LIVE UPDATES
Aktualitet

Organizata jo qeveritare amerikane BAN: Transporti i "hirit helmues" nga Durrësi, maja e një skandali më të madh

Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ i tha Zërit të Amerikës, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike. Kolegu Artan Haraqija sjell kronikën në vijim.

27 Gusht 2024, 18:20 Nga M.B
Organizata jo qeveritare amerikane BAN: Transporti i "hirit helmues"
Porti

TIRANA- Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, është kthyer në një histori dyshimesh të shumta, me shumë të panjohura. Një hetim i dyfishtë është duke u kryer nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor, me origjinë nga porti i Durrësit. Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ i tha Zërit të Amerikës, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike. Kolegu Artan Haraqija sjell kronikën në vijim.

Nga Porti i Durrësit, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues i njohur si ‘EAF’, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike. Ky është pretendimi i Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), me seli në Seattle. Përfaqësuesi i tij, Jim Puckett i tha Zërit të Amerikës se të dhënat që BAN-i disponon janë marrë nga një sinjalizues nga Porti i Durrësit, i cili ka ofruar dëshmi për këtë.

“Para një muaji, ne krijuam një portal, ku individë nga e gjithë bota mund të raportojnë për mbetjet helmuese. Personi i parë që na sinjalizoi ishte një individ që vëzhgoi transportin e mbetjeve helmuese në portin e Durrësit. Ai kishte njohuri se ku shkonte pluhuri helmues dhe dokumentet që tregonin rrugëtimin e ngarkesave”.

Pas marrjes së të dhënave BAN-i thotë se ka kryer hulumtimin e veta dhe arrin në përfundimin se dërgesa të kësaj natyre bëhen rregullisht nga porti i Durrësit.

“Ne ishim në gjendje të konfirmojmë se kontejnerët që raportoi sinjalizuesi, numrat e tyre identifikues, i vërtetuam përmes aplikacionit ‘Google Earth’ , po ashtu përmes imazheve satelitore të Google Earth, lokalizuam vendndodhjen e tyre të saktë duke e krahasuar me dritat dhe rrugët e portit. Kemi tre burime të dhënash të marra në tre kohë të ndryshme. Ne dyshojmë se kjo ndodh çdo tre apo katër muaj.”

Hiri i eksportuar nga porti i Durrësit i takon firmës ‘Sokolaj’ e cila e ka blerë atë nga fabrika e kompanisë Kurum në Elbasan që prodhon çelik dhe hekur. E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, firma Sokolaj deri në përgatitje e këtij materiali nuk ka kthyer përgjigje.

Firma turke Kurum, në një deklaratë të bërë më 21 gusht, ndonëse nuk jep sqarim të saktë nëse është ajo shitësja e kësaj lënde, thotë se

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.

Zoti Puckett thotë se eksportimi i shpeshtë i këtij materiali nga Durrësi, ngre dyshime që ai n uk vjen vetëm nga fabrika e Kurimit, pasi kjo fabrikë nuk është aq e madhe sa të prodhojë sasi kaq të mëdha të pluhurit EAF.

“Ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës. Kudo ku ka fabrika për shkrirjen e çelikut, krijohet ky lloj hiri. Kompanitë duan ta heqin atë qafe, sepse kostoja është më e lartë për ta menaxhuar siç duhet. Po ashtu edhe zinku që nxirret prej tij nuk është aq i vlefshëm”, thotë zoti Puckett.

Sipas të dhënave që sinjalizuesi i dha Rrjetit të Aksionit të Bazelit, rasti i fundit ishte në muajin korrik, kur material i dyshimtë fillimisht u ngarkua në kontejnerë në Portin e Durrësit. Pasi largohet nga porti i Durrësit, kontejnerët udhëtojnë drejt portit të Triestes, në Itali. Aty kontejnerët ngarkohen në dy anije të tjera transportuese, që i përkasin firmës daneze ‘Maersk’. Prej portit italian, përmes Detit Mesdhe dhe bregdetit të Afrikës malli u nis fillimisht për në Singapor, prej nga do të vazhdonte rrugën për në destinacionin e tij përfundimtar, Tajlandën. Ndërsa malli lundronte në mes të ujërave të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut, një nga dy anijet që e transportonin atë u zhduk nga radarët. BAN-i thotë se kjo ndodhi pikërisht në kohën kur ata ngritën shqetësimin se një ngarkesë me pluhur helmues po transportohej nga Shqipëria për në Azi.

Firma daneze Maersk e konfirmoi për Zërin e Amerikës se sinjali nga një prej anijeve të saj me të vërtetë u ndal, por thotë se kjo nuk u bë për arsyen që ngre si dyshim BAN-i.

“Një organizatë jo qeveritare ka spekuluar se pse gjurmuesi i anijes tonë Campton ishte fikur. Ndërsa situata e sigurisë në ujërat rreth rajonit të Lindjes së Mesme është e ndjeshme, nuk është e pazakontë që disa pronarë anijesh të çaktivizojnë gjurmuesin e tyre”.

Kjo lë të kuptojë se mund të jetë bërë për të shmangur një sulm nga grupi militant jemenas, Houthi që prej nisjes së luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit ka kryer një mori sulmesh mbi anijet transportuese që kanë lundruar afër Jemenit.

Maersk gjithashtu i tha Zërit të Amerikës se ata vendosën ta transportonin mallin pasi dokumentacioni shoqërues thoshte se ishte i pa rrezikshëm.

“Nëse do të ishte deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, Maersk do të kishte refuzuar ta transportonte. Për shkak të spekulimeve në lidhje me përmbajtjen e tij, Maersk ka bashkëpunuar me autoritetet e Singaporit... Anija jonë Campton ka shkarkuar kontejnerët në Singapor dhe tani ato po riatdhesohen për në Shqipëri nga një kompani tjetër”.

Një tjetër argument që përmend “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” për dyshimet e transportimit të këtij materiali nga porti i Durrësit është dërgesa e parafundit që shkoi nga Durrësi për në Kinë. Nga muaji prill, sipas drejtorit ekzekutiv Jim Puckett, kjo dërgesë është bllokuar në një port kinez, afër Hong Kongut.

“Kjo dërgesë u nis nga i njëjtë port. Sipas sinjalizuesit tonë, kinezët e kanë refuzuar atë. Janë 115 kontejnerë nga Shqipëria që ende janë të bllokuar në Kinë. Kinezët e kanë analizuar materialin dhe kanë gjetur nivele të larta të metaleve, përfshirë mbi 8% plumb”, thotë zoti Puckett.


Dy ministri të qeverisë shqiptare në fundjavë thanë në një deklaratë të përbashkët se “Shqipëria nuk mundet të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese ...”

Nëse konfirmohet se fjala është për hirin që del nga oxhaku i fabrikave metalurgjike, atëherë pasojat, sipas BAN-it janë të rënda, për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin, por mund të ketë edhe pasoja politike.

Pluhuri EAF përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Në fotografitë e sinjalizuesit të BAN-it për rastin e muajit korrik, sipas zotit Puckett, shihen grumbuj të hirit që ishin lënë në mjedis të hapur në portin e Durrësit. Fotografi të ngjashme shihen edhe në aplikacionin ‘Google Earth’. Një e tillë, e bërë më 11 tetor të vitit të kaluar, tregon grumbuj të hirit brenda hapësirës së portit të Durrësit.

“Fjala është për një mbetje të rrezikshme nëse nuk trajtohet si duhet. Ju nuk do të donit ta mbani këtë afër fëmijëve apo personave me sëmundje kronike”, tha zoti Puckett.

Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën se ka nisur hetimet, në bashkëpunim me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF). Kjo zyrë nuk pranoi të komentojë.

“Ne nuk jemi në gjendje të japim detaje në lidhje me rastet që OLAF mund të trajtojë pasi duhen mbrojtur të dhënat e çdo hetimi të mundshëm dhe të proceseve të mundshme gjyqësore që do të pasojnë...”, tha për Zërin e Amerikës zyra për informim e OLAF-it.

Dogana shqiptare megjithatë e konfirmoi për Zërin e Amerikës se ishte OLAF-i ai i cili e njoftoi Strukturën Antitrafik të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për rastin. Kjo zyrë gjithashtu nuk pranoi të komentojë, pasi rasti tani është nën hetim. As kompania gjermane ‘EMS Shipping’ që menaxhon një pjesë të portit të Durrësit, pikërisht pjesën ku bëhet ngarkimi i këtij materiali në kontejnerë, nuk pranoi të bëjë komente.

“Duke qenë se rasti është nën hetim nga autoritetet me të cilat po bashkëpunojmë plotësisht, nuk mund të komentojmë detajet e rastit derisa të përmbyllet”.

Rrjeti i Aksionit të Bazelit thotë se ishin ata që e njoftuan OLAF-in për rastin.

“Ne i jemi shumë mirënjohës OLAF-it dhe prokurorisë në Shqipëri që po merren me këtë rast, pasi unë kam përshtypjen që kjo është maja e një skandali shumë më të madh”, thotë Drejtori Ekzekutiv i BAN-it, Jim Puckett.

Pasojat politike, nëse konfirmohet pretendimi i organizatës amerikane, mund të jetë shkelja e Konventës së Bazelit, Traktatit të Kombeve të Bashkuara, që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Vendet nënshkruese të konventës, një prej të cilave është edhe Shqipëria, nuk lejohen të dërgojnë mbetje helmuese tek një vend tjetër, nëse nuk marrin paraprakisht miratimin nga vendi mikpritës.

Qeveria shqiptare i hodhi poshtë gjatë fundjavës akuzat se ajo nuk ka vepruar në lidhje me rastet e dyshuara.

Në deklaratën e përbashkët të dy ministrive të qeverisë shqiptare thuhet se Shqipëria është klasifikuar si një vend i sigurt, pasi është verifikuar dhe çertifikuar në disa inspektime ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit.

"Unë do të këshilloja që Shqipëria të marrë përgjegjësinë për atë që po ndodh në portin e Durrësit. Dikush duhet të analizojë ato grumbuj që gjenden në port dhe mallin që po kthehet nga Singapori. Por unë e them me 95% siguri se fjala është për hirin EAF, të cilin të gjithë në industrinë metalurgjike e njohin si mbetje helmuese”, thotë për Zërin e Amerikës, Jim Puckett, Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Aksionit të Baselit.

Zoti Puckett thotë se e kupton që Doganat mund të jenë mashtruar nga eksportuesit, të cilët mund ta kenë deklaruar atë si material të parrezikshëm, por:

“Është shumë e dyshimtë se si mund ndodhë kjo gjë para syve të tyre. Unë jam i sigurt se kjo është një histori më e madhe që përfshin shumë eksporte që nuk janë vërejtur më parë dhe që ndoshta e kanë burimin diku në Evropë, apo edhe në vende të tjera. Unë nuk besoj që kjo histori ka marrë fund”.

Odiseja e këtyre mbetjeve është vetëm në hapat e parë, ndërsa pritet përfundimi i analizave laboratorike se çfarë përmban në të vërtetë malli në kontenierët që po udhëtojnë për t’u rikthyer në Shqipëri./ VOA

mbetjet toksike

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet