LIVE UPDATES
Aktualitet

Qytetarët-viktima “i kompensojnë” shtetit miliarda lekë dëm nga kontrabanda e makinave të luksit

18 Tetor 2020, 09:29 Nga DOSJA
Qytetarët-viktima “i kompensojnë” shtetit miliarda

Prej tre vitesh Ergys Doda, 35 vjeç, endet në dyert e gjykatave të Durrësit dhe Tiranës. Ai ka qenë pjesë e strukturave të Policisë për shtatë vite, gjashtë nga të cilat ka shërbyer si oficer i Policisë Rrugore. Aktualisht, ndonëse është kryefamiljar, ka mbetur i papunë.

“Jam i bllokuar për të filluar punë”, – pohon Doda, ndërsa shpjegon se për të vjelur gjobën që ka marrë nga Doganat, përmbarimi i ka bllokuar llogaritë në bankat e nivelit të dytë.

35-vjecari është akuzuar për falsifikimin e letrave doganore për një makine luksoze BMW X4, prodhim i vitit 2017 me një vlerë tregu në atë kohë që varionte nga 5.4-6.7 mln lekë. Mbi Ergysin rëndon një gjobë prej 3 milionë lekësh të rinj, nga të cilat 1 mln janë shmangie e detyrimit doganor përmes ndryshimit të modelit të mjetit, ndërsa 2 mln të tjera penalitete.

“Unë nuk kam fuqi të merrem me një makinë të tillë, madje kur më thirrën për të më pyetur mësova se kishte BMW model X4”, – thotë Doda.

Por edhe pse refuzon të ketë futur një automjet kontrabandë, pretendim që e vërteton dhe një hetim i Prokurorisë së Tiranës, Ergysi nuk mund ta ankimojë penalitetin. Sipas ligjit doganor ai duhet me parë ta paguajë gjobën dhe më pas të kërkojë të drejtën e tij.

“Se kush përfitoi nga kjo unë nuk e di!” – thotë ai.

Ergysi pohon se nuk e di se ku mund t’ia kenë marrë kartën e identitetit, pasi ai e ka patur atë gjithnjë me vete. Por hetimet hedhin pak më shumë dritë mbi këtë fakt.

“Kopjet e kartës së identitetit që janë përdorur për falsifikim duhet të jenë marrë në dosjet e zhdoganimit të mjeteve të tyre,”  – pohon një burim pranë policisë gjyqësore, duke theksuar se Doda kishte zhdoganuar mjetin e tij nga dogana e Durrësit, pak muaj para futjes së makinës BMW me letra false.

Ne kërkuam informacion zyrtar mbi procesin hetimor që kishte zhvilluar Prokuroria e Tiranës, e cila kishte dërguar çështjen në gjyq, ku Ergys Doda sikundër dhe një shtetas tjetër i quajtur Roland Hoxha, kishin rënë pre e një falsifikimi firmash për zhdoganimin, shitjen dhe rishitjen e automjetit BMW X4. Këtë fakt e konfirmonte dhe një akt i ekspertimit grafik mbi të cilin është mbështetur kërkesa e Prokurorisë (nr.105, dt 07.01.2019).

“Për të kryer këtë ekspertim gjatë fazës së hetimeve, 35-vjecarit Doda i janë marrë rreth 200 firma,” – tregon një tjetër burim pranë organit të akuzës në Tiranë. Burimi shton:

“Firmat e tij janë krahasuar me ato që ndodheshin në dosjen e makinës luksoze pranë D.R.SH.T.RR dhe kontratës së shitjes së automjetit, përpiluar para noteres Perian Bodinaku”.

Përfundimi i hetimeve të Prokurorisë së Tiranës nxorri në pah se Ergys Doda dhe Roland Hoxha kishin rënë pre e një falsifikimi të dyfishtë. Fillimisht në momentin e zhdoganimit pranë Doganës Durrës, dosje e cila është dorëzuar dhe regjistruar pranë D.R.SH.T.RR-së Tiranë nga specialisti Arber Kamberi dhe më pas në kontratën e shitjes të automjetit para noteres Bodinaku (Nr. 5539 Rep., Nr.2058 Kol, dt. 21.08.2017). Që të dy, Kamberi e Bodinaku, janë marrë si të pandehur nga Prokuroria e Tiranës nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Ndërkaq autorët dhe përfituesit kryesorë financiarë të kontrabandës së makinës, nuk janë zbuluar.

Por historitë e Ergys Dodës dhe Roland Hoxhës, kartat ID e firmat e të cilëve merren, falsifikohen dhe përdoren për të zhdoganuar automjete të luksit nuk janë raste të izoluara. Janë më shumë se 200 persona që kanë rënë pre e kësaj skeme.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave përmes një komunikimi zyrtar na konfirmon se përgjatë pesë viteve 2015-2019 punonjësit e hetimit doganor kanë arritur të zbulojnë̈ 225 raste, të gjitha të kallëzuara në Prokurori. Sipas tyre, dëmi në total i shkaktuar shtetit përllogaritet në 2.06 mld lekë. “Shmangia e detyrimit doganor nga kontrabanda e makinave përgjatë kësaj periudhe është 206 mln lekë të rinj” , – evidentohet në shkresën e Doganës.

Tre janë pikat doganore më problematike në rang kombëtar, ku kryeson Dogana e Durrësit me 101 makina kontrabandë e ndjekur nga Dogana e Përmetit me 53 raste dhe ajo e Tiranës me 52 automjete me akte të manipuluara. Ndërsa dhjetëra çështje janë raportuar edhe në Gjirokastër, Sarandë e Dibër.

“Rastet që kemi evidentuar në këto qytete janë të gjitha makina luksi të vitprodhimeve të fundit, si Range Rover Sport, Porsche Cayenne, BMW X6, BMW X4, Mercedes Benz GL, Audi A7”- tregon një oficer në drejtorinë̈ e hetimit doganor. Ai shton se “ajo që bashkon këto denoncime të automjeteve kontrabandë në shumë qytete është i njëjti mekanizëm, nga ndryshimi i vitit të prodhimit, modelin e mjetit apo përmes uljes së fuqisë motorike”.

I njëjti burim konfirmon se “pjesa dërrmuese e akteve të shitjes dhe regjistrimit të automjeteve në D.R.SH.T.RR kryhen në Tiranë, duke ngritur dyshime se grupi i strukturuar i kontrabandistëve operon në kryeqytet”.

Skema e kontrabandës: si zhdoganohen, regjistrohen dhe shiten makinat e luksit!

Grupi kriminal i kontrabandistëve përdor një skemë të sofistikuar për futjen e mjeteve të luksit. Ky mekanizëm, krahas dëmit të shkaktuar ndaj shtetit, me shmangien e taksës doganore përmes falsifikimit të vitprodhimit e fuqisë motorike, cënon dhe qytetarët. Këtyre të fundit u përdoren identitetet, falsifikohen firmat dhe bëhen bartës të gjobave marramendëse, sikurse ndodhi në rastin e ish-policit Doda.

Në pjesën e parë të kësaj skeme ne do të tregojmë “pikat e dobëta” të sistemit që krijojnë hapësirë për këtë evazion duke filluar nga kontrabandisti, te agjenti doganor dhe specialisti i Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor:

Më 14 shkurt 2017 në sistemin doganor Assycuda World të degës së Sarandës është ngarkuar një deklaratë zhdoganimi për mjetin “Range Rover Sport” me vit prodhimi 2004 dhe fuqi motorike 2993 CC. Bashkë me këtë deklaratë janë dorëzuar edhe dokumentacioni i pronësisë së mjetit, ndër të cilat kopje e ID-së së një  shtetasi grek, leje greke e qarkullimit dhe dokumente të tjerë të automjetit.

Kjo dosje është ngarkuar nga agjenti doganor I.I. në Sarandë i cili është marrë dhe me noterizimin dhe përkthimin e të gjitha dokumenteve të dorëzuara në doganë. Sistemi doganor e ka klasifikuar në mënyrë automatike me ngjyrë të verdhë dosjen, çka do të thotë se për këtë makinë do të kryhej vetëm verifikimi i dokumentacionit, jo kontrolli fizik i saj. Për zhdoganimin e këtij mjeti janë paguar 85.7 mijë lekë.

Regjistrimi i Range Rover-it është kryer dhjetë ditë më vonë në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë, nga specialisti Indrit Tafalla, një punonjës i dënuar gjatë viteve në vijim disa herë nga gjykata për “shpërdorim detyre”. Ky automjet është targuar në emër të shtetasit D.P., por tashmë jo me aktet e dorëzuara në doganën e Sarandës por me dokumentet origjinale të makinës.

Deklaratat False vs. e Saktë

Procedura e kryer u evidentua si e dyshimtë nga njësia antikotrabandë. Nga hetimi i zhvilluar prej saj, dokumentet e të cilit ne i disponojmë, konstatohet se makina “Range Rover Sport” është regjistruar jo me vitprodhimin e falsifikuar 2004 si në doganën se Sarandës, por me vitprodhimin origjinal të 2015-ës dhe emrin e saktë të pronarit grek. Hetimet konfirmuan se kontrabandistët kishin falsifikuar dhe një shkronjë̈ nga shasia e mjetit nga “F” në “E”.

“Detyrimi doganor i shmangur për mjetin e markës “Range Rover Sport” të deklaruar për zhdoganim me praktikën doganore Imp.4, nr.R 34, datë 14.02.2017 nga shtetasit Ch.M. dhe D.P. është 1.19 milionë lekë” – thuhet në shkresën e Hetimit Doganor.

I njëjti agjent doganor ka zhdoganuar të nesërmen në Doganën e Sarandës një tjetër mjet “Range Rover Sport”, duke përdorur sërish identitetin e të njëjtit shtetas grek, por me vitprodhim të 2006-s dhe fuqi motorike 2993 CC.

Një javë më pas është sërish specialisti i Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor Indrit Tafalla ai që ka targuar mjetin “Range Rover Sport”. Makina u regjistrua jo me letrat false me të cilat u zhdoganua, por me ato origjinale, me vitprodhim të 2011-ës dhe me fuqi motorike 3593 CC. Pronari i ri i mjetit ishte A. K., i ndaluar nga policia në 2018-en, nën akuzën e “kontrabandës së makinave në bashkëpunim”. “Vlera e shmangur e taksës doganore përllogaritet në 500 mijë lekë të rinj”, – thuhet në dosjen e drejtorisë̈ së hetimit doganor.

I pyetur gjatë procesit hetimor, agjenti doganor që u mor me zhdoganimin e dy Range Roverave në Sarandë ka thënë se dokumentet e ngarkuara në sistem janë hartuar prej tij në bazë të akteve që i janë dorëzuar për mjetin, lejen e qarkullimit dhe pronarin e makinës.

“Nuk kam dijeni që makina është regjistruar në D.R.SH.T.RR me një vit prodhimi dhe kubik të ndryshëm nga ai që kam deklaruar për zhdoganim”, – përfundon ai.

Ndonëse Kodi Doganor në nenin 23 të tij evidenton se “depozitimi i një deklarate doganore e bën atë person përgjegjës për saktësinë e tërësinë e informacionit të dhënë në të si dhe autenticitetin e saj”, ne iu drejtuam ekspertes së të Drejtës Doganore, Antoneta Sevdari, për një interpretim më të saktë.

“Në rastin kur dokumentacioni paraqitet me të dhëna të pavërteta nga importuesi i mallit, në kushtet kur agjenti doganor nuk ka dijeni për këtë fakt, nuk mund të këtë përgjegjësi”, – thekson  Sevdari, por ajo shton- “duke qenë njohës të mirë të procedurave, agjentët doganorë për fat të keq në shumë raste shërbejnë si mekanizëm për të falsifikuar dokumentacionin dhe kryer kontrabandën”.

Sevdari nënvizon se nëse, nga ndërmjetës ligjorë ata kthehen në bashkëpunues të kryerjes së veprës penale të Kontrabandës dhe këto fakte zbulohen nga hetimi, ata duhet të mbajnë përgjegjësi për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

“Rastet e hetimit në praktikë nuk kanë munguar, por janë sporadike dhe jo në përputhje me përmasat e fenomenit të kontrabandës”- përfundon ajo.

“Një pjesë e mirë e veprimeve doganore kryhen përmes agjencive ose siç quhen operatorët ekonomikë të autorizuar dhe ata duhen mbikqyrur sa më rreptë për arsye se tek ta mund të jetë firo e parë”, – deklaron eksperti për cështjen e taksave dhe poltikave fiskale, Eduart Gjokutaj. Ai shton se firoja e dytë mund të jetë brenda administrimit doganor dhe tatimor, dhe këtu varet nga niveli i korrupsionit.

Por ky korrupsion sipas znj. Sevdari mund të shmanget lehtësisht nëse kontrolli doganor, hetimi doganor dhe strukturat e tjera përgjegjëse për të luftuar kontrabandën do të funksiononin. Ajo shton se në kushtet e këtij mosfunksionimi një zgjidhje është dhe përdorimi i teknologjisë:

“Është për të ardhur keq që në Shqipëri nuk ekziston një sistem kompjuterik që të koordinojë të dhënat tatimore me të dhënat doganore, apo këto të fundit me të dhënat e Drejtorisë së Transportit Rrugor”.

Pas futjes kontrabandë të mjetit dhe regjistrimit, pjesa e dytë e skemës ka të bëjë me finalizimin e shitjes së mjetit të zhdoganuar, ku për të kryer një akt të tillë nevojitet një zyrë noteriale.

I tillë është rasti i qytetarit Adem B. të cilit në tetor të vitit 2016 i janë përdorur dokumentet për blerjen e makinës “Land Rover” me vitprodhim 2015 nga një shtetas italian. Kjo kontratë është nënshkruar pranë noterit Gj.K. në Tiranë.

Dy muaj më vonë ky automjet zhdoganohet në Doganën e “Tre Urave” si makinë me vit prodhimi 2005, pra dhjetë vjet më e vjetër, për të shmangur klasifikimin e saj si “makinë luksi”. Pas gjashtë muajsh, më qershor 2017, fuoristrada “Land Rover” regjistrohet me vitprodhimin origjinal 2015 në D.R.SH.T.RR dhe disa ditë më vonë ajo shitet sërish para të njëjtit noter në Tiranë.

Burime pranë policisë gjyqësore bëjnë me dije se pasi kanë kryer aktet e ekspertimit grafik të firmave të Ademit, kanë dalë në konkluzion se “shkrimi dhe firma në kontratën e shitjes dhe dosjen e regjistrimit të mjetit, nuk janë të tijat”. Hetimet për të vijojnë ende.

Vetëm nga ky rast i dokumenteve të falsifikuara për automjetin “Land Rover” shteti shqiptar pësoi një dëm që përllogaritet në 990 mijë lekë të rinj, shumë kjo, që, ashtu si në rastin e Ergys Dodës, rëndon në formën e gjobës ndaj Ademit, e cila bashkë me penalitetet arrin në afro 3 mln lekë të rinj.

Skema e mësipërme e kontrabandës me automjetet e shtrenjta, me një dëm total prej 2.06 miliardë lekësh, para këto që mund të ishin përdorur nga shteti shqiptar për blerjen e 84 aparateve respiratorë në këtë situatë pandemie, nuk lindi rastësisht. Periudha kur ky mekanizëm korruptiv ka funksionuar në zinxhirin e zhdoganimit dhe targimit, përkon me vendosjen dhe mbledhjen e taksës për makinat e luksit nga qeveria shqiptare.

Taksa për makinat e luksit: në 2017-ën kontrabanda u rrit dy herë më shumë se arkëtimet

Në vitin 2017 taksa e makinave të luksit shënon nivelin e saj më të lartë.

Një vit më vonë, Ministria e Financave publikoi raportin “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor 2017” në të cilin evidentohej një rritje e fluksit të hyrjeve të makinave luksoze me 1541 më shumë krahasuar me vitin 2016. Kjo sipas këtij institucioni, tejkalonte çdo pritshmëri duke sjellë dhe një rritje të arkëtimeve. Të pyetur zyrtarisht përmes një kërkese për informacion, Ministria e Financave konfirmon se “të ardhurat e arkëtuara për taksën e regjistrimit fillestar të automjeteve luksoze është 42.6 milionë lekë të rinj”.

Por në kulmin “e suksesit” të kësaj politike fiskale mbi taksimin e makinave të luksit, të dhënat e doganave dhe prokurorisë tregojnë se është shënuar dhe piku i kontrabandës së këtyre mjeteve, pasi vetëm në 2017-n janë kontrabanduar 56% e totalit të makinave që kanë hyrë përgjatë 5-viteve të fundit në Shqipëri.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganës bën me dije se në 2017-n,  dëmi i shkaktuar shtetit për 126 automjetet e kapura si kontrabandë arrin deri në rreth 100 milionë lekë të rinj detyrime të papapaguara. Kjo shumë tejkalon dyfish arkëtimet në arkën e shtetit nga zhdoganimi i ligjshëm.

Ne iu drejtuam sërish Ministrisë së Financave për koment mbi këtë fakt, por zyrtarët pranë këtij institucioni nuk i janë përgjigjur kërkesës sonë duke kaluar në heshtje vërtetësinë e kësaj humbjeje domethënëse që i është shkaktuar arkës së shtetit.

Për ekspertin e politikave fiskale, Eduart Gjokutaj ka ardhur koha e një bilanci të kësaj takse nga kjo ministri: “Çdo taksë e re që vihet do kohën e vet të prezantohet, krijon deformime në treg, jo vetëm në kuptimin e evazionit, por edhe të shtrembërimit, ose mosklasifikimit të mirë. Kjo kërkon një analizë për këto vite nga Ministria e Financave mbi pluset dhe minuset e saj, meqenëse është një politike e re. Gjithë qëllimi është që të minimizohet kontrabanda”, – evidenton ai, ndërsa shton se përgjatë këtyre viteve është vërejtur një tendencë për t’i bërë evazion kësaj takse.

Ndërsa ekspertja Sevdari deklaron:

“Duke u nisur vetëm nga këto statistika të thjeshta, autoritetet përgjegjëse duhet të vihen në alarm, për ta reformuar sistemin e kontrollit doganor nga themelet, pasi në vlerësimin tim ka probleme të rënda të funksionimit”.

Në pesë vitet e fundit, nenet për taksat e makinave të luksit janë amenduar katër herë. Në ndryshimin e parë, në ligjin nr.141/2015 u shtua përkufizimi “automjet luksoz”, në të cilën konsideroheshin autoveturat 4+1 që kishin cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3 dhe vlerën e çmimit të barabartë ose më shumë se 7 mln lekë. Një vit më vonë, qeveria rriti taksën vjetore të këtyre makinave përmes uljes së kufirit të çmimit nga 7 në 5 mln lekë, ndërsa në nëntor të vitit 2017, pjesë e kësaj kategorie automjetesh u shtuan dhe ato me kapacitet deri në 6+1 vende. Prej janarit te vitit 2020, qeveria ka zbutur nivelin e taksimit për makinat e luksit, pasi ajo zbret 10% për çdo vit të amortizimit të mjetit.

Rritja e taksës për veturat luksoze rriti importin e tyre, – sikurse evidentonte qeveria, – por pati dhe një efekt bumerang pasi bashkë me të u rrit disa herë më shumë dhe kontrabanda, korrupsioni dhe forma të tjera të paligjshme në gjithë zinxhirin nga zhdoganimi, te regjistrimi dhe shitja e mjetit.

Por dëmin prej miliarda lekësh që kontrabandistët të cilët enden të lirë i shkaktojnë shtetit, edhe këtë herë po e paguajnë me gjoba “qytetarët-viktima”, emrat e të cilëve janë përdorur padrejtësisht në ketë skemë trafiku të makinave të luksit.

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet elvin luku kontrabanda e makinave elvin luku kontrabanda e makinave


Sondazh

Poll
Aktualitet 18 Tetor 2020, 07:49

GREQI– Një 40-vjeçar shqiptar ka alarmuar autoritetet greke pasditen e të premtes pasi është denoncuar për kryerje të veprimeve të turpshme në publ...

Aktualitet 18 Tetor 2020, 06:14

TIRANE– Policia Rrugore ka pezulluar 20 patenta si dhe ka dërguar shoferët në Komision pasi janë kapur me shpejtësi tej normave në autostradën Sauk-TEG.4 drejtu...

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës