LIVE UPDATES
Aktualitet

Ekzekutivi dhe institucionet e varësisë pa transparencë, zvarrisin kërkesat për informacion

Ekspertët ngrenë shqetësimin për një centralizim dhe mungesë vullneti të titullarëve të institucioneve për të vënë në dispozicion informacionin e kërkuar. Megjithatë, vendimet e gjykatave në cështjet “Hoxhaj vs. KPK” dhe “Rama vs. Tatime” pasurojnë jurisprudencën vendase në favor të gazetarëve për “të drejtën e informimit”.

12 Shtator 2024, 13:10 Nga Elvin Luku

Ekzekutivi dhe institucionet e varësisë pa transparencë,

TIRANË- Institucionet e ekzekutivit dhe ato të varësisë pengojnë dhënien e informacionit për mediat në shkelje e tejkalim të afateve të ligjit “Për të drejtën e informimit”, apo duke përdorur artificat e “sekretit tregtar” e “sekretit hetimor” për ta mbajtur atë larg mediave dhe opinionit publik. Ky fakt konfirmohet nga të dhënat e MediaLook, e cila ka analizuar 125 kërkesa për informacion të dërguara institucioneve për një periudhë 5-vjecare, përgjatë viteve 2019-2023. Ekspertët ngrenë shqetësimin për një centralizim dhe mungesë vullneti të titullarëve të institucioneve për të vënë në dispozicion informacionin e kërkuar. Megjithatë, vendimet e gjykatave në cështjet “Hoxhaj vs. KPK” dhe “Rama vs. Tatime” pasurojnë jurisprudencën vendase në favor të gazetarëve për “të drejtën e informimit”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, një institucion nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, refuzoi në janar të këtij viti kërkesën e MediaLook për të intervistuar pa kamera një grua të dënuar si e përfshirë në një rast abuzimi seksual. Kjo e fundit do të pyetej për te konfirmuar disa të dhëna që vërtetonin dështimin e agjencive parandaluese dhe rehabilituese në Shqipëri. Institucioni argumentoi me shkrim se rregullorja “ndalonte realizimin e filmimeve dhe regjistrimeve në mjediset e të burgosurve si dhe transmetimin e emisioneve të drejtpërdrejta nga mjediset e institucionit”.

Dy jave me vonë, i njëjti institucion, duke iu përmbajtur të njëjtës rregullore, lejoi regjistrimin e një reportazhi 55 minuta që propagandonte për kushtet e përmirësuara, sigurinë e lartë dhe jetën në burgun e Peqinit, duke patur si cicëron drejtuesin e këtij institucioni, tashmë të dorëhequr. Ai u transmetua në prime-time në emisionin “Opinion”.

MediaLook kontaktoi Drejtorinë e Burgjeve dhe me një shkresë zyrtare i kërkoi shpjegim në lidhje me standardin e dyfishtë në interpretimin e rregullores.

Pasi refuzoi përgjigjen brenda afatit, i detyruar nga Komisioneri Publik, Drejtoria e Burgjeve evidenton se kërkesa për realizimin e këtij produksioni, i cili fliste për një burg të sigurisë së lartë me “5 yje”, është miratuar nga vetë Ministri Manja. “Regjistrimi nga stafi i emisionit “Opinion” është pranuar nga Ministri i Drejtësisë, duke kufizuar filmimet në ambientet e të burgosurve si dhe intervista me ta.”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni. Ndërkohë, përkundër këtij qëndrimi, në reportazh shfaqen edhe intervista të realizuara me të dënuar.

Drejtoria e Burgjeve shkon edhe më tej! Ajo sqaron se kërkesat për intervista vlerësohen nga stafi i burgjeve në interes të autores së krimit por edhe të “ndikimeve negative që mund të kenë në perceptimin e publikut”. Ky fakt, pra për të diktuar perceptimin e opinionit publik, iu komunikua “off record” edhe gazetarëve të MediaLook, në përpjekje për të shpjeguar arsyet e refuzimit të intervistës me një dëshmitare të një prej krimeve më të rënda seksuale me të mitur në Shqipëri, një vendim ky që tentoi të pengonte investigimin.

Materiali propagandistik, me leje të vetë Ministrit të Drejtësisë, ishte një përpjekje për të rikuperuar imazhin e institucionit. Ai u publikua afro dy muaj pas vrasjes tragjike në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, më 15 dhjetor 2023, ku i burgosuri Sokol Mjacaj, kishte arritur të siguronte një pistoletë, me anë të të cilës ekzekutoi Arben Lleshin dhe mbajti peng punonjësit e kuzhinës së burgut. Kjo ngjarje u pasua nga një letër të publikuar në media që drejtorët e burgut të Peqinit i kishin dërguar, më 30 Nëntor, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrisë, në të cilën theksonin se “skaneri i burgut është jashtë funksionit, ndërsa disa prej të burgosurve përjetë janë lejuar të rikonstruktojnë dhomat duke kufizuar kontrollet dhe elementet e sigurisë për sende të ndaluara”. Mungesa e këtyre fakteve të rënda në materialin gazetaresk, u konstatua me shqetësim edhe nga gazetari i kronikës së zezë, Spartak Koka në studio, pas transmetimit të reportazhit.

Institucionet e ekzekutivit, ato të varura prej tij por dhe ato të ndjekjes penale pengojnë dhënien e informacionit për mediat, ndërsa shkelin dhe tejkalojnë afatet në kthimin e përgjigjeve ndaj kërkesave për informacion, të përcaktuara nga ligji “Për të drejtën e informimit”.

MediaLook ka analizuar një bazë të dhënash me 125 kërkesa të dërguara prej saj për një periudhë 5-vjecare, përgjatë viteve 2019-2023. Rezulton se, nga 33 prej tyre dërguar institucioneve të ekzekutivit dhe atyre të varësisë, në 1/3 e rasteve ato janë injoruar dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje brenda afatit. Këto kërkesa, edhe pas ankimimeve, kanë marrë përgjigje të paplota.

Rasti më flagrant është informacioni që MediaLook i kërkonte Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës në lidhje me faturën e dëmshpërblimit për televizionet nga grupi i ekspertëve ndërkombëtare mbi lirimin e brezit të frekuencave 700 MHz, pas një keq menaxhimi ndër vite të situatës nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Kërkesa është nisur më 24 Janar 2023 dhe pas ankimimeve pranë Komisionerit, është marrë një përgjigje e pjesshme më 5 Prill 2023, plot 71 ditë nga 10 ditë pune që parashikon ligji.

Kompensimi nga buxheti i shtetit për secilin prej operatorëve mediatik është konfidencial dhe përbën sekret tregtar”, – thuhej në përgjigjen e MIE mbi vlerën e dëmshpërblimit të secilës media nga paratë e taksapaguesve për lirimin e spektrit të frekuencave, që është pasuri publike.

Nga përpunimi i të dhënave, evidentohet se zvarritja nuk ka karakter administrativ, por konstatohet një tendencë për të mos dhënë informacionin e kërkuar përmes përgjigjeve formale apo duke e fshehur këtë të fundit në mënyrë abuzive pas “sekretit hetimor” apo “sekretit tregtar”, veçanërisht kur informacion është sensitiv, duke krijuar dhe pengesa burokratike për median. Në rastin konkret MediaLook përpiloi një arsyetim pesë faqesh ku argumentonte përse informacioni i kërkuar nuk përbën “sekret tregtar”.

Dorian Matlija – Avokat, drejtuese i “ResPublica”

Për avokatin e specializuar mbi çështjet e lirisë së mediave dhe gazetarëve, Dorian Matlija, “ajo që konstatohet në mënyrë të vazhdueshme është që, pavarësisht nga lloji i institucionit, faktori kryesor është lloji i informacionit që kërkohet. Nëse ju si gazetar kërkoni informacione me karakter sensitiv, do të përballeni me rezistencë nga cilido institucion, sado mirë që të jetë sjellë ky institucion në të kaluarën”, – nënvizon Matlija, i cili është njëherësh edhe drejtuesi i Qendrës Respublica që monitoron dhe publikon raporte periodike mbi të drejtën e informimit.

Ndërsa studiuesja dhe autorja e raportit të përvitshëm “Safe journalist Albania”, Blerjana Bino, shprehet se “çështja nuk është te koordinatorët e të drejtës së informimit por te fryma dhe kultura e përgjithshme që kanë institucionet që lidhet me përqendrimin e madh të pushtetit, me fshehtësinë, mbajtjen e informacionit, mos bërjen e transparencës proaktive dhe të llogaridhënies e cila lidhet me titullarët e institucionit e akoma më tej te Këshilli i Ministrave e Kryeministri”.

Kryeredaktori i BIRN Albania, Besar Likmeta, një prej organizatave mediatike me natyrë investiguese tregon se “ka një përkeqësim të kohës dhe qasjes ndaj ligjit “Për të drejtën e informimit” gjatë viteve të fundit”. Ky fakt konstatohet edhe nga të dhënat e MediaLook, ku vërehet se krahas ekzekutivit janë dhe institucionet e ndjekjes penale, Policia dhe Prokuroria, me një mesatare ditore të kthimit të përgjigjes deri ne 28 ditë, ose sa dyfishi i kohës së parashikuar në ligj. Vërehet se Policia ka dhe numrin më të lartë të kërkesave pa asnjë përgjigje.

Ndërkaq, institucionet që duket se e respektojnë më së shumti “të drejtën e informimit” janë gjykatat. Nga përpunimi i të dhënave në lidhje me 51 kërkesa për informacion të dërguara, rezulton se në 49 raste informacioni i marrë ka qenë i plotë në përmbajtje, ndërsa mesatarja ditore e kthimit të përgjigjeve ishte 12 ditë.

Besar Likmeta – Kryeredaktor i BIRN Albania

Por përtej vonesave në kohë, ajo që shikohet më me shqetësim prej drejtuesit të BIRN Albania, Besar Likmeta është uniformizimi dhe centralizimi i informacionit: “Ka patur raste ku institucionet në mënyrë të organizuar kthejnë përgjigje të ngjashme, ku kërkesa e dërguar në institucione të ndryshme, marrin përgjigje të centralizuar. Kjo mund të jetë si pasojë e krijimit të Agjencisë së Medias dhe Informacionit, që ka një rol koordinues, por që shpesh duket sikur ka dhe një rol kufizues për sa i përket qasjeve të tyre në dokumentet publike”, – shprehet Likmeta. Ai analizon se “edhe pse ky institucion në teori ka për qëllim lehtësimin ne qasjen e informacionit nga media, perceptimi jonë është që shpesh herë është bërë pengese për sa i përket kërkesave të gazetarëve ose institucioneve të medias për të patur informacion apo kopje të dokumenteve zyrtare…”.

Situata në lidhje me të drejtën e informimit nga institucionet publike është pranuar si problematike edhe nga vetë kryeministri Rama, ndonëse prej më shumë se dhjetë vitesh pjesa dërrmuese e titullarëve të kësaj administrate që pengojnë informimin e qytetarëve janë caktuar përgjatë mandateve të tij. Më 26 Qershor, ndërsa fliste në Konferencën VI Kombëtare Për të Drejtën e Informimit, Rama propozoi ngritjen e një Bordi Kombëtar Monitorimi, ndërsa shtoi se “në pjesën më të madhe problemi është se nuk ka një vetëdije për dhënien e informacionit në kohë reale dhe kjo gërryen besimin e qytetarëve, kjo hap shtretër të tërë lumenjsh për llumin e dezinformimit”, duke pranuar publikisht se burimi i dezinformimit, për të cilin ai akuzon vazhdimisht median, është mungesa e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e institucioneve publike.  

Muaji korrik i vitit 2024 rezultoi i mbarë për median, gazetarinë dhe të drejtat e gazetarëve.

Dy prej reporterëve investigues Edmond Hoxhaj i BIRN Albania dhe Artan Rama, gazetar investigues freelance, fituan dy procese të cilat zgjatën për vite me radhë, respektivisht tre dhe shtatë vite.

Çështja “Hoxhaj vs. KPK”, ishte ajo që mori vëmendjen e medias dhe opinionit publik për shkak të informacionit sensitiv që mbarte. Gjykata e Lartë i dha fund një procesi tre vjeçar duke rrëzuar pretendimet e KPK-së, institucion ky i krijuar si pjesë e paketës së reformës në drejtësi. Në vendimin e saj, ajo i dha të drejtë BIRN-it dhe gazetarit Edmond Hoxhaj në lidhje me publikimin e emrit të shoqërisë donatore, që mbulonte shpenzimet e anëtarëve të KPK-së për një aktivitet të këtij institucioni. Informacioni i mbajtur i fshehtë për tre vite, kishte një impakt të drejtpërdrejtë në besueshmërinë e këtij institucioni, pasi për sponsorizime të ngjashme, vetë anëtarët e KPK-së kanë dhënë vendime për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjatë procesit të vettingut.

Kryeredaktori i BIRN e konsideron të një rëndësie të veçantë për respektimin e një të drejte të sanksionuar në Kushtetutë: “Vendimi i Gjykatës së Lartë për të mbajtur në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ, dhënë nga gjyqtarja Blerona Hasa, ka një rëndësi themelore për sa i përket të drejtës së informimit dhe gazetarëve, – nënvizon Likmeta.  

Për avokatin Matlija ky vendimi i Gjykatës së Lartë është “një pasurim i jurisprudencës vendase”. Sipas tij “në çështjen në fjalë ishte Komisioneri që bëri balancën e duhur dhe urdhëroi publikimin e informacionit dhe gjykatat e të gjithë niveleve e mbështetën këtë vendimmarrje”. Drejtuesi i Qendrës ResPublika thekson se Gjykata e Lartë e trajtoi rastin “Hoxhaj vs. KPK” me përparësi dhe jo sipas ritmeve të zakonshme të saj, “duke ndjekur jurisprudencën e Gjykatës Evropiane e cila thekson se informacioni që kërkojnë gazetarët është një “mall që kalbet” dhe duhet trajtuar me shpejtësi”.

Një tjetër vendim i rëndësishëm për peizazhin mediatik në vend dhe lirinë e gazetarëve rezultoi edhe çështja “Rama vs. Tatime”. Gjykata Administrative e Apelit i dha fund një kalvari ligjor 7-vjeçar duke vendosur në favor të gazetarit Artan Rama. Ky i fundit i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dokumentacionin mbi listën emërore të punonjësve të siguruar në disa nga TV-të më të mëdha në vend.

Blerjana Bino – Autore e “Safe Journalist Albania”

Të dyja vendimet vendosin praktika të mira dhe japin sinjale për institucionet në favor të transparencës së informacionit”, – deklaron studiuesja Blerjana Bino. Megjithatë, sipas saj,  shqetësimi i ngritur nga gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile mbetet koha për të arritur në këtë vendim pozitiv. “Vonesa prej tre dhe shtatë vitesh natyrisht që ndikon në cilësinë e informacionit dhe në mënyrën sesi qytetarët informohen për çështjet me interes publik, jo në kohën e duhur, por me shumë vonesë”, – përfundon Bino.

Aktualisht, sipas ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, moszbatimi i vendimit të Komisionerit Publik dënohet me gjobë, një penalitet ky që po rezulton i lehtë për shkeljen e një të drejte kushtetuese. “Kërcënimi me gjobë nuk është i mjaftueshëm, por duhet futur në zbatim mekanizmi i ekzekutimit me anë të përmbaruesve, të cilët kanë në dorë edhe kallëzimin penal, nëse është e nevojshme”, – analizon avokati Matlija.

Ky ndryshim ligjor, jo vetëm që do të forconte pozitat e qytetarëve dhe gazetarëve, por do të frenonte qëndrimet arrogante të disa prej titullarëve të institucioneve për të fshehur informacionin dhe zvarritur “të drejtën e informimit”./Medialook.al

hoxhaj vs. kpk rama vs. tatime


Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet