Politike

E dënuar në Greqi/ ILD nis hetim disiplinor për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka

Në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjoka ka deklaruar se nuk kishte dijeni për dënimin që kishte marrë nga shteti grek. 

25 Shkurt 2026, 12:15 Nga I.A
E dënuar në Greqi/ ILD nis hetim disiplinor për gjyqtaren e
Irena Gjoka

TIRANË- Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin për gjyqtaren Irena Gjoka. Gjatë një kthim përgjigje ndaj avokates Adriana Kalaja, ILD njofton se ndaj Gjokës është nisur një hetim disiplinor për dënimin në Greqi që ka marrë. 

Në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjoka ka deklaruar se nuk kishte dijeni për dënimin që kishte marrë nga shteti grek. 

Njoftimi i Plotë:

REPUBLIKA E SHQIPERISE

ZYRA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË

Nr. 255/prot. 18

Tiranë, më 20 02.2026

Njoftim vendimi për fillimin e hetimit disiplinor me iniciativë dhe nismën e ankuesit

ZNJ. ADRIANA KALAJA Rruga “Bedri Dedja”, Nr. 179

Tiranë

E nderuar znj. Adriana Kalaja,

Ju informojmë, se Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) pas shqyrtimit fillestar të ankesës tuaj, të regjistruar me nr. 1399 prot., datë 06.05.2025, ka konkluduar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme që magjistratja Irena Gjoka ka kryer veprime/mosveprime, të cilat në referim të nenit 103, shkronja “dh” dhe nenit 104 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përbëjnë shkelje disiplinore. Për këtë arsye, është vendosur fillimi i hetimit disiplinor me iniciativë dhe me nismë të ankuesit ndaj magjistrates znj. Irena Gjoka, gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në nenin 123, 124 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në mbështetje të nenit 119, pika 4, nenit 123, pika 3 dhe 124 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bashkëlidhur këtij vendimi do të gjeni një kopje të vendimit për fillimin e hetimit disiplinor.

E dënuar në Greqi/ ILD nis hetim disiplinor për gjyqtaren e

Çfarë gjeti Prokuroria e Përgjithshme në hetime?

Prokuroria e Përgjithshme ka faktuar se gjyqtarja Irena Gjoka ka fshehur dënimin në Greqi në formularin e saj të vetëdeklarimit. Pas përfundimit të hetimeve të thelluara 2-vjeçare, Prokuroria thekson se vendimi i autoriteteve greke, për dënimin e Irena Gjokës, me detyrë gjyqtare në GJKKO, është autentik. Po në njoftimin e saj, Prokuroria sqaron se vendimmarrja për shkarkimin e Gjokës nga detyra apo jo, i takon KLGJ-së. Prokuroria e Përgjithshme i ka kaluar KLGJ-së vendimin autentik të dënimit të Gjokës, bashkë me vendimin e autoriteteve greke për arkivimin e dënimit për shkak të mos ekzekutimit. Ndërkohë që KLGJ me shumicë votash çështjen e referoi te ILD./Dosja.al

irena gjoka

Sondazh

Poll