Politike

Mosvendimarrja e Gjykatës Kushtetuese, Rama: Beteja për Drejtësinë do të vazhdojë, parlamenti nuk merret peng nga një prokuror

Në fjalën e tij, Rama ka dhënë një mesazh dhe për Opozitën, duke deklaruar se lufta për drejtësi dhe për Shqipërinë Evropiane ka vetëm atë shumicë qeverisëse si garant.

8 Shkurt 2026, 09:49 Nga I.A
Mosvendimarrja e Gjykatës Kushtetuese, Rama: Beteja për
Edi Rama

TIRANË- Kryeminisri Edi Rama ka komentuar mosvendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën e tij për pezullimin e një anëtari të qeverisë nga Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme. Gjatë fjalës së tij në podcastin 'Flasim', Rama u shpreh se këtë betejë me drejtësinë do ta vazhdojnë deri në fund. 

Po ashtu, Rama theksoi se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj, u mbyt me lugën në ujin e turbullt të tyre, që Servantesi i quan arsyet e Mosarsyes. Rama ka dhënë një mesazh dhe për Opozitën, duke deklaruar se lufta për drejtësi dhe për Shqipërinë Evropiane ka vetëm atë shumicë qeverisëse si garant. 

"Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi. Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes. 

Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministres, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi. Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive  të parlamentit nga pushteti gjyqësor.

Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, - është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, - por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë. Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër.

Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, - se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, - i futi në një thes, - u them një gjë, - kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kaq e thjeshtë është," tha Rama./Dosja.al

edi rama gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll