Aktualitet

Në punë edhe gjatë karantinës! Covid-19 mori nëntë bluza të bardha dhe gjashtë efektivë, kush janë mjekët dhe infermi

13 Shtator 2020, 13:52 Nga DOSJA
Në punë edhe gjatë karantinës! Covid-19 mori nëntë

TIRANË– Kirurgu Agron Menzelxhiu, i cili ndërroi jetë sot shënon viktimën e nëntë nga Covid-19 në radhët e bluzave të bardha. Ai u shtrua në spital për shkak të një pathologjie, por pandemia dhe përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore, ka bërë që kirurgu të mbyllte sytë përgjithmonë.

Rrjeti u përlot dhe kolegu i tij, mjeku Petrit Vargu, ishte ai që bëri me dije këtë lajm të hidhur përmes një statusi në rrjetet sociale. Por, Menzelxhiu nuk është i vetmi. Bluzat e bardha janë pakësuar nga dita në ditë, duke bërë që nëntë prej tyre të humbasin jetën, që nga fillimi i pandemisë.

I pari që shënoi viktimën nga personeli mjekësor ishte Arjan Pushi. Më 30 qershor, të gjitha mediet raportuan vdekjen e Pushit, i cili ishte infektuar në punë, sipas deklaratave të bëra nga kolegët e tij.

Arben Ivanaj, shef i hematologjisë në QSUT tha se Pushi nuk kishte sëmundje të tjera. I prekur nga ndarja nga jeta e kolegut të tij, Ivanaj tha i përlotur se janë të shokuar nga ajo që ka ndodhur, ndërsa kishte 15 ditë i shtruar te Infektivi dhe 48 orët e fundit ishte rënduar. Edhe vetë Ministria e Shëndetësisë e renditi Pushin, si personin që shënoi vdekjen e parë në bluzat e bardha.

Vdekjen e dytë e shënoi mjeku nga Puka, Hysni Shkjau. Shkjau u infektua nga infermierja e qendrës shëndetësore ku ai punonte, pasi infermierja u infektua në QSUT kur kishte një konsultë në këtë spital. Shkjau punonte pneumolog dhe në momentin që ky i fundit doli në pension, punonte si mjek i familjes në qendrën shëndetësore të Pukës.

Një tjetër mjek që ndërroi jetë është edhe Anibal Byberi. Më 2 gusht pneumologu Byberi u paraqit në Senatorium në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai u vendos menjëherë në intubim, por fatkeqësisht ndërroi jetë vetëm pak orë pasi mbërriti në spital, duke humbur kështu betejën me virusin. Mjeku 53-vjeçar, me origjinë nga Tropoja u konfirmua pozitiv me virusin e rrezikshëm pak ditë para se të ndërronte jetë. Ai e vijonte trajtimin në banesë. Byberi ka qenë mjek prej vitesh në Tropojë, ku ka mbajtur edhe postin e drejtorit të spitalit të Tropojës.

Ndërsa më 5 shtator mbylli sytë një infermier. Pëllumb Zef Maletaj, 66 vjeç me origjinë nga Tetajt e Mërturi, Tropojë ishte një prej bluzave të bardha në spitalin Ushtarak, por nuk i mbijetoi dot Covid-19.

Ndërsa për pesë personat e tjerë, që kanë qenë pjesë e stafit mjekësor dhe në vijën e parë të frontit me luftën ndaj Covid-19, nuk ka pasur të dhëna të tjera. Dosja.al kontaktoi dhe me zyrën e shtypit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkoi një bilanc për vdekjet e bluzave të bardhe, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë një përgjigje.

Nga ana tjetër, Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor kanë kërkuar nga kryeministri Edi Rama që të gjithë mjekët që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi, duhet të shpallen dëshmorë të kombit. Nëpërmjet një njoftimi kjo sindikatë u shpreh se duhet të bëhet edhe sigurimi i jetës i personelit shëndetësor, si dhe kërkohet rritja e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

Nga ana tjetër, ata që kanë dalë çdo ditë në punë, edhe gjatë periudhës së karantinimit, janë edhe efektivët e Policisë së Shtetit. Pavarësisht se nuk konsiderohen në vijën e parë të luftës, efektivët, kanë qenë në punë edhe kur e gjithë Shqipëria u izolua, duke u përballur çdo ditë me frikën e infektimit nga Covid-19. Burime nga Policia e Shtetit konfirmuan se gjashtë oficerë të infektuar me Covid-19, nuk e kanë fituar dot betejën me virusin dhe janë të moshës 45-60 vjeç. 4 prej të ndjerëve ishin me sëmundje shoqëruese.

Në total në Shqipëri, që nga fillimi i pandemisë, janë 198 efektivë të prekur nga koronavirusi. Numri më i lartë i policëve të infektuar me covid rezulton se është Tirana dhe më pas vjen Elbasani.

Një tjetër grup i rrezikuar nga Covid-19, ka qenë edhe ai i zjarrfikësve. Në pandemi, karantinë apo jo, ata kanë qenë të detyruar të dalin në punë, të shuajnë zjarret, sidomos gjatë periudhës së verës, ku ka pasur vatra të mëdha në disa zona të Shqipërisë. Gjithsesi, për fat të mirë, mes zjarrfikësve nuk ka pasur viktima.

(f.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet agron menxelxhiu anibal byberi arjan pushi hysni shkjau pellumb maletaj viktimat e koronavirusit ne shqiperi agron menxelxhiu anibal byberi arjan pushi hysni shkjau pellumb maletaj viktimat e koronavirusit ne shqiperi

Sondazh

Poll