LIVE UPDATES
Bota

Erdogani me sy kah Perëndimi - çfarë do të thotë për Putinin?

Erdogan bëri fushatë kundër të drejtave të komunitetit LGBT, bllokoi anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe akuzoi Uashingtonin për ndërhyrje në zgjedhjet e majit, në të cilat u përball me një sfidë të madhe nga kandidati i qendrës së majtë, Kemal Kilicdaroglu.

24 Korrik 2023, 08:07 Nga A.B

Erdogani me sy kah Perëndimi - çfarë do të thotë

Në prag të betejës së tij më të ashpër zgjedhore në dy dekada, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, nuk ngurroi t’i godiste aleatët dhe parimet perëndimore, në përpjekje për të rritur mbështetjen nga votuesit konservatorë dhe nacionalistë.

Erdogan bëri fushatë kundër të drejtave të komunitetit LGBT, bllokoi anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe akuzoi Uashingtonin për ndërhyrje në zgjedhjet e majit, në të cilat u përball me një sfidë të madhe nga kandidati i qendrës së majtë, Kemal Kilicdaroglu.

Por, ai fitoi. Dhe tani që e ka të siguruar një mandat të ri pesëvjeçar, duket se ka nisur të korrigjohet edhe me vendet perëndimore.

Kjo sjellje e tij ngre një sërë pyetjesh: çfarë do të thotë ajo për marrëdhëniet e tij të përzemërta me presidentin rus, Vladimir Putin, për thellimin e lidhjeve ekonomike të Ankarasë me Moskën dhe për qasjen e Turqisë ndaj Kievit dhe luftës në Ukrainë?

Në prag të samitit të NATO-s, më 11 dhe 12 korrik në Lituani, Erdogan mori vëmendjen duke dhënë dritën jeshile për hyrjen e Suedisë në NATO dhe duke bërë thirrje për ringjalljen e përpjekjes së Turqisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Ditë më parë, derisa priti presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Ankara, ai tha se Ukraina e meriton anëtarësimin në NATO - gjë të cilën Rusia e ka përshkruar si një vijë të kuqe të fortë - dhe liroi pesë komandantë ushtarakë ukrainas - më herët seç i kishte premtuar Putinit.

Njoftimet i sollën Erdoganit pikë, duke përfshirë një takim dypalësh me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, premtimet për avionët luftarakë F-16 që ushtrisë së tij i nevojiten shumë, dhe zotimet e Suedisë për të ndërmjetësuar përmirësimin e bashkimit doganor Turqi-BE dhe për të bashkëpunuar kundër terrorizmit - që në mendjen e Ankarasë do të thotë goditje ndaj kurdëve.

Ekspertët, megjithatë, thonë se afrimi i dukshëm me Perëndimin nuk do të thotë se Erdogan është i lidhur me të ose është i përgatitur t’i rrezikojë marrëdhëniet e tij me Putinin. Putini i hodhi Erdoganit një litar financiar shpëtimi gjatë fushatës presidenciale, ndërsa udhëheqësit perëndimorë luteshin në heshtje që ai t’i humbiste zgjedhjet.

Animi në tentativë i Erdoganit kah Perëndimi nxitet kryesisht nga konsideratat pragmatike financiare - përkatësisht nevoja për investime më të mëdha të huaja, për të ringjallur ekonominë e Turqisë - por edhe nga imazhi i njollosur i Putinit, pas rebelimit jetëshkurtër të grupit mercenar Wagner në muajin qershor, thonë ekspertët.

Marrëdhëniet Turqi-Rusi janë nxitur kryesisht nga raporti personal i dy udhëheqësve autoritarë, por një Putin i dobësuar bëhet një partner më pak i besueshëm, thonë po ashtu ekspertët.

Erdogan “po përpiqet t’i ngrohë lidhjet me Perëndimin” tani që zgjedhjet kanë përfunduar, por ai dëshiron që afrimi të bëhet “me kushtet e tij”, thotë për Radion Evropa e Lirë Asli Aydintasbas, bashkëpunëtore në Institutin Brookings në Uashington.

Ajo thotë se ai nuk ka treguar ende asnjë synim për t’i trajtuar problemet që ka krijuar vetë e që kanë çuar në përkeqësim të marrëdhënieve me Perëndimin.

Trajtimi i tyre, sipas saj, është i rëndësishëm nëse Turqia është serioze sa i përket anëtarësimit në BE dhe përmirësimit të bashkimit të saj doganor me bllokun.

Nicholas Danforth, ekspert për Turqinë, shkroi në një postim në Twitter se nëse lëvizjet e Erdoganit merren si “ndryshim i madh” i tij ndaj Perëndimit, kjo do t’i jepte atij “pikërisht ato përfitime ekonomike dhe politike që po i kërkon, pa pasur nevojë të ndërmarrë ndonjë hap domethënës - të themi për të drejtat e njeriut apo sundimin e ligjit”.

Ruslan Suleymanov, bashkëpunëtor në Institutin për Zhvillim dhe Diplomaci, me qendër në Baku, vuri në dukje në një raport të botuar nga Instituti Carnegie Endowment se komentet e Erdoganit për integrimin evropian, synojnë ta rrisin mbështetjen për partinë e tij në qytetet pro-perëndimore, përpara zgjedhjeve lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Perëndimit janë acaruar nën Erdoganin, sepse, si udhëheqësi kryesor i vendit që nga viti 2003, ai ka lëkundur themelet e demokracisë, ka burgosur kundërshtarë, ka bërë ndërhyrje të huaja, ka kryqëzuar shpatat me vendet anëtare të BE-së dhe ka thelluar lidhjet me Putinin.

Lidhjet midis Rusisë dhe Turqisë janë vështirësuar ndonjëherë, por janë rikuperuar me shpejtësi pas mosmarrëveshjeve.

Në vitin 2015, Putin ka akuzuar Ankaranë për “thikë pas shpine” dhe ka ndaluar importet nga Turqia, pasi një avion luftarak turk ka rrëzuar një avion rus pranë kufirit sirian, por marrëdhëniet janë ngrohur përsëri disa muaj më vonë.

Erdogan ka zemëruar NATO-n me blerjen e një sistemi raketor rus, S-400.

Pas marrëveshjes prej 2.5 miliardë dollarësh me Moskën, Shtetet e Bashkuara e kanë përjashtuar Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35 në vitin 2019 dhe kanë refuzuar t’ia shesin Ankarasë avionin më të avancuar luftarak.

Marrëdhëniet kanë mbetur të tensionuara kur presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka marrë detyrën në vitin 2021. Gjatë fushatës, Biden e ka quajtur Erdoganin “autokrat” dhe ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet ta ndihmojnë opozitën turke që ta mposhtë atë në kutinë e votimit.

Në prill të vitit 2021, pas tre muajsh në presidencë, Biden i ka telefonuar Erdoganit. Ai e ka informuar atë se do t’i njohë si gjenocid vrasjet masive të armenëve në Perandorinë Osmane, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore.

Paraardhësit e Bidenit e kanë shmangur deklaratën për të mos e zemëruar Turqinë - një aleate strategjike, ushtria e së cilës është e dyta në NATO. Megjithatë, Biden, i cili demokracinë dhe të drejtat e njeriut i ka bërë elemente qendrore të politikës së tij të jashtme, nuk e ka pasur ndërmend t’u japë përparësi marrëdhënieve me Erdoganin, kanë thënë ekspertët në atë kohë.

Megjithatë, pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022, ia ka hapur dyert Erdoganit që të bëhet i domosdoshëm për NATO-n dhe Uashingtonin.

Ai është i vetmi udhëheqës i NATO-s në kontakt të rregullt me Putinin dhe gjithashtu ka marrëdhënie të mira me Zelenskyn - çfarë e bën një ndërmjetës potencialisht efektiv midis Rusisë dhe Ukrainës.

Erdogan ka mbajtur një ekuilibër delikat që nga pushtimi, duke dënuar Kremlinin dhe duke ndihmuar Ukrainën, duke rritur tregtinë me Rusinë dhe duke mbyllur sytë ndaj shmangies së sanksioneve.

Turqia ka vazhduar ta furnizojë Ukrainën me armë vdekjeprurëse dhe e ka bërë këtë shumë kohë përpara anëtarëve të tjerë të NATO-s. Dronët Bayraktar nga kompania turke, Baykar, kanë qenë të rëndësishëm për mbrojtjen e Ukrainës në fazat e hershme të luftës. Baykar, pjesërisht në pronësi të dhëndrit të Erdoganit, po ndërton një fabrikë në Ukrainë, që pritet të hapet në vitin 2025.

Erdogan ka ndihmuar edhe në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit, e cila i ka mundësuar Ukrainës të eksportojë grurë gjatë luftës, por Rusia është tërhequr prej saj javën e kaluar.

Erdogan ka ndihmuar, gjithashtu, në negocimin e shkëmbimeve të të burgosurve, duke përfshirë një në shtator të vitit 2022, në bazë të të cilit Turqia do t’i mbante disa komandantë të Regjimentit Azov deri në fund të luftës. Lirimi i burrave nga Erdogani në duart e Zelenskyt, përpara samitit të NATO-s, ka përmirësuar imazhin e tij brenda aleancës, por ka shkaktuar akuza nga Moska, se ai vepron në mënyrë “jomiqësore” ndaj saj.

“Unë mendoj se Erdogan është shumë i kujdesshëm që të mos e përçmojë Putinin, të paktën jo në kuptimin e drejtpërdrejtë personal”, thotë për Radion Evropa e Lirë Rich Outzen, ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, tani analist i Këshillit Atlantik.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duket se ka minimizuar lirimin e komandantëve të Azovit, duke thënë se Ankaraja ka qenë nën “shumë presion” përpara samitit të NATO-s dhe se ka dashur të tregojë “solidaritet” me aleancën.

Erdogan ka thënë se Moska i kupton arsyet e tij për lirimin e komandantëve të Azovit dhe Kremlini nuk ka komentuar më tej.

Erdogan do të ketë mundësi për të diskutuar lirimin e komandantëve dhe çështje të tjera me Putinin, kur ai ta presë liderin rus në gusht, në Turqi. Kremlini ende nuk e ka konfirmuar udhëtimin.

Putini është takuar me Erdoganin ndoshta më shumë se çdo lider tjetër jashtë ish-Bashkimit Sovjetik - një shenjë kjo e marrëdhënieve të tyre të mira të punës dhe e aftësisë për të ndarë interesat e tyre konkurruese në Ukrainë, Azerbajxhan, Siri dhe Libi.

Nëse vizita zhvillohet, ata ka të ngjarë të diskutojnë për luftën në Ukrainë, për ringjalljen e mundshme të marrëveshjes së grurit dhe për zgjerimin e lidhjeve ekonomike, thonë ekspertët.

Erdogan “do ta nxisë Putinin që të mendojë për zgjidhjen e konfliktit në terma që nuk çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”, thotë Outzen.

Në komentet e bëra për mediat më 21 korrik, Erdogan ka shfaqur shpresën se marrëveshja e grurit do të rifillojë pas takimit të tij me liderin rus në Turqi.

Me zgjedhjet pas tij dhe me uljen e tensioneve me Perëndimin, Erdogan, këtë herë, do të ketë një dorë më të fortë në bisedimet me Putinin, thonë ekspertët.

Dobësia e Erdoganit qëndron në varësinë e madhe të Turqisë nga energjia ruse dhe në ekonominë e saj të dobët, që është rezultat i politikave të tij.

Për rrjedhojë, Erdogan ka refuzuar t’i bashkohet Perëndimit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Analistët thonë se ai do që ta shmangë përkeqësimin e vështirësive ekonomike në vend, ku inflacioni është 40 për qind dhe monedha kombëtare pranë nivelit më të ulët kundrejt dollarit.

Rusia është bërë eksportuesja më e madhe në Turqi vitin e kaluar, duke tejkaluar Kinën, pasi Ankaraja ka rrëmbyer vëllime më të mëdha të naftës, gazit dhe qymyrit rus me zbritje, të cilat janë shmangur nga Perëndimi.

Dhe me Evropën e mbyllur, turistët dhe biznesmenët rusë janë duke vërshuar në Turqi.

Derisa Turqia ka ende nevojë për energji të lirë ruse, Putini dhe elita ruse kanë nevojë për Turqinë më shumë, thotë për Radion Evropa e Lirë Mark Katz, profesor i shkencave politike në Universitetin George Mason në Shtetet e Bashkuara, i cili fokusohet në marrëdhëniet e Rusisë me Lindjen e Mesme.

Turqia ka qenë një kanal i rëndësishëm për mallrat e sanksionuara në Rusi.

Duke qenë pa qasje në tregjet financiare perëndimore, rusët “kanë nevojë për qasje në Turqi, për të siguruar paratë e tyre”, thotë Katz.

“Ata nuk mund të përballojnë të shohin përkeqësimin e marrëdhënieve me Turqinë. Putini nuk dëshiron që Erdogan të shkojë më tej drejt Perëndimit”, thotë ai./REL

valdimir putin putin takohet me erdogan

Sondazh

Poll

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet

Dhunuan dhe kërcënuan me një pistoletë 70-vjeçarin në banesën e tij, arrestohen tre të rinjtë

Laura Pausini dhe Tom Cruise pjesë e ceremonisë së mbylljes së Botërorit 2026