Politike

Dita e Dëshmorëve, presidenti Meta apel për të rinjtë: Vëmendje në edukimin për LANÇ. ‘No comment’ për Dvoranin

5 Maj 2020, 08:20 Nga DOSJA
Dita e Dëshmorëve, presidenti Meta apel për të rinjtë:

TIRANË– Presidenti Ilir Meta ishte politikani i vetëm që qëndroi për një deklaratë për mediat pas nderimeve në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në fjalën e tij, Meta bëri apel për një ndërgjegjësim të të rinjëve lidhur me rëndësinë e Luftës Nacional Çlirimtare.

Më tej, Meta shtoi se të gjithë të rinjtë duhet të shihnin nga afër të gjithë masakrat që kishin kryer pushtuesit në Shqipëri për të mësuar edhe vlerat e lirisë dhe për të vlerësuar kontributin e dëshmorëve.

Sot përkujtuam me nderim 5 Majin, në një mënyrë krejt të veçantë, për shkak të situatës së pandemisë dhe të kufizimeve, që na kanë bërë të pamundur të shkëmbejmë nga afër përshëndetjet me veteranët, me familjet e dëshmorëve, por gjej rastin për t’i përshëndetur prej këtu ku prehen heronjtë dhe dëshmorët më të shquar të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe të Atdheut. Kjo është Dita e Dëshmorëve, Heronjve dhe Martirëve të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, të cilët na ftojnë me sakrificën e tyre më sublime që të mos bëhemi mendjelehtë dhe ta marrim lirinë e pavarësinë si të dhëna një herë e përgjithmonë. Nëse nuk jemi gjithmonë të vëmendshëm, të përqendruar dhe vigjilentë, ato janë të cenueshme dhe përmes cenueshmërisë së tyre, cenojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve. Ndaj edhe një herë sot dua të apeloj për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe edukimit të të rinjve dhe të fëmijëve me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, me të vërtetat e saj më thelbësore, me sakrificat e saj të jashtëzakonshme. Duhet të jetë e domosdoshme që të paktën një herë në jetë, çdo fëmijë shqiptar të shkojë, edhe falë programeve të shkollave, për të vizituar Borovën apo edhe vende të tjera, për t’u njohur me masakrat barbare të pushtuesve që kanë përjetuar jo vetëm burrat dhe gratë, por edhe foshnjat, edhe të moshuarit, si dhe për të kuptuar se liria dhe pavarësia kanë ardhur përmes një lufte të shenjtë, që duhet të mbrohet, por jo vetëm kaq. Liria dhe pavarësia duhet të mbrohen çdo ditë, sepse në kohët e reja cenohen në forma të tjera,-tha Meta. 

Kreu i shtetit nuk i shpëtoi edhe pyetjeve politike. I pyetur lidhur me mandatin e gjyqtarit Ardian Dvoranit, Meta preferoi të mos përgjigjej duke u shprehur se fokusi ishte tek 5 maji.

“Sot është dita e Dëshmorëve, dita e nderimit për ata që kanë dhënë jetën dhe gjithçka të shenjtë, është ditë për të shprehur dhe përshëndetur familjarët e tyre,”-shtoi ai. 

Sot është Dita e Dëshmorëve, në vend përkujtohen të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit. Politika shqiptare ka kryer nderime para figurave të tyre. Kryedemokrati Lulzim Basha shkoi i vetëm para të gjithëve, duke vendosur lule në disa prej figurave kryesore të historisë. Ndërsa Presidenca dhe maxhoranca shkuan bashkë. Krah njëri-tjetrit, Meta, Rama dhe Ruçi vendosën lule dhe u përulën para monumentit “Nëna Shqipëri”. I vetmi që foli për mediat ishte presidenti Ilir Meta, i cili bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj LANÇ.

(k.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike 5 maji dita e deshmoreve ilir meta 5 maji dita e deshmoreve ilir meta

Sondazh

Poll