallim të madh nëse janë 100 vende apo 110 vende [që e njohin Kosovën]. Dallimin e bëjnë shtetet mosnjohëse të BE-së, sepse ato e bllokojnë përparimin.

Radio Evropa e Lirë: A paraqet ndonjë rrezik për Kosovën fushata e çnjohjeve e Serbisë?

Stefan Lehne: Mendoj se është e bezdisshme për Kosovën. Nuk ndryshon asgjë. Shtetet e rëndësishme, shumica e shteteve perëndimore që e kanë njohur Kosovën, nuk do të zhbinden nga zyrtarët serbë. Nëse Togoja e njeh Kosovën, nuk është shumë e rëndësishme. Pra, nuk mendoj se [fushata e Serbisë] paraqet kërcënim për Kosovën, por besoj se është shumë e bezdisshme.

Mendoj se është e rëndësishme për Serbinë që ta ndalojë këtë. Mendoj se plani që tani është në diskutim, do ta ndalojë këtë. Mendoj se dy palët do të angazhohen që të mos bëjnë ndonjë gjë të tillë në të ardhmen./ REL 

stefan lehne

Sondazh

Poll

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale