Aktualitet

Ishulli i Sazanit në flakë, drejtori i zjarrfikëses: Nuk shuhet me krahë, u kam thënë Emergjencave Civile, s'ia dalim dot

Ai kërkoi edhe shtesa në personel gjithashtu.

6 Qershor 2022, 11:46 Nga F.M
Ishulli i Sazanit në flakë, drejtori i zjarrfikëses: Nuk shuhet
Kastriot Bega

VLORË- Kastriot Bega, drejtori i zjarrfikëses në Vlorë ka treguar vështirësitë e punonjësve në përballje me flakët në ishullin e Sazanit. Në një lidhje telefonike me Syri TV, Bega tha se i ka kërkuar Kreut të Emergjencave Civile, Haki Çakos që të ketë ndërhyrje nga ajri. Bega thotë se një zjarr i tillë nuk mund të shuhet me mjete rrethanore. Ai kërkoi edhe shtesa në personel gjithashtu.

“U kam bërë thirrje Emergjencave Civile, u kam thënë që zjarri nuk fiket me krahë. Por ata e dinë vetë. Po e shqyrtojnë ata situatën. Jemi në pritje, nuk ka asnjë masë ende. Ua kam thënë që do ndërhyrje. Ne e kemi bërë tonën, duhet edhe shtesë personeli. Ne nuk i përballojmë dot kështu, vetë pozita gjeografike kërkon forca më shumë,”- tha Bega.

Ishulli i Sazanit është përfshirë nga flakët mesditën e kaluar. Zjarri vijon të jetë aktiv prej thuajse 24 orësh dhe deri më tani nuk ka asnjë ndërhyrje nga ajri. Kjo pasi dy helikopterët që Shqipëria ka në dispozicion për raste të tilla janë në servis që nga muaji shkurt. Në Sazan janë shënuar edhe shpërthime të municioneve.

Sondazh

Poll