Art&Argëtim

Jeta si një lutje që nuk ndalet kurrë

4 Maj 2020, 16:51 Nga DOSJA
Jeta si një lutje që nuk ndalet kurrë

Ylli Demneri në një rrëfim për Leteratura me përjetimet personale të izolimit dhe ato si anëtar jurie për « Libri i Karantinës »

Që nga aktrimi në filmin “Në çdo stinë”, Ylli Demneri, ka komunikuar me publikun shqiptar përmes letërsisë së tij.

17 letra, përmes të cilave rrëfen në “E Dashura A”, kujtimet, mbamendjet, mallin, vragat, leximet, shkrimtarët, pengjet e një jete. Jeta në komunizmin mbytës dhe tretja e sotme larg ‘Itakës’; një in memoriam për çdo gjë të humbur…

“Më kujtohet”në dy volume – i vlerësuar nga Kritika si libri i të gjithëve; një letërsi memuaristike që përndrit kujtesën e çdo lexuesi, duke zgjuar nga nënvetëdija kujtimet personale të gjithësecilit.

“Bloc- Notes” (blloku i shënimeve), libri i tretë i tij, është një libër-ditar, ndërtuar me shënime dhe fragmente të kujtesës, (shkrepje fotografike) nga e kaluara në të sotmen. Autori ndërthur pjesëza nga jeta e tij, duke na tërhequr për dore në shtëpizën e fëmijërisë, në rrugicatku jemi rritur, në tren, në biçikletë, në avion, apo në udhët e botës.

Edhe pse prej rreth 3 dekadash jeton dhe punon në Paris, Ylli Demneri e gjen gjithmonë shtegun për të ardhur në Shqipëri, për të qenë afër, përtej distancave fizike. Ai është një nga anëtarët e jurisë për vlerësimin e Librit të Karantinës, një konkurs i shpallur nga QKLL, për të nxitur dhe mbështëtur autorët shqiptarë, në këto rrethana të vështira izolimi.

Në një intervistë për Leteratura, ai rrëfen më shumë rreth këtij angazhimi dhe përjetimin personal të larantinës…

 Ylli, kohë karantinash na kanë sjellë vepra te mrekullueshme letrare përgjatë historisë, që ne sot po i shijojmë si lexues më të ngeshëm falë izolimit social. Si ka qënë për ju kjo periudhë? Si është Parisi?

Të qëndrosh në shtëpi. Të lexosh. Të flesh. Të dëgjosh muzikë. Të gatuash. Të ëndërrosh. Të luash me macen tënde. Të vesh re se ajo ecën e rënkon nga dhimbjet e kockave si një njeri i moshuar, që ka humbur vitalitetin e dikurshëm. Të vesh re gjithë jetën e një luleje. Nga lindja e deri në tharje. Të mprehësh veshin për të dalluar cicërimat e zogjve. Të flesh pak më shumë. Ke kohën për të qenë vetvetja. Nuk ka më nxitim. Nuk ka më nevojë për të drejtuar apo shkëmbyer para. Ndjen kalimin e kohës, jeta ngadalësohet sikur asgjë tjetër të mos ketë rëndësi. Sikur të ishim vetëm në botë, të kthyer në agun e krijimit. Mbyll grilat dhe shtrihesh përsëri në shtrat duke gërmuar tërë jetën tënde; ndjen një lumturi të ëmbël të ngjashme me atë që të fal jetesa në një qytet të vogël.

Qetësi. Më në fund të qetë. Paqe sovrane. Nuk ka më metro, autobusë të mbushur me njerëz, mbipopullim të detyruar, e gjithë kjo dhunë që gjeneron qyteti dhe që nuk arrin të na imponohet më. Koha e humbur në transportin publik. Trafik i mbingarkuar që streson. Mungesë e të dukurit. Asnjë shqetësim se çfarë do të veshësh për të dalë. Maska të maskon. Dhe askush nuk e ka mendjen tek ty. Shkurt, jeta e një shkrimtari që kthehet drejt thelbësores. Jeta e shpirtit. Jeta e librave. Jeta e muzikës së brendshme. Jeta si një lutje që nuk ndalet kurrë. Jeta e studimit dhe studimi i jetës. Jeta që kam dashur. Një jetë tërheqëse. Larg zallamahisë dhe nxitimit të botës. (E kam shprehur këtë në librin “Bloc-notes”.)

Paskali thoshte se e gjithë fatkeqësia e njerëzve vjen ngaqë nuk dinë të qëndrojnë të qetë në një dhomë. Kjo është ana pozitive e karantinës. E parë si një mbyllje në Kullën e Fildishtë. Kur ti dhe të afërmit e tu nuk janë prekur nga virusi dhe nuk ke probleme mbijetese.

 Ju jeni pjesë e jurisë së konkursit “Libri i Karantinës” organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Mund të na flisni pak më shumë për këtë angazhim tuajin?

Qe kryetarja e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit, Alda Bardhyli, që më propozoi të isha pjesë e jurisë së këtij konkursi. Pranova sepse përkoi me periudhën e karantinës për shkak të Covid-19 dhe në këto kushte do të kisha kohë për t’iu kushtuar leximit të dorëshkrimeve. Që në fillim propozova që dorëshkrimet të na dërgoheshin pa emrin e autorit me qëllim që të ndjehesha krejt i lirë në gjykimin e veprave letrare, duke shmangur çdo lloj paragjykimi. Qoftë edhe ai politik në lidhje me autorin (duke e ditur që ndezja e luftës së klasave përgjatë 45 vjeteve nuk e ka qetësuar akoma shoqërinë shqiptare). Të gjithë qenë dakord.

Meqë më dhatë rastin për t’u shprehur, do të doja të thoja se emri i këtij konkursi, “Libri i Karantinës”, është i lidhur më shumë me periudhën kur u shpall ky konkurs, sesa me tematikën. Ajo nuk duhet të jetë e lidhur domosdo me karantinën. Konkursi është i hapur për çfarëdolloj tematike.

 Si ka qënë deri tani vëmëndja e autorëve ndaj këtij konkursi?

Për mua kjo është përvoja e parë si anëtar jurie. Kështu që nuk mund të gjykoj vëmendjen e autorëve ndaj këtij konkursi. Deri tani kanë ardhur disa dorëshkrime, romane dhe tregime. E shoh që numri i tyre ka filluar të shtohet.

 Sa mendon që letërsia do ta mbartë këtë periudhë në veprat e saj?

Kjo periudhë është një eksperiencë për të gjithë njerëzimin. Pa dyshim që edhe për çdo krijues. E rëndësishme është të penetrosh në thellësitë e eksperiencës. Vetëm ashtu fjala bëhet autentike. Siç ka patur vepra letrare që lindën pas luftërave botërore, besoj se edhe pas një situate të tillë, ku për herë të parë në historinë e njerëzimit jeta e njeriut merr më shumë rëndësi sesa ekonomia, do të ketë edhe krijime letrare.

 Ju vetë a keni diçka në dorë aktualisht?

Më Kujtohet- më ka zgjuar një kujtesë të mrekullueshme. Besoj lexuesit presin me kërshëri veprën e radhës…

Ashtu si piktorët që bëjnë skica për të ushtruar dorën, por edhe për t’i përdorur më vonë në një kompozim, edhe unë mundohem të bëj të njëjtën gjë me anë të fjalëve. Ky lloj “ngujimi” i detyruar mpreh vështrimin. Krijon situata të reja në marrëdhëniet mes njerëzve. Pastaj nuk duhet harruar që shkrimtarët janë lexuesit më të mëdhenj. Këto kushte të japin gjithashtu mundësinë për të lexuar më shumë se zakonisht. Dhe më mirë. Duke parë me vëmendje bibliotekën, gjë që nuk ndodh në një situatë “normale”, zbulova libra që i kisha blerë sepse më kishin intriguar, por që nuk i kisha lexuar. Të shohim se ç’do të dalë nga kjo përvojë e këto përjetime.

Marrë nga: Gazeta Liberale

(A.K.Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

kulture kulture koronavirusi ne shqiperi ylli demneri koronavirusi ne shqiperi ylli demneri

Sondazh

Poll