Aktualitet

VIDEO/ Arrestohet 40-vjeçari në Maliq pasi qëllonte me kallashnikov duke terrorizuar banorët, ja çfarë u gjet në banesë (EMRI)

Sipas njoftimit të bluve, në pranga ka rënë edhe një person grek, i cili ndodhej me të në momentin e ngjarjes.

16 Mars 2026, 09:59 Nga D.S

VIDEO/ Arrestohet 40-vjeçari në Maliq pasi qëllonte me

MALIQ-  Policia e Korçës thotë se ka arrestuar një 40-vjeçar pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në fshatin Roman në Maliq, duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre. Sipas njoftimit të bluve, në pranga ka rënë edhe një person grek, i cili ndodhej me të në momentin e ngjarjes.

Policia arrestoi 40-vjeçarin Kristo Agolli, banues në Orman, i cili po qëllonte me armë zjarri në momentin e ndërhyrjes. Gjatë aksionit u sekuestrua një kallashnikov, municion luftarak, fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues. Së bashku me të u vu në pranga edhe Dimitrios Pentazidis, 48 vjeç, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.

Hetimet paraprake sugjerojnë se Pentazidis kishte udhëtuar nga Athina posaçërisht për të takuar Agollin. Dyshohet se ai kishte sjellë aparatin metalkërkues nga Greqia me qëllim gjetjen e sendeve me vlerë, kryesisht flori. Të dy personat tashmë do të përballen me drejtësinë për veprat e ndryshme penale që rëndojnë mbi ta.

Njoftimi policisë: 

"Maliq/ Qëllonte me armë zjarri, duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre; Policia kap dhe vë në pranga 40-vjeçarin.
Në pranga edhe një shtetas grek, që ishte bashkë me 40-vjeçarin.
Sekuestrohen arma e zjarrit tip kallashnikov, municion luftarak, fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Orman, një shtetas po qëllonte me armë zjarri, duke terrorizuar banorët dhe rrezikuar jetën e tyre, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Policisë lokalizuan, neutralizuan dhe vunë në pranga shtetasin K. A., 40 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.
Në vendngjarje u sekuestruan arma e zjarrit tip kallashnikov dhe municion luftarak.
Gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, edhe shtetasi grek D. P., 48 vjeç, banues në Athinë, i cili ishte bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ai qëllonte me armë zjarri.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi grek kishte ardhur në banesën e 40-vjeçarit për të kërkuar flori me anë të aparatit metalkërkues, i cili dyshohet se ishte sjellë prej tij nga Greqia. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.",njoftoi policia./Dosja.al

 

arrestohet 40 vjecari ne maliq

Sondazh

Poll