Politike

PD kërkon seancë dëgjimore me kryeministrin Rama për editorialin e përbashkët me Vuçiç

Mësohet se dy liderët propozojnë një model të ri integrimi, ku vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen, pa fituar ende statusin e anëtarit me të drejta të plota.

11 Mars 2026, 11:47 Nga D.S

PD kërkon seancë dëgjimore me kryeministrin Rama për

TIRANË- Partia Demokratike ka kërkuar një seancë dëgjimore me kryeministrin Edi Rama, pas publikimit të një editoriali të përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në mediat gjermane. Mësohet se dy liderët propozojnë një model të ri integrimi, ku vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen, pa fituar ende statusin e anëtarit me të drejta të plota.

Opozita pretendon se kjo qasje e re bie ndesh me rezolutat e mëparshme të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilat njohin vetëm anëtarësimin e plotë si objektiv kombëtar. Sipas demokratëve, ky propozim rrezikon ta lërë Shqipërinë në një paradhomë të BE-së, duke anashkaluar standardet dhe detyrimet që kërkon procesi zyrtar i anëtarësimit.

Përveç mospërputhjes ligjore, kërkesa e PD-së thekson shqetësimin mbi ndikimin që ky model mund të ketë në interesat strategjike të Shqipërisë dhe Kosovës. Ata kërkojnë sqarime të menjëhershme nga kryeministri mbi arsyet e kësaj iniciative të përbashkët me Serbinë dhe nëse kjo lëvizje cenon rrugëtimin e sigurt drejt familjes europiane./Dosja.al

rama vucic be

Sondazh

Poll