LIVE UPDATES
Politike

Si ka nisur përplasja në PD

Çfarë ka ndodhur muajt e fundit brenda selisë së Partisë Demokratike, si nisi konflikti? Dosja.al ka sjellë një përmbledhje të të gjithë zhvillimeve brenda demokratëve.

23 Maj 2022, 17:59 Nga DOSJA

Si ka nisur përplasja në PD

TIRANË- Nëse ka pasur kohë të vështira për Partinë Demokratike, janë padyshim ato të muajve të fundit. E djathta shqiptare është më e përçarë se kurrë, e ndarë në tre grupe, të gjithë si drejtëza paralele që nuk gjejnë pikë të përbashkët për asgjë. E gjitha nisi më 19 maj në vitin 2021, kur lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe e gjithë familja e tij u shpallën “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Mjaftoi një “cicërimë” nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, që në selinë e PD të shënohej krisja e parë, që më pas do të shkaktonte trazira në politikën shqiptare, ndoshta si kurrë më parë.

Shkaktoi luftë brenda llojit, që deri më tani ishte parë vetëm në kampin kundërshtar kur Ilir Meta donte largimin e Fatos Nanos, e më pas kur Edi Rama bëri të njëjtën gjë, e ia doli.

I vendosur publikisht në listën e zezë të Amerikës, Berisha doli në konferencë për mediat, duke premtuar përballje ligjore me Blinken. Jo në Shqipëri! E as në SHBA, kjo për shkak të kufizimit për të shkelur në një vend që nuk i lejohet më, por në Francë. I shpallur “non grata”, por me Lulzim Bashën ende në krye të PD-së, Berisha mendonte se do t’i lihej hapësira që të qëndronte ende në selinë e partisë që e bashkëthemeloi në vitin e largët 1990. E kundërta ndodhi!

Një ditë, ose më saktë disa orë para se të gjithë të zgjedhurit e 25 prillit të betoheshin në legjislaturën e re parlamentare, ish-kryedemokrati Lulzim Basha bëri atë që pak e prisnin; Vrau babanë e tij politik! Të paktën kështu u cilësua, vetëm se nuk e kishte llogaritur mirë se babai ishte Sali Berisha.

Me një vendim, sipas tij, tepër të vështirë por edhe personal, Lulzim Basha pezulloi nga partia që liderin historik. Një vend bosh do mbetej në PD, derisa Berisha të  “sqaronte punë” me Amerikën. Basha kishte planifikuar që të nesërmen e Kuvendit do të hynte në sallë pa Berishën, do fillonte të drejtonte më në fund pa Berishën mbi kokë, por ish-kryeministri i vendit mendoi ndryshe.

Duke e quajtur "nul”, të pavlefshëm vendimin pezllues të Lulzim Bashës, vendosi të rikthehet, të pastrojë "tempullin" e PD-së nda ata që i konsideroi pazarxhinj me Edi Ramën. Duke dënuar publikisht Bashën si tradhëtar, Berisha ia doli të ngrinte mitin e besëprerjes dhe tradhëtisë nga ai i që i besoi më së shumti në 9 vitet e fundit. Në opinionin publik u krijua mendimi se Basha ishte treguar shumëçka, vetëm mirënjohjes ndaj personit që i dha gjithçka kishte. Megjithatë Berisha nuk shkeli më në selinë e Partisë Demokratike… jo të paktën për disa muaj!

Si ka nisur përplasja në PD

“FOLTORJA”- Berisha përgatitej për zgjedhje

15 shtator! Sali Berisha nis ‘foltoren’ me demokratët, si një mënyrë për të rikthyer kontaktin me bazën, sipas tij të harruar nga Lulzim Basha dhe deputetët e tij. Për muaj të tërë, deri në dhjetor, Berisha udhëtoi në çdo qytet të Shqipërisë, thuajse çdo ditë, për të arritur atë që muaj më vonë do të konsiderohej triumf; një fitore në zgjedhjet lokale të 6 marsit. Ndërkohë që Berisha dilte, fliste, akuzonte për disa “dosje të nxehta” numrin një të Partisë Demokratike, u rikthyen në vëmendje akuzat që Rama i kishte bërë dikur, nga dosja Muzin tek Toyota Yaris. Lulzim Basha që sipas Berishës ishte në marrëveshje me Ramën, nuk kishte ambicie për të qenë kryeministër, ndaj dhe e pagëzoi si; broken lider!
Si çdo mision që ka një nisje, Foltorja u ‘shua’ para 11 dhjetorit. Diçka më e madhe po vinte…

Si ka nisur përplasja në PD

“Rrethimi i parë” i… Bashës

11 dhjetori nuk ishte rastësi! Ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, duke përcjellë një simbolikë të fortë, sepse data përkon me ditën e themelimit të Partisë Demokratike. Në stadiumin “Air Albania”, delegatët dhe mbështetësit u futën në stadiumin ‘Air Albania’ duke shkarkuar Lulzim Bashën për herë të parë kjo në historinë e tij të PD-së. Ndryshuan edhe Statutin…meqë ishin.

Pika më kryesore ishte ajo e krijimit të një Komisioni Tranzitor, Komisionit të Rithemelimi me 15 anëtarë do të ushtronte të gjitha kompetencat që i takojnë organeve të PD-së, me përjashtime të atyre që i takojnë Kuvendit Kombëtar. Kryetari zgjidhet sipas parimit “një anëtar një votë”, ndërsa më i rëndësishmi ishte i ashtuquajturi “neni Basha”. Kryetari nëse humb zgjedhjet lokale shkon në votëbesim, nëse humb ato të përgjithshmet duhet të largohet nga posti me çdo kusht.
Me të tyren, Rithemelimi dhe Berisha e kishin marrë marrë drejtimin e selisë blu. Por Kuvendi i tyre nuk u njoh nuk njihet nga drejtuesit aktualë të Partisë Demokratike. Sipas tyre, lëvizja e ndërmarrë nga ish-kryeministri nuk ka asnjë lidhje me demokratët dhe hallet e tyre, por vetëm me hallin personal të Sali Berishës, që sipas tyre donte pushtet me çdo kusht.

Si ka nisur përplasja në PD

DHËMB PËR DHËMB, KUVEND PËR KUVEND

Më 18 dhjetor, 5 mijë e 4 delegatë (aq u pretenduan se ishin) me sloganin ‘Zgjedhim të ardhmen’ urrëzuan të gjitha vendimet e marra në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, i thirrur nga Sali Berisha. Në Kuvendin e mbledhur në Pallatin e Kongreseve u votuan ndryshime statutore që lanë ish-kryeministrin Sali Berisha jashtë posteve drejtuese.
Por edhe persona që mund të shpallen “non grata” nga Amerika në të ardhmen. Gjithashtu u vendos edhe krijimi i Aleancës Qytetare si dhe shtoi se 20% e posteve drejtuese do të jenë për intelektualët. Në fund, në Kuvend u konsideruan ‘nul’ të gjitha vendimet e marra në Kuvendin e mbajtur në stadiumin “Air Albania”, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, përfshirë këtu dhe shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha.

GAME OF THRONES ALLA PD

Sulme politike, prapaskena dhe sharje ishin parë të gjitha në historinë e politikës shqiptare, por ajo që ndodhi më 8 Janar në selinë e PD ishte e paprecedentë! I bindur se Kuvendi tij prevalonte mbi atë të Lulzim Bashës, Berisha mori mbështetësit e tij dhe u nis drejt selisë blu, ku për shumë se 3 orë pati përplasje mes mbështetësve të tij dhe atyre që ishin brenda godinës. Ah! Dhe një detaje; si kurrë më parë, selia e PD ishte kthyer në një godinë ‘blindata’, me protokoll më të lartë sigurisë së tek “313-ta”. Dyer e dritare ishin të blinduara në çdo cep, aq sa edhe një mizë nuk mund të hynte dot. Megjithatë Berisha e provoi! Për orë të tëra godina e selisë u godit me gurë, leva, në tentativë për të hapur dyert. Ndërsa nga brenda hidhej gaz e gjuhej për ç’të ishte e mundur. Protestuesit u larguan me mbërritjen e rreshtimin e Policisë së Shtetit në oborrin e PD-së, ku 34 persona u vunë në pranga, 18 të tjerë u proceduan penalisht, mes tyre edhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi e deputeti Flamur Noka. Madje edhe Basha e ish-kryeministri Berisha do të merren në pyetje nga prokuroria në lidhje me ngjarjen që fatmirësisht nuk solli viktima. Vetëm thelloi çarjen që kishte nisur si një krisje brenda PD-së. Më të marrë veten nga gazi dhe dhuna, Basha mblodhi Kryësinë e PD për të përjashtuar përgjithmonë nga partia Sali Berishën dhe 8 anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.Fatin e Berishës e kishin edhe: Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu, Rigels Muçollari dhe Keltis Kruja. Për të tjerë, pati pezullim. Shansi i rikthimit të statusit të anëtarit për ta është distancimi i plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike, dhe veprimeve që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të Partisë Demokratike, iu dha deputetëve: Agron Shehaj; Aldo Bumci; Belind Këlliçi; Blendi Himçi; Çlirim Gjata; Edi Paloka; Edith Harxhi; Eno Bozdo; Ervin Minarolli; Genc Deromemaj; Genc Pollo; Gent Strazimiri; Ivi Kaso; Ledina Mandija; Lorenc Luka;. Luan Baçi; Mimoza Hajdrmamataj; Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

Si ka nisur përplasja në PD

Zgjedhjet sollën zgjidhje

Pas përplasjes në seli dhe përjashtimeve në masë ‘me shpatë’ në dorë që bëri Basha, Berisha tentoi një mënyrë tjetër për të marrë godinën. Duke fituar në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Dhe ia doli! Sipas rezultatit të votave të marra nga kandidatët, rezulton se të zgjedhurit e Partisë Socialiste kanë grumbulluar në total 106.703 vota, të ndjekur nga kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë” me 60.223 vota dhe ata të Partisë Demokratike me 26.662 vota. Berisha fitoi Shkodrën, ndërsa Basha asgjë. I fundit ne garë, Basha mundi vetëm votat e pavlefshme. Pas humbjes në zgjedhje, gjuha e Bashës ndryshoi, u bë më gjithëpërfshirëse. Por nuk arriti gjë. Zgjidhja ishte vetëm një dhe e qartë; largimi i tij!

Si ka nisur përplasja në PD

Iku Basha, po kush do vijë?

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpalli më 22 mars, pas 2 javëve pritje dorëheqjen e tij nga drejtimi i opozitës. Kur edhe deputetët e tij të besuar i dolën kundër duke i kërkuar largimin, Basha u dorëzua. Shpalli dorëheqjen në një fjalim të mbajtur para grupit parlamentar demokrat.

“…për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD,”- deklaroi Basha. Megjithatë deklaroi se do të mbetet mbështetës i partisë dhe se do të punojë “për ringritjen e saj”. Por që atëherë nuk është parë më në selinë e PD-së, e sporadikisht në Kuvend.

Si ka nisur përplasja në PD

SHIHEMI NË GJYQ…

Më 25 mars, Gjykata e Tiranës njohu Kuvendin Kombëtar të Partisë Demoktatike të 11 dhjetorit. Vendimi është marrë nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili pasi ka marrë kërkesën ka vendosur që zyrtarisht dhe ligjërisht njihen vendimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbajtur më 11 Dhjetori 2021 nga grupi i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike. Epo mbaroi me kaq, u mendua në atë moment. Gabim! Enkelejd Alibeaj, kryetari i komantuar dhe kreu i grupit parlamentar, kërkoi që të ishtë palë në gjyq duke rihapur dhe njëherë procesin gjyqësor. Akuza dhe gjyqe të hapura, kërkohet një karrige, por Gjykata e Tiranës po vonon. Ende nuk ka një vendim të formës së prerë për kreun e PD, si për t’i hedhur më shumë benzinë zjarrit.

BASHA IKU, LE TË HEQIM ALIBEAJN

Edhe pse vetë e pranoi që Alibeaj kishte dorë të lirë në vendimmarrjen, Sali Berisha harroi dhe e cilësoi si një tradhëti të madhe çuarjen në gjyq të padisë së kreut të përkohshëm të PD-së, ndaj dhe nisi aksionin “Elemino  kundërshtarët”. Alibeaj ankimoi vendimin e 25 marsit, Berisha mblodhi Kuvendin për ta shkarkuar nga detyra e kreut të grupit parlamentar. Kuvendi ngarkoi Këshillin Kombëtar të partisë për zgjedhjen dhe caktimin, së bashku me nënkryetarët, edhe të kryetarit të grupit parlamentar të PDSH, ndërsa shpalli edhe datën e zgjedhjeve. Në pamje të parë duket se donte që të largonte Alibeajn e bezdisshëm që e kishte kundër, por koha tregoi se nuk ishte kështu. Berisha donte një vend për të diskutuar për presidentin e ri dhe e dinte që në fakt socialistët do të zgjidhnin “një formulë” të ngjarshme. Krerët e grupeve flasin me njëri-tjetrin. Alibeaj me aq pushtet i prishte punë, bëri çmundi por nuk ia doli. Vetoja e PS për të mos negociuar me të, i çoi kot gjithë mundin.

UNË, AI, ASNJËANËS

Përveç ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, të gjithë të tjerët kanë pasur lëkundje mendimi për Sali Berishën. Ajo vazhdon dhe kërkon që të lihet pas krahëve e shkuara, por Berisha nuk tundet! Fatkeqësisht e njëjta gjë nuk mund të thuhet për deputetët demokratë, disa prej të cilëve kanë kaluar nga kahu në kah. Deri tani ka një grup të deputetëve që mbështesin Alibeajn dhe grupin tjetër që mbështet ish-kryeministrin Berisha, por në lojë është futur edhe një grup i tretë. Janë pikërisht ata deputetë, të cilët nuk janë me askënd. Presin diçka të re… Ndër ta futet edhe ish-kryedemokrati Lulzim Basha, që deri më tani nuk është shprehur.

Grupi i tretë që u degëzua rrugës përbëhet nga: Lulzim Basha; Grida Duma; Agron Gjekmarkaj; Flutura Açka; Alfred Rrushaj; Xhelal Mziu; Helidon Bushati; Greta Bardeli; Bledion Nallbati; Fation Veizaj; Tomor Alizoti; Zef Hila; Ervin Salianji dhe Ramadan Lika. E vetmja gjë është se këto emra mund të mos jenë koherentë nesër, apo pasnesër, apo kurdo. Me tempin e ndryshimeve në PD, gjërat mund të ndryshojnë me sekonda.

Si ka nisur përplasja në PD

E TRETA, E VËRTETA?

Në zgjedhjet e djeshme, Berisha mundi rivalin e vetëm në garë, Ibsen Elezin me një diferencë të madhe votash në të gjithë qarqet. Edhe pse i shpallur non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ai u rizgjodh me 40 mijë e 820 vota, 93.45% të tyre. 2532 vota kanë shkuar për kandidatin tjetër në garë, Ibsen Elezi, ose ndryshe 5.8% e tyre. Të pavlefshme ishin vetëm 328 vota, ndërsa 43.680 demokratë në total morën pjesë në zgjedhjet e sotme. Berisha u betua dhe u shpreh se do ta bënte Shqipërinë një vend ku të rinjtë të realizojnë ëndrrat e tyre këtu dhe të mos e shohin emigrimin si zgjidhje. Por nga ndërkombëtarët askush se uroi. Të paktën jo publikisht. 

Publikisht ambasadorja amerikane, Yuri Kim; deputeti i partisë simotër në Gjermani, Gunther Krichbaum, i kanë premtuar izolim, Berisha është gati dhe nuk bën hapa pas për askënd. Këtë ka lënë të kuptohet të paktën. Me Ilir Metën që do t’i bashkohet më 25 korrik, Berisha vjedh strategjinë e kundërshtrit. Bashkimi i Metës me Ramën, e rrëzoi nga pushteti, e tani ai do të provojë të njëjtën gjë. Do ia dalë vallë?/Dosja.al


Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje