LIVE UPDATES
Aktualitet

Tregu celular, mes sfidave të konkurrencës dhe nevojës për t’u rimëkëmbur

Autoriteti i Konkurrencës vendosi në fund të vitit të kaluar hapjen e një hetimi të thelluar në tregun e shërbimeve celulare. Hapja e hetimit lidhet me rritjen e çmimit të paketave të komunikimit celular gjatë viteve të fundit dhe ndryshimin e strukturës së tregut.

31 Janar 2026, 07:33 Nga E. D
Tregu celular, mes sfidave të konkurrencës dhe nevojës për
Foto ilustruese

TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës hapi në fund të 2025 një hetim të thelluar në tregun celular, të motivuar me përqendrimin e tregut në dy operatorë dhe rritjen e çmimit të paketave të komunikimit. Megjithatë, treguesit financiarë të kompanive për dekadën e fundit tregojnë një performancë modeste dhe fitime të ulëta.

Në afatin e gjatë, një ecuri e tillë vështirëson mbështetjen e investimeve të reja, sigurimin e një cilësie të lartë shërbimi dhe e bën tregun më pak tërheqës për investitorët.

Autoriteti i Konkurrencës vendosi në fund të vitit të kaluar hapjen e një hetimi të thelluar në tregun e shërbimeve celulare. Hapja e hetimit lidhet me rritjen e çmimit të paketave të komunikimit celular gjatë viteve të fundit dhe ndryshimin e strukturës së tregut.

Tregu shqiptar, në dekadën e fundit, ka kaluar në një fazë përqendrimi gradual, me uljen e numrit të operatorëve nga katër në dy.

Ulja e numrit të operatorëve ka rritur shqetësimin se prania e më pak ofruesve të shërbimit do të sjellë çmime më të larta dhe në fakt një tendencë e tillë ka nisur të shfaqet pas vitit 2022.

Megjithatë, duhet thënë se vetë procesi i përqendrimit të tregut në vetëm dy aktorë ishte rrjedhojë e përkeqësimit të treguesve financiarë dhe e një strukture tregu që nuk rezultoi e qëndrueshme në afatin e gjatë. Konkurrenca e ashpër dhe nevoja e vazhdueshme për investime për më shumë se një dekadë solli rënie drastike të fitimeve të kompanive.

Sipas të dhënave të pasqyrave financiare, fitimet e siguruara nga operatorët në dekadën e fundit kanë qenë zhgënjyese.

Në dhjetë vitet e fundit (deri në vitin 2024), fitimi EBIT (fitimi para interesave dhe taksave) i dy kompanive celulare ka qenë vetëm 9 milionë euro, ndërsa fitimi përfundimtar neto, pas taksave, ka qenë negativ, me humbje në vlerën e 67 milionë eurove.

Në vlerë absolute, në dekadën e fundit Vodafone Albania ka regjistruar një fitim neto në vlerën e 19 milionë eurove. Kjo përkthehet në një marzh fitimi nga xhiroja prej vetëm 1.1% dhe një kthimi nga kapitali i investuar në masën 2.3%.

Për One Albania, rezultati financiar neto i dekadës së fundit ka qenë negativ në vlerën e 86 milionë eurove, me një marzh fitimi neto mbi xhiron negative, në masën -7.9% dhe një kthim nga kapitali gjithashtu negativ, në masën -1.5%.

Megjithatë, mbështetur në të dhënat e pasqyrave financiare, indikatori i intensitetit të kapitalit, që mat shpenzimet kapitale në raport me të ardhurat totale të operatorëve, për dekadën e fundit ka qenë mesatarisht 25%.

Ky tregues duket se është sipër atij që pranohet si niveli benchmark për këtë industri, në intervalin midis 15% dhe 20%.

Në 10 vitet e fundit, vlera e investimeve të dy kompanive celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, në dekadën e fundit arriti në 586 milionë euro.

Dy kompanitë që dolën nga tregu, Plus Communication dhe Albtelecom rezultuan me humbje nga aktiviteti në shërbimet celulare gjatë gjithë ekzistencës së tyre.

Një performancë e tillë vështirë se mund të mbështesë shëndetin financiar afatgjatë të kompanive dhe të garantojë investimet e nevojshme, të lidhura me mirëmbajtjen dhe rritjen e kapaciteteve transmetuese të rrjeteve, me amortizimin e shpejtë në kohë të aseteve teknologjike, si dhe kapërcimin e radhës në teknologjinë 5G.

Në afat të shkurtër, ashpërsimi i konkurrencës mund të sjellë përfitime për konsumatorët, nëpërmjet çmimeve më të ulëta, madje në raste të veçanta edhe çmimeve “grabitqare”, me qëllim zgjerimin e bazës së klientëve ose ruajtjen e kësaj baze, nga operatorët përkatës.

Një strukturë e tillë tregu nuk mund të jetë e qëndrueshme në afatin e gjatë, sepse ka tendencën të gërryejë përfitueshmërinë e operatorëve, të reduktojë burimet dhe stimujt për shtimin e investimeve dhe në përgjithësi, ta bëjë tregun më pak tërheqës për investitorët.

Madje, AKEP si rregullator sektorial, pati shprehur shqetësimin për konkurrencë me çmime të pajustifikuara ekonomikisht dhe kishte kërcënuar ndërhyrjen, në rast se një praktikë e tillë do të vazhdonte.

Veç dështimit të dy operatorëve më të vegjël, dalja jashtë tregut e shqiptar e Deutsche Telekom, në vitin 2019 ilustron faktin që ky treg u bë më pak tërheqës për investitorët e rëndësishëm strategjikë.

Kostot e larta dhe nevoja për investime intensive i bëjnë në themel tregjet celulare oligopole natyrore: brenda kësaj strukture tipike, numri “i duhur” i aktorëve në afat të gjatë vendoset nga ekuilibrat e tregut.

Një element i rëndësishëm në këtë drejtim mund të jetë edhe madhësia e tregut. Shqipëria është një treg relativisht i vogël, me një tendencë në rënie të numrit të banorëve dhe rrjedhimisht, edhe të përdoruesve potencialë të shërbimeve celulare.

Censi i fundit i vitit 2023 numëroi një popullsi prej vetëm 2.4 milionë banorësh, me rënie të ndjeshme nga popullsia prej 2.8 milionësh që ishte regjistruar në Censin e vitit 2011. Përmasa e vogël e tregut përcakton kosto më të larta për njësi dhe e bën të vështirë përfitimin nga mekanizmi i ekonomisë së shkallës.

Ndryshimi i strukturës së tregut po përmirëson performancën financiare

Të dhënat e vitit të fundit të disponueshëm, 2024, tregojnë se ndryshimi në strukturën e tregut të shërbimeve celulare ka nisur të sjellë përmirësime në performancën financiare të kompanive.

Për vitin 2024, Vodafone Albania raportoi një fitim neto në vlerën e 12 milionë eurove, nga 3 milionë euro një vit më parë. Norma e fitimit neto mbi xhiron u përmirësua në 6.1%, nga 1.7% që kishte në vitin 2023. Ndërsa, kthimi nga kapitali aksioner u rrit në 7.4%, nga 1.2% që kishte qenë një vit më parë.

One Albania për 2024 raportoi një fitim neto në vlerën e 5 milionë eurove, nga 1 milion euro në vitin 2023. Norma e fitimit u rrit në 2.9%, nga 0.4% një vit më parë. Kthimi nga kapitali aksioner gjithashtu u përmirësua në 6.5%, nga 3.4% që kishte qenë në vitin 2023.

Megjithatë, normat e fitimit dhe të kthimit të këtij sektori janë ende mjaft të ulëta në raport me kthimet optimale të pritshme nga investitorët në një treg të shëndetshëm.

Kthimet aktuale nga kapitali (përkatësisht 7.4% për Vodafone Albania dhe 6.5% për One Albania) janë ende poshtë kostos së kapitalit, që aktualisht operatorët e vlerësojnë në nivelin 10%. Kthimet nga investimi janë gjithashtu dukshëm më të ulëta me sektorët e tjerë strategjikë të shërbimeve në ekonomi.

Natyrisht që ruajtja e konkurrencës efektive është e rëndësishme dhe rregullatorët duhet të luajnë rolin e tyre në mbrojtje të saj dhe interesave të konsumatorëve.

Por, nga ana tjetër, tregu i komunikimeve elektronike mund të ketë nevojë për të konsoliduar performancën e tij, me qëllim për të qenë një sektor tërheqës për nxitjen e investimeve të reja, për promovimin e inovacionit dhe për të qenë një hallkë solide në një mjedis gjithnjë e më të digjitalizuar të produkteve, shërbimeve dhe proceseve të punës.

Një shëndet i mirë financiar i operatorëve është i rëndësishëm edhe në dimensionin e ruajtjes dhe shtimit të burimeve njerëzore cilësore. Tregjet e punës, veçanërisht në profilet e lidhura me teknologjinë dhe komunikimin, janë gjithnjë e më të globalizuara.

Tregu shqiptar e ka përjetuar qartë një konkurrencë në vitet e fundit në shumë sektorë të tij, me pasojë largimin jashtë vendimit të profesionistëve të rinj ose angazhimin e tyre në distancë për kompani të huaja.

Në një mjedis të tillë, shëndeti i mirë financiar i kompanive është parakusht i domosdoshëm për investimin në burime njerëzore, si themeli kryesor i suksesit afatgjatë në biznes.

Në rrethana të caktuara, një proces përqendrimi i tregut mund të mos jetë domosdoshmërisht zhvillim negativ, veçanërisht në ato tregje ku kërkohet angazhim i madh kapitali.

Një tendencë të ngjashme, ekonomia shqiptare e ka dëshmuar në tregun bankar. Pas vitit 2015, në treg nisi një cikël shitblerjesh dhe bashkimesh mes bankave, që gradualisht e uli numrin e bankave aktive nga 16 në 11.

Ky cikël ndihmoi krijimin e bankave më të mëdha, më të shëndetshme dhe më të gatshme për të marrë përsipër rrezik dhe për të financuar ekonominë. Ritmet e kreditimit të ekonomisë u përshpejtuan dhe në 2024 arritën ritmet më të larta në 16 vitet e fundit.

Raporti i kredive me probleme gjithashtu ka rënë gradualisht në nivelin më të ulët në 16 vjet. Në tërësinë e vet, cikli i konsolidimit të sektorit ka sjellë një efekt pozitiv për ekonominë, duke rritur aksesin e bizneseve dhe familjeve në financime, që kanë mbështetur zgjerimin e konsumit dhe të investimeve.

Në fakt, nga përvoja botërore, konsolidimi është një tendencë tipike edhe në tregjet e shërbimeve celulare.

Përgjithësisht, pas një faze fillestare të shtimit të numrit të operatorëve, që në Europë zgjati afërsisht deri në vitin 2010, gradualisht këto tregje kanë tentuar të zhvendosen përsëri drejt përqendrimit, nëpërmjet shitblerjeve dhe bashkimeve mes operatorëve.

Një tendencë e tillë është vërejtur në shumicën e tregjeve të Europës dhe Rajonit. Konsolidimi mund të ofrojë disa avantazhe, si një strukturë më e shëndetshme për zhvillimin afatgjatë dhe të ndihmojë në rritjen e eficiencës operacionale.

Një strukturë tregu më e përqendruar mund të disiplinojë politikat e çmimeve, duke shmangur praktika të çmimeve “grabitqare” dhe përpjekjet për të fituar pjesë tregu në dëm të shëndetit financiar.

Përmirësimi i parametrave financiarë do të krijonte edhe më shumë hapësira për inovacion dhe investime të reja dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik, si një kolonë thelbësore e digjitalizimit të saj.

Shërbimet e komunikimit kanë rëndësi jetike, në një epokë kur shoqëria njerëzore po mbështetet gjithnjë e më shumë te teknologjia dhe digjitalizimi.

Digjitalizimi i shërbimeve dhe proceseve ka një hallkë thelbësore: komunikimin dhe ndërveprimin, që mundësohet pikërisht nga operatorët e komunikimeve elektronike. Sa më shumë përparon digjitalizimi i shërbimeve publike dhe private, aq më shumë shtohet nevoja për kapacitete komunikimi të shpejta, të besueshme, por edhe të sigurta.

Vitet e fundit, rreziku nga sulmet kibernetike është bërë gjithnjë e më i prekshëm. Investimi në sigurinë e sistemeve dhe rrjeteve është i rëndësishëm po aq sa zhvillimi, përditësimi dhe mirëmbajtja e tyre.

Edhe për sektorin publik, një sektor më i qëndrueshëm telekomunikacionesh është një partner më i besueshëm për digjitalizimin e shërbimeve, ngritjen e një infrastrukture inteligjente dhe përmbushjen e objektivave kombëtare të ndërlidhjes.

Nga ana tjetër, nxitja e investimeve afatgjata të operatorëve ka nevojë për një mjedis më të qëndrueshëm ligjor dhe rregullator. Vrojtimet periodike me shoqatat përfaqësuese të biznesit evidentojnë si një nga shqetësimet kryesore paqëndrueshmërinë e mjedisit rregullator dhe fiskal.

Ndërkohë që pritshmëritë dhe kërkesat për operatorët celularë janë gjithmonë të larta, mjedisi burokratik ende krijon pengesa për aktivitetin e tyre.

Operatorët celularë ankohen se hasin vështirësi dhe zvarritje të gjata në marrjen e lejeve të nevojshme për ngritjen e kullave të reja të antenave, që do të përmirësonin më shumë cilësinë e mbulimit të territorit me sinjal.

Në Shqipëri ende nuk ka incentiva të mirëfillta për teknologjitë e reja, si Inteligjenca Artificiale, Interneti i Gjërave (IoT) dhe teknologjisë 5G si një hallkë thelbësore për aksesin në shërbimet virtuale që do të nxiste inovacionin.

Incentiva të tilla mund të jenë të dobishme, për të kompensuar pjesërisht kufizimet që vijnë nga madhësia e vogël e tregut dhe niveli relativisht i ulët i të ardhurave mesatare.

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim të thelluar ndaj kompanive

Autoriteti i Konkurrencës hapi në fund të vitit 2025 hetim të thelluar ndaj dy kompanive të ofrimit të shërbimeve celulare në vend, Vodafone Albania dhe One Albania.

Siç kishte paralajmëruar në muajin tetor, gjatë raportimit në Kuvendin e Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës, gjatë fazës së hetimit paraprak të tregut, ka arritur në përfundimin se mund të ketë elemente të sjelljeve antikonkurruese në këtë treg.

Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janari 2022 deri më 18 nëntor 2025.

Në argumentimin e vendimit, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se tregu me pakicë i shërbimeve celulare në Shqipëri paraqitet si një duopol, ku dy operatorët në fjalë zotërojnë së bashku 100% të tregut.

Kjo strukturë tregon përqendrim të lartë tregu dhe një nivel të kufizuar konkurrence efektive, duke krijuar kushte të favorshme për pozitë dominuese kolektive.

Nga hetimi paraprak që përfshiu periudhën nga 1 janari 2022 deri më 25 korrik 2025, është konstatuar se ndërmarrjet Vodafone Albania dhe One Albania kanë ndjekur një sjellje të ngjashme tregtare në lidhje me ofertat e tyre të shërbimeve celulare, përfshirë paketat me parapagesë, me kontratë dhe shërbimet roaming.

Në këtë periudhë, Autoriteti i Konkurrencës konstaton një rritje progresive dhe pothuajse e sinkronizuar të çmimeve, ndërkohë që nuk rezulton që këto ndërmarrje të kenë përdorur një metodologji të përllogaritjes së kostove, që do të justifikonte ndryshimet e çmimeve të aplikueshme në treg.

Nga analiza e zhvillimeve të çmimeve rezulton se, sa herë një nga operatorët ka rritur çmimet e paketave celulare, operatori tjetër e ka ndjekur brenda një periudhe të shkurtër kohore me një rritje të ngjashme, si në nivel çmimi, ashtu edhe në strukturën e paketës (minuta, internet, SMS, vlefshmëri etj.).

Kjo tregon një reagim të menjëhershëm dhe simetrik, që mund të interpretohet si praktikë e bashkërenduar, në kuptimin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Analiza e ofertave tregon se paketat e ofruara janë pothuajse identike në çmim dhe përmbajtje (sasi interneti, minuta kombëtare, përfshirje roaming etj.), duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe duke reduktuar presionin konkurrues ndërmjet operatorëve.

Ky homogjenitet i produkteve, i kombinuar me mungesën e transparencës në kosto, përbën rrezik për koordinim të sjelljes së ndërmarrjeve, që synon ruajtjen e një niveli të qëndrueshëm çmimesh dhe fitimesh në treg.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se asnjë nga ndërmarrjet nuk ka paraqitur dokumentacion që të dëshmojë se çmimet janë përllogaritur mbi bazën e një analize të kostove reale të shërbimeve.

Në mungesë të një metodologjie të qartë, rritjet e çmimeve mund të konsiderohen si të pajustifikuara ekonomikisht dhe si rezultat i një sjelljeje të orientuar drejt ndjekjes së një modeli të përbashkët tregtar, më shumë sesa drejt konkurrencës përmes inovacionit apo eficiencës.

Megjithatë, operatorët kanë argumentuar se ridizenjimi i portofolit të planeve me parapagesë dhe me kontratë ka ardhur në formë organike, i bazuar në analizën e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, analiza e kostos së brendshme, investimet në rrjet, blerjet e spektrit të frekuencave, adoptimin e teknologjinë 5G dhe kushtet makroekonomike të tregut.

Operatorët argumentojnë gjithashtu se kanë përjetuar një rritje të konsiderueshme të kostove dhe shtrëngim të kushteve të kontratave, si pasojë e efektit zinxhir dhe transmetimit të inflacionit në marrëveshjet që kanë me palë të treta.

Megjithatë, në konkluzion, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se, në kushtet kur tregu paraqet strukturë duopolistike, vihet re një sinkronizim në rritjen e çmimeve dhe oferta pothuajse të njëjta në çmime dhe përmbajtje, mungon transparenca dhe metodologjia kosto-çmim, atëherë sjellja e ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania mund të përbëjë shkelje të ligjit, “Për mbrojtjen e konkurrencës”./MONOTOR

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet