Aktualitet

Akuzohet për vrasjen e Fatbardh Licit/ Safet Bajri kërkon lirimin nga burgu, depoziton kërkesë në Gjykatën Kushtetuese

Në padinë e paraqitur, Bajri kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve gjyqësore që kanë caktuar dhe lënë në fuqi masën e arrestit në burg.

13 Shkurt 2026, 17:15 Nga E. D
Akuzohet për vrasjen e Fatbardh Licit/ Safet Bajri kërkon lirimin nga
 Safet Bajri

TIRANË- Safet Bajri, ka depozituar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshton masën e sigurimit personal “Arrest me burg” të vendosur ndaj tij. Në padinë e paraqitur, Bajri kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve gjyqësore që kanë caktuar dhe lënë në fuqi masën e arrestit në burg.

Sipas kërkesës, Bajri pretendon se vendimet në fjalë cenojnë të drejtat dhe liritë e tij kushtetuese, duke argumentuar se masa e sigurimit “Arrest me burg” është e pajustifikuar dhe jo proporcionale.

Konkretisht, Safet Bajri kundërshton vendimin nr. 22, datë 24.02.2025 te Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; vendimin nr. 20 (87-2025-93), datë 20.03.2025 të Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; si dhe vendimin nr. 00-2025-1018, datë 24.06.2025 të Kolegjit Penal të Gjykata e Lartë e Shqipërisë.

Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë fillimisht mbi pranueshmërinë e kërkesës, përpara se të shqyrtojë në themel pretendimet e paraqitura nga kërkuesi.

Safet Bajri, së bashku me Behar Bajrin, Astmer Bilalin dhe Eria Agon akuzohen nga SPAK për vrasjen e Fatbardh Licit. Motivi i vrasjes së Licit sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi.

Arrestimi i Safet Bajrit 

Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Bashkë me masën “arrest me burg” GJKKO ka miratuar me kërkesë të SPAK edhe kërkesën për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit. Sipas raportimeve, ditën që u soll nga Shkodra në policinë e Tiranës e pranishme ka qenë edhe ekspertja që do të merrte kampionet për ADN, por nuk është lejuar në atë moment nga i arrestuari, i cili ka kërkuar të bëhet në një ditë tjetër.

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, pas ekzekutimit të masave të arrestit ndaj tyre thuhej se ndaj Bajrave dhe Bilalit rëndojnë akuzat për "Vrasje me paramendim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Dyshohet se të tre personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Fatbardh Licit. SPAK ka bërë me dije se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të zbardhur ekzekutimin e Licit.

Në njoftimin e prokurorisë thuhej gjithashtu se motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana. Kështu për të marrë hak, Bajrajt dhe Bilali kanë vrarë Fatbardh Licin më 8 gusht të vitit 2018./Dosja.al

safet bajri

Sondazh

Poll