LIVE UPDATES
Aktualitet

BIRN: Pacientët me sklerozë multiple në Shqipëri, lëngojnë nga qasja e kufizuar në barna

Qindra pacientë të diagnostikuar me sklerozë multiple në Shqipëri kanë pasur trajtim të munguar ose të vonuar me medikamente, duke rrezikuar shëndetin dhe cilësinë e jetesës.

26 Mars 2025, 15:17 Nga B.Z
BIRN: Pacientët me sklerozë multiple në Shqipëri,
Foto ilustruese

TIRANË - Etleva* ishte vetëm 20 vjeç kur u diagnostikua me një sëmundje autoimunitare të pashërueshme të quajtur Skleroza Multiple. Në vitin 2001, kur ishte studente në Itali, ajo përfundoi në spital për shkak të dhimbjeve të forta të kokës, mpirjes në njërën anë të trupit dhe disa episodeve të humbjes së ekuilibrit.

Lajmi që mori nga mjekët ishte tronditës.

“M’u errësuan sytë, u mbylla në vete dhe m’u desh shumë kohë që të mësohesha me këtë sëmundje, e cila më shfaqej herë pas here,” kujton Etleva, sot 44 vjeç.

Perpecitë e Etlevës me sëmundjen u rënduan pas kthimit në atdhe, ku ajo u mjekua për disa vite me Interferon – medikamenti i vetëm në atë kohë në dispozicion të pacientëve me sklerozë të shumëfishtë në Shqipëri. Por Interferoni e humbi efektin në trupin e saj dhe medikamente të tjera nuk kishte.

Etleva i tha BIRN se qëndroi shumë vite pa mjekim, përpara se mjekët t’i jepnin një medikament të ri në vitin 2021, i cili i shkaktoi probleme në mëlçi.

“Që nga ajo kohë nuk marrë mjekime të tjera, nuk më rekomandojnë, pasi mjekët thonë që jam mirë,” tha Etleva për BIRN. “Në fakt jam mbyllur në shtëpi pasi nuk mund të lëviz, kam humbje të ekuilibrit dhe lodhem shpejt,” shtoi pacientja e shqetësuar.

Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje kronike autoimunitare që godet sistemin nervor, duke rrezikuar dobësim të muskujve, probleme me shikimin, humbje të ekuilibrit e deri në invaliditet. Sëmundja diagnostikohet kryesisht mes moshës 20-40 vjeç, por në raste të rralla edhe në mosha minorene.

Për sistemin shëndetësor shqiptar, skleroza multiple ka një prevalencë të ulët dhe nuk konsiderohet një problem. Por qindra pacientë të diagnostikuar në Shqipëri jetojnë me dramën e trajtimeve të mohuara ose të vonuara, të cilat rrezikojnë shëndetin dhe cilësinë e tyre të jetesës.

Sipas Tanush Çaushit, president i fondacionit “Pema e Jetës” për pacientët me sklerozë multiple, mungesa e medikamenteve dhe e protokollit të trajtimit ndër vite ka sjellë përkeqësim të shëndetit për shumë persona që vuajnë nga kjo sëmundje në Shqipëri.

Çaushi shprehu gjithashtu shqetësimin se sistemi shëndetësor arrin të trajtojë vetëm 10% të pacientëve, ndërkohë që shërbimet e domosdoshme të fizioterapisë dhe trajtimet psikologjike nuk mbulohen ende nga shteti.

“Shumë të sëmurë janë detyruar të ikin jashtë vendit për trajtim, pasi në Shqipëri nuk kanë mundur ta marrin atë,” tha ai për BIRN.

Ministria e Shëndetësisë pretendoi përmes një përgjigje me shkrim se ndiqte protokollet ndërkombëtare për diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve me sklerozë multiple, ndërsa kishte përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme disa medikamente inovatore për trajtimin e sëmundjes.

“Konsultat, diagnostikimi dhe trajtimi me barna përcaktohet nga një ekip prej 6 mjekësh, tre senior dhe tre rezidentë. Komisioni me 3 mjekë pranë shërbimit universitar të Neurologjisë në QSUNT vlerëson ecurinë e pacientit në dinamikë në lidhje dhe me trajtimin me barna të rimbursueshme dhe spitalore,” tha Ministria e Shëndetësisë.

Sëmundje e paparashikueshme

Zbulimi dhe trajtimi i sklerozës së shumëfishtë ka qenë një sfidë e vazhdueshme për shkencëtarët dhe neurologët që prej fillimit të shekullit 19. Qindra terapi u testuan në mënyrë të pasuksesshme te personat e prekur në botë, përpara se pacientët me episode të përsëritura të trajtoheshin me kortizon në fillim të viteve 1950.

Në Shqipëri, mjekimi i parë për trajtimin e pasojave të sëmundjes u fut në vitin 2000 dhe për gati dy dekada mbeti i pandryshuar, pavarësisht përparimit të shkencës dhe miratimit të medikamenteve të reja.

Vendit i mungon gjithashtu një regjistër kombëtar i pacientëve me sklerozë multiple, çka e bën numrin e tyre të paqartë. Ministria e Shëndetësisë nuk vuri në dispozicion të BIRN numrin total të pacientëve, por vetëm të dhënat e vitit 2024, sipas së cilës janë ndjekur gjithsej 210 raste.

Ndërkohë, fondacioni “Pema e Jetës” numëron rreth 2 mijë pacientë në të gjithë vendin, duke u bazuar te studimet e veta.

Në Shërbimin e Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjekja Jera Kruja, njëherazi shefe e shërbimit, merret prej 45 vitesh me trajtimin e sklerozës multiple, të cilën ajo e quan një sëmundje të paparashikueshme.

“Është sëmundje autoimune, ka shumë të panjohura. Pra, ti mund t’ja bësh të gjitha dhe sëmundja mund të shkojë keq. Dhe një tjetër që s’ka bërë asgjë, shkon mirë,” shpjegon ajo.

Sipas Krujës, numri i pacientëve në rang vendi nuk është shumë i lartë dhe ajo beson se sëmundja është e mbuluar mirë në krahasim me sëmundje të tjera më të shpeshta si epilepsia apo parkinsoni. Kruja tha gjithashtu se mbulimi me medikamente është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2000, kur mjekimi i parë për sklerozën multiple mbërriti në Shqipëri.

“Mjekimin e parë për këtë sëmundje e kemi që në vitin 2000, që ka qenë vetëm pak vite pasi u fut në Europë. Pastaj futëm disa medikamente dhe ngelëm disa vite me ato, ndërkohë që shkenca përparoi dhe nxori mjekime të reja,” kujton Kruja, e cila thekson se situata ka ndryshuar gjatë viteve të fundit.

Në dy vitet e fundit, sipas saj, shteti rimburson 100% shtatë alternativa për trajtimin e Sklerozës Multiple nga 14 të tilla që qarkullojnë në Europë, përfshirë edhe katër barna inovatore si Ocrevus, Mavenclad, Glatiramer Acetate dhe Cesimta.

Por Tanush Çaushi nga fondacioni “Pema e Jetës” i tha BIRN se vetëm një numër i kufizuar pacientësh po trajtohen me medikamentet e reja.

“Numri i të trajtuarve me sklerozë multiple në vendin tonë është mbi 160 pacientë, ndërkohë që numri i të prekurve rezulton të jetë më i lartë. Sipas statistikave të QSUT janë rreth 1000 pacientë, ndërkohë që sipas studimeve tona rezultojnë rreth 2000 pacientë,” tha ai.

Çaushi, 42 vjeç, u diagnostikua me sklerozë multiple në vitin 2015 dhe thotë se sëmundja ka avancuar në një kohë të shpejtë, aq sa tani ai mundet të ecë me ndihmën e një walker-i. Ai fajëson protokollin e mjekimit për avancimin e sëmundjes.

“Për katër vite jam trajtuar me Interferon, prandaj jam përkeqësuar kaq shumë. Kam kërkuar medikament tjetër, por më kanë thënë nga spitali: nuk kemi medikament tjetër,” thotë Çaushi.

“Kur e mora vesh që kishte medikamente të tjera, ishte tepër vonë për mua. Dëmi ishte bërë,” shtoi ai.

Gjatë dy viteve të fundit, Çaushi po trajtohet me Ocrevus, të cilin e merr dy herë në vit në kushte spitalore me injeksion. Por ai druhet se do t’i ndërpritet mjekimi.

“Kohët e fundit po më thonë që trajtimi me këtë medikament vetëm për dy vite bëhet, ndërkohë që jashtë vendit, nëse është funskional për pacientin, medikamenti merret me vite, edhe 10 vjet,” tha ai.

Pacientët nuk kanë akses në medikamente  

Medikamentet e trajtimit të sklerozës multiple janë tejet të kushtueshme me çmime që variojnë nga 2 mijë deri në dhjetra mijëra euro për njësi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, barnat e rimbursueshme për këtë kategori pacientësh kanë kushtuar 394 milionë lekë [3.9 milionë euro] për vitet 2022-2024.

Vetëm bari Ocrevus/ Ocrelizumab i ka kushtuar 64 milionë lekë QSUT-së gjatë një procedure prokurimi për vitet 2022-2024. Gjithsesi, këtë medikament e kanë përfituar vetëm një numër i kufizuar prej gati 20 pacientësh në këtë periudhë.

Pacientët e tjerë me të cilët BIRN foli ankohen për mungesën e medikamenteve dhe ndërprerjen e shpeshtë të tyre, ndërkohë që luftojnë çdo ditë me këtë sëmundje të vështirë.

Vera Bungu, një 47 vjeçare nga Vora ka mbetur prej vitesh në shtrat, pasi nuk i lëviz dot gjymtyrët e deformuar. Ajo është diagnostikuar 14 vite më parë, por ka marrë trajtim me medikamente vetëm para katër vitesh.

“Nuk lëviz dot as duart, as këmbët, nuk qëndroj dot as në karrocë. Edhe për t’u ushqyer, më ushqen kunata, pasi nuk kam njeri tjetër,” thotë Vera.

Aktualisht, ajo po trajtohet me Vitaminë C, Lioresal, medikament për qetësimin e muskujve, dhe një qetësues për ankthin. Ajo ankohet se nuk ka pasur akses në medikamentet e tjera që trajtojnë simptomat e Sklerozës Multiple.

“Nga spitali, më kanë thënë se nuk ka medikamente për Sklerozën Multiple, ndërsa mjeku i familjes më ka thënë ka, por nuk e jep spitali. Mendova të hyjmë dhe në borxhe për ta blerë, por ishte rreth 35 mijë euro një flakon dhe nuk e përballoj dot,” tha ajo.

Edhe Albana, një 48 vjeçare nga Lezha ka një përvojë të ngjashme. E diagnostikuar para 6 vitesh me sklerozën e shumëfishtë, ajo është trajtuar me Interferon vetëm për 1 vit e gjysmë.

“Pastaj nuk ma dhanë më, shko në qytetin tënd më thanë. U bëra mirë, por kisha vështirësi. M’u rikthye sërish, nuk lëviz më, kam ngelur në krevat,” ankohet Albana, e cila shtoi se mjekët në Lezhë i kanë thënë që mjekimi mund të jepet vetëm nga Tirana.

Blerina*, vajza e një pacienti të diagnostikuar dy vjet më parë me sklerozë multiple thotë se nuk arritën të sigurojnë asnjë medikament në Shqipëri pavarësisht përpjekjeve, duke u detyruar që të zhvendoseshin drejt Italisë për kurimin e të atit.

“Në spital më thanë: është moshë e madhe babai, le të rrijë kështu njëherë për njëherë. Duke parë gjendjen që po përkeqësohej, frika për një relaps të mundshëm po rritej dita ditës,” kujton ajo.

Pasi siguroi një kartë shëndeti në Itali, Blerina thotë se babai i saj iu nënshtrua ekzaminimeve atje dhe më pas iu dha menjëherë medikamenti, bashkë me këshillën që nuk duhej ndërprerë asnjëherë.

“Kemi shpenzuar shumë e kemi marrë dhe kredi vetëm për t’i mundësuar babit një jetë më cilësore,” tha Blerina. “Jam e zhgënjyer nga trajtimi në Shqipëri dhe është absurditet që më shpejt të arrij t’i siguroj ilaçet në Itali sesa në vendin ku ai ka punuar me vite,” shtoi ajo.

Mjeku neurolog grek, Grigorios Nasios, i cili trajton edhe pacientë me sklerozë multiple në njërin prej spitaleve private të vendit i tha BIRN se pacientët shqiptarë nuk trajtohen mirë nga sistemi dhe e quajti këtë “një tragjedi”.

“Unë personalisht i trajtoj shumë prej tyre dhe kam hasur vështirësi edhe për të patur akses në medikamente,” tha Nasios.

“Ne kurrë nuk e ndërpresim trajtimin. Mund të ndodhë nëse gjendja është shumë kronike dhe rastet e sëmundjes progresive dytësore, por kjo vetëm pasi e kemi trajtuar për 20-30 vjet,” shtoi ai.

Fizioterapia nga xhepi

Pacientët me sklerozë multiple paguajnë nga xhepi shërbimet mjekësore që lidhen me fizioterapinë, shëndetin mendor dhe në raste të rënduara, edhe nevojën për infermierë dhe kujdetarë, pasi sistemi publik shëndetësor nuk i ofron dhe as nuk i mbulon këto shërbime.

Mjekja neurologe, Jera Kruja e konsideron fizioterapinë si bazë terapeutike, por mundësitë në shërbimin që ajo drejton janë të kufizuara. Kruja thotë se para disa vitesh bëri një ambient të përshtatshëm për rehabilitimin e pacientëve, por ky ambient nuk varet prej vitesh nga Neurologjia.

“Është i rëndësishëm jo vetëm në spital, por edhe ambulator shumë i rëndësishëm,” tha ajo lidhur me fizioterapinë.

Fondacioni “Pema e Jetës” po lobon prej vitesh që pacientët me sklerozë multiple të përfitojnë falas shërbimet e fizioterapisë, që sipas presidentit të saj, Tanush Çaushi u kushtojnë shtrenjtë atyre.

“Të gjitha kostot i mbulojmë privatisht. Unë duhet të kryej 3 seanca në javë me 25-30 Euro seanca. Plus më duhet të marr edhe taksi për të shkuar te klinika. Kostot janë të papërballueshme për të kryer fizioterapinë privatisht,” tha Çaushi.

Sipas fizioterapistit Fatjon Hajdari, mungesa e trajtimit periodik për pacientët me sklerozë multiple rëndon mbi shëndetin dhe cilësinë e tyre të jetesës.

“Mungesa e fizioterapisë çon në bllokim muskular dhe të artikulacioneve dhe e bën të pamundur lëvizshmërinë normale të njeriut. Nëse nuk do t’ju nënshtrohen fizioterapisë, këta pacientë do të kenë vetëm përkeqësim të aftësinë se tyre fizike dhe deri në bllokim të gjymtyrëve dhe qëndrimin në shtrat,” tha Hajdari.

Ndryshe nga sa thonë pacientët, Ministria e Shëndetësisë pretendoi se shërbimi i fizioterapisë ofrohej falas.

“Pacientët që kanë rekomandim nga mjeku neurolog e marrin këtë shërbim në qendrat socio-shëndetësore të krijuara dhe që gradualisht do të mbulojnë gjithë territorin sipas planit të veprimit 2021-2030,” përfundoi Ministria e Shëndetësisë./BIRN

*Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur privatësinë e pacientëve.

skleroze multiple pacientet ne shqiperi pa barna

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës