Politike

19 Qershor 2020, 09:40 Nga DOSJA

TIRANË- Qeveria shqiptare ka hapur sot garën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Kryeministri Edi Rama i cili mori fjalën për të detajuar më tej këtë projekt, tha se kompania fituese e këtij projekti do të jetë ndërkombëtare, dhe theksoi se edhe pse është shqyrtuar mundësia e ndërtimit të tunelit me PPP, shteti ka vendosur ta bëjë vetë me paratë e buxhetit. Ky projekt tha ai, është me rëndësi strategjike si nga aspekti ekonomik edhe ai historik e kulturor.

“Jemi në fillim të kurorëzimit të procesit për mbajtjen e këtij zotimi. Bëhet fjalë për një zonë me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe imazhin e Shqipërisë në botë. Një zonë ku interesi është i gjithanshëm sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një natyrë dhe klimë të mrekullueshme, por bëhet fjalë edhe për një zonë me histori dhe trashëgimi tjetër që sot e gjithë ditën mbetet një thesar i pazbuluar. Bëhet fjalë për një zonë që gjendet në librin e Jul Cezarit, ku ai shkruan se “në mesditën e 5-janarit kishte zbarkuar mes shkëmbinjve në vendin që quhej Paleste”, pra në Palasë. E them me shumë krenari që sot jemi gati të materializojmë këtë projekt që do të krijojë një akses krejt tjetër drejt zonës dhe do të shërbejë si katalizator shumë i fuqishëm në të gjithë rivierën joniane. Në kontaktet tona me investitorët e huaj, shumë të interesuar për të investuar në turizëm. Përtej faktit se aeroporti i afërt me zonën do të ndërtohet, Aeroporti i Vlorës, përtej faktit se një tjetër aeroport, edhe ai i Sarandës do të ndërtohet, kyçi mbetet Llogaraja. Faktikisht janë bërë të gjitha analizat është bërë një punë mbresëlënëse nga ministrja dhe stafi për të matur të gjithë parametrat. Janë eksploruar dhe rrugët e mundshme të realizimit të projektit me investime të huaja apo partneritet publik privat dhe është rënë në konkluzionin se rruga më e mirë është që ky projekt të udhëhiqet dhe çohet deri në fund nga qeveria dhe të financohet nga buxheti i shtetit. Projekti do të detajohet nga një proces i hapur dhe ndërkombëtar, do të përzgjidhet një kompani e huaj në këtë fushë dhe pastaj përsëri do të hidhet një garë ndërkombëtare për të siguruar realizimin e tij sa më mirë.”,-tha Rama. 

E pranishme në prezantim ishte edhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku. Ajo tha se tenderi do të mbyllet brenda këtij viti, dhe tuneli me gjatësi 6 kilometër, do të sjellë një shkurtim të kohës për të përshkuar aksin Orikum-Palasë, që do të jetë 10 minuta.

“37 minuta do të jetë koha e përshkimit të rrugës nga aeroporti (i Vlorës) në bregdetin shqiptar. Projekti do të ketë ndikim 550-600 mln euro në ekonomi dhe punësimi 11600 persona” tha ajo.

Kalimi i mjeteve të transportit rrugor në tunelin e Llogarasë do të jetë me pagesë, por tarifa dhe kostoja e projektit ende nuk është përllogaritur. Projekti i ndërtimit të tunelit të Llogarasë i bashkangjitet edhe një tjetër vepre infrastrukturore në zonën e jugut, segmentit Dukat – Orikum e cila lidh tunelin në pjesën e fshatit Dukat dhe afron Vlorën me zonën bregdetare të Himarës me 30 minuta. Njëkohësisht me investimet në rrugë, qeveria parashikon edhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës, tenderi i të cilit u hap në Dhjetor të vitit të shkuar por u pezullua për shkak të situatës së krijuar të Covid-19.

(F.g/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike belinda balluku edi rama tuneli i llogarase belinda balluku edi rama tuneli i llogarase

Sondazh

Poll