Aktualitet

E ulën në gradë pas arrestimit të Altin Morinës, ish-shefi i policisë fiton gjyqin ndaj Ilir Prodës në Gjykatën Administrative

Fillimisht ai u ndëshkua me ulje në gradë, e më pas u transferua në detyra më të ulëta në rrethe.

23 Shkurt 2026, 13:56 Nga E.d
E ulën në gradë pas arrestimit të Altin Morinës,
Foto ilustruse

TIRANË- Ritvan Pali, Ish-shefi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, ka fituar gjyqin ndaj Ilir Prodës në Gjykatën Administrative. Ai u ul në gradë pas arrestimit të Altin Morinës, ish-efektiv i RENEA-s, i kërkuar nga SPAK për lidhje me grupe kriminale. 

Pas arrestimit të Morinës, ndaj Palit nisi një seri masash nga drejtues të Policisë së Shtetit. Fillimisht ai u ndëshkua me ulje në gradë, e më pas u transferua në detyra më të ulëta në rrethe.

Sipas Drejtorisë së Standardeve Profesionale, arsyeja e uljes në gradë për një vit ishte se Ritvan Pali nuk kishte veshur uniformën më 11 maj, ditën e zgjedhjeve parlamentare. Në atë ditë u shënua edhe një incident, pasi Belind Këlliçi pretendoi se kishte zbuluar një zyrë të fshehtë patronazhimi të kandidatit Erion Braçe

Në Gjykatën Administrative, Pali provoi se kishte vepruar sipas ligjit dhe ishte i pajisur me dokument identifikimi gjatë incidentit. Gjykata shfuqizoi vendimin për uljen e tij në gradë për një vit. Megjithatë, ai vendosi të largohet nga Policia e Shtetit me dorëheqje.

Si u arrestua Altin Morina?

Ish-efektivi i RENEA-së, Altin Morina i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi” është arrestuar mbrëmjen e 3 prillit të vitit të kaluar. Altin Morina është arrestuar nga shërbimet e komisariatit nr.2 në Tiranë teksa bashkë me të ishte edhe një person tjetër. Altin Morina u shpall në kërkim në kuadër të operacionit Revanshi.

Çfarë ndodhi pas arrestimit të Altin Morinës?

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetiti Ilir Proda shkriu të gjithë zinxhirin komandues të komisariatit nr. 2 në Tiranë pas arrestimit të ish-efektivit të RENEA-s Altin Morina. Sipas informacioneve, "zemërimi" i Prodës vjen pasi Morina është mik i ngushtë i tij.  Kështu, në shenjë hakmarrje, Proda ka shkarkuar shefin e komisariatit, shefin e krimeve, oficerët e policisë gjyqësore të komisariatit si dhe agjentët civilë.

Kjo çështje shkon më thellë pasi AMP jo vetëm nuk mban qëndrim në krah të efektivëve të policisë për një hetim sa më të plotë të ngjarjes së paprecedentë, por delegon Franc Ndojin për t’u bërë presion agjentëve të mbetur në komisariat që të lënë detyrën. Drejtori i AMP së Tiranës Franc Ndoji dhe ish-efektivi i RENEA-s Altin Morina gjithashtu njihen për shoqërinë e tyre të ngushtë si dhe kanë qënë nën hetim më parë si grup i përfshirë në huadhënie me fajde si dhe grup që menaxhonte lojërat e fatit në Tiranë, Fushë-Krujë dhe Shkodër./Dosja.al

ritvan pali altin morina ilir proda

Sondazh

Poll