LIVE UPDATES
Aktualitet

Prokurori Arben Qosja bind KPK-në për burimet e apartamentit të vetëm që zotëron, konfirmohet në detyrë

28 Nëntor 2020, 14:07 Nga DOSJA
Prokurori Arben Qosja bind KPK-në për burimet e apartamentit të

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 21 tetor të konfirmojë në detyrë prokurorin e Apelit Tiranë, Arben Qosja pasi shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej këtij të fundit lidhur me një pjesë të burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit të vetëm që zotëron, u konsideruan të besueshme edhe pse janë debatuar mes anëtarëve të trupit gjykues lidhur me ligjshmërinë e tyre. Komisioni e ka shtrirë hetimin në pronat fillestare të familjes dhe rezultatet janë gjetur në harmoni me deklarimet e prokurorit Arben Qosja dhe provat e administruara gjatë hetimit. Qosja u vlerësua pozitivisht edhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Në vitin 2005, prokurori Qosja ka blerë një apartament në Tiranë, për vlerën 59 mijë euro. Në deklaratën veting, ai ka shënuar si burime krijimi vlerën e përfituar nga shitja e apartamentit në pronësi të nënës D. Q. në gusht të 2005-ës për çmimin 3.8 milionë lekë; kursime nga paga pa një vlerë të përcaktuar dhe huamarrje në vitin 2006 në masën 20 mijë euro nga shtetasi N.S., pa kontratë, pa interes dhe pa afat.

Ndërkohë, në vitin 2005 ai e ka deklaruar vlerën e shitjes së apartamentit nga nëna në shumën 2 milionë lekë, vlerë kjo që pasqyrohet edhe në kontratën e shit-blerjes. Në deklaratën e po atij viti, Qosja ka pasqyruar lidhjen e kontratës paraprake dhe pagimin e vlerës prej 10 mijë euro nga çmimi total prej 59 mijë euro për apartamentin e ri, por nuk ka deklaruar në rubrikën përkatëse detyrimin e mbetur ndaj shoqërisë shitëse.

Në 2006-ën, ka deklaruar ribërjen e kontratës së porosisë, lidhur me ndryshimin e sipërfaqes së apartamentit nga 99.8 m2 në 83.4 m2, si dhe ndryshimin e çmimit nga 59 mijë euro në 53 mijë euro, por nuk ka pasqyruar ndonjë pagesë të kryer ndaj shoqërisë shitëse.

I pyetur lidhur me burimin e ligjshëm për secilën nga pagesat, Qosja ka sqaruar se për shlyerjen e këstit të parë në vlerën 10 mijë euro në qershor të 2005-ës, ka përdorur kursimet e familjes të krijuara ndër vite. Ai ka pretenduar se ka pasur mundësi kursimi pasi për mbulimin e nevojave të tjera janë përdorur të ardhurat e realizuara nga shitja e kryer në vitin 1999 të dy pasurive të paluajtshme në emër të nënës së tij, në shumën totale 1,4 milionë lekë.

Qosja ka pranuar se për shkak të mungesës së eksperiencës, nuk e ka deklaruar në vitin 2003 gjendjen cash në shumën përafërsisht 1.3 milionë lekë deri në 1.4 milion lekë. Ai ka shtuar se një vit më vonë nuk i ka deklaruar kursimet cash për shkak se nuk kishte pasur ndryshim të vlerës që dispononte

Komisioni nuk e ka përfshirë në analizën financiare gjendjen cash për shkak të mospasqyrimit të kësaj vlere në deklaratat periodike dhe prokurori Qosja ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 850 mijë lekë për pagesën e këstit të parë.

Për pagesën e këstit të dytë në vlerën 25 mijë euro të kryer në nëntor të vitit 2005, subjekti ka këmbëngulur se janë përdorur të ardhurat nga shitja e apartamentit nga nëna e tij në Tiranë, në vlerën 3,8 milionë lekë.

Fillimisht, Komisioni ka analizuar burimet e krijimit të apartamentit të shitur nga nëna në vitin 2005. Gjatë procesit të rivlerësimit, Qosja ka shpjeguar se apartamenti me sipërfaqe 50 m2 në Tiranë, ishte blerë prej nënës në vitin 1997 për shumën 2 milionë lekë dhe si burime kishin shërbyer kursimet familjare dhe shuma 1.3 milion lekë si kompensim për shembjen e apartamentit që zotëronin prindërit në Peshkopi, të përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1993.

Komisioni evidenton se janë vërtetuar me dokumentacion ligjor deklarimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me dy apartamentet që ka zotëruar familja e tij si dhe transaksionet e kryera. Gjithashtu, ka rezultuar se familja e subjektit kishte pasur mundësi për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 1997.

Në vijim KPK ndalet në diferencën mes çmimit 2 milionë lekë që pasqyrohet në kontratën e shitjes së këtij apartamenti dhe vlerës 3.8 milionë lekë të pretenduar nga prokurori Qosja. Nga hetimi ka rezultuar se detyrimet tatimore janë paguar vetëm për shumën 2 milionë lekë.

“Por, nga ana tjetër është konstatuar se në llogari të nënës së subjektit të rivlerësimit, znj. D. Q., pranë ‘Credins Bank’, në të njëjtën datë me nënshkrimin e kontratës së shitblerjes 1.8.2005, është transferuar shuma prej 3,800,000 lekësh nga znj. A. V. (njëri prej blerësve të apartamentit) me përshkrimin ‘shlyerje detyrimi personal’”, konstaton KPK.

Nga verifikimi i lëvizjeve në llogaritë bankare, ka rezultuar se shuma prej 3,8 milionë lekësh është vendosur nga nëna e subjektit në depozitë me afat 1-mujor dhe e gjithë kjo vlerë është tërhequr prej saj një ditë përpara se prokurori Qosja të paguante këstin e dytë në shumën 25 mijë euro.

Qosja ka sqaruar se veprimet janë kryer nga nëna e tij, duke qenë se apartamenti ishte i regjistruar në emër të saj. Sipas tij, palët kanë rënë dakord se vlera e banesës do të ishte 3,8 milionë lekë, ndërkohë që çmimi i vendosur në kontratë mund të jetë propozuar nga noteri apo nga pala blerëse.

Ai ka dorëzuar si provë një kopje të gazetës “Çelësi” të datës 2 korrik 2005, nga ku është konstatuar se në publikimin për shitje të apartamentit në fjalë, vlera ishte përcaktuar 4 milionë lekë, i diskutueshëm.

Qosja ka depozituar një deklaratë noteriale të blerësve, e gushtit 2020, ku ata shprehen se çmimi real i paguar prej tyre ishte 3.8 milionë lekë. Gjithashtu, subjekti ka depozituar dokumentacion për pagesë e tatimit për diferencën prej 1,8 milion lekësh.

Komisioni ka verifikuar vlerën e apartamentit 50 m2 bazuar në vlerën mesatare të tregut, pre nga ka rezultuar se çmimi në vitin 2005 do të ishte 3 milionë e 857 mijë lekë, thuajse i njëjtë me atë të deklaruar nga subjekti.

Duke mos konsideruar vlerën 1.8 milionë lekë, ka rezultuar balancë negative në shumën 903 mijë lekë për këstin e dytë. Për këstin e tretë nuk janë gjetur probleme, pasi është vërtetuar mundësia e huadhënësit për të kursyer vlerën 20 mijë euro.

Në analizën fillestare të kryer nga KPK, duke mos përfshirë kursimet dhe vlerën 1.8 milion lekë, është konkluduar pamundësi financiare për blerjen e apartamentit, në vlerën totale 1 milion e 753 mijë lekë.

Por, bazuar në rezultatet e hetimit administrativ, dy anëtaret e trupit gjykues, Genta Tafa Bungo dhe Suela Zhegu kanë ndryshuar qëndrim gjatë vendimmarrjes përfundimtare, duke e konsideruar vlerën 1.8 milionë lekë si burim të ligjshëm.

Për të arritur në këtë konkluzion ato u referohen fakteve se, në të njëjtën datë me nënshkrimin e kontratës së shitjes së apartamentit, është kaluar në llogarinë bankare të nënës së subjektit vlera 3.8 milionë lekë dhe se kjo vlerë është tërhequr një ditë para pagesës së këstit të dytë; deklaratës së blerësve se çmimi i paguar prej tyre ka qenë 3.8 milionë lekë; pagesës së tatimit në 2020-ën; si dhe faktit se gjithë veprimet financiare, përfshi edhe ato të formalizimit të kontratës janë kryer prej nënës së subjektit.

“…Efektivisht subjekti në datën 5.11.2005 ka pasur shumën prej 3,800,000 lekësh, pavarësisht nëse janë paguar apo jo detyrimet tatimore. Këto të ardhura mund të kenë qenë të paformalizuara, pasi nuk rezulton të jenë paguar detyrimet tatimore, por jo të paligjshme”, vlerëson shumica e trupit gjykues.

Bungo dhe Zhegu evidentojnë se në Aneksin e Kushtetutës nuk përcaktohet se kur duhet të jenë paguar detyrimet tatimore për t’i konsideruar të ardhurat e ligjshme.

“Për sa kohë nga ana e nënës së subjektit janë paguar detyrimet tatimore konform legjislacionit në fuqi, si dhe nga ana e organeve përkatëse këto pagesa janë konsideruar të rregullta, Komisioni nuk mund t’i konsiderojë këto të ardhura jo të ligjshme dhe të mos i përfshijë në analizë financiare…”, shprehet trupi gjykues dhe vijon se dispozitat e legjislacionit tatimor nuk e pengojnë tatimpaguesin të shlyejë detyrimet tatimore edhe me vonesë.

Në përfundim, Bungo dhe Zhegu kanë vendosur ta përfshijnë vlerën 1.8 milionë lekë si burim të ligjshëm në analizën financiare, që ka sjellë shuarjen e pamundësisë finanicare 903 mijë lekë për pagesën e këstit të dytë. Mungesat e tjera financiare nuk janë çmuar të mjaftueshme për shkarkimin nga detyra të subjektit.

Relatori Lulzim Hamitaj e mbështet vendimmarrjen përfundimtare të shumicës, por nuk bie dakord me njohjen si të ligjshme të të ardhurave në shumën 1,8 milionë lekë.

“Ndonëse nga këndvështrimi substancial edhe kjo shumë ka rezultuar me burim të provuar dhe të qartë se rrjedh nga i njëjti veprim juridik (shitja e pasurisë së znj. D. Q.) – duke mbajtur në vëmendje jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lidhur me moskonsiderimin me burim të ligjshëm të shumave për të cilat detyrimet tatimore nuk janë shlyer përpara momentit të paraqitjes së deklaratës Vetting – unë çmoj se kjo shumë nuk mund të cilësohet si një e ardhur me burim të ligjshëm”, arsyeton Hamitaj.

Pavarësisht këtij qëndrimi, Hamitaj shprehet se mungesa financiare prej 903 mijë lekësh që ka rezultuar për pagesën e këstit të dytë, nuk mund të konkurrojë në penalizimin e subjektit me të njëjtën forcë të çdo mungese financiare që ka mbetur pa ndonjë burim të provuar, për sa kohë që de facto ka rezultuar me një burim financiar të provuar.

Ai konkludon se masa e mungesës formale të burimeve financiare dhe pasaktësitë nuk janë të mjaftueshme për shkarkimin e prokurorit Qosja.

REL

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet arben qosja arben qosja

Sondazh

Poll

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës