LIVE UPDATES
Ekonomi

As te gabi shqiptarët nuk po blejnë më. Pandemia i ka varfëruar më shumë shqiptarët, problematikat që hasen çdo ditë

1 Nëntor 2020, 14:18 Nga DOSJA
As te gabi shqiptarët nuk po blejnë më. Pandemia i ka

“Hajde tek Gazi, hajde tek Gazi! Oferta e fundjavës dy copë 100 lekë. Më të mirat dy copë 300 lekë”. Gazi ishte një prej tregtarëve në tregun “5 Maji” të rrobave të përdorura që përpiqej të sfidonte maskën, koronavirusin dhe të shtunën e vaktë e pahumor mes blerëve të paktë.

Kisha kohë pa e vizituar atë treg, pothuajse një vit. Që nga hera e fundit që kisha qenë, kishte ndryshim të madh. Mbaj mend që asokohe mezi ecje dhe humbisje ndër rrugët paralele të mallrave që tregtarët përpiqeshin t’i sistemonin në kremastarët e mëdhenj prej hekuri.

Disa syresh të tjerë, nga përtacia i linin dhe grumbuj e gratë e burrat zhyteshin me kokë ndër thasë për të zbuluar “Amerikën”; ato rroba firmato që në dyqanet e luksit nuk do t’u afroheshin dot kurrë.

Tregu “5 maji” ishte i përgjumur sot (të shtunën), edhe pse është periudha e javës kur tipologjia e këtyre tregjeve frekuentohet më shumë.

“Oferta bëjmë për ditë, nuk ka punë. Puna ka rënë gati 50%. Këto rrobat blihen nga të varfrit dhe me sa duket varfëria është ulur këmbëkryq nga pandemia. Nuk ka punë, nuk ka lekë. Njerëzit nuk blejnë. Një vit më parë unë bëja nga 300-500 mijë lekë (të vjetra) në ditë. Tani mezi i bëj 100 mijë lekë”, thotë Gazi, një djalë i ri rreth të 35-ave që tregton rroba dhe atlete.

Mandej në një rrugë tjetër paralele takoj Enverin. Ai shet rroba, kryesisht pulovra dhe xhupa.

“Tek unë historikisht kanë ardhur njerëz të njohur publikë; artistë teatri dhe kinemaje, njerëz që i shohim në televizor. Kanë blerë pa fund. Por kriza bën të vetën. Nuk ka shumë xhiro tani. Mund të them që puna ka rënë deri në 70%”, më shpjegon Enveri, i cili furnizohet tek magazinat e mëdha në vend dhe i blen rrobat që tregton me kg. Ai mandej më thotë se kilogrami vijon nga 300 lekë deri në 1300 lekë. Pasi bën llogaritë, u vendos rrobave çmim sipas copëve.

“Nuk pëlqej të abuzoj me çmimin, sidomos në këtë kohë sepse edhe konkurrenca është e madhe. Shkon tek ai tjetri klienti”, thotë Enveri.

Duke shëtitur nëpër tregtarë të ndryshëm, zërat e atyre që bërtasin dhe ofertat përzihen me njëra-tjetrën. Ti nuk kupton asgjë, por mesa duket rëndësi ka atmosfera, energjia për ta që të zgjojë pak këtë vend, që dikur ziente.

“Njerëz nuk është se nuk ka, sepse kanë nevojë të blejnë, shkojnë në punë, në shkollë, dalin për nevojat e tyre dhe do vishen, por nuk blejnë si më parë. Më parë vinin të gjitha moshat, tani mosha e tretë ka rënë”, më thotë një tjetër zotëri që nuk do të dentifikohet me emër.

Mandej takoj dy shoqe studente me nga qese me rroba secila. Më shpjegojnë që janë studente dhe punojnë.

Secila kishte shpenzuar nga 3000 lekë për të blerë rrobat e stinës.

“Në fakt nuk kemi mundur të shpenzojmë sa vitin e kaluar. Është shtrënguar pak. Ne jemi në punë dhe kemi nevojë të blejmë. Por shoqet tona që janë larguar nga puna, këtë sezon do të mbajnë ato rroba që kishin që vitin e kaluar. Edhe ne nuk blemë ndonjë gjë të madhe. Ato të domosdoshmet; xhup dhe pulovër. Por këtu gjejmë edhe marka të mira dhe cilësi të mirë”, më tha një prej tyre, e cila edhe ajo më konfirmon se në rrethin e saj kriza ndjehet.

Në një dyqan më tutje një grua në moshë të mesme po kërkonte një pulovër për të shoqin. Tregtari ofronte dy lloj cilësi veshjesh; me 100 lekë dhe 300 lekë dhe zonja mund të blinte vetëm një pulovër. “Një duhet të zgjedh, nuk mundem më shumë. Unë jam në pension, burri është në punë. Ai ka nevojë. Unë do ta shtyj me këto që kam”, më thotë ajo.

Mandej shkoj tek rrjeti “Berlinex”, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Në fakt në këtë dyqan, i cili ka më shumë se 10 vite në treg, çmimet nuk janë si tek tregu “5 Maji”. Rrjeti furnizohet direkt në Gjermani dhe ka katër pika në Tiranë për shitje me pakicë.

Dy zonja që po rrëmonin tek pulovrat e varura po mërmërinin me njëra-tjetrën se ishin shumë shtrenjtë. “Eh moj vajzë. Më parë nuk i shikonim fare çmimet. Blinim e hidhnim. Tani kemi ardhur thjesht të marrim ato të domosdoshmet e të zëvendësojmë ato që na janë grisur, prandaj po mendohemi çfarë të marrim me çmim të arsyeshëm. Tani çdo gjë na duket e shtrenjtë. Të mos kishim njerëzit jashtë, do kishim vdekur”, më thonë zonjat duke vijuar këqyrjen e rrobave.

Edhe te “Berlinex” nuk pashë shumë njerëz, megjithatë menaxherja më bëri një përshkrim jo aq dramatik të situatës si ai në tregun “5 Maji”. Sipas saj, vetëm ditët e para pas karantinës, njerëzit mbanin higjienë maksimale dhe kishin merak nga rrobat e përdorura. Mandej, thotë ajo, situata u stabilizua.

“Njerëzit blejnë, blejnë shumë. Kategoritë janë sipas sektorëve, amvisat tek produktet e shtëpisë, të rinjtë tek rrobat, por varet. Ditët ekuilibrojnë njëra-tjetrën. Kur nuk ka një ditë, dynden ditën tjetër. Ka shumë njerëz gjatë fundjavës se vijnë shohin me nge ngaqë janë pushim. Vërtet ka krizë, por sjellja konsumatore shqiptare është e çuditshme, shpesh rri edhe pa ngrënë dhe rrobat i ble, kryesisht të rinjtë”, shpjegon ajo.

Në fakt janë disa kategori njerëzish që frekuentojnë rrobat e përdorura ose ndryshe të dorës së dytë; ata që nuk kanë mundësi financiare t’i drejtohen dyqaneve me rroba të reja; ata që duan rroba firmato të një cilësie të mirë; dhe ata që kanë një qasje ambientaliste dhe u shkon përshtat riveshja. Këta të fundit e poetizojnë situatën duke artikuluar se përpos se ndihmojnë mjedisin, ata veshin edhe historinë e atij/asaj që e ka veshur më parë.

Antuena është gazetare, e paguar relativisht mirë. Ka stil të veçantë dhe vishet bukur. Ajo i ka frekuentuar përherë tregjet e rrobave të përdoruara.

“Sapo dolëm nga karantina, aty vrapova”, më thotë duke qeshur.

“Kam qenë gjithnjë blerëse në tregjet e veshjeve të përdorura. Së pari, aty gjen veshje të një cilësie që në tregjet shqiptare të përmbytura nga mallrat kineze – dhe në rastin më të mirë ato turke – nuk i sheh. Të blesh veshje të markave me çmime qesharake të tipit 2 mijë apo pesë mijë të vjetra, të duket arritje. Madje unë me krenari ua tregoja çmimet mikeshave të mia, kur më përgëzonin për një veshje, të blerë në dyqanet second hand”, tregon Antuena.

Ajo vijon rrëfimin duke më shpjeguar se, nëse fillimisht mendohej se shumica e shqiptarëve ishin frekuentues dhe blerës në tregjet e veshjeve të përdorura edhe për shkak të pamundësisë financiare për të përballuar çmimet e të rejave, sot gjithnjë e më shumë njerëzit shtyhen nga motive të tjera, siç mund të jetë ajo mjedisore.

“Unë personalisht shtyhem nga kjo qasje. Industria e modës është sot një nga ndotëset më të mëdha dhe veçanërisht e ashtuquajtura “fast-fashion”. Duke blerë veshje të përdorura ndihmon – sadopak – të mos përfundojnë në landfille, ku shumë materiale joorganike duan vite e vite të treten. Si vegjetariane që jam, e shoh joetike blerjen e veshjeve si gëzofët – megjithëse ka një lëvizje edhe në industrinë e modës së lartë për ta hequr nga përdorimi, kjo edhe për shkak të advokimit që bëjnë organizata si PETA. Njësoj është edhe për blerjen e veshjeve apo këpucëve të lëkurës. Megjithëse ndryshe nga gëzofët, ku kafshët e egra vriten me qëllimin për t’u bërë peliçe apo kapele e shaje, lëkura e bagëtive përdoret jo si qëllim kryesor, por sekondar, pasi mishi shkon për konsum”, thotë Antuena.

I vetmi lëshim që ajo bën në këtë rast, është blerja e këpucëve, por në tregje që kanë vërtet artikuj shumë të vjetër – “jo për nga vlera, por nga përdorimi – e që ndryshe do të përfundojnë në landfille dhe lëkura e përpunuar do nga 20 deri në 40 vite të dekompozohet.”

Në blerjet e saj hyjnë artikujt me përbërje pambuku apo linoje më së shumti, kjo për arsye etike.

Por sado të duket situatë win-win (fitim-fitim), thotë ajo, si për xhepin ashtu edhe për mjedisin, në fund mund të përfundosh duke krijuar varësi nga blerjet.

“Shakanë mënjanë, por gjatë karantinës vërtet më mungonin ato orët që kaloja duke kontrolluar në tregjet e të përdorurave. Është një lloj terapie anti-stres dhe një ndjesi fitoreje, kur pasi ke kërkuar gjatë, gjen diçka me vlerë dhe me një çmim të mirë. E kotë të them që rezistova gjatë pas detoksit të karantinës. U ktheva me t’u hapur tregjet. Nuk di ta llogaris nëse kam blerë njësoj si më parë, edhe pse ditët e para ishim të gjithë të pasigurtë për të ardhmen e financave. Por isha dorështrënguar vetëm në fillime. Por tani e kam fokusuar blerjen tek veshjet më minimaliste dhe ato që në gardërobë quhen artikuj të “pakohë”, pavarësisht tendencave sezonale që shkojnë e vijnë”, shpjegon Antuena.

Ajo vlerëson se, megjithëse ditët e para pas hapjes kishte fare pak njerëz, “ka parë që së fundi janë kthyer blerjet si më parë”. “Ndonjëherë zonjat aq të fokusuara janë në kërkimin e tyre sa harrojnë edhe distancat si masë kundër Covid-19. Nga sa kam pasur mundësi të flas me shitësit e veshjeve të përdorura, izolimi u shkaktoi humbje të mëdha, por gjithsesi mbetet biznes që nuk i lë në baltë, për sa kohë – më duket mua edhe nga vëzhgimet nga afër – ka shumë njerëz që u drejtohen dyqaneve apo tregjeve të të përdorurave. Motivet mund të jenë të ndryshme, por gjithnjë e më shumë në botë flitet për ripërdorim dhe riciklim”, shprehet Antuena.

Në fakt, pavarësisht perceptimeve, tregu i rrobave të përdorura ka nisur të bjerë që në vitin 2017.

Të dhënat nga doganat tregojnë se në vlerë monetare në 2015 tregtarët e shumicës kanë importuar 1 mld e 157,080,503 lekë, në 2016 kanë importuar 1 mld e 195,082,244, në 2017 – 1 mld 225,778,413. Kurse në 2018-n 1 mld 3 029,091,898 lekë dhe në 2019 janë importuar 922,752,027 lekë.

Të dhënat për 9 mujorin e 2020 janë 596,858,329 lekë.

Vendet nga të cilat kryejmë importet më të mëdha të rrobave të përdorura janë; Italia, Gjermania, Belgjika, Austria, Nepali.

Tregtarët thonë se nuk janë optimistë për ecurinë, nisur nga situata shëndetësore në Europë dhe në vend. Ata i druhen një mbylljeje të dytë apo kufizimeve të mundshme, gjë që sipas tyre sjellë frikë e pasiguri edhe ndër njerëz.

“Ne shpresojmë të mbajmë frymën gjallë, të paguajmë qiratë e ç’të na ngelë pastaj. Ne jemi populli më i varfër në Europë. Çfarë do të shpresojmë më shumë. E kuptoni ku ka arritur puna? Edhe të varfrit janë bërë më të varfër e nuk vijnë dot as këtu tek ne”, përfundon bisedën një tregtar tek “5 Maji” duke më përshëndetur me dorën lart.

Marrë nga Gazeta “Si”

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

sociale sociale pandemia e koronavirusit tregu në tiranë pandemia e koronavirusit tregu në tiranë

Sondazh

Poll
Ekonomi 31 Tetor 2020, 08:36

Buxheti i borxheve dhe koncesioneve në Shqipëri

TIRANË- Edhe pa pandeminë Covid-19, Shqipëria e kishte të brishtë stabilitetin fiskal. Në vitet normale, qeveritë tona historikisht kanë grumbulluar më pak...

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet