Aktualitet

Shembja e rrugës/ Kreu i ARRSH: S’ka afat se kur kthehet qarkullimi me Pogradecin, Korçën, Ersekën

Ai njoftoi se është vendosur prishja e urës ekzistuese në zonën e prekur, si dhe lehtësimi i ngarkesës në segmentin e rrugës ku ka ndodhur rrëshqitja, deri në ndërtimin e një skarpate natyrale që do të stabilizojë terrenin.

24 Shkurt 2026, 18:55 Nga E. D
Shembja e rrugës/ Kreu i ARRSH:  S’ka afat se kur kthehet qarkullimi
Ami Kozeli

TIRANË- Kreu i ARRSH, Ami Kozeli deklaroi në konferencë për mediat, se ende nuk ka afat se kur do të marrë fund izolimi i juglindjes. Ai theksoi, se reshjet intensive të ditëve të fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në destabilizimin e terrenit.

Gjithashtu ai njoftoi se është vendosur prishja e urës ekzistuese në zonën e prekur, si dhe lehtësimi i ngarkesës në segmentin e rrugës ku ka ndodhur rrëshqitja, deri në ndërtimin e një skarpate natyrale që do të stabilizojë terrenin.

“Nga analiza e kryer rezulton se shkaku kryesor i kësaj situate mbetet ndikimi i reshjeve intensive dhe të shtrira në kohë të gjatë, erozioni lumor, si dhe saturimi masiv i tokës, gjë që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive dhe pamundësi për ndërhyrje të menjëhershme derisa të merren rezultatet e raportit gjeologjik.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Teknik të përbashkët midis ARRSH dhe Hekurudhës Shqiptare, me pjesëmarrje edhe të stafit akademik nga Fakulteti i Gjeologjisë së Ndërtimit, gjeologëve, projektuesve dhe mbikqyrësëve të ngarkuar, u morën këto vendime: Ndërtimi i një rruge alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin për të mundësuar kalimin e trafikut deri në stabilizimin e plotë të rrëshqitjes.

Prishja e urës ekzistuese, tashmë jashtë funksionit dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës së rrëshqitur, deri në krijimin e një skarpate natyrale që do mundësojë ndërhyrjen me mjetet e shpimit. Është vendosur sistemi dhe disiplinimi i të gjithë ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes, devijimi i rrjedhës së lumit që aktualisht godet trupën e hekurudhës, për të garantuar mbrojtjen e saj”, tha Kozeli./Dosja.al

ami kozeli

Sondazh

Poll