Politike

"Pse lejohet grabitja dhe tjetërsimi i tokës së lumit Seman"? Salla- Braçes: S’është administruar asnjë kërkesë zaptimi ose tjetërsimi prone

Në përgjigje, Salla theksoi se Ministria ka identifikuar dokumentacionin dhe në vëmendje të saj është toka bujqësore, ndërsa rezulton se 79 hektarë u janë kthyer dy subjekteve.

5 Mars 2026, 13:04 Nga E. D
"Pse lejohet grabitja dhe tjetërsimi i tokës së lumit
Andis Salla

TIRANË- Ministri i Bujqësisë, Andis Salla u është përgjigjur pyetjeve të deputetit socialist, Erion Braçe. Ky i fundit e pyeti Sallën lidhur me grabitjen dhe tjetërsimin e tokave në lumenjtë Seman e Shkumbin, si në Lushnje, edhe në Divjakë.

Në përgjigje, Salla theksoi se Ministria ka identifikuar dokumentacionin dhe në vëmendje të saj është toka bujqësore, ndërsa rezulton se 79 hektarë u janë kthyer dy subjekteve. Ndërsa lidhur me pyetjen e dytë, Salla tha se janë identifikuar raste të tjera zaptimi ose tjetërsimi, tha se nuk rezulton të jetë administruar asnjë kërkesë e tillë.

Pjesë nga Fjala e Sallës:

Nisur nga shqetësimi i ngritur nga deputeti Braçe, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar dhe evidentuar dokumentacionin kadastral që disponon Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier, për pasuritë në zërin kadastral “pyll”, “arë” dhe “tokë e pafrytshme” përgjatë rrjedhës së lumenjve Seman dhe Shkumbin, në territorin administrativ të bashkive Lushnjë dhe Divjakë.

Dua të sjell në vëmendje se në fushën e veprimtarisë së MBZHR-së është vetëm toka bujqësore (me zërat ”arë, pemë drutore dhe vreshta”).

Pyetja - Pse lejohet grabitja dhe tjetërsimi i tokës së lumit Seman, pranë fshatit Imshtë, Njësia Administrative Bubullimë, Bashkia Lushnjë?

Lidhur me pyetjen e parë, dëshiroj të bëj me dije se pranë fshatit Imshtë, Njësia Administrative Bubullimë, Bashkia Lushnjë, referuar dokumentacionit kadastral, përgjatë lumit Seman rezulton pasuria në zërin kadastral pyll, me numër kadastral 187, me sipërfaqe 137,2 ha në administrim të bashkisë. Ndërsa me Vendimet nr. 49 dhe nr. 58, datë  3.11.1998, të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Rrethit Lushnjë, 79 ha nga kjo sipërfaqe ju është kthyer edhe fizikisht dy subjekteve.

Pyetja - A keni evidentuar raste të tjera të grabitjes dhe tjetërsimit të tokës përgjatë lumenjve Seman dhe Shkumbin në territorin e bashkisë Lushnjë dhe Divjakë?

Për pyetjen e dytë, tokat bujqësore përgjatë lumenjve Seman dhe Shkumbin në territorin administrativ të bashkive Lushnjë dhe Divjakë zënë një sipërfaqe prej rreth 230  hektarë, të ndara në  13 parcela. Këto toka janë në pronësi private, me vendndodhje në fshatrat Ngurrëz e Vogël, Çermë Shkumbin, Çermë e Vogël, Çermë Proshk, Çermë e Sipërme janë me origjinë nga ish-kooperativat bujqësore dhe janë të ndara me Ligjin nr. 7501/1991 “Për tokën”.  

Pranë MBZHR-së, si dhe në Drejtorinë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier, nuk rezulton të jetë administruar asnjë kërkesë, nga asnjë subjekt privat apo shtetëror/njësitë e pushtetit vendor, për zaptim apo tjetërsim toke, në ngastrat tokë bujqësore që shtrihen përgjatë rrjedhës së lumenjve Seman dhe Shkumbin, në territorin administrativ të bashkive Lushnjë dhe Divjakë.

Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vlerëson çdo shqetësim që lidhet me mirë-administrimin e tokës bujqësore dhe ju garantoj se mbetet e anfgazhuar për zbatimin me përgjegjësinë e duhur të kuadrit ligjor për tokën bujqësore./Dosja.al

 andis salla  erion braçe

Sondazh

Poll