Politike

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit! Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

Procesi do të zhvillohet në gjithsej 29 ambasada dhe konsullata, të shtrira në 18 shtete të ndryshme, ku votuesit janë regjistruar paraprakisht për të marrë pjesë në zgjedhje.

27 Dhjetor 2025, 09:11 Nga M.L
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit! Sot votohet në
Foto ilustruese

KOSOVADitën e sotme nis votimi për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës edhe jashtë vendit, ku qytetarët kosovarë do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Procesi do të zhvillohet në gjithsej 29 ambasada dhe konsullata, të shtrira në 18 shtete të ndryshme, ku votuesit janë regjistruar paraprakisht për të marrë pjesë në zgjedhje.

Përfaqësia e parë që do të hapë qendrat e votimit është Konsullata e Kosovës në Stamboll, ku votimi nis në orën 07:00, ndërsa në këtë konsullatë janë të regjistruar 116 qytetarë me të drejtë vote.

Sipas ligjit të ndryshuar për zgjedhjet, votimi nga jashtë realizohet; përmes postës, dërgimit të pakos në adresën e KQZ-së në Kosovë dhe votimit fizik në përfaqësi diplomatike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditura procedurat dhe udhëzimet për zhvillimin e procesit, duke sqaruar mënyrën e votimit për qytetarët jashtë Kosovës.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë: Me letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje të Republikës së Kosovës, lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së. Zëri juaj ka rëndësi. Merrni pjesë në votim!”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Më 28 dhjetor, ditën e diel, Kosova voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë të dytat që mbahen brenda këtij viti./ Dosja.al

zgjedhjet e parakohshme ne kosove

Sondazh

Poll