Politike

Skandali që tronditi “ONE Albania”/ A u bë pjesë e rrjetit korruptiv të familjes Veliaj siç thotë SPAK?

Një kompani dikur konkurruese dhe inovative në treg, “One Albania” duket se ka ndryshuar kurs sapo Arbër Veliaj, vëllai i ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, mori nën kontroll promocionet dhe strategjitë e saj të marketingut.

24 Shkurt 2025, 14:20 Nga Dosja.al
Skandali që tronditi “ONE Albania”/ A u bë pjesë e
erion veliaj

TIRANË- Ndërsa Erion Veliaj vijon të shkëmbejë akuza nga qelia me prokurorin e SPAK, Ols Dado, thelbi i çështjes së tij mbetet ende i paqartë për shumëkënd. Përtej debatit politik, hetimet e SPAK kanë zbuluar një skemë të sofistikuar korrupsioni, ku përfshihet një nga operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare në vend – “One Albania”.

Një kompani dikur konkurruese dhe inovative në treg, “One Albania” duket se ka ndryshuar kurs sapo Arbër Veliaj, vëllai i ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, mori nën kontroll promocionet dhe strategjitë e saj të marketingut. Nga një markë me imazh të fortë dhe oferta tërheqëse, ajo u shndërrua në një mjet për përfitime korruptive dhe një nyje kyçe në rrjetin e trafikimit të influencës që po hetohet nga SPAK.

Një rrjet i ndërlikuar interesash

Sipas dosjes së SPAK, kompania “One Albania” ka paguar Arbër Veliajn për shërbime marketingu dhe promovimi përmes kompanisë së tij, Gogel shpk. Në të njëjtën kohë, “One” ka fituar tendera pa garë nga Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, duke krijuar kështu një skemë tipike të konfliktit të interesit dhe korrupsionit.

Hetimet zbulojnë se klienti kryesor i “Gogel shpk” është pikërisht “One Albania”, me një total shitjesh prej 551.6 milionë lekësh. Kjo kompani ka siguruar kontrata të majme nga institucionet publike, duke përfituar nga tendera të dyshimtë, shpesh pa konkurrencë dhe me flamuj të kuq në Open Data.
Tenderët e dyshimtë dhe fitimet marramendëse

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt, renditen një sërë tenderësh që “One Albania” ka siguruar në bashkëpunim me qeverisjen vendore të Tiranës.

Një prej tyre është tenderi për “Shërbim të infrastrukturës së dedikuar optike dhe shërbimeve data”, me një fond limit prej 74.3 milionë lekësh, ku “One” u shpall fituese për 68.7 milionë lekë më 15 tetor 2024. Një tjetër kontratë e majme ishte monitorimi online i trafikut urban, me një fond limit prej 41.6 milionë lekësh, për të cilën u nënshkrua një kontratë përfundimtare prej 40.3 milionë lekësh më 1 nëntor 2024.

Këto procedura prokurimi janë shoqëruar me ankesa dhe sinjalizime për parregullsi. Një prej garuesve e ka denoncuar një nga këto tendera në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP), i cili i dha të drejtë dhe konstatoi shkelje.
Heshtja që rëndon më shumë se akuzat

Pavarësisht përmasave të skandalit, kompania “One Albania” vijon të mbajë qëndrim heshtjeje. Përballë pyetjeve të drejtuara nga Dosja.al, mbi dijeninë e saj për këto transaksione të dyshimta dhe marrëdhëniet me “Gogel shpk” dhe “Ava Studio”, kompania nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje.

Në një situatë të tillë, ku një operator gjigant telefonik përfshihet në një skemë të trafikimit të influencës dhe shpërdorimit të fondeve publike, heshtja nuk bën gjë tjetër veçse thellon dyshimet.

Deri kur do të vazhdojë kjo heshtje?

Kjo është një pyetje që mbetet pa përgjigje. Por një gjë është e sigurt: ky skandal është larg fundit.../Dosja.al

one albania erion veliaj arber veliaj spak

Sondazh

Poll