LIVE UPDATES
Aktualitet

Prokurori Julian Xhango në Vetting, DSIK: I papërshtatshëm që të mbajë detyrën

Prokurori Julian Xhengo dha shpjegime për blerjen e një automjeti me gjysmën e çmimit si dhe kundërshtoi si të pabazuar një raport të DSIK-së për kriterin e figurës. KPK konstatoi gjithashtu zvarritje të hetimeve.

9 Shtator 2022, 10:58 Nga k.m.
Prokurori Julian Xhango në Vetting, DSIK: I papërshtatshëm
Foto ilustruese

Prokurori i Tiranës, Julian Xhengo u përball të premten më 9 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati rreth katër orë e gjysmë dha shpjegime mbi pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. Gjatë seancës dëgjimore, Xhengo u përball me një bilanc negativ të prindërve në investimet e kryera në një shtëpi private në Tiranë si dhe me mospërputhjet në transaksionet për blerjen e një makine, thuajse dy herë më lirë nga sa e kishte blerë pala shitëse.

Xhengo kundërshtoi në seancë gjetjet e Komisionit për pasurinë; një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar DSIK si dhe konstatimet për shtyrje të hetimeve dhe marrje të vendimeve jashtë afateve, pa kryer veprime hetimore.

Procesi i vetingut për prokurorin Julian Xhengo po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic. Julian Xhengo i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe punoi fillimisht në Prokurorinë e Vlorës dhe në atë të Fierit. Prej vitit 2008, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjetjet për pasurinë

Fillimisht, prokurori Xhengo dha shpjegime lidhur me rezultatet e hetimit për blerjen e një makine në vlerën 980 mijë lekë, disa javë pasi pala shitëse kishte shpenzuar për atë mjet në total rreth 1.7 milion lekë. Xhengo u shpreh se çmimi ishte dakordësuar për shkak të nevojës së palës shitëse për para, për shkak të gjendjes shëndetësore që kishte.

Por relatorja Shuli vërejti se në kontratën e shitblerjes ishte shënuar se kishte qenë pala shitëse që i kishte propozuar subjektit blerjen e këtij mjeti, dy ditë para se ajo ta blinte vetë. Nga hetimi ka rezultuar se pasi pala shitëse ka paguar për makinën shumën totale 1.7 milionë lekë, e ka nxjerrë në shitje për çmimin 1.2 milionë lekë dhe e ka shitur tek prokurori Xhengo për vlerën 980 mijë lekë. Sipas Shulit, subjekti ka deklaruar se nuk e ka vënë re në kontratë përcaktimin se mjeti i ishte propozuar për t’u blerë, dy ditë para se pala shitëse ta dispononte atë pasuri.

Shuli e pyeti subjektin në fund të seancës dëgjimore nëse ai e kishte lexuar ose jo kontratën. Xhengo u përgjigj se ishte fokusuar tek pala blerëse, shitësi dhe tek çmimi.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat e siguruara nga shitja e një mjeti dhe një kredi. Por nga verifikimi dokumentacionit të kredisë ka rezultuar se është përfituar për rregullimin e shtëpisë.

Prokurori Xhengo këmbënguli se kredia ishte përdorur për blerjen e makinës. Ai argumentoi se ishte fakt se kredia ishte marrë në momentin që kishte shitur makinën e mëparshme dhe se kishte vërtetuar se në atë periudhë jetonte me qira dhe nuk kishte arsye të merrte kredi për rregullim shtëpie.

Shuli u shpreh se duket se subjekti me qëllim ka kryer paraqitje të pasaktë të rrethanave në transaksionet për këtë pasuri.

Në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2006, Xhengo ka deklaruar pjesë takuese 25% në një banesë në Tiranë, në proces legalizimi. Si burim krijimi të kësaj pasurie ai ka deklaruar të ardhurat e prindërve.

Komisioni konstaton se subjekti nuk e ka pasqyruar këtë pasuri në deklaratën “veting”. Nisur nga fakti se kjo banesë është deklaruar prej subjektit në 2006-ën, si dhe ka rezultuar se ka jetuar aty, Komisioni i ka konsideruar prindërit e tij si persona të lidhur dhe ka kryer hetime për burimin e krijimit të kësaj pasurie.

Në mungesë të dokumentacionit për shpenzimet, Komisioni iu është referuar të dhënave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB për të përllogaritur vlerën, prej nga ka rezultuar se për gjithë banesën me tre kate është shpenzuar shuma 5.6 milionë lekë.

Ndryshe nga sa ka deklaruar në 2006-ën se burim i banesës janë të ardhurat e prindërve – gjatë hetimit administrativ subjekti ka deklaruar edhe një hua në vlerën 3.5 milionë lekë të marrë nga babai që ka rezultuar e provuar me deklaratë noteriale të vitit 2008. Nga hetimi ka rezultuar se huadhënësi, një i afërm i familjes, ka tërhequr në periudhën e dhënies së huasë një shumë 5 milionë lekë, por ka mbetur i paqartë destinacioni i asaj vlere. Sipas KPK, babai i subjektit ka rezultuar në pamundësi për shlyerjen e një pjese të huasë në vitin 2015.

Bazuar në këto rrethana, KPK nuk e ka konsideruar huanë në analizën financiare dhe për rrjedhojë ka rezultuar balancë negative në shumën totale 2.3 milionë lekë për investimet e kryera në banesën trekatëshe në Tiranë.

Shuli deklaroi se subjekti i ka kundërshtuar këto rezultate, duke këmbëngulur se prindërit nuk duhej të konsideroheshin si persona të lidhur. Xhengo ka kërkuar që edhe në rast të konsiderimit të prindërve si persona të lidhur, duhet që KPK të ndalet vetëm në verifikimin e burimeve të katit të parë.

Edhe gjatë seancës dëgjimore, Xhengo theksoi se kishte jetuar me prindërit deri në vitin 2007, kur ka filluar punë në Vlorë. Ai deklaroi se kishte shpjeguar se kishte qëndruar me qira prej asaj kohe dhe se nuk mund të ngarkohej me barrë prove për investimet e kryera nga prindërit.

Në vijim subjekti kundërshtoi konkludimin e vlerës së banesës 5.5 milionë lekë, duke theksuar se edhe sipas EKB-së, nga një përllogaritje e saktë shpenzimet do të arrinin në masën 4.7 milionë lekë. Xhengo theksoi se kjo vlerë mbulohej dhe tejkalohej nga të ardhurat e dokumentuara të prindërve dhe nga huaja 3.5 milionë, që sipas tij e kishte vërtetuar.

Lidhur me burimin e huasë, subjekti shtoi se veç dokumentacionit për tërheqjen e shumës 5 milionë lekë nga huadhënësi, kishte depozituar gjithë dokumentacionin për transaksionet e kryera nga shoqëria në fjalë.

Për pamundësinë e konstatuar nga Komisioni për shlyerjen e huasë nga babai në vitin 2015, Xhengo paraqiti analizën e tij financiare, duke i përllogaritur shpenzimet e nënës bazuar në të ardhurat e saj si pensioniste. Ai pretendoi se edhe në këtë rast prindërit rezultojnë me balancë pozitive.

Figura

DSIK ka depozituar dy raporte të ndryshme për prokurorin Xhengo, ku në të dytin ka konstatuar papërshtatshmëri për dyshime për përfshirje në veprime të paligjshme. Xhengo e kundërshtoi informacionin e DSIK duke e cilësuar si të përgjithshëm dhe të pabazuar në fakte. Ai theksoi se DSIK nuk kishte specifikuar asnjë rast konkret.

Relatorja Shuli evidentoi një rast kur nga sistemi TIMS rezultonte se subjekti kishte udhëtuar jashtë shtetit së bashku me disa persona të tjerë nga pika kufitare e “Hanit të Hotit”, por nuk konstatohej kthimi i tij me mjetin që kishte dalë. Sipas Shulit, nga sistemi TIMS rezultonte që Xhengo të ishte kthyer një vit më vonë me automjetin e tij.

Komisioni konstaton se mjeti me të cilin subjekti dhe persona të tjerë kanë kaluar përmes pikës kufitare “Hani i Hotit” ishte në pronësi të shtetasit S.Sh, i përfshirë në krimin e organizuar, megjithëse nuk rezultonte që të ishte drejtuar prej tij gjatë atij udhëtimi.

Shuli vërejti se subjekti ka deklaruar si pronar të mjetit një tjetër person dhe jo shtetasin S.Sh., që rezultonte i proceduar për krim të organizuar.

Prokurori Xhengo deklaroi se nuk kishte pasur dijeni se pronari i mjetit ishte shtetasi S.Sh., dhe se nuk e njihte këtë person, e aq më pak të dinte që ishte i proceduar. Ai shtoi se kishte deklaruar si pronar të mjetit personin që e drejtonte makinën gjatë udhëtimit.

Subjekti e kundërshtoi edhe konstatimin për kthimin e tij në Shqipëri pas një viti, duke argumentuar se rezultonte e provuar se kishte qenë duke ushtruar detyrën e prokurorit në atë periudhë. Sipas subjektit, kjo situatë ishte krijuar për faj të punonjësve të pikës kufitare, pasi nuk kanë shënuar hyrjen e tij në Shqipëri. Ai solli si argument faktin se nga të dhënat e TIMS për këtë udhëtim, rezultonte se dy nga personat me të cilët kishte kaluar pikën kufitare nuk ishin regjistruar në dalje, por vetëm në hyrje.

Konstatimet për profesionalizmin

Prokurori Xhengo është vlerësuar pozitivisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për profesionalizmin, por hetimi i Komisionit ka evidentuar shtyrje të afeteve të hetimit dhe vendimarrje lidhur me kallëzimet, jashtë limit të lejuar.

Ndaj prokurorit Xhengo janë depozituar 25 denoncime nga publiku. Nga verifikimi i denoncimeve ka rezultuar se subjekti ka proceduar me vendimarrje për mosfillim të hetimeve apo regjistrim të procedimeve penale në tejkalim të afateve. Po ashtu, ka rezultuar se ka vendosur pushimin e çështjeve apo ka zgjatur hetimin e çështjeve pa kryer hetime.

“Duket se prokurori ka vendosur zgjatjen e hetimit duke argumentuar arsyet dhe në vijim e ka zgjatur hetimin sërish dy herë me të njëjtin argument ‘copy paste’”, vërejti relatorja Shuli.

Në vijim, Shuli relatoi të tjera denoncime për zvarritje të hetimeve dhe të proceseve gjyqësore nga ana e subjektit, duke mos marrë pjesë në seanca. Po ashtu, ajo vërejti çështje ku nuk ishte e qartë data e njoftimit të kallëzuesve për vendimarrjet.

Në seancë u evidentuan edhe dy denoncime nga ku kishte rezultuar se kishte pasur zvarritje në hetimin e punonjëse të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, ndërsa në tjetrin është konstatuar se një kushëri i subjektit ka dhënë dëshmi në gjykatë lidhur me veprimtarinë e disa të pandehurve, punonjës të “ÇEZ Shpërndarje” të hetuar prej tij. Denoncuesit kanë pretenduar se subjekti i ka penalizuar për të shmangur hetimin e të afërmit të tij.

Prokurori Xhengo shpjegoi se kishte hetuar 15 punonjës të ÇEZ për vjedhje duke shpërdorur detyrën, pasi kishin lëshuar fatura të pamatura gjatë orareve të natës dhe në pak sekonda larg njëra-tjetrës, duke theksuar se ishin fiktive dhe kishin dëmtuar financiarisht me të padrejtë abonentët.

Ai këmbënguli se nuk kishte pasur asnjëherë njohje me kushëririn e tij të shkallës së dytë, duke pretenduar se e kishte parë atë për herë të parë në gjykatë. I pyetur nga Komisioni nëse vlerësonte se ishte në konflikt interesi në përfaqësimin e kësaj çështje pas konstatimit se dëshmitar ishte një i afërm i tij, Xhengo deklaroi se e kishte komunikuar këtë fakt tek drejtuesit, por ata i kishin thënë të vijonte. Sipas subjektit, në këtë çështje ishin kryer hetime voluminoze pasi ishin sekuestruar dhjetëra mijëra dokumente që ishin analizuar.

Xhengo kundërshtoi edhe konstatimin për zvarritje të hetimeve ndaj punonjësve të AKBN-së, duke theksuar se ai vetë kishte kryer që në fillim katër veprime hetimore dhe tre i kishin kryer oficerët e Policisë Gjyqësore.

Lidhur me vonesat në vendimarjet për regjistrimin e çështjeve, mosfillimeve dhe pushimeve të tyre, si dhe në zgjatjen e hetimeve tej afatit pa kryer veprime hetimore, Xhengo u justifikua me ngarkesën e madhe në punë. Ai theksoi se kishte pasur ngarkesë mbi mesataren për prokurorët e Tiranës.

Sipas Xhengos, ai u kishte dhënë prioritet në kohë veprimeve procedurale që kishin afate të përcaktuara, si ato të masave të sigurimit personal ose të ekstradimeve. Subjekti vërejti se vendimarrjet e tij për shtyrjet e hetimeve nuk ishin ankimuar, si dhe nuk rezultonte ndonjë rast që të ishin parashkruar veprat penale. Po ashtu, ai pretendoi se në çdo rast kishte kryer hetime të plota.

Lidhur me një rast kur vendimarja e subjektit i është njoftuar palës tre vjet me vonesë, Xhengo u shpreh se ishte detyrë e sekretarisë që të kryente njoftimin. Ai shtoi se në këtë rast pala kallëzuese ishte njoftuar pasi kishte kryer kërkesë për t’u informuar. Në fund të seancës, prokurori Xhengo kërkoi konfirmimin në detyrë. Seanca e radhës do të zhvillohet më 14 shtator, në orën 09:15./Reporter.al

julian xhengo

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet