LIVE UPDATES
Aktualitet

Mbrojtja e të dhënave personale; Kujdes kanë filluar gjobat e larta, rrezikoni deri në 20 mln euro!

Katër vendime në korrik-gusht kanë ndëshkuar me 47 mijë euro katër subjekte ndër të tjera: dy klinika dentare, një parti politike dhe një institucion shtetëror. Subjekte të këtij ligji si përpunues apo kontrollues pohojnë se pavarësisht aspekteve pozitive që sjell ligji, ai mbetet ende i ri dhe duhet të ketë një fazë paralajmërimi përpara ndëshkimit duke i dhënë mundësi për përshtatje.

21 Shtator 2025, 07:51 Nga I.A

Mbrojtja e të dhënave personale; Kujdes kanë filluar gjobat e

TIRANË- Prej fillimit të këtij viti, Shqipëria ka një kuadër të ri ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili në përafrim të plotë me direktivën e BE-së, parashikon një sërë risish dhe detyrimesh për subjektet kontrolluese dhe përpunuese. Po kështu, parashikon masa administrative deri në 20 milionë euro. Por, teksa po punohet me grupe interesi për t’i mirinformuar, paralelisht kanë filluar gjobat e para. Katër vendime në korrik-gusht kanë ndëshkuar me 47 mijë euro katër subjekte ndër të tjera: dy klinika dentare, një parti politike dhe një institucion shtetëror. Subjekte të këtij ligji si përpunues apo kontrollues pohojnë se pavarësisht aspekteve pozitive që sjell ligji, ai mbetet ende i ri dhe duhet të ketë një fazë paralajmërimi përpara ndëshkimit duke i dhënë mundësi për përshtatje.

Katër vendime të periudhës korrik-gusht të këtij viti, të marra nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, parashikuan gjoba në vlerën 4.7 milionë lekë si efekt i shkeljeve të konstatuara në disa subjekte.

Kuadri ligjor që hyri në fuqi në janar të këtij viti për mbrojtjen e të dhënave personale, duket se ka kaluar në fazën e tij të re.

Pas paralajmërimit dhe thirrjes për ndërgjegjësim të subjekteve për të përmirësuar aspektet teknike dhe detyrimet e reja që vendoste ligji në lidhje me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale, kemi kaluar te ndëshkimi.

Gjobat në fjalë, të ndara mes katër subjekteve, sipas gjetjeve të shkeljeve të konstatuara nga zyra e Komisionerit, janë trajtuar në përshtatje me metodologjinë në fuqi për llogaritjen e tyre duke pasur në bazë tavanin që parashikon ligji, që arrin deri në 20 milionë euro dhe xhiron vjetore ekonomike të subjektit.

Gjobat e vendosura për shkeljet e konstatuara, edhe pse shumë të ulëta në raport me kufirin maksimal, janë dukshëm më të larta se ato që aplikoheshin me ligjin e vjetër.

Kush u ndëshkua, pse dhe a ka nevojë për paralajmërim para “dënimit”

Argumenti se ligji i ri përmirëson disa aspekte që lidhen si me mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, ashtu edhe me qartësimin e hallkave dhe aspekteve teknike që duhet të ndiqen pranohet në fakt edhe nga biznesi.

Pikëpyetja që ngre ky i fundit, në rastet kur është kontrollues apo përpunues, ka të bëjë me një fazë më diplomatike të adoptimit me kërkesat e reja ligjore.

Pra, fillimisht duhet të funksionojë paralajmërimi, qoftë edhe me një shkresë për të gjithë subjektet, nga ana e Komisionerit që i vë në dijeni lidhur me kërkesat e reja ligjore. Teksa në korporatat e mëdha, kjo është më e thjeshtë për t’u zbatuar dhe për t’u përshtatur, në subjekte më të vogla kërkohet më shumë informim.

Gjobat e fundit kanë krijuar një lloj paniku ndër subjekte. Një ekonomiste në kushte anonimati tha për “Monitor” se subjekte të caktuara po gjobiten pa u informuar dhe këshilluar paraprakisht se çfarë duhet të përshtatin me ligjin e ri, ndryshe nga sa ndodh zakonisht me tatimet.

Pjesëmarrja në tryeza informuese me grupe të caktuara interesi duket se nuk ka prekur tërësisht të gjithë subjektet që janë pjesë e këtij ligji.

Në faqen e internetit të Komisionerit janë deri më tani katër vendime lidhur me penalitete të marra ndaj subjekteve që janë gjetur në shkelje. Në krye qëndron një subjekt i regjistruar si Dental Turk, i cili është ndëshkuar me 2.4 milionë lekë gjobë, apo 24 mijë euro për disa pika të cituara në vendim se nuk janë në përputhje me ligjin.

Kjo shumë përkon me 2.2% të xhiros së kompanisë që në vitin 2024 ishte rreth 107 milionë lekë, sipas të dhënave të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Një tjetër vendim i 1 gushtit parashikon një masë administrative me vlerë 1 milion lekë, apo 10 mijë euro, ndaj subjektit politik Partia Mundësia. Një ankesë e mbërritur pranë Komisionerit për përpunimin e të dhënave nga subjekti politik bëri që zyra të niste një hetim administrativ.

Pas një serie procedurash, ballafaqimesh me faktet, Komisioneri vendosi për masë administrative ndaj Kontrolluesit, në këtë rast një parti politike nën argumentin se: “Kontrolluesi ka cenuar drejtpërdrejt parimet themelore të përpunimit të të dhënave personale, përfshirë ligjshmërinë, proporcionalitetin dhe integritetin e përpunimit, të cilat mbrojnë interesin thelbësor të të dhënave personale të individit.

Konkretisht, vendosja në dispozicion e të dhënave personale të përfshira në dosjen e rivlerësimit të një subjekti të dhënash, në mënyrë të paanonimizuar, pa respektuar parimin e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe minimizimit të të dhënave, përbën një përpunim të paligjshëm të të dhënave personale”.

Një tjetër vendim gjobit një tjetër klinikë dentare, Union Dental Clinic, në një total prej 500 mijë lekësh apo 5 mijë euro. Ndërsa subjekti i katërt me një vendim publik është Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor.

Një individ është ankuar se dosja e saj është vendosur në dispozicion nga Arkivi pa miratimin e saj për një palë të tretë. Pas ndjekjes së këtij hetimi dhe fakteve, Komisioneri ka vendosur një masë administrative 800 mijë lekë apo 8 mijë euro për kontrolluesin që në këtë rast, është Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor.

Metodologjia e përllogaritjes së masës së sanksioneve administrative

Pavarësisht tavaneve që vendos ligji lidhur me masat administrative që mund të vendosen për shkelje të caktuara, të cilat mund të arrijnë deri në 20 milionë euro, pjesë e integruar e zbatimit është një metodologji që synon të përllogarisë më saktë këto masa.

Më herët, në një intervistë për “Monitor”, Komisioneri Besnik Dervishi tha se në thelb do të ruhet edhe parimi i proporcionalitetit. Por çfarë parashikon në fakt metodologjia që është dokumenti kyç mbi të cilën llogariten shifrat?

Që në krye të këtij dokumenti pranohet se përllogaritja e masës së sanksionit administrativ është në diskrecionin e Zyrës së Komisionerit si autoriteti mbikëqyrës i ngarkuar me ligj për këtë qëllim.

“Dispozitat dhe fryma e përgjithshme e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave, kërkojnë që shuma e sanksionit në çdo rast individual të jetë efektive, proporcionale dhe me karakter parandalues (neni 93 (1) i ligjit).

Për më tepër, gjatë përcaktimit të masës së sanksionit, duhet t’i kushtohet vëmendje listës së rrethanave që u referohen veçorive të shkeljes (shkallës së rëndësisë së saj) ose sjelljes së shkelësit (neni 93 (2) i ligjit).

Prandaj, përcaktimi sasior i masës së sanksionit bazohet në një vlerësim specifik të kryer në çdo rast, duke marrë parasysh parametrat e përfshirë në dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave”, – thuhet në metodologji.

Metodologjia sanksionon se nuk ka masë minimale gjobe, por vetëm tavane të saj të përcaktuara. Janë të paktën pesë hapa që ndiqen në metodologji.

Hapi 1: Identifikimi i proceseve / veprimtarisë së përpunimit, sipas rastit konkret dhe vlerësimi i zbatimit të pikës 3 të nenit 93 (ka të bëjë me rastet e pakujdesisë me ose pa dashje sa i takon përpunimit të të dhënave personale), të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave

Hapi 2: Përcaktimi i modelit për përllogaritjen e mëtejshme të sanksionit, bazuar në një vlerësim të: a) klasifikimit të shkeljes, seriozitetit të shkeljes, xhiros së Ndërmarrjes, si një element i rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë, me synim vendosjen e një sanksioni efektiv, proporcional dhe me karakter parandalues.

Hapi 3: Vlerësimi i rrethanave rënduese dhe lehtësuese që lidhen me sjelljen e mëparshme ose të tanishme të kontrolluesit / përpunuesit si dhe zmadhimi ose zvogëlimi i masës së sanksionit, në përputhje me këto rrethana.

Hapi 4: Identifikimi i tavanit ligjor, për masën e sanksionit lidhur me proceset / veprimtaritë e ndryshme të përpunimit. Zmadhimet e aplikuara ose që do të aplikohen nuk mund të tejkalojnë këtë tavan.

Hapi 5: Kryerja e analizës nëse shuma përfundimtare e sanksionit të përllogaritur plotëson kërkesat e efektivitetit, proporcionalitetit dhe karakterit parandalues, siç kërkohet nga dispozitat e pikës 1, të 93, të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave, dhe duke zmadhuar ose duke zvogëluar masën e sanksionit, në përputhje me rrethanat.

Çfarë solli kuadri i ri ligjor në mbrojtjen e të dhënave personale

Kuadri ligjor që hyri në fuqi në fillim të këtij viti erdhi në përshtatje të plotë me direktivën e Bashkimit Europian. Kjo i referohet rregullores 2016/679 e Parlamentit Europian dhe Këshillit (GDPR) që u miratua thuajse një dekadë më parë dhe nën tendencën e zhvillimeve të shpejta teknologjike të kohëve të fundit, edhe ligji shqiptar 124/2024 është produkt i këtyre zhvillimeve.

Më herët, në një komunikim për “Monitor”, Zyra e Komisionerit tha se nëpërmjet risive që sjell, ligji garanton për qytetarët, në cilësinë e subjekteve të të dhënave, standardet më të larta në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, në një kohë kur përpunimi i të dhënave personale në epokën dixhitale është shumëfishuar. Për më tepër, aspektet që përmirësohen sipas Komisionerit janë:

– Zgjerimi i kategorisë së të drejtave të individit (subjektit të të dhënave);

– Përmirësimi i të drejtave që subjekti gëzon aktualisht, me qëllim garantimin e një niveli kontrolli më të lartë mbi të dhënat e tij personale;

– Forcimi i së drejtës për akses. Është e drejtë e subjektit të të dhënave të marrë nga kontrolluesi, me kërkesën e tij, konfirmimin nëse të dhënat personale po i përpunohen ose jo, informacion për qëllimin e përpunimit, për kategoritë e të dhënave të përpunuara dhe për marrësit e kategoritë e marrësve, të cilëve u përhapën të dhënat personale.

– Rregullohet posaçërisht e drejta për të mos iu nënshtruar vendimeve automatike. Kjo e drejtë konsiston në të drejtën e subjektit për të mos iu nënshtruar një vendimi që bazohet vetëm në përpunimin automatik, përfshirë profilizimin, i cili shkakton pasoja ligjore ose pasoja të ngjashme të konsiderueshme për të, përveçse kur ky vendim është i nevojshëm për lidhjen ose zbatimin e një kontrate midis subjektit të të dhënave dhe kontrolluesit, ose bazohet në pëlqimin e dhënë nga subjekti i të dhënave;

– Rregullohet “e drejta për t’u harruar”, e cila shërben si një garanci në mjedisin online për subjektin e të dhënave, duke detyruar motorët e kërkimit të fshijnë me kërkesë të subjektit të të dhënave informacionin në lidhje me të, i cili me kalimin e kohës nuk është më i nevojshëm dhe ka ndikim negativ në reputacionin e tij;

– Parashikohen, për herë të parë, rregulla mbi përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet ligjzbatuese në sferën penale, të cilat konsiderohen si lex specialis për këtë fushë;

– Rishikohen në rritje sanksionet administrative, si një tregues i qartë për rëndësinë që mbart mbrojtja e të dhënave personale.

Detyrimet që lindin për kontrolluesit apo përpunuesit e të dhënave personale

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nënvizuar më herët detyrimet e reja që lindin për kontrolluesit dhe përpunuesit, të cilat prezantohen për herë të parë në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, me qëllim garantimin më efektiv të sigurisë së informacionit në procesin e përpunimit të të dhënave personale.

– Kryerja e vlerësimit të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale përpara fillimit të një procesi përpunimi, me qëllim identifikimin e rreziqeve të mundshme për të drejtat dhe liritë e subjektit të të dhënave dhe minimizimin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur, nëse rezulton se ky përpunim përbën rrezik të lartë;

– Detyrimi për t’u konsultuar paraprakisht me Komisionerin përpara fillimit të përpunimit të të dhënave, në rast se ky përpunim rezulton me rrezik të lartë për subjektin e të dhënave;

– Detyrimi për njoftimin e Komisionerit në rast cenimi të të dhënave personale, si dhe subjekteve të të dhënave kur rreziqet e shkaktuara nga cenimi i të dhënave mund të jenë të larta;

– Prezantimi i konceptit të mbrojtjes së të dhënave në projektim (by design) dhe mbrojtjes në mënyrë të paracaktuar, si dhe inkurajimi i kontrolluesve dhe përpunuesve për përdorimin e këtyre teknologjive;

– Detyrimi i organeve të sektorit publik dhe privat për emërimin e një nëpunësi të mbrojtjes së të dhënave, me qëllim garantimin e përputhshmërisë së organizatës ku bën pjesë me kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë proceseve përpunuese të të dhënave që kryejnë, në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë së tyre;

– Hartimi i kodeve të sjelljes për kategori të caktuara kontrolluesish dhe përpunuesish, të cilat kanë për qëllim të kontribuojnë në zbatimin sa më të mirë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale nga këta të fundit;

– Organe Monitoruese të akredituara nga Komisioneri, të cilët kanë si mision monitorimin e përputhshmërisë ose jo të kontrolluesve dhe përpunuesve me kodin e sjelljes, në rast se këta të fundit kanë marrë përsipër t’i përmbahen atij;

– Ngritja e mekanizmit të certifikimit, si një instrument, i cili tregon se një proces përpunimi është në përputhje me kuadrin ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale dhe se gjatë procesit të përpunimit të të dhënave ekzistojnë garanci të mjaftueshme për sigurinë e tyre.

Nëse në ligjin e shfuqizuar, detyrimet e kontrolluesit përcaktoheshin në një nen të vetëm, në ligjin që sapo ka hyrë në fuqi, këtij elementi i kushtohet një kapitull i tërë (nenet 22 – 38), ku trajtohen gjerësisht detyrimet dhe masat që një kontrollues duhet të ndërmarrë, me qëllim garantimin e përputhshmërisë me detyrimet e ligjit dhe sigurinë e të dhënave”./Monitor.al

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet