LIVE UPDATES
Aktualitet

Punë verore, e ardhme e pasigurt

Përkundrazi, ajo mori një vendim që do të ndryshonte përvojën e saj këtë sezon, të largohej nga kryeqyteti dhe të shkonte në Jug të Shqipërisë për të punuar gjatë verës.

16 Gusht 2025, 07:11 Nga DOSJA

Punë verore, e ardhme e pasigurt

TIRANË- Punësimi sezonal po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në Shqipëri, sidomos në sektorin e turizmit, duke u bërë një shtyllë thelbësore e ekonomisë dhe një mundësi për të rinjtë që të fitojnë përvojë dhe të ndërtojnë karrierë. Por, ky fenomen sjell edhe sfida serioze për formalizimin, mbrojtjen dhe motivimin e punonjësve, të cilat kërkojnë vëmendje dhe veprime të koordinuara nga institucionet dhe bizneset…

Kur erdhi koha e verës, Elira, studente nga Tirana, nuk zgjodhi të qëndronte në shtëpi apo të kalonte pushimet si shumica e miqve të saj.

Përkundrazi, ajo mori një vendim që do të ndryshonte përvojën e saj këtë sezon, të largohej nga kryeqyteti dhe të shkonte në Jug të Shqipërisë për të punuar gjatë verës.

Arsyeja? Pagë me e mirë sesa mund të gjente në kryeqytet dhe mundësia për të fituar më shumë, ndërsa përballej me sfida të reja.

Provimet i shtyu për në shtator, sepse në fund të fundit, zerot që do të merrte në llogarinë bankare, ia vlenin të “sakrifikonte” rutinën e mëparshme.

Po Elira nuk është e vetmja që ndërmerr një vendim të tillë. Rruga e punësimit sezonal është shtruar shumë më herët.

Në një periudhë kur tregu i punës në Shqipëri po përballet me sfida dhe transformime të vazhdueshme, punësimi sezonal po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe, duke u shndërruar në një shtyllë kyçe për mbështetjen e sektorëve strategjikë të ekonomisë, sidomos atë të turizmit, i cili është një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike kombëtare.

Me afrimin e sezonit veror dhe rritjen e ndjeshme të fluksit të turistëve, nevoja për staf të përkohshëm që të ofrojë shërbime cilësore në fushat e mikpritjes, gastronomisë, mirëmbajtjes, menaxhimit të objekteve dhe aktiviteteve turistike, shtohet në mënyrë të konsiderueshme.

Ky realitet paraqet sfida dhe ngre pyetje lidhur me mënyrën se si kjo formë punësimi duhet të menaxhohet nga institucionet publike dhe private.

Sa janë të përgatitura këto institucione për të formalizuar dhe për të mbështetur punësimin sezonal në një mënyrë që të sigurojë të drejtat dhe dinjitetin e punonjësve?

Cilat janë mekanizmat që duhet të vendosen për të shmangur informalitetin dhe për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin profesional të të rinjve që angazhohen në këto pozicione?

Nga ana tjetër, pyetja kyçe që lind është: cili është vërtet roli i punësimit sezonal në ekonominë shqiptare?

A duhet ta shohim atë thjesht si një mjet për të mbuluar boshllëqet e përkohshme në tregun e punës gjatë periudhave të ngarkuara, apo përkundrazi, si një trampolinë dhe mundësi reale për të rinjtë që të fitojnë përvojë, të zhvillojnë aftësi të reja dhe të ndërtojnë karrierë afatgjatë?

Enri Jahja, kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, më herët tha për “Monitor” se rritja e pagave për punonjësit e sektorit të shërbimeve në bare dhe restorante në bregdet ka vijuar edhe gjatë këtij viti, me një mesatare prej 10 deri në 20%.

Sipas tij, pagat në jug për pozicione pune si kamerier, banakier apo profesionist për përgatitje koktejesh variojnë nga 120 mijë deri në 200 mijë lekë në muaj.

Z. Jahja tha se kjo rritje pagash është pasojë e një ekuilibri të prishur midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, ku kërkesa është e ulët dhe në shumë raste, pa trajnim profesional, ndërsa oferta është e lartë.

Me gjithë rritjen e pagave, sektori i bareve dhe restoranteve vijon të vuajë mungesën e fuqisë punëtore. Shumë prej bizneseve po shohin si zgjidhje punësimet e huaja, me punonjës nga Filipinet, Bangladeshi, Mianmari dhe Pakistani, edhe pse shumë prej tyre e shohin Shqipërinë si vend tranzit kalimit drejt vendeve të BE-së.

Por ekspertët sugjerojnë se punësimi sezonal mund të shndërrohet në një urë lidhëse midis arsimit dhe tregut të punës, duke ndihmuar në reduktimin e papunësisë strukturore, sidomos te të rinjtë, dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik rajonal e kombëtar.

Për të arritur këtë, është e domosdoshme që politika dhe praktikat e punësimit sezonal të përmirësohen dhe të formalizohen në mënyrë të qëndrueshme.

Kjo përfshin krijimin e kontratave të qarta, sigurimin e kushteve të sigurta të punës, pagesën e drejtë dhe respektimin e të gjitha të drejtave ligjore të punonjësve sezonalë.

Po ashtu, duhet të zhvillohen programe trajnimi dhe edukimi për të përgatitur më mirë punonjësit, duke u dhënë atyre mundësi për t’u rritur profesionalisht dhe për t’u integruar më lehtë në tregun e punës permanent.

Në fund të fundit, punësimi sezonal nuk duhet të konsiderohet vetëm si një zgjidhje e përkohshme apo një fenomen kalimtar, por si një komponent thelbësor i një sistemi të organizuar dhe efektiv të punësimit, që kontribuon në rritjen ekonomike dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për shumë familje shqiptare.

Pyetjet dhe sfidat e ngritura nga ky model duhet të trajtohen me seriozitet nga të gjitha palët e interesuara, në mënyrë që punësimi sezonal të shndërrohet në një instrument të fuqishëm dhe të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik dhe social në Shqipëri.

Sipërmarrjet turistike, sidomos ato në zonat bregdetare, mbështeten në punonjës të përkohshëm për të përmbushur nevojat e ndryshme, nga shërbimet në restorante dhe hotele, deri te mirëmbajtja e infrastrukturës.

Sipas Erion Muçës, ky lloj punësimi nuk është vetëm një mënyrë për të përballuar valën e turistëve, por edhe një mundësi për shumë të rinj, kryesisht studentë, që të fitojnë përvojë, të zhvillojnë aftësi praktike dhe të ndihmojnë financiarisht veten apo familjen.

Por sipas tij, sfidat për bizneset janë të mëdha: nga gjetja e punonjësve të përshtatshëm, krijimi i kushteve të qëndrueshme dhe motivimi i tyre, deri te formalizimi dhe mundësia e avancimit brenda sipërmarrjeve.

Cilët janë sektorët kryesorë në Shqipëri që varen nga punësimi sezonal dhe sa i rëndësishëm është ky lloj punësimi për ekonominë?

Punësimi sezonal në Shqipëri lidhet kryesisht me sektorin e turizmit. Kërkesa më e madhe për punonjës vjen nga sipërmarrjet turistike, veçanërisht në zonat bregdetare, të cilat përballen me fluks shumë të madh turistësh gjatë sezonit.

Kjo krijon nevojë për punonjës, qofshin profesionistë të fushës apo punonjës të thjeshtë për role si kamerierë, recepsionistë, kuzhinierë, pastiçierë, mirëmbajtës, sanitarë dhe të tjera pozicione të domosdoshme për funksionimin normal të industrisë turistike.

Sigurisht, ka sfida për vetë bizneset për të gjetur punonjës të përshtatshëm.

Këtu përfshihen nevoja për të ndërtuar një infrastrukturë të brendshme motivimi dhe shpërblimi që fillon nga paga e drejtë, trajtimi njerëzor dhe social, shpërblime për orët shtesë dhe mundësia për të punuar përtej sezonit në role mbështetëse brenda së njëjtës sipërmarrje.

Kjo u jep punonjësve siguri dhe motivim të vazhdueshëm.

Çfarë profili kanë zakonisht punonjësit sezonalë dhe cilat janë arsyet që i shtyjnë drejt këtij lloj punësimi, veçanërisht të rinjtë dhe studentët?

Zakonisht, profili i punonjësve sezonalë është ai i të rinjve, kryesisht studentë apo individë në fillimet e karrierës së tyre, të cilët janë në kërkim të një përvoje të parë pune, apo të një mënyre për të gjeneruar të ardhura shtesë gjatë pushimeve ose periudhave të lira nga studimet.

Janë individë energjikë, fleksibël dhe të gatshëm për të punuar në kushte të ndryshme, shpeshherë intensive, për një periudhë të kufizuar kohe.

Arsyet që i shtyjnë drejt këtij lloj punësimi janë të ndryshme. Së pari, është nevoja ekonomike – dëshira për të fituar para në mënyrë të pavarur.

Por përtej këtij faktori, shumë të rinj e shohin punësimin sezonal si një mundësi për të fituar përvojë praktike, për të zhvilluar aftësi të reja – si komunikimi, menaxhimi i kohës, puna në grup – të cilat janë të domosdoshme në çdo fushë më vonë.

Për disa të tjerë, kjo është një mënyrë për të testuar veten në fusha të ndryshme, për të kuptuar më mirë se ku ndihen më të aftë apo të përmbushur.

Ka edhe raste kur një përvojë sezonale shndërrohet në një mundësi më të qëndrueshme punësimi, apo në një pikënisje për karrierë në industrinë përkatëse, veçanërisht në turizëm apo shërbime.

Pra, motivimi nuk është vetëm financiar – është gjithashtu zhvillim personal dhe profesional, orientim në karrierë dhe ndonjëherë, edhe dëshira për të qenë pjesë e një atmosfere dinamike dhe sociale, që e karakterizon zakonisht punën sezonale, sidomos gjatë verës.

Cilat janë sfidat që hasin bizneset për të gjetur punonjës?

Së pari, duhet të krijojnë një infrastrukturë të brendshme për motivimin dhe nxitjen e punonjësve.

Kjo fillon nga niveli i pagës, trajtimi njerëzor dhe social, e vazhdon me shpërblime për punën shtesë që bën një punonjës, për të qenë korrekt me pagesën e orëve shtesë apo me mundësinë që mund t’i ofrohet një të riu – qoftë profesionist, zanatçi apo punëtor i thjeshtë – për të qëndruar shumë më gjatë sesa periudha e sezonit, i angazhuar dhe i punësuar pranë asaj sipërmarrjeje, duke bërë punë të tjera mbështetëse dhe plotësuese në funksion të saj.

Qëllimi është që punonjësi të ketë siguri dhe garanci shtesë, duke qenë i siguruar për punën dhe mbarëvajtjen e saj.

Nga ana tjetër, është e qartë që sot, shumë punonjës në sektorin e turizmit, kërkojnë të promovohen, në varësi të profilit të punës dhe pozicionit.

Duan të kalojnë, për shembull, nga recepsionist në menaxher të një njësie turistike, nëse kanë kualifikimet përkatëse.

Pikërisht për këtë arsye, sistemi i promovimit të brendshëm në karrierë është i rëndësishëm.

Bizneset dhe kompanitë në sektorin e turizmit duhet të krijojnë struktura minimale, pa organigrama të fryra, me qëllim që të nxisin punonjësit jo vetëm përtej nivelit të pagës, por edhe përtej trajtimit dinjitoz dhe mundësive shtesë për të plotësuar infrastrukturën.

Një komponent tjetër është mundësia që vetë sipërmarrja t’u japë punonjësve hapësirë të rriten profesionalisht, qoftë në një apo dy pozicione brenda mjedisit të punës.

Kjo ndihmon punonjësin që të konkurrojë me  përvojën e fituar, jo vetëm brenda vendit, në sipërmarrje të tjera, por edhe jashtë vendit – si një mënyrë prezantimi profesional në kërkimin dhe gjetjen e një pune të ngjashme apo të përafërt me atë që ka bërë.

A është kjo ndoshta një nga arsyet pse shumë të rinj kërkojnë punë sezonale jashtë kufijve? Sepse ndoshta atje gjejnë një model më të përshtatshëm në përputhje me këto kritere që ju përmendët në këtë situatë?

Deri tani, hulumtimet e mia tregojnë se një nga arsyet pse punonjësit lëvizin për të punuar në mënyrë sezonale në vendet e tjera është niveli disi më i lartë i pagës, si dhe disa lehtësi që lidhen me kostot dhe shpenzimet e tyre – të tilla si akomodimi, ushqimi, oraret fleksibël të punës, si dhe të paktën një ditë pushimi në javë që u jepet nga vetë sipërmarrja, apo lehtësia në alternimin e turneve mes punonjësve.

Qëllimi i këtyre lehtësive është që punonjësit të kenë sa më pak lodhje në punën që kryejnë dhe të ndihen më komodë, sepse paga apo shpërblimet që marrin justifikojnë këtë angazhim.

Lëvizja e punonjësve drejt vendeve të rajonit, sidomos për punësim sezonal, në shumicën e rasteve nuk lidhet drejtpërdrejt me diferencën e madhe të pagës krahasuar me Shqipërinë, por më tepër sepse atje ata arrijnë të kursejnë më shumë para, falë mbulimit të kostove të akomodimit, qëndrimit, ushqimit dhe mungesës së shpenzimeve shtesë, gjë që e bën më të leverdishme punën në këto industri.

Megjithatë, kjo nuk ndodh shumë për përvojën profesionale, as për eksperiencën e shtuar apo ballafaqimin me modele standarde, sepse punësimi sezonal është i përhapur në çdo vend të Europës që është destinacion turistik ose ka potencial turistik.

Ai është një punësim intensiv, që kërkon resurse të mëdha fizike dhe mendore, si dhe përkushtim të lartë, për shkak të periudhës së shkurtër gjatë së cilës ofrohet shërbimi.

Kjo periudhë është veçanërisht intensive për shkak të pranisë së lartë të klientëve që kanë nevojë për shërbimin tënd.

Cilat do të ishin disa instrumente që ndoshta shteti duhet të aktivizojë për të formalizuar punësimin sezonal dhe për ta zgjatur në kohë, në mënyrë që të bëhet një formë punësimi më afatgjatë?

Vendet përreth Shqipërisë, por edhe një sërë vendesh europiane, tashmë kanë nisur të subvencionojnë sipërmarrjet turistike duke mbuluar një pjesë të pagës – pse jo, edhe gjithë pagën minimale të punonjësit, ose të paktën 70–80% të pagës mesatare që punonjësi ka pasur gjatë periudhës së sezonit.

Sidoqoftë, për mua, ky subvencionim nga shteti për sipërmarrjet duhet të vijë vetëm atëherë kur vetë kompanitë dhe bizneset kanë kryer një proces standardizimi dhe modernizimi të mënyrës se si funksionojnë nga brenda: çfarë standardesh kanë në trajtimin, vlerësimin dhe motivimin e punonjësve; sa të kënaqur janë punonjësit me punën që bëjnë në këto sipërmarrje.

Pra, subvencionimi duhet të vijë si rezultat i një feedback-u të matshëm nga këto hapa të ndërmarra nga bizneset dhe të përcaktohet në bazë të një sistemi merite.

Këto sipërmarrje që realisht kanë standardet e duhura për trajtimin dhe zhvillimin e punonjësve, që i trajnojnë dhe i promovojnë nga brenda dhe që i trajtojnë mirë, duhet të jenë të parat që të përfitojnë subvencionim nga shteti për të mundësuar një punësim sa më afatgjatë.

Gjithashtu, duhet të kërkohen dhe gjenden forma alternative përmes aplikimit në projekte të ndryshme dhe programe ndërkombëtare nga vetë sipërmarrjet turistike, që në një formë apo në një tjetër të gjenerojnë të ardhura alternative, për të pasur mundësi të mbajnë në punë punonjësit gjatë gjithë vitit.

Ashtu si sot, nëse një punonjës do të qëndrojë në një sipërmarrje turistike përtej sezonit turistik, ai duhet të ketë edhe role dhe përgjegjësi konkrete që ndikojnë në rritjen e të ardhurave të sipërmarrjes edhe jashtë sezonit.

Për shembull, një punonjës që ka qenë recepsionist gjatë sezonit, mund të bëhet menaxher i rrjeteve sociale jashtë sezonit për atë sipërmarrje, duke u lidhur dhe duke bashkëpunuar me agjenci europiane me qëllim që në vitin pasardhës të rritet numri i klientëve që frekuentojnë atë njësi turistike.

Ky punonjës, në një mënyrë ose në një tjetër, e justifikon dhe gjeneron vetë pagën e tij edhe jashtë sezonit, si dhe fitimin që sipërmarrja pret nga puna e tij.

Ju jeni në kontakt të vazhdueshëm me studentë dhe të rinj prej vitesh. A mund të jepni një këshillë për të rinjtë që e shohin punësimin sezonal si mënyrë të shpejtë për të fituar para gjatë verës?

Çdo tentativë për të fituar para duhet të shoqërohet me një punë që ndikon pozitivisht, pas një periudhe të caktuar kohe, në krijimin e një identiteti profesional.

Unë jam totalisht kundër të bërit të një pune vetëm për para, kur ajo nuk lidhet me dëshirat që ka një i ri për të ndërtuar një profesion, kur nuk lidhet me arsimin dhe formimin që ai ka, apo kur nuk ndikon në forcimin e kompetencave dhe profesionalizmit me të cilin ai do të konkurrojë nesër.

Pra, sot, nuk mjafton që një i ri – apo kushdo – të vërë në dispozicion aftësitë e tij personale për të kryer punë të ndryshme që i sjellin të ardhura, nëse nuk zhytet më thellë në njërën nga këto punë për ta kthyer në profesion.

Sepse vetëm kjo e ndihmon realisht në zhvillimin profesional, në të drejtën që ai duhet të gëzojë nesër për të avancuar profesionalisht dhe për të pasur një profesion që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës./MONITOR

Sondazh

Poll

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën