LIVE UPDATES
Bota

Analiza e REL: Kush është keqllogaritja ushtarke që mund ta destabilizojë Ballkanin?

Armët bërthamore, raketat balistike dhe avionët luftarakë transformuan mënyrën e konceptimit të fuqisë në vitet që pasuan.

22 Mars 2026, 13:16 Nga E.d
Analiza e REL:  Kush është keqllogaritja ushtarke që mund ta
Foto ilustruse

Gara në armatim ekziston prej shekujsh, por pas Luftës së Dytë Botërore mori formë globale dhe sistematike, sidomos midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Armët bërthamore, raketat balistike dhe avionët luftarakë transformuan mënyrën e konceptimit të fuqisë në vitet që pasuan.

Sot, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, lëvizjet e Serbisë dërgojnë paralajmërime serioze.

Ky vend - partner i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian - bleu raketa balistike supersonike nga Kina për forcën e tij ajrore. Kështu, u bë fuqia e parë në Evropë e pajisur me raketat ajër-tokë CM-400AKG, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“E kemi bërë me sukses integrimin e raketave kineze në avionët rusë MiG-29 të gjeneratës së katërt. Këta janë sot ndër avionët më të mirë në Evropë - ndoshta edhe në botë. Raketat ajër-tokë nënkuptojnë goditjen e objektivave në tokë dhe kanë fuqi shkatërruese”, tha Vuçiq më 12 mars.

Reagimet ishin të shumta nga fqinjët që luftuan kundër Serbisë gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990.

Kroacia - sot anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian - e konsideroi blerjen e raketave kineze si kërcënim për stabilitetin rajonal dhe shenjë të rritjes së garës së armatimit në Ballkan, ndërsa Kosova akuzoi Serbinë për tendenca hegjemoniste ndaj fqinjëve.

Këto dy vende, së bashku me Shqipërinë, nënshkruan në mars të vitit 2025 një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën Vuçiq e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Serbisë - “nuk ekziston asnjë arsye tjetër për bashkimin e tyre, vetëm Serbia”.

“Ne po përgatitemi për sulmin e tyre. Ata nuk synojnë të mbrohen, por të sulmojnë. Po formojnë aleancë ushtarake për të na sulmuar”, tha Vuçiq teksa fliste për raketat kineze në Radio-Televizionin e Serbisë.

Ai nuk paraqiti asnjë provë për këto pretendime, të cilat Zagrebi, Prishtina dhe Tirana i hedhin vazhdimisht poshtë. Tha vetëm se forcat e armatosura serbe kanë në dispozicion edhe armë të tjera të sofistikuara, që nuk mund të bëhen publike.

Për njohësit e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, këto mesazhe dërgojnë sinjale frike dhe pasigurie në rajon, rrisin perceptimin e kërcënimit dhe shtyjnë vendet fqinje drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse. Kjo dinamikë, sipas tyre, mund të shndërrohet lehtësisht në një spirale të re armatimi, ku çdo veprim prodhon kundërveprim dhe tensionet vetëm se rriten.

Redion Qirjazi, ekspert i sigurisë në Shqipëri - vend anëtar i NATO-s, thotë se raketat kineze i japin Serbisë mundësi të reja për të projektuar fuqinë dhe ndryshojnë balancën e sigurisë në rajon; ato nuk janë thjesht mbrojtje - siç pretendon blerësi - por zgjasin kapacitetet ushtarake në distanca të largëta.

“Raketat kineze janë shumë precize. Një veçori shqetësuese e tyre është edhe shpejtësia e lartë - rreth Mach 4 deri Mach 5, ose deri në 6 mijë km/orë - që i fut në kategorinë e raketave të vështira për t’u interceptuar”, thotë Qirjazi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në Ballkan, Serbia mban tensione të hapura me Kosovën, ndaj së cilës ka pretendime territoriale, me Kroacinë dhe herë pas here me Malin e Zi. Marrëdhëniet e saj me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë më të qeta, ndërsa lidhja me Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet një rast i veçantë, që dallon nga pjesa tjetër e këtij shteti.

Blerjet e raketave kineze, sipas Kadri Kastratit, ekspert ushtarak nga Kosova, tregojnë qartë tendencën e Serbisë për t’u pozicionuar si aktori më i armatosur dhe më dominues në Ballkan dhe për ta mbajtur rajonin gjithmonë në teh të destabilizimit.

“Gjithë këtë armatim, Serbia është duke e blerë për të hyrë në garë, para së gjithash me Kroacinë. Pas furnizimit të Kroacisë me avionët Rafale nga Franca, Vuçiq bëri marrëveshje me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për blerjen e avionëve të tillë. Pra, është një garë mes tyre”, thotë Kastrati për Exposenë.

Edhe pse pretendon neutralitet ushtarak, Serbia është ushtria më e shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor. Vetëm në vitin 2024, shpenzoi 2.2 miliardë dollarë - rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe vendi i dytë në rajon për shpenzime ushtarake, sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkime mbi Paqen (SIPRI).

Serbia shpenzon dukshëm më shumë edhe se Kroacia, e cila gjithashtu është anëtare e NATO-s. Sipas SIPRI-t, dallimi në shpenzimet e mbrojtjes midis këtyre dy vendeve arrin në qindra miliona euro çdo vit.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia i ndryshoi burimet e saj të armatimit, duke iu drejtuar Kinës për dronë luftarakë dhe sistemin raketor anti-ajror FK-3, por nuk ndaloi as blerjet nga Perëndimi, si Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Në deklaratat e tij, Vuçiq i kushton vëmendje të veçantë sidomos forcës ushtarake të Kroacisë. Në vitin 2024, kur Serbia bleu avionë luftarakë shumëfunksionalë, Rafale, nga Franca, ai ironizoi duke thënë se kur Kroacia bën të njëjtën gjë, është “lajm i mirë për rajonin”, ndërsa kur Serbia i blen, bëhet “tragjedi”.

“Ne nuk krijojmë probleme askund, as nuk i planifikojmë, as nuk i synojmë. Ky është një sinjal i madh i besimit mes Francës dhe Serbisë. Ne vetëm duam ta ruajmë vendin tonë”, tha Vuçiq.

Katarina Gjokiq, hulumtuese në Institutin e Stokholmit për Kërkime mbi Paqen, thotë se krahasimet mes Serbisë dhe Kroacisë duhet parë me kujdes. Kroacia, si anëtare e NATO-s, planifikon kapacitetet e saj ushtarake brenda aleancës dhe ndjek detyrat përkatëse, ndërsa Serbia vepron jashtë këtij mekanizmi.

Gjokiq thotë se ekziston një tendencë e elitave politike që të shikojnë përtej kufirit dhe ta përdorin armatimin e fqinjëve si alibi për të justifikuar zgjerimin e fuqisë së tyre.

“Ajo që është shqetësuese - kur bëhet fjalë për Serbinë, Kosovën dhe Kroacinë - është fjalori i papërgjegjshëm i elitave politike, që rrit tensionet, në vend se të shfrytëzohen mekanizmat ekzistues rajonalë ose të krijohen të rinj për komunikim dhe zgjidhje të problemeve. Thjesht, ekziston një prirje për të shkuar drejt rritjes së tensioneve - gjë që mund të jetë e rrezikshme, sepse edhe te qytetarët krijohet ndjenja e pasigurisë dhe frika se çfarë mund të ndodhë”, thotë Gjokiq për Exposenë.

Qirjazi paralajmëron se një klimë e tillë tensionesh dhe mosbesimi mund të çojë në interpretime të gabuara nga pala tjetër, duke nxitur reagime të shpejta dhe të pakontrolluara.

Kjo rrit rrezikun e përshkallëzimit edhe pa një qëllim të drejtpërdrejtë për konflikt - një situatë të cilën Qirjazi e përkufizon si “keqllogaritje”.

“Këtë e kemi parë edhe në konfliktin e fundit midis Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, ku argumenti ishte se kemi prova që Irani do të sulmonte i pari, ndaj ne goditëm. Apo - edhe në rastin e Irakut - u tha se Saddam Husseini do të krijonte armë bërthamore dhe do t’i përdorte kundër aleatëve në rajon, ndaj ne do të veprojmë. Kjo është ajo spiralja e sigurisë dhe përshkallëzimi”, shpjegon Qirjazi.

Në përgjigje të blerjes së raketave kineze, Bashkimi Evropian - ku Serbia synon të anëtarësohet - tha se vendi duhet të bëjë zgjedhje të qarta strategjike në rrugën e integrimit. Ndërkohë, NATO-ja, partnere e Serbisë, nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si e sheh bashkëpunimin e vazhdueshëm të Beogradit me Pekinin.

Në muajin maj, aleanca perëndimore do të mbajë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Serbinë në poligonin Borovac, pranë kufirit me Kosovën.

Në një postim në rrjetet sociale, Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli tha se stërvitja do të zhvillohet me ftesë të Serbisë. Sipas saj, ajo forcon bashkëpunimin praktik dhe mbështet stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Për Qirjazin, kjo dëshmon se Serbia ndjek strategjinë e “lojës me disa porta”. Nga njëra anë i hap derën Kinës për të rritur ndikimin në rajon, dhe nga ana tjetër bashkëpunon me Perëndimin për të krijuar një lloj varësie të ndërsjellë.

“Kjo strategji ka qenë karakteristike edhe e ish-Jugosllavisë me Titon, pasi mbante partneritete dhe aleanca me shumë aktorë të ndryshëm strategjikë, në mënyrë që të krijonte një varësi të këtyre superfuqive ndaj këtij vendi”, thotë Qirjazi.

Sipas tij, kjo qasje i jep Serbisë më shumë hapësirë manovrimi dhe i vendos aktorët ndërkombëtarë në një pozitë më të ndërlikuar në rast të konfliktit të mundshëm. Gjokiq pajtohet, por vë në pah edhe një aspekt tjetër:

“Një nga arsyet pse shumë vende sigurojnë armë nga Kina është se ato janë më të lira. Rasti i Serbisë është pak më specifik në aspektin gjeografik, sepse ajo ndodhet në Evropë dhe prej saj ka pritje të tjera”.

“Unë, për shembull, merrem me Afrikën Perëndimore dhe e di se atje ka shumë vende që kanë marrëdhënie të shkëlqyera me BE-në dhe, në të njëjtën kohë, sigurojnë armatim nga Kina, sepse është më i lirë”, thotë Gjokiq.

Vuçiq nuk zbuloi çmimin e raketave kineze CM-400AKG, të cilat mund të bartin deri në 200 kg material shpërthyes, por i përshkroi si “shumë të shtrenjta”.

Sipas raportit të fundit të SIPRI-t, blerjet e armëve në Evropë janë rritur ndjeshëm, duke e bërë kontinentin rajonin më të madh importues - me një rritje prej 210% midis periudhave 2016-2020 dhe 2021-2025.

Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, kanë rritur dominimin në eksportet e armëve - me Kosovën një prej klientëve të shumtë të tyre. Zyrtarët kosovarë të Mbrojtjes theksojnë se blerjet e armëve bëhen ekskluzivisht nga aleatët e NATO-s./REL

nato ballkan serbi

Sondazh

Poll

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet

Dhunuan dhe kërcënuan me një pistoletë 70-vjeçarin në banesën e tij, arrestohen tre të rinjtë

Laura Pausini dhe Tom Cruise pjesë e ceremonisë së mbylljes së Botërorit 2026

Ish i burgosuri në Fier: Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin, bën vaki të kthehem prapë

I burgosuri falënderon Zotin pas daljes nga qelia: Jam krenar për burgun që kam bërë!

Amnistia Penale/ Vodhi 500 mijë euro në banesën e Alda Klosit, lirohet nga qelia Rozeta Dobi

Nis zbatimi i amnistisë penale/ I burgosuri në Drenovë lë qelinë: U dënova padrejtësisht

Nis zbatimi i amnistisë penale/ Lënë qelinë 541 të dënuar në të gjithë vendin

Riaktivizohet vatra e zjarrit në Novoselë, rrezikohen disa banesa

Marta Kos: Shqipëria po motivon edhe vendet e tjera kandidate

A do hapen kapituj të tjerë?/ Rama: Jam shumë optimist, deri tani jemi në drejtimin e duhur

Marta Kos: Shqipëria ecën përpara drejt objektivit ambicioz deri në fund të 2027