LIVE UPDATES
Bota

REL: Vuçiç nën hijen e fantazmës së rrethimit

Narrativi shkon deri në perceptim të rrezikut, që jo domosdoshmërisht reflekton gjendjen reale të sigurisë në terren.

26 Prill 2026, 14:23 Nga E. D
REL: Vuçiç nën hijen e fantazmës së rrethimit
Vuçiç

SERBI- Bashkëpunimi ushtarak mes shteteve është normë në arkitekturën moderne të sigurisë, por në Ballkan, ai vazhdon të shihet si problem - të paktën nga Serbia kur përfshin Kosovën dhe dy aleatet e NATO-s, Shqipërinë dhe Kroacinë.

Narrativi shkon deri në perceptim të rrezikut, që jo domosdoshmërisht reflekton gjendjen reale të sigurisë në terren.

Pikënisje e gjithë kësaj dinamike ishte një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, e nënshkruar më shumë se një vit më parë.

Nënshkruesit e paraqitën atë si angazhim për forcimin e bashkëpunimit, mbrojtjen e territoreve dhe kontributin në paqe e siguri ndërkombëtare, duke theksuar se nuk është e drejtuar kundër askujt.

Megjithatë, Serbia e interpretoi si provokim të hapur, që rrezikon integritetin e saj territorial dhe sigurinë e qytetarëve - deri në atë pikë sa presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi, muajin e kaluar, se këto vende po përgatiten për sulm.

“Në mes të asgjësë shfaqet një aleancë ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Jo një bashkëpunim ushtarak-teknik, jo një bashkëpunim ushtarak-ekonomik, por një aleancë ushtarake. Dhe, natyrisht, jam i frikësuar për çdo qytetar të këtij vendi”, tha Vuçiq për Radio-Televizionin e Serbisë.

Për ta forcuar këtë narrativ, ai paralajmëroi javën e kaluar investime të reja në ushtri dhe rritje të mëtejshme të kapaciteteve mbrojtëse, duke theksuar se Serbia duhet të jetë e përgatitur për çdo zhvillim në një “situatë komplekse” sigurie, të shkaktuar nga aktivitetet e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.

“Në ditët në vijim, do të nënshkruajmë kontrata shumë të rëndësishme për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Presim vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, me qëllim bërjen e porosive të mëdha për ushtrinë tonë”, shkroi Vuçiq në Facebook.

Në një rajon, ku kujtesa e konflikteve të viteve ’90 ndikon ende mënyrën se si lexohet siguria, edhe zhvillimet që në thelb duken bashkëpunuese, shpesh marrin kuptime politike.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua NATO-s për koment lidhur me deklaratën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë dhe reagimet që ajo nxit në Serbi. Një zyrtar i aleancës tha se bëhet fjalë për një marrëveshje trepalëshe mes këtyre vendeve dhe institucioneve në Kosovë, për të cilën NATO-ja është në dijeni, por nuk është palë.

Sipas tij, anëtarësia në NATO “nuk i pengon” shtetet aleate të zhvillojnë bashkëpunime shtesë në fushën e mbrojtjes.

Serbia e paraqet veten si ushtarakisht neutrale, ka buxhetin më të madh të mbrojtjes në rajon dhe bashkëpunon paralelisht me NATO-n, Rusinë dhe Kinën.

Përse atëherë një marrëveshje mes tri vendeve, që nuk kanë as pretendime territoriale dhe as kërcënime të shpallura ndaj saj, nxit reagime të forta në Beograd? Për ekspertët e çështjeve të sigurisë, përgjigjja qëndron më shumë në interpretim politik sesa në një kërcënim real.

Aleksandar Radiq, analist ushtarak dhe publicist, thotë se një pjesë e shoqërisë në Serbi i sheh zhvillimet rajonale përmes prizmit të kërcënimeve të jashtme - çka e bën më të lehtë për Vuçiqin të krijojë imazhin e një vendi “nën rrethim” dhe të mobilizojë mbështetjen përmes retorikës së sigurisë.

Në kushtet e protestave antiqeveritare që zgjasin prej më shumë se një viti, Radiq vlerëson se pretendimet për rreziqe nga jashtë shërbejnë edhe për të zhvendosur vëmendjen nga krizat e brendshme.

“Kur analizohet mendësia e njerëzve që e mbështesin Vuçiqin, vërehet se ata janë të prirë të besojnë se faktorë të jashtëm ndikojnë negativisht në Serbi. Ata mendojnë se shërbimet e huaja të inteligjencës po e prishin rendin dhe po veprojnë kundër interesave serbe. Në këtë kontekst, marrëveshja mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës i shërben Vuçiqit si një mjet i dobishëm për të forcuar narrativin se ai ‘po e mbron Serbinë’ dhe ‘po e fuqizon ushtrinë’, sepse është e nevojshme”, thotë analisti serb për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në këtë mjegullim të opinionit publik lihet anash fakti se vetë Serbia ka një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Kroacinë. Ajo është nënshkruar në vitin 2010 nga ministrat e atëhershëm të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac dhe Branko Vukelliq, dhe mbetet ende në fuqi.

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, foli së voni për të, teksa kritikoi narrativin e Vuçiqit si të ndërtuar, qartazi, për qëllime të brendshme politike.

“Kur shihet nga përmbajtja, marrëveshja që ekziston mes Kroacisë dhe Serbisë është e ngjashme, e madje më e plotë në disa aspekte sesa ajo që Kroacia ka me Kosovën dhe me Shqipërinë”, u tha Pllenkoviq gazetarëve.

Analisti kroat i çështjeve ushtarake, Marinko Ogorec, thotë për Exposenë se është për keqardhje që Vuçiq e interpreton në atë mënyrë një bashkëpunim që synon forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Sipas tij, një retorikë e tillë rrezikon të nxisë tensione të panevojshme dhe të çojë edhe në garë armatimi.

“Kjo në teorinë politike quhet ‘dilemë e sigurisë’. Nëse shihni se fqinji juaj armatoset shumë, natyrshëm edhe ju filloni të reagoni në të njëjtën mënyrë. Kjo çon në garë armatimi. Ne po e shohim se Serbia, realisht, po armatoset dhe po blen sisteme armësh përtej nevojave të arsyeshme”, thotë Ogorec.

Serbia ka në arsenalin e saj armë si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Rusia dhe Kina. Muajin e kaluar u bë e ditur se nga Kina ka blerë edhe raketa balistike supersonike CM-400, me fuqi të madhe shkatërruese.

Për ekspertin e sigurisë në Shqipëri, Xhavit Shala, kjo nxjerr në pah asimetrinë e armatimit në rajon.

“Serbia, së fundmi, mori raketa kineze hipersonike të prodhimit të fundit. Çfarë mori Kosova? Kosova mori nga SHBA-ja reketa antitank. Ato janë për mbrojtje, kurse raketat hipersonike nuk janë të tilla - ato janë për sulm, për të cenuar të tjerët. Me rreze veprimi që kapin territore të vendeve të tjera - përfshirë edhe anëtarë të NATO-s”, thotë Shala për Exposenë.

Ai vlerëson se retorika e Vuçiqit për kërcënime ndaj Serbisë është shndërruar në një “refren të ditës”, i drejtuar kryesisht për publikun e brendshëm të polarizuar, por edhe si mesazh politik për Perëndimin.

“Duke e paraqitur këtë si aleancë të rrezikshme për Serbinë, ai përpiqet të justifikojë vazhdimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën, si dhe blerjen e armatimit prej tyre. Pra, gjoja si pasojë e kërcënimit, jemi të detyruar të veprojmë kështu”, thotë Shala.

Eksperti i sigurisë në Kosovë, Burim Ramadani, pajtohet se argumentet e Vuçiqit për kërcënime nga fqinjët janë të paqëndrueshme, apo, siç i quan ai, kamuflim për qëllime të tjera politike dhe gjeostrategjike.

“Qartazi, propaganda e Serbisë ka një qëllim prapa saj dhe ai ka të bëjë me forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe Kinën, të cilat, po ashtu, kanë interes që Ballkani Perëndimor të jetë i destabiluzuar, shtetet e tij të jenë nën kërcënim dhe nën presion dhe NATO-ja të jetë në situatë më të ndjeshme”, thotë Ramadani për Exposenë.

Serbia, që nga viti 2006, është pjesë e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe” dhe ka planifikuar stërvitje të përbashkëta me Aleancën muajin e ardhshëm.

Një zyrtar i NATO-s konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ata respektojnë neutralitetin ushtarak të Serbisë, duke theksuar nevojën për besim dhe angazhim për stabilitetin rajonal.

“Për të ecur përpara, partneriteti NATO-Serbi duhet të jetë një rrugë me dy kahe, i bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë, si dhe në një përkushtim të sinqertë për stabilitetin rajonal. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë që të angazhohet me NATO-n dhe me fqinjët e saj në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive”, tha zyrtari i NATO-s.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, gjatë një vizite në Serbi këtë javë, i bëri thirrje Beogradit që të thellojë bashkëpunimin me SHBA-në dhe NATO-n në fushën e sigurisë.

Në një shkrim për gazetën serbe Politika, Whitaker tha se “blerja e teknologjisë së mbrojtjes që nuk është në përputhje operacionale me sistemet evropiane ose amerikane, e ndërlikon bashkëpunimin e ardhshëm dhe krijon pengesa të panevojshme”.

Shala, në anën tjetër, vlerëson se vetë propozimi i Shtëpisë së Bardhë për emërimin e një ushtaraku në pozitën e ambasadorit amerikan në Shqipëri tregon se SHBA-ja e trajton me seriozitet çështjen e sigurisë në Ballkan dhe e sheh rajonin si pjesë të rëndësishme të interesave të saj strategjike.

Për Radiqin, tani është koha që Serbia ta definojë pozicionin e saj - “neutraliteti ushtarak nuk është as i njohur ndërkombëtarisht dhe as funksional”.

“Në Serbi duhet të pozicionohemi ndaj NATO-s në një mënyrë tjetër - ose të bëhemi anëtar me të drejta të plota, ose ta definojmë ndryshe neutralitetin dhe të ecim përpara. Jo të krijohet përshtypja se të gjithë rreth nesh janë armiq. Fatkeqësisht, kjo e çon Serbinë në një situatë të ngjashme me vitin 1999, kur të gjithë ishin kundër saj”.

“Atëkohë, NATO-ja e bombardoi Serbinë, dhe hapësirat ajrore të të gjitha vendeve përreth Serbisë u përdorën për veprimet e forcave të NATO-s. Kjo duhej të ishte një mesazh historik, se një vend nuk duhet të krijojë një mjedis tërërsisht pa aleatë. Fatkeqësisht, historia, në njëfarë mënyre, po përsëritet”, thotë Radiq.

Serbia tashmë duket se ka pak kontroll mbi dinamikat që po formësohen në rajon.

Sipas Ogorecit, Kroacia dhe Shqipëria si anëtare të NATO-s, dhe Kosova si vend që synon anëtarësimin, po i përshtatin kapacitetet e tyre ushtarake me standardet e Aleancës - një proces që ai e përshkruan si të kushtueshëm, por krejtësisht të natyrshëm për shtetet anëtare.

Nëse kjo në Serbi lexohet si garë armatimi apo kërcënim, atëherë bëhet fjalë për mënyrën e perceptimit të realitetit dhe jo për vetë realitetin, përfundon Ogorec./REL

vuçic serbi

Sondazh

Poll

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet

Dhunuan dhe kërcënuan me një pistoletë 70-vjeçarin në banesën e tij, arrestohen tre të rinjtë

Laura Pausini dhe Tom Cruise pjesë e ceremonisë së mbylljes së Botërorit 2026

Ish i burgosuri në Fier: Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin, bën vaki të kthehem prapë

I burgosuri falënderon Zotin pas daljes nga qelia: Jam krenar për burgun që kam bërë!

Amnistia Penale/ Vodhi 500 mijë euro në banesën e Alda Klosit, lirohet nga qelia Rozeta Dobi

Nis zbatimi i amnistisë penale/ I burgosuri në Drenovë lë qelinë: U dënova padrejtësisht

Nis zbatimi i amnistisë penale/ Lënë qelinë 541 të dënuar në të gjithë vendin

Riaktivizohet vatra e zjarrit në Novoselë, rrezikohen disa banesa

Marta Kos: Shqipëria po motivon edhe vendet e tjera kandidate

A do hapen kapituj të tjerë?/ Rama: Jam shumë optimist, deri tani jemi në drejtimin e duhur

Marta Kos: Shqipëria ecën përpara drejt objektivit ambicioz deri në fund të 2027