LIVE UPDATES
Politike

Përballja me COVID-19/ Ilir Meta: Vaksina duhet të jetë e përballueshme për të gjithë

24 Shtator 2020, 14:11 Nga DOSJA
Përballja me COVID-19/ Ilir Meta: Vaksina duhet të jetë e

TIRANE-Presidenti Illir Meta ka mbajtur ditën e sotme një fjalim për debatin e përgjithshëm të sesionit të 75-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me temë “E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh.”

Meta doli live në Presidencë aty ku u shpreh se duhet zbutur kriza e pandemisë e se vaksina duhet të jetë e perballueshme nga të gjithë.

‘Vaksina duhet të jetë e përballueshme nga të gjithë. Mbështesim axhendën e reformave të OKB-së. Kemi shënuar progres në barazinë gjinore.’

Më tej ai u shpreh se viti 2019 ishte shumë i vështirë për Shqipërinë pasi u godit nga dy tërmete të fuqishmë që shkaktuan më shumë se 50 persona të vdekur.

Më pas ai flet dhe për COVID në vendin tonë, përballimin dhe vështirësitë që ka sjellë rrugës duke e cilësuar pandeminë si një kërcënim global.

Ndërsa në fund të fjalës së tij ai preku dhe antarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, gjë që do i sillte shumë përfitime jo vetëm asaj por dhe mbarë bashkësinë ndërkombëtare.


Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Sh. T. Z. Ilir Meta në Organizatën e Kombeve të Bashkuar 24 shtator 2020

“E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh.”

Zoti President i Asamblesë së Përgjithshme!

Zoti Sekretar i Përgjithshëm!

Të nderuar delegatë!

Ju lutem më lejoni ta nis fjalën me urimet e ngrohta për Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Turqisë, Volkan Bozkir për zgjedhjen e tij në detyrën prestigjioze të Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme!

Zoti esident, Shqipëria është e nderuar të shërbejë nën udhëheqjen tuaj si Zëvendëspresident i sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme, duke përfaqësuar Grupin e Evropës Lindore.

Përgjatë këtij sesioni historik ju mund të mbështeteni plotësisht në bashkëpunimin dhe partneritetin tonë.

Zoti President,

Kemi pasur shumë arsye për të qenë krenarë gjatë 75 viteve të ekzistencës së Kombeve të Bashkuara. Si rezultat i bashkëpunimit global në kuadrin e OKB-së, ia kemi dalë mbanë të parandalojmë shpërthime të mëdha ushtarake dhe të pakësojmë vuajtjet njerëzore.

75-vjetori i Kombeve të Bashkuara shënon një moment historik dhe duhet të shërbejë si një kohë reflektimi se si të forcojmë OKB-në dhe ta bëjmë atë edhe më të efektshme në përballjen dhe zgjidhjen e sfidave të paprecedenta globale, me të cilat përballen sot shoqëritë tona.

Zoti President,

Pandemia Covid-19 ka zhytur botën në një krizë të thellë shëndetësore dhe ekonomike. Pasojat e saj socialo-ekonomike me siguri që do të vazhdojnë edhe për shumë vite të tjera, me pasoja të paparashikueshme për paqen dhe sigurinë globale.

Kriza aktuale kërcënon të ngadalësojë, madje edhe ta kthejë pas përparimin e shënuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Bëhet fjalë për rrezikun që iu kanoset sigurisë ushqimore, çrrënjosjes së varfërisë, zhvillimit ekonomik, ndryshimit të klimës dhe barazisë gjinore, duke përkeqësuar dobësitë ekzistuese dhe duke rritur pabarazitë që ekzistojnë në dhe midis vendeve të ndryshme.

Mënyra se si do të reagojmë dhe do të përgjigjemi ne do të përcaktojë se sa shpejt do të rimëkëmbet bota, si dhe do të formësojë aftësinë tonë për të arritur dhe përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe për të menaxhuar sfida të tjera globale.

Përgjigja globale ndaj pandemisë së koronavirusit e ka vënë në provë multilateralizmin si dhe ka ekspozuar kufizimet e institucioneve ekzistuese ndërkombëtare. Ajo ka nxjerrë në pah gjithashtu edhe pasojat alarmuese të bashkëpunimit jofunksional botëror.

Pandemia ka theksuar nevojën e njerëzimit për një sistem më të fortë multilateral, bazuar në parimet dhe idealet e mishëruara në Kartën e OKB dhe të drejtën ndërkombëtare.

Kombet e Bashkuara duhet të jenë në qendër të një multilateralizmi gjithëpërfshirës dhe të efektshëm, ku organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, shoqëria civile, bashkësia e sipërmarrjes dhe grupet e tjera të interesit, të veprojnë përmes lidhjeve më të ngushta institucionale.

Ne mbështesim fuqimisht në këtë drejtim vizionin dhe axhendën ambicioze të reformave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Shqipëria është e bindur se një Organizatë e reformuar e Kombeve të Bashkuara do të ofrojë një qasje më të integruar dhe gjithëpërshirëse për të realizuar Axhendën 2030 dhe për të qenë të sigurt se askush nuk do të mbetet pas.

Të nderuar delegatë,

Në këto momente kritike ne duhet t’iu përgjigjemi frikës dhe shpresave të njerëzve, të cilëve iu shërbejmë.

Me qëllim që të zbusim kurbën e pandemisë dhe të parandalojmë një krizë ekonomike globale, duhet të reagojmë në mënyrë kolektive në frymën e bashkimit e të solidaritetit.

Do të dëshiroja të shfrytëzoj këtë rast që të përgëzoja Kombet e Bashkuara për mobilizimin e mbështetjes me pajisje mbrojtëse dhe pajisje të tjera mjekësore në më shumë se 130 vende, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme për të përshpejtuar kërkimin, gjetjen dhe prodhimin e një vaksine, e cila duhet të jetë e përballueshme financiarisht dhe në dispozicion të gjithë njerëzve në mbarë globin.

Zoti President,

2019 ishte një vit i vështirë për Shqipërinë, sepse u goditëm nga dy tërmete të fuqishme, që shkaktuan më shumë se 50 të vdekur dhe një miliard dollarë amerikanë dëme.

U jemi mirënjohës atyre kombeve mike që na ndihmuan në kohën kur kishim aq shumë nevojë, dhe që na ofruan mbështetje financiare dhe materiale gjatë përpjekjeve tona të vazhdueshme të rindërtimit.

Ne jemi gjithashtu mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, që provoi se ishte një partnere e vërtetë.

Agjencitë e saj u angazhuan qysh nga dita e parë. Ekspertët e shpëtimit dhe të ndihmës iu futën punës menjëherë, duke mbështetur autoritetet tona, së bashku me partnerë nga Evropa dhe vende të tjera.

Më pas u përballëm me goditjen e COVID-19. Organizata Botërore e Shëndetësisë na është gjendur në krah në çdo hap të rrugës dhe veprimeve që ndërmorëm për ta përballuar këtë pandemi. OKB-ja ka hartuar gjithashtu një plan të përgjigjes socialo-ekonomike për të garantuar një veprim të koordinuar në të gjithë hapësirën e saj dhe një mbështetje të efektshme ndaj masave në rang kombëtar.

Shqipëria po punon fort për të arritur synimin global të Kombeve të Bashkuara për të ulur emetimet e gazrave dhe

efektin serë me 45% në dekadën e ardhshme, si dhe për të mundësuar zero emetime deri në vitin 2050, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit të vitit 2016.

Për më tepër, ne kemi miratuar Strategjinë për Ndryshimin e Klimës si dhe Planin e Veprimit për Zbutjen e emetimeve të gazrave dhe të efektit serë.

Ndërsa Shqipëria po përpiqet të përdorë plotësisht gjithë potencialin e saj ekonomik, ne i kemi përputhur përparësitë dhe objektivat tona kombëtare me Axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, si dhe me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.

Objektiva shumë të rëndësishme të kësaj Strategjie janë mbrojtja e bashkësive rome dhe egjiptiane, e personave me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera potencialisht të të pambrojtura dhe të margjinalizuara.

Kemi shënuar përparim edhe në drejtim të barazisë gjinore, me rritjen dita-ditës të numrit të grave që punojnë në institucionet shtetërore si dhe në administratën publike.

Zoti President,

Ne duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë nevojave të grupeve më të rrezikuara, veçanërisht atyre të të rinjve. Efektet ekonomike që rezultojnë nga pandemia do të çojnë në rritjen e numrit të të rinjve të papunë, duke i shtyrë ata të largohen nga vendi i tyre i origjinës.

Padyshim që ky është një kërcënim global, që prek veçanërisht vendet me ekonomi të dobëta.

Të nderuar delegatë,

Kryesia e Radhës së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020 është një tregues i prekshëm i angazhimit tonë të palëkundur për të promovuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes dialogut dhe bashkëpunimit shumëpalësh, në një kohë kur po përjetojmë rritjen e tensioneve dhe polarizimit.

Në cilësinë e saj si Kryetare e Radhës së OSBE-së, Shqipëria ka mbështetur fuqimisht thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim global.

Me qëllim vijimin e angazhimit aktiv në dobi të stabilitetit dhe të sigurisë, Shqipëria ka paraqitur kandidaturën e saj për t’u zgjedhur si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për mandatin 2022-2023.

Shqipëria beson fort se multilateralizmi është thelbësor për trajtimin e sfidave globale. Ne do të ofrojmë një kontribut proaktiv për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes përvojës sonë rajonale, si një faktor kryesor paqeje, stabiliteti dhe sigurie.

Do të ushtrojmë një qasje aktive, konstruktive dhe të matur, si dhe do të veprojmë me përgjegjësi për të forcuar multilateralizmin përmes partneriteteve dhe bashkëpunimit.

Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të gjitha shteteve të nderuara të Asamblesë së Përgjithshme që të mbështesin kandidaturën e Shqipërisë për në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023.

Të nderuar delegatë,

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë.

Në fillim të këtij viti mirëpritëm vendimin politik të Këshillit të BE-së për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se na duhet të përmbushim standardet e kërkuara para se të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ky proces kërkon një bashkërendim përpjekjesh në nivelin kombëtar, të udhëhequra me vendosmëri nga qeveria, që do të na çojë drejt reformave të mirëfillta dhe të qëndrueshme.

Ky angazhim i ripërtërirë pritet të prodhojë rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve kryesore që lidhen me funksionimin demokratik dhe me sundimin e ligjit, të cilat duhet të pasqyrojnë konsensusin politik ndërpartiak dhe t’i shërbejnë njëkohësisht stabilitetit të përgjithshëm të vendit tonë.

Ne ua kemi shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare për ndihmesën që na dhanë për t’u rimëkëmbur nga tërmeti që na goditi si dhe nga pasojat e pandemisë COVID-19.

Shqipëria vazhdon të jetë plotësisht në një linjë me politikën e jashtme të BE-së në rajon, duke u krenuar me aleancën tonë të fuqishme evropiane dhe euro-atlantike të vlerave të përbashkëta.

Zoti President,

Shqipëria është mëse e vetëdijshme edhe për detyrimet e saj si një anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare.

Gjatë përpjekjeve të vazhdueshme për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë, Shqipëria ka kontribuar me trupa ushtarake, nën drejtimin e OKB-së, BE-së dhe të NATO-s, në operacione të ndryshme paqeruajtëse në Sudanin e Jugut, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali dhe Afganistan.

Qëllimi dhe interesi ynë kryesor janë të sigurojmë paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor.

Rajoni ynë ka një histori tragjike diktaturash, shtypjesh të popujve dhe konfliktesh ushtarake. Pavarësisht trashëgimisë së vështirë që ende e përndjek rajonin tonë, gjatë dy dekadave të fundit është shënuar një përparim i rëndësishëm, kryesisht falë ciklit të reformave të ndërmarra në kuadër të proceseve të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Inkurajojmë dhe mirëpresim faktin se faktori shqiptar vazhdon të mbështesë kursin evropian dhe euro-atlantik në të gjithë rajonin, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin rajonal dhe pronësinë në hartimin dhe realizimin e projekteve ambicioze.

Ne e mirëpresim marrëveshjen për normalizimin ekonomik të arritur midis Kosovës dhe Serbisë, e cila u ndërmjetësua dhe u garantua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Mbetemi shpresëplotë se kjo marrëveshje do të injektojë një dinamizëm të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja vendet duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme të njohjes reciproke si dhe të normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes tyre.

Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është një eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Kosova ka ngritur në këmbë një kornizë të fortë kushtetuese dhe ligjore që siguron mbrojtjen e papërjetuar më parë të të drejtave të pakicave dhe të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo është plotësisht në përputhje, madje edhe e tejkalon kuadrin ligjor përkatës evropian për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Sot Kosova është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe nismave rajonale.

Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare.

Në përfundim Zoti President, do të dëshiroja të ripohoja edhe një herë mbështetjen e përkushtuar të Shqipërisë për një rend të mirëbazuar në rregulla, të reformuar dhe ripërtërirë, me Organizatën e Kombeve e Bashkuara në qendër të tij. Ne, shtetet anëtare, duhet të përmbushim pjesën që na takon dhe të luajmë rolin tonë për zbatimin, respektimin dhe forcimin e sistemit shumëpalësh në mënyrë që të përfitojmë nga ai.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

(A.B)/Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike ilir meta ilir meta

Sondazh

Poll
Politike 24 Shtator 2020, 09:06

TIRANË- Seanca plenare në Kuvend ka nisur me replika mes deputetëve të opozitës parlamentare dhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi. I pari ishte deputet...

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës