LIVE UPDATES
Aktualitet

"Glorifikimi i diktaturës komuniste,një rrezik për demokracinë e brishtë shqiptare"/ BIRN: Ligjet e moskujtesës shqiptare

Kjo është një maksimë e mishëruar në një numër të konsiderueshëm shkrimtarësh që nga Marcel Proust e pas

13 Janar 2026, 13:13 Nga D.S

Kujtesa është selektive dhe njeriu ka prirjen që të harrojë eksperiencat e këqija për të kultivuar përjetimet e bukura. Kjo është një maksimë e mishëruar në një numër të konsiderueshëm shkrimtarësh që nga Marcel Proust e pas. Në këtë kontekst, nuk është çudi që, në mungesë të sistemit arsimor të shëndetëshëm dhe proceseve gjyqësore edukuese, shqiptarët të kujtojnë me nostalgji kohën e komunizmit, duke kujtuar çfarë normalisht i pëlqen të kujtojnë, e duke injoruar në proces e sipër shkeljen e të drejtave të njeriut. Në rrezik këtu nuk është vetëm harresa e krimeve të shkuara, por është justifikimi, lehtësimi, mundësimi i krimeve të reja. Siç thotë Milan Kundera te Libri i të qeshurës dhe i harresës: “Hapi i parë për të likujduar një popull është që t’i fshish kujtesën. Shkatërro librat, kulturën, historinë. Pastaj merr dikë që të shkruajë libra të rinj, të sajojë një kulturë të tìre, të fantazojë një histori të re. Shpejt ai komb do të fillojë të harrojë se çfarë është dhe çfarë ishte… lufta e njeriut kundër pushtetit është një luftë e kujtesës kundër harresës.”

Kujtesa e sotme mbi regjimin komunist shumë shpesh na shfaqet me lartësimin e militarizmit komunist, mburrje me posedimin e tankeve dhe nëndetëseve, raketave dhe topave dhe justifikim të politikës së izolimit. Për çdo ditë faqe goxha popullore në Facebook rrëmbejnë “like” me foto nga paradat ushtarake të kohës së komunizmit apo me kartolina propagandistike që paraqesin objekte industriale. Komunizmi na është bërë një tatuazh nga i cili nuk shpëtojmë dot.

Ishte një ditë e nxehtë vere kur në mediat sociale algoritmi e pa të arsyeshme të na shfaqë një video nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu. Sipas Vengut, ndërhyrja e trupave xheniere të ushtrisë shqiptare ka sjellë përmirësimin e një segmenti rrugor nga fshati Vërri -Shën Gjergj në Malësinë e Tiranës për te qafa që ndan praktikisht ujëmbledhësin e lumit Mat me ujëmbledhësin e Lumit Erzen. Fjalët e mëdha të përdorura në tekstin shoqërues të videos agrumentonin se punimet kishin për qëllim madhor, rritjen e ndërlidhshmërisë së bazës stërvitore në Pajet, pra një investim madhor në përputhje me rreziqet e shtuara gjeopolitike.

Lajmi i ndërhyrjes më gëzoi shumë për shkaqe shumë praktike dhe aspak gjeopolitike. Unë e pëlqej shumë zonën e Malit me Gropa, Bizë e deri në Librazhd e Bulqizë, një drejtkëndësh të çrregullt shumë malor dhe jashtëzakonisht shumë pak i banuar. Është një zonë shumë e bukur për të apasionuarit pas natyrës por që është po kaq e vështirë për t’u arritur. Nevojitet një makinë shumë e fortë me katër rrota aktive ose disa orë rrugë në këmbë. Në mungesë të një automjeti të tillë, lajmi se “ndërlidhshmëria e NATO-s” është përmirësuar, të sugjeron se zona është bërë e aksesueshme edhe për automjete të zakonshme, gjë që nuk rezultoi tamam e saktë.

Kur vajta, jo për të verifikuar punën e Vengut, por për të shijuar natyrën, zbulova një rrugë pak a shumë ashtu siç e mbaja mend. Shumë të përpjetë, të paasfaltuar, me taban jo gjithmonë të qëndrueshëm. Në një të përpjetë të tillë në fshatin Shën Gjergj, makina ngeci për shkak se gurët ishin të pangjeshur dhe rrëshqisnin nën rrota. Për fat, një banor i zonës përdori automjetin e tij për të më tërhequr për sipër dhe udhëtimi vijoi për qejf.

Zona e Bizës është një gropë në nivelin 1200 metra mbi det, e vendosur mes maleve më të larta se sa kaq. Në kohën e vetëmjaftueshmërisë komuniste, (politika e ndërtimit të socializmit me forcat tona), fusha u përdor për të ndërtuar një si tip qyteze dhe fusha u mboll me patate. Me të rënë komunizmi, qyteza u braktis, disa prej banorëve morën me vete edhe varret e familjarëve që mbyllën sytë në atë terren shumë të bukur dhe tmerrësisht të ashpër. Nëse do të kuptosh se çfarë zone malore është, imagjino vetëm këtë: dy përrenj të kësaj zone, Ballenja dhe përroi i Bizës, humbasin në shpella para se të dalin diku qindra metra më poshtë në lumin Mat.

Si pjesë e riarmatimit, Shqipëria po investon rreth 30 milionë euro për të krijuar një miniqytezë të re, kësaj here për oficerët e karrierës të ushtrisë shqiptare, për ta përdorur zonën si bazë stërvitore.

Zona po ecën gjithashtu si një atraksion për turizmin e aventurës, me poseduesit e makinave me katër rrota aktive që pëlqejnë të ndjekin Rrugën Kombëtare Shtetërore 54, e cila të nxjerr në Bulqizë, apo një rrugë akoma më të ashpër që të nxjerr në Librazhd. E gjithë rruga në të mbaruar të fushës së Bizës vijon mes pyjeve dhe ngjitet deri mbi 1500 metra mbi nivelin e detit. Por pasi kalon zonën e quajtur Ballenjë, ku gjendet një teqe e njohur bektashinjsh, mund të marrësh rrugën majtas dhe zbret në fshatin Peshk. Në qendër të fshatit, përballë shkollës Baba Faja, gjendet një lapidar ku shkruhet: “Në 3 mars të vitit 1944, në Tërshanas të fshatit Peshk, Martanesh, diktatura komuniste pushkatoi pa gjyq 22 burra të pafajshëm.” [….] vijojnë emrat.

Sado që autori i këtyre radhëve ka interes për historinë, fakti është që ky episod nga Lufta Anti-Fashiste më pati shpëtuar. U përpoqa të kërkoj ndonjë informacion në internet dhe mora vesh se me urdhër të Mehmet Shehut, ekzekutimi i këtyre njerëzve joluftues u ndërmorr si shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së një partizani në shkëmbim zjarri me forca jo fort të njohura.

Ligjet e kujtesës janë një praktikë e gjithëpërhapur (dhe me raste, e abuzuar) në kontinentin evropian sot dhe synojnë të ndëshkojnë, si shembull publik më shumë se sa si dëm monetar për fajtorët, personat që mohojnë, relativizojnë, lartësojnë apo justifikojnë Holokaustin apo krimet kundër njerëzimit, apo ekspozojnë në publik, jo për arsye studimore apo edukative, por për qëllime të glorifikimit, simbole të diktaturave naziste, fashiste apo komuniste. Që të kuptohemi, njerëzit nuk futen në burg për shkelje të ligjeve të tilla, por procesi publik që ndërmerret nga prokurorët që ngrenë akuzat dhe gjykatat që vendosin mbi kontekstin, krahas dënimeve kryesisht me gjobë dhe me detyrim për të kërkuar ndjesë publike ndaj palëve të prekura, konsiderohen si ku e ku më të rëndësishme se sa vetë dënimi.

Në disa raste, ligjet e kujtesës po abuzohen për të çimentuar pushtetin e partive të caktuara. Në Poloni është bërë e jashtëligjshme të konkludosh se kishte polakë mes bashkëpunëtorëve të Holokaustit. Në Rusi është ndaluar të krahasosh krimet sovjetike me krimet e nazizmit, ndonëse ka informacion të bollshëm për natyrën sistemike të krimeve të të dy regjimeve.

Eksperienca në Evropë është e ndryshme nga ajo në SHBA, ku Amendamendi i Parë i Kushtetutës ndalon kongresin “të bëjë ligje” që cënojnë lirinë e shprehjes. Në SHBA trajtimi i problemeve të tilla si gjuha e urrejtjes luftohet përmes reagimit publik, pra përmes qytetarëve që shprehin neverinë e tyre kur hasin dikë që, fjala vjen, mohon skllavërinë, ndërsa liria e gjerë akademike dhe media e shëndetshme sigurojnë informimin e gjerë të publikut mbi të shkuarën, përfshirë çështjet sensitive si shfarosja e indianëve apo institucioni i skllavërisë.

Shqipëria ka gjithashtu ligje të tilla, që ndalojnë nxitjen e urrejtjes ndaj minorancave dhe dënojnë mohimin e krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës, kur këto janë themeluar si fakte. Ndërsa rastet e persekutimeve dhe dënimeve janë minimale jashtë fushës së nxitjes së terrorizmit, institucionet akademike janë inekzistente sa i përket studimeve ndërsa media është një zgjatim i korrupsionit politik dhe rrjedhimisht, një instrument shumë i papërshtatshëm për të kryer detyrën që normalisht duhet të kryhet nga media.

Shqipëria ka gjithashtu, një ligj të miratuar nga shumica aktuale socialiste, që ndalon, së paku në teori, studimin e ngjarjeve të tilla si ekzekutimi i 22 banorëve të fshatit Peshk nga ushtria partizane. Ligji 129/2020 thotë se periudha e komunizmit, rrjedhimisht  krimet e komunizmit, nisën më 29 nëntor 1944. Në relacionin shoqërues të firmosur nga deputetët Spartak Braho, Jurgis Çyrbja, Alket Hyseni e të tjerë, japin një leksion historie në të cilin argumentojnë se Instituti i  Studimit të Krimeve të Komunizmit, një ent publik, nuk mundet të studiojë se çfarë ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri për shkak se në këtë mënyrë cënohet Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me një fjalë, vrasja e 22 banorëve të fshatit Peshk, nuk është e lejuar të studiohet. Njerëzit, së paku për aq sa bëhet histori nga institucionet e paguara nga paratë e tatimpaguesve, nuk kanë të drejtë të dinë se një ngjarje ka ndodhur me 22 viktima, e aq më pak, që t’i vënë emrin, nëse ky është krim lufte, siç duket se është. Dhe për momentin nuk ka as ndonjë informim më të gjerë për qytetarët mbi krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë regjimit komunist.

Në këtë kontekst, nuk ka pse të çuditemi që bota e internetit është e përmbytur me glorifikim, justifikim, relativizim dhe mohim të krimeve të komunizmit, ato të kryera para çlirimit dhe ato të kryera pas çlirimit. (Për shembull, hasa diku një askushin që argumentonte se vrasja e 22 banorëve të fshatit Peshk ishte e justifikuar moralisht, ushtarakisht dhe politikisht, ndërsa vajtimet e llojit: kishim fabrika dhe u shkatërruan, vazhdimisht dështojnë të vërejnë se shumë dhe shumë nga këto fabrika u ndërtuan me punë të të burgosurve, se shumë lanë jetën dhe sot e të gjithë ditën mbeten të varrosur në varre pa emër, siç është rasti i varrezës së Kampit të Ballshit).

Dhe për momentin nuk ka asnjë mënyrë që dikush të mund të dënohet, publikisht dhe njerëzisht, përmes një procesi edukativ për publikun e gjerë, për krimin e cënimit të dinjitetit të viktimave të komunizmit.

Kjo natyrisht që është vetëm një pjesë e problemit. Glorifikimi i komunizmit, që na shfaqet në rrjete sociale, me vajtime jo fort të mbështetura në logjikë mbi humbjen e armatimeve të ushtrisë, të fabrikave të ndërtuara me punë të detyruar, si dhe popullariteti i postimeve të kësaj natyre duket se lidhet me dështimin tërësor të sistemit arsimor për të informuar qytetarin e një vendi demokratik mbi çështje të tilla elementare si, ndalimi i  punës së detyruar në shoqëritë demokratike (shoqëruar mundësisht me shembujt e përdorimit në shkallë të gjerë të punës së detyruar gjatë regjimit komunist, në formën e “Punës vullnetare” apo përmes dënimeve me “riedukim përmes punës”), te informimi mbi themelet e ekonomiksit të zhvillimit (ekonomia socialiste nuk mund të funksionte për shkak se qëllimi i menaxherëve të saj ishte ruajtja e pushtetit të partisë dhe jo mirëqënia e njerëzve) apo te E Drejta Ndërkombëtare si themeli i pavarësisë dhe bashkëjetesës paqësore mes kombeve, Kartës së Kombeve të Bashkuara që ndalon luftën të pajustifikuar për qëllime mbrojtjeje e të tilla si këto.

Nostalgjia natyrisht që është një ndjenjë hileqare njerëzore. Kujtimet e njerëzve mbi periudhën komuniste janë në thelb, kujtime nga rinia kështu që, çdokush normalisht që mallëngjehet për rininë e vet, e cila, ashtu si edhe tanket dhe nëndetëset, nuk kthehet dot më. Por glorifikimi i sistemit komunist është tregues i dështimit tonë për të informuar qytetarin si instrumenti kyç për demokracinë. Në këtë kontekst, është shumë e vështirë të imagjinosh se si demokracia mund të mbijetojë në Shqipërinë e kohës sonë. Nëse sheh lehtësinë me të cilën krimi bëhet bashkë me politikën dhe gjen justifikime morale të llojit “kjo është Shqipëria”, nuk mundet veçse të konkludosh se mosdënimi i krimeve të komunizmit, studimi shumë i kufizuar i natyrës sistemike të dhunimit të të drejtave të njeriut, nga e drejta për lëvizje të lirë te e drejta për abort, është rrënja e mosdënimit të krimeve të sotme, as në rrafshin moral, nga korrupsioni politik te vrasjet mafioze./Reporter.al

birn komunizmi shqiptar ligjet e moskujtesës shqiptare

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet