"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar!
...
Sport
Dinamo bëhet me “shtëpi” të re, përurohet kompleksi në Arbanë… (video)
Presidenti Duka: “Investojmë në infrastrukturë për të siguruar të ardhmen e futbollit & fëmijëve”
12 Shtator 2023, 20:35Nga DOSJA
TIRANE - Një tjetër fushë i shtohet qytetit të Tiranës dhe më konkretisht në kompleksin e ri të klubit Dinamo. Bëhet fjalë për një investim të përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubit të Dinamos, që vjen në vazhdën e investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe projektit madhor “100 fushat” të FSHF-së.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, inspektoi sot fushën e re që ndodhet në Arbanë së bashku me presidentin e Dinamo, Ardian Bardhi, por edhe ambientet e reja të klubit, që konsistojnë në një hotel e restorant, apo të gjitha facilitetet e tjera që i nevojiten një klubi. Në këtë inspektim ai u takua edhe me disa nga ish-futbollistët e njohur të klubit dinamovit, që tashmë janë pjesë e stafit drejtues e teknik të klubit.
Investimi i fundit është kryer në bashkëfinancim mes FSHF dhe Dinamos me qeverinë e futbollit që ka kontribuar me një shumë të konsiderueshme për tapetin dhe vendosjen e fushës, si edhe me ekspertët saj që kanë bërë të mundur ndërtimin e një fushe mjaft të mirë e ku mund të stërviten shumë të rinj.
Presidenti Duka në një prononcimi të dhënë për Fshf.org gjatë inspektimit theksoi se Federata i është bashkëngjitur projekti serioz të klubit Dinamo, duke dhënë mbështetjen për ndërtimin e fushës me tapet artificial.
Gjithashtu, ai bëri me dije se FSHF do të mbështesë financiarisht vijimin e projektit edhe për një tjetër fushë me bar natyral që do të ndërtohet po në klubin e Dinamos.
“Në dy-tre vitet e fundit Dinamo ka vërtetë një strategji, një projekt serioz për të zhvilluar klubin dhe këtij projekti serioz padyshim i është bashkangjitur Federata Shqiptare e Futbollit për të kontribuar bashkërisht për të zhvilluar infrastrukturën e për të krijuar kushte jo vetëm për ekipin e parë, por edhe për fëmijët, për akademitë dhe për të siguruar të ardhmen e klubit dhe të fëmijëve që i bashkohen klubit. Bashkërisht kemi përfunduar punimet për fushën e re të stërvitjes me tapet artificial dhe projekti do të vazhdojë me fushën tjetër në krah, që do të jetë me bar natyral për ekipin e parë kryesisht.
Por projekti në total i investimit është akoma më i madh edhe me kompleksin e ndërtuar që ka hotel dhe të gjitha ambientet e domosdoshme që i duhen një ekipi profesionist. Padyshim që nuk është as fillimi e as fundi i investimeve të Federatës së Futbollit për ndryshimin e infrastrukturës, për t’i shërbyer më shumë të ardhmes së futbollit”,- tha ndër të tjera presidenti Duka.
Ndërsa, presidenti i Dinamo, Ardian Bardhi, nga ana e tij falënderoi FSHF-në për mbështetjen e dhënë dhe premtoi se do të vazhdojë me projektet për zhvillimin e klubit.
“Në total ky është një investim apo një sakrificë që ne kemi për klubin. Gjej rastin të falënderoj FSHF-në për ndihmën që na ka dhënë për fushat, për zhvillimin e Dinamos, të akademisë, të ekipit të parë dhe për gjithçka tjetër që po bëjmë në kompleksin tonë. Shpresojmë që të vazhdojmë me investime të mëtejshme dhe të kemi sa më shumë suksese”,- theksoi Bardhi.