Politike

Rama uron Pëllumb Xhufin për ditëlindje: Vëzhgues i mprehtë i diplomacisë, të rinjtë të ndjekin shembullin e këtij dja

24 Gusht 2020, 09:37 Nga DOSJA
Rama uron Pëllumb Xhufin për ditëlindje: Vëzhgues i

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka uruar sot historianin Pëllumb Xhufi për 69-vjetorin e lindjes. Në një postim të përditshëm në rrjetet sociale, ku kreu i qeverisë zgjedh emra të njohur të historisë dhe kulturës për t’i kujtuar, Rama thotë për Xhufin se është një pikëreferimi në historiografi, dhe e cilëson si një njohës rigoroz të gjuhëve e vëzhgues të mprehtë të diplomacisë.

POSTIMI I PLOTË:

#EDHE100?

PËLLUMB XHUFI, që sot mbush plot 69 vjet që nuk duken në portretin e tij prej djaloshi të thinjur, hyn padyshim ndër ata lëvrues të mirë të penës shqipe në lëmin e historisë, të cilët kanë vizatuar me përkushtim e kompetencë të spikatur rrugët e njohjes së të shkuarës së trazuar të këtij vendi.

Ai është një pikë referimi për historiografinë e ngatërruar mes Perëndimit dhe Lindjes, kontekstualizimin në këto dy botë të gjenezës historike të veçantë dhe përkatësive të shumëfishta të kombit shqiptar. Njohës rigoroz i gjuhëve dhe paleografive të vjetra padyshim, por edhe njohës i ditur dhe vëzhgues i mprehtë i skutave të labirinthit të diplomacisë në gjatësinë e disa shekujve, Pëllumb Xhufi ka aftësinë e spikatur të të treguarit të së shkuarës me gjuhën e të tashmes, përmes një pedagogjie hulumtimi që u jep bashkëkohësve pika referimi për të kuptuar dinamikën e “lojës” diplomatike, sidomos në momentet kur e shkuara ngre krye si aktualitet i debatueshëm.

“Përkthyes” i palodhur i dilemave të Arbërit, Pëllumb Xhufi ka një aftësi mbresëlënëse për të interpretuar rebuset e historive të vogla të Ballkanit, të njerëzve, komuniteteve, ngjarjeve të kohëve shumë të shkuara, duke na e lehtësuar vështrimin përtej mjegullave ballkanike, të cilat vazhdojnë të ushqejnë gjithëfarë gjysëm të diturish e sharlatanësh të mexhelisit të zhurmshëm shqiptar. Ai di të na e tregojë me goxha saktësi vendin që zënë bijtë e shqipes në historinë e tyre, të historinë e rajonit a të botës me të cilën u përzien, ata më të moçmit e ata më të afërtit me ne në kohë. Dhe më e pakta që mund të thuhet është që kjo nuk është pak, sidomos po të mbash parasysh pazarin e gjullurdisshëm të historiografisë shqiptare të dekadave që pasuan periudhën e gjatë e të zymtë, të historisë së shkruar sipas qejfit nga fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore. “Arbërit e Jonit”, “Shekulli i Voskopojës”, “Ikje nga Bizanti”, “Nga Paleologët te Muzakajt”, apo “Skënderbeu: Ideja dhe ndërtimi i Shtetit”, e të tjera akoma, përbëjnë një afresk të hatashëm në kapelën e tempullit të historiografisë shqipe.

E fundit po jo për nga rëndësia, personaliteti i Pëllumb Xhufit, meriton respekt edhe për tiparin e konseguencës qytetare, të cilën as politika aktive ku ai u përfshi për disa vite me instiktin e patriotit dhe me edukatën e shërbëtorit publik, nuk e zhbëri dot. Duke i uruar ditëlindjen dhe duke uruar që të tjera pjesë t’i shtohen afreskut mjeshtëror që ai ka krijuar, uroj me këtë rast që më të rinjtë në moshë e në rrugën e ndërlikuar të Albanologjisë e të shkencave humane, të mësojnë sa më shumë e ta ndjekin shembullin e këtij djaloshi me thinja.

(F.g/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike edi rama pëllumb xhufi edi rama pëllumb xhufi

Sondazh

Poll

Politike 23 Gusht 2020, 08:31

TIRANË– Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili ankohet për çmimin e biletës së autobusit në linjës Tiranë-...