LIVE UPDATES
Aktualitet

Kostoja e fshehur nga pandemia e Covid-19

14 Shkurt 2026, 07:47 Nga I.A

Kostoja e fshehur nga pandemia e Covid-19

Pas pandemisë së Covid-19, numri i pacientëve të shtruar në spitalet psikiatrike ka rënë, por mjekët psikiatër të shërbimeve ambulatore pohojnë se kjo nuk tregon përmirësim të gjendjes mendore të popullsisë, pasi barrierat sociale dhe stigma kanë penguar trajtimin. Sipas tyre, në shërbimet ambulatore është rritur ndjeshëm numri i të rinjve dhe moshës së mesme (20–45 vjeç) që trajtohen për ankth, çrregullime humori dhe probleme me identitetin dhe marrëdhëniet. Ministria e Shëndetësisë parashikon ndërhyrje të hershme dhe zhvillimin e shërbimeve komunitare për fëmijët dhe adoleshentët, megjithatë mungesa e specialistëve dhe pengesat infrastrukturore mbeten sfida kryesore.

Në spitalin psikiatrik “Xhavit Gjata”, brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, aktualisht ndodhen të shtruar 60 deri në 80 pacientë, prej të cilëve pesë janë të hospitalizuar prej më shumë se një dekadë.

Dy nga këta pacientë gjenden të shtruar që prej moshës 10–12-vjeçare, duke e kaluar pothuajse gjithë jetën e tyre brenda institucionit.

Mosha aktuale e pacientëve që kanë nevojë për hospitalizim afatgjatë varion nga 30 deri në 45 vjeç. Dy prej tyre, sipas stafit të shërbimit psikiatrik, janë pacientë të shtruar prej 30 vitesh, një prej tyre është i hospitalizuar prej 23 vitesh, dhe dy të tjerë janë të hospitalizuar për një periudhë 15 deri në 20-vjeçare.

Sipas stafit të shërbimit psikiatrik në QSUNT, 70–80% e rasteve të shtruara lidhen me përdorimin e lëndëve narkotike, një problematikë që vijon të rritet, sidomos mes të rinjve dhe atyre me çrregullime të shëndetit mendor të pambështetur nga familja.

Pjesa tjetër e pacientëve, gati 30% e të shtruarve, vuajnë nga skizofrenia e lindur ose e shfaqur në moshë të re, çrregullime të rënda të humorit apo diagnoza të tjera që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm spitalor.

Stafi i pavijonit thekson se pacientët që qëndrojnë për periudha shumë të gjata në spital zakonisht janë raste të cilat nuk kanë përfituar dot kujdes të qëndrueshëm familjar për shkak të kushteve të tyre mjekësore dhe kanë nevojë për hospitalizim afatgjatë.

Pjesa tjetër e pacientëve janë kryesisht përdorues të lëndëve narkotike ose pacientë me skizofreni, të cilët shtrohen deri në 3–4 herë në vit.

Këta janë pacientë që qëndrojnë disa muaj të shtruar dhe më pas kthehen sërish për hospitalizim, apo për shkak të ripërdorimit të substancave narkotike, ose pavarësisht trajtimit për skizofreninë, përjetimet e forta emocionale i detyrojnë të rikthehen në pavijon.

Sipas të dhënave të raporteve të realizimit të treguesve të monitorimit financiar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në vitin 2024, në spitalet psikiatrike ishin të shtruar 1,096 pacientë. Krahasuar me vitin paraardhës, numri i tyre ka rënë 33.4%.

Pas periudhës së pandemisë së Covid-19 vihet re se numri i pacientëve të shtruar në spitalet psikiatrike është në rënie. Në vitin 2019, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, ishin të shtruar 2,312 pacientë. Në 2020 numri i tyre arriti në 1,558 apo rreth 33% më pak se viti paraardhës. Rënia e shtrimeve të pacientëve në spitalet psikiatrike vijoi edhe gjatë vitit 2021. Numri i të shtruarve krahasuar me 2020 ra me rreth 19%.

Edhe pse numri i shtrimeve në spitalet psikiatrike është në rënie, sipas mjekut psikiatër, psikoterapist Neli Demi, kjo nuk duhet të interpretohet si përmirësim i gjendjes së shëndetit mendor të popullsisë. Sipas tij, barriera të shumta, përfshirë ato sociale, kulturore dhe ekonomike, pengojnë qasjen në trajtim efektiv.

“Kjo rënie nuk duhet interpretuar si përmirësim i gjendjes mendore të popullatës. Përkundrazi, pandemia e Covid-19 rriti ndjeshëm barrën e problemeve të shëndetit mendor. Ajo që ka ndryshuar është mënyra e trajtimit, por edhe disa faktorë të tjerë.

Së pari, gjatë pandemisë së Covid-19 pati kufizime reale të aksesit në spital dhe hezitim të madh nga familjarët për shtrime për shkak të frikës nga infektimi. Së dyti, u forcua prirja për trajtim ambulator dhe në komunitet, shpesh edhe kur shtrimi do të mund të kishte qenë i dobishëm.

Disponueshmëria e shtretërve psikiatrikë nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë duke vështirësuar aksesin e popullatës në shërbime psikiatrike me shtretër.

Po ashtu, stigma ndaj shtrimit psikiatrik mbetet e fortë dhe shumë familje përpiqen ta menaxhojnë situatën në shtëpi deri në limite të rrezikshme. Pra rënia e shtrimeve nuk reflekton domosdoshmërisht nevojë më të ulët, por barriera strukturore, sociale dhe kulturore”, nënvizon mjeku psikiatër Demi.

Më herët, mjekët psikiatër të spitalit psikiatrik në QSUNT pohuan për “Monitor” se në spitalet psikiatrike gjithmonë shfaqet kjo tendencë, numri i pacientëve herë ulet dhe herë rritet. Kjo pasi disa pacientë kronikë të shtruar në psikiatri që përfundojnë mjekimin, rikthehen sërish për shtrime, pasi gjendja e tyre përkeqësohet nga përdorimi i substancave narkotike.

Të shtruarit në spitalet psikiatrike, peshë të ulët në totalin e shtrimeve

Për vitin 2024, në total, numri i të shtruarve në spitalet publike arriti 322 mijë pacientë sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Në raport me vitin paraardhës, numri i pacientëve të shtruar u rrit 5%.

Por pavarësisht numrit të lartë të shtrimeve, pacientët e shtruar në spitalet psikiatrike përbëjnë peshë të ulët. Për vitin 2024, shtrimet në psikiatri zinin rreth 0.3% të totalit të shtrimeve, duke shënuar nivelin më të ulët për periudhën 6-vjeçare.

Në vitin 2019, pacientët që u shtruan në spitale psikiatrike përbënin rreth 0.74% të totalit të shtrimeve spitalore. Ky ishte niveli më i lartë gjatë periudhës 2019-2024.

Në vitin 2020, kjo përqindje ra pak, në rreth 0.7%, duke reflektuar ndikimin e kufizimeve dhe frikës nga pandemia Covid-19. Ulja u përshpejtua edhe më shumë në vitin 2021, kur përqindja arriti në 0.49%, që është një rënie e ndjeshme krahasuar me 2019.

Në vitet 2022 dhe 2023 pati përmirësim të lehtë, pasi përqindja u rrit në afërsisht 0.5%, por kjo rritje ishte ende nën nivelin e viteve para pandemisë së Covid-19.

Mjeku psikiatër Neli Demi thekson se shifra është e ulët për një sërë arsyesh që nga nënraportimet, por edhe shmangie të pacientëve nga shtrime për arsye sociale apo ekonomike, si dhe periodiciteti i shtrimeve, ku më shumë pacientët shtrohen në spitalet psikiatrike në fazë të avancuar të sëmundjes së tyre mendore. Sipas tij, kjo mund të tregojë se pacientët me probleme mendore po hasin vështirësi më të mëdha për të pasur shërbimet spitalore ose po trajtohen më shumë jashtë spitalit.

“Kjo shifër është tejet e ulët dhe nuk pasqyron barrën reale të sëmundjeve mendore. Po, ka shumë gjasa për: nënraportim, shmangie të shtrimit për arsye sociale, kulturore, ekonomike, mungesë alternativash të ndërmjetme (shërbime komunitare, struktura rezidenciale).

Shpesh pacientët shtrohen vetëm në faza të avancuara të sëmundjes, kur situata është bërë e papërballueshme. Kjo e ul efikasitetin e trajtimit dhe rrit koston afatgjatë”.

Diagnozat dhe grupmoshat më të prekura nga sëmundjet mendore

Në praktikën ambulatore, çrregullimet më të shpeshta të shëndetit mendor janë ankthi, depresioni, varësitë dhe çrregullimet e personalitetit. Megjithatë, vetëm 5-10% e pacientëve me këto diagnoza përfundojnë në shtrim spitalor. “Diagnozat që kërkojnë më shumë shtrim janë psikoza, episodet maniake dhe depresionet e rënda”, nënvizon mjeku Neli Demi.

Sipas tij, grupmoshat më të prekura nga ankthi janë të rinjtë dhe moshat e mesme, të cilët përballen me presione sociale, ekonomike dhe profesionale të rënda. Në të moshuarit dominojnë depresioni dhe çrregullimet neuro-kognitive.

“Aktualisht, të rinjtë dhe moshat e mesme (20–45 vjeç) paraqiten më shpesh për trajtim. Kjo lidhet me presionet sociale, ekonomike dhe profesionale, pasigurinë dhe ndryshimet e shpejta të stilit të jetesës.

Te të moshuarit shohim më shumë raste të lidhura me: depresionin; çrregullimet neuro-kognitive, izolimin social. Ndërsa tek të rinjtë po vërehet rritje e ndjeshme e ankthit, çrregullimeve të humorit dhe problemeve të lidhura me identitetin dhe marrëdhëniet”, pohon ai.

Mjekja psikiatër Arjana Rreli, pranë shërbimit parësor, pohoi më herët se pas ngjarjes së tërmetit të vitit 2019, shtimi i pacientëve më shenja ankthi dhe paniku u rrit në vend. Me shfaqjen e pandemisë së Covid-19, numri i pacientëve që vuajnë nga ankthi është në rritje.

Gjithashtu nga stafi i urgjencës së shërbimit psikiatrik pohojnë se në ditë paraqiten mbi 10 raste urgjencash të pacientëve që vuajnë nga ankthi. Pacientët e paraqitur në urgjencën e spitalit janë kryesisht individë që në të kaluarën kanë qenë përdorues të lëndëve narkotike.

Profili i pacientit që kërkon trajtim ambulator

Sipas mjekut psikiatër Neli Demi, profili i pacientit që kërkon trajtim ambulator ka ndryshuar ndjeshëm, për shkak të pasigurive ekonomike dhe intensitetit të jetës moderne.

“Sot kemi pacientë më të rinj, më shumë gra që kërkojnë ndihmë, më shumë probleme të lidhura me stres kronik, pasiguri ekonomike dhe izolim social.

Gjithashtu, ka një rritje të pacientëve funksionalë nga ana profesionale, por emocionalisht të rraskapitur, të cilët më parë nuk do t’i drejtoheshin psikiatrit. Kjo tregon rritje të ndërgjegjësimit, por edhe intensitet të jetës moderne”.

Kostoja e trajtimit të sëmundjeve mendore

Për vitin 2024, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, kostoja e trajtimit për një pacient në spitalet psikiatrike shtetërore ishte 847,173 lekë, kundrejt kostos prej 693,238 lekësh për pacient të 8-mujorit të 2024.

Rritja e kostos së shpenzimeve është rritur për shkak të shtimit të numrit të punonjësve dhe si rrjedhim, të fondit të pagave.

Ndërsa në sektorin privat, një seancë psikiatrike kushton mes 4,000 dhe 8,000 lekë, ndërsa kostoja e medikamenteve mund të jetë e konsiderueshme për familjet, veçanërisht për trajtime afatgjata.

“Sa u përket medikamenteve: trajtimet bazë mund të kushtojnë disa mijëra lekë në muaj, ndërsa terapitë më komplekse apo medikamentet specifike mund të shkojnë ndjeshëm më lart. Për shumë familje, kostoja është pengesë reale, sidomos për trajtime afatgjata”, nënvizon Dr. Demi.

Sfida e sistemit të shëndetit mendor dhe nevoja për shërbime më të integruara

Pavarësisht rënies së shtrimeve, barra e sëmundjeve mendore mbetet e lartë dhe mjekët psikiatër theksojnë domosdoshmërinë e përmirësimit të sistemit të shëndetit mendor.

Sistemi i shëndetit mendor, sipas psikiatrit Neli Demi, ka nevojë për zhvendosje të fokusit drejt shërbimeve komunitare, qendrave ditore dhe strukturave rezidenciale. Një tjetër problem i rëndësishëm është stigma e madhe që lidhet me shtrimin psikiatrik, që shpesh detyron familjet të menaxhojnë situatën në shtëpi, deri në limite të rrezikshme.

Çfarë parashikon strategjia kombëtare dhe rëndësia e ndërhyrjeve të hershme

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale parashikon në draftin e Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë e Fëmijëve zbatimin e “Strategjisë Kombëtare të Shëndetit për periudhën 2021–2030” dhe të “Planit të Veprimit për Shëndetin Mendor 2023–2026”. Këto masa synojnë përmirësimin e zbulimit të hershëm dhe trajtimit të çrregullimeve mendore, me një fokus të veçantë te fëmijët dhe adoleshentët.

Sipas draftit është ngritur Nënkomiteti për Shëndetin Mendor të Fëmijëve dhe Adoleshentëve, si strukturë ndërsektoriale. Janë hartuar disa dokumente të praktikës klinike për identifikimin e hershëm të problemeve të shëndetit mendor, përfshirë problemet e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve dhe është vijuar me transformimin e Qendrave Shëndetësore në Qendra Socio-Shëndetësore me përfshirjen e shërbimit psiko-social në kujdesin shëndetësor parësor.

“Megjithatë, nuk ka ndodhur ende transformimi i plotë i Qendrave Shëndetësore dhe më shumë se gjysma e Qendrave të Kujdesit të Shëndetit Mendor (QKSHM) nuk ofrojnë shërbime për fëmijët dhe adoleshentët, si dhe në disa qarqe të mëdha të vendit ende nuk janë ngritur QKSHM, të cilat duhet të sigurojnë dhe ofrimin e shërbimeve të posaçme për fëmijët dhe adoleshentët”, nënvizohet në dokument.

Drafti thekson se mungesa e shërbimeve të specializuara, si dhe pengesat financiare dhe jofinanciare, mbeten sfida të mëdha, sidomos në zonat rurale dhe malore.

“Fëmijët hasin disa pengesa financiare dhe jofinanciare për aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore. Pengesat financiare përfshijnë pagesa të larta nga xhepi për barna, specialistë dhe kujdes dentar, veçanërisht problematike për fëmijët nga familjet e varfra, të cilët janë më të ekspozuar ndaj varfërisë shëndetësore dhe përjashtimit nga trajtimet efektive”, citohet në draft.

Pengesat kryesore jofinanciare për fëmijët dhe adoleshentët mbeten: Distanca nga qendrat shëndetësore; Mungesa e specialistëve dhe trajnimeve të përshtatshme, veçanërisht për adoleshentët dhe fëmijët me nevoja të veçanta; Stigma dhe frika për të kërkuar ndihmë për çështje sensitive;

Mungesa e njohjes së të drejtave për kujdes shëndetësor; Analfabetizmi shëndetësor: 20% e fëmijëve 12–15 vjeç nuk e njohin të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor (Muja et al., 2024); Pengesat digjitale: Në zonat rurale, mungesa e internetit dhe aftësive digjitale pengon aksesin në shërbime shëndetësore dhe informacion të besueshëm./Monitor.al

covid-19

Sondazh

Poll
Aktualitet 13 Shkurt 2026, 21:57 E. D

Tenori në autobus

Një tenor, i detyruar të përdorë transportin publik, bën provat e shfaqjes në mes të autobusit. Qytetarët, përve&...

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet