Politike

Sulm kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë! Fshihen disa të dhëna në llogaritë e administratës, Kuvendi: Infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur

Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, sulmi dyshohet se kishte si synim fshirjen e të dhënave, pasi është vënë re humbje të informacioni në disa llogari të administratës.

10 Mars 2026, 18:09 Nga D.S
Sulm kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë! Fshihen disa të
Kuvendi i Shqipërisë

TIRANË-  Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, u konstatua një ndërhyrje e paautorizuar në sistemet IT të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, sulmi dyshohet se kishte si synim fshirjen e të dhënave, pasi është vënë re humbje të informacioni në disa llogari të administratës.

Megjithatë, institucioni njofton se infrastruktura kryesore dhe faqja zyrtare mbeten funksionale. Për zbardhjen e ngjarjes po punon një grup i përbashkët ekspertësh nga Autoriteti i Sigurisë Kibernetike, Policia e Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes.

Reagimi i Kuvendit:

"Në përgjigje të interesimit të medias, Kuvendi i Shqipërisë informon se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.

Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme. Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht. Menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.

Për këtë situatë është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po punon për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura. Në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, gjatë këtyre orëve është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm."/Dosja.al

kuvendi i shqiperise kuvend it sulm kibernetik

Sondazh

Poll