Aktualitet

Sot proteston kundër traut, si firmosi Braçe zv.kryeministër vendimin për ndërtimin e tij, firma i kthehet ‘boomerang’

Vendimi nuk flet posaçërisht për këtë zonë, por duke qenë se parku Divjakë-Karavasta është zonë e mbrojtur, Ministrisë së Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura u lind e drejta të ndjekin të njëjtën procedurë si në zonat e tjera.

18 Nëntor 2022, 21:45 Nga F.M
Sot proteston kundër traut, si firmosi Braçe zv.kryeministër
Erion Braçe dhe protestuesit

TIRANË- Socialisti i vetëm që ka dalë në mbështetje të protestuesve për traun e vendosur në parkun Divjakë-Karavasta është Erion Braçe. Edhe pse sot nuk u pa pranë banorëve vendas, Braçe ka ngritur zërin kundrejt Ministrisë së Turizmit, të cilën e ka bërë përgjegjëse për vendosjen e këtij trau që për ta kapërcyer duhen 50 lekë dhe kjo është totalisht e papranueshme për banorët vendas. Qëndrimin e tij, Braçe e ka argumentuar me faktin që rruga në të cilën është vendosur trau është e vetmja që mundëson kalimin për në plazh e jo vetëm, ndaj tarifa nuk ka se si të prekë vetëm turistët.

“Janë 24 km rrugë kombëtare që garantojnë aksesin jo vetëm të divjakasve, por edhe të gjithë të tjerëve për në plazhin e Divjakës. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Është e paarsyeshme që një rrugë e tillë kombëtare të bëhet me pagesë. Kjo që po bën Ministria e Turizmit, në bashkëpunim me ARRSH është pikërisht vendosja e një takse për të kaluar në rrugë dhe për të shkuar në det. Është vendosur m’u në mes të rrugës dhe jo m’u në mes të parkut. Ajo rrugë aty është e vetmja mënyrë se si qytetari mund të aksesojë bregdetin,”- tha Braçe.

Por, vendimi për të vendosur traun është bazuar në një dokument të firmosur nga vetë zoti Braçe, kur ai mbante postin e zëvendëskryeministrit. Më 26 janar të vitit 2021, Braçe firmosi vendimin që kaloi në Fletoren Zyrtare dhe u jepte të drejtë institucioneve që të vendosnin tra në zonat e mbrojtura. Në këtë vendim janë të caktuara edhe tarifat për vizitorët që fillojnë nga 50-150 lekë. Vendimi nuk flet posaçërisht për këtë zonë, por duke qenë se parku Divjakë-Karavasta është zonë e mbrojtur, Ministrisë së Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura u lind e drejta të ndjekin të njëjtën procedurë si në zonat e tjera.

A e mban mend Braçe firmosjen e këtij vendimi? E dinte që një ditë firma do t’i kthehej ‘boomerang’ në zonën që e ka nxjerrë deputet?

erion brace trau te parku i divjakes

Sondazh

Poll