Aktualitet

Goditet grupi kriminal në Spanjë/ Policia arreston katër shqiptarë, sekuestrohen mbi 10 mijë euro, ora të shtrenjta dhe një automjet

Sipas njoftimit të policisë, në pranga janë vënë pesë persona, mes tyre katër shqiptarë.

27 Shkurt 2026, 10:08 Nga D.S
Goditet grupi kriminal në Spanjë/ Policia arreston katër
eurot e sekuestruara

SPANJË-  Një grup kriminal është goditur në Spanjë në bashkëpunim edhe me policinë shqiptare. Sipas njoftimit të policisë, në pranga janë vënë pesë persona, mes tyre katër shqiptarë. Uniformat blu bëjnë me dije se në kuadër të operacionit janë sekuestruar 10 590 euro, 4 ora dore të markave të shtrenjta dhe 1 automjet.

Policia e Shtetit theksoi se në muajin janar 2026, blutë e Lezhës finalizuan operacionin e koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u kap njëri nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, me iniciale A. I. Mësohet se  vijon puna për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Njoftimi i policisë:

"Policia shqiptare kontribuon për zhvillimin e operacionit të koduar “Ferdinand”, të organizuar nga Policia spanjolle. Objektivi i operacionit, goditja e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me armë zjarri dhe/ose dhunë ekstreme, të parave dhe sendeve me vlerë, në banesa në Spanjë.

Në kuadër të operacionit janë ndaluar 5 pjesëtarë të grupit (4, shtetas shqiptarë), si dhe janë sekuestruar 10 590 euro, 4 ora dore të markave të shtrenjta dhe 1 automjet. Për zhvillimin e këtij operacioni, Njësia për Krimet Shëtitëse “Antiskifter” në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkëpunoi ngushtë, për rreth 2 vjet, me homologët spanjollë, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Madrid.

Në vijim të këtij bashkëpunimi, në muajin janar 2026, Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u kap njëri nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, shtetasi A. I. Gjithashtu, gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi/përdorim të pjesëtarëve të grupit. Vijon bashkëpunimi me homologët spanjollë, për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar."/Dosja.al

 

spanje goditet grupi kriminal ne spanje

Sondazh

Poll